Irena Beqiraj: Demokraci e dobët me Lidership autoritar

105

Irena Beqiraj, ish zv/ministre

Jemi një demokraci e dobët, me Lidership autoritar, gjithmonë në kriza politike të njëpasnjëshme

 

Ish-zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, një ditë pas “Jo”-së së presidentit të Francës Emmanuel Macron, lidhur me çeljen e negociatave me Shqipërinë, nuk kursen kritikat ndaj qeverisë dhe kryeministrit, të cilëve iu shërbeu muaj më parë. Sipas Beqirajt, ‘çfarë jemi sot në gjendje ekonomikisht të kontribuojmë në BE? Të ardhurat tona për frymë janë sa 35% të të ardhurave për frymë në Evropë. Jemi Ekonomia me pak produktive, me konkurrueshmërinë më të ulët, me stabilitet markofiskal të luhatshëm , me koeficientin të ulët të hapjes tregtare si dhe larg akoma të qenit një ekonomi tregu funksionale. Çfarë jemi sot në gjendje politikisht të kontribuojmë në Evropë? Jemi një demokraci e dobët, me Lidership politik autoritar, gjithmonë në kriza politike të njëpasnjëshme, me një kulturë dialogu mjerane , e cila le shumë për të dëshiruar”.

Irena Beqiraj: Ekonomia e dobët dhe lidershipi autoritar na lanë jashtë BE-së

Ka kohë që ka pasur një kontradiktë të hapur dhe të qartë, midis qëndrimit politik të disa vendeve të BE-së dhe qëndrimit teknik të KE -së mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Politikanët evropianë nuk bëjnë përjashtim nga rregulli. Janë të detyruar të mbajnë ato qëndrime të cilat perceptohen si të drejta nga elektorati i tyre pavarësisht nëse janë këto qëndrime të duhura apo të drejta. Sikurse nuk duhet të harrojmë që edhe në gjuhën e rrumbullakosur dhe pozitive të teknicienëve të BE ( Mogherini e Hahn) ka një dozë optimizmi që duhet marrë me rezervë, pasi nga përparimi dhe rezultatet e vendeve kandidate vlerësohej edhe performanca e tyre. Nuk fitojmë gjë, sikur nuk kemi fituar deri tani , të gërmojmë për të vërtetat tona në raportet edhe qëndrimet e BE-së, të debatojmë nëse ne i kemi përmbushur detyrat apo jo, të akuzojmë Francën si jo dashamirëse apo ta konsiderojmë jo-në një thikë pas shpine. Cilido të jetë qëndrimi ynë në këtë debat nuk na çon asgjëkund. Disavantazhin e një JO -je, përtej propagandës ,duhet ta kthejmë në avantazh duke ndryshuar qasjen tonë karshi procesit të integrimit. Nëse fjalën integrim do ta zëvendësonim me fjalën kontribut , nuk do të kishte nevojë të na i përcaktonte BE detyrat e shtëpisë e as të na vendoste kushte, por do të ishim vet në gjendje të përcaktonin nëse jemi gati të ulemi në tavolinë me BE për të negociuar ? Negociatë do të thotë të japësh dhe të marrësh. Çfarë jemi në në gjendje të japim? Çfarë jemi sot në gjendje ekonomikisht të kontribuojmë në BE? Të ardhurat tona për frymë janë sa 35% të të ardhurave për frymë në Evropë. Jemi Ekonomia me pak produktive, me konkurrueshmërinë më të ulët, me stabilitet marko-fiskal të luhatshëm , me koeficientin të ulët të hapjes tregtare si dhe larg akoma të qenit një ekonomi tregu funksionale. Çfarë jemi sot në gjendje politikisht të kontribojmë në Evropë? Jemi një demokraci e dobët, me Lidership politik autoritar, gjithmonë në kriza politike të njëpasnjëshme, me një kulturë dialogu mjerane, e cila le shumë për të dëshiruar. Sa jemi sot në gjendje të themi, nëse ndajmë apo jo të njëjtat vlerat fondamentale me të mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pronës? Pak, shumë pak! Negociatat janë përdorur gabimisht por jo naivisht nga qeveritë si matësi i performancës. Negociatat janë pritur nga populli si i vetmi shpëtim për të dalë nga vështirësitë, dhe konfuzioni që kemi 25 vjet që jetojmë si shoqëri qoftë ekonomikisht qoftë politikisht. Makroni do të ishte bërë një “Acte Noble “po t’i kishte shtrirë dorën këtij populli që nga mungesa e busullës politike endet në kërkim të ndihmës . Por besoj që Jo-ja e tij është po aq për vlerësuar dhe falënderuar , pasi pazgjidhshmërisht na detyron që zgjidhjet t’i gjejmë mes nesh, dhe rrugën drejt suksesit ta përcaktojmë vet. Dhe rruga drejt suksesit u përket të gjithë atyre që disavantazhin dinë ta kthejnë në avantazh.