Investimet konkrete  të Ministrit të  Drejtësisë  Nasip Naço për reformën e re në sistemin e Drejtësisë

407
Sigal

Politika e re synon vizionin e një drejtësie penale jo vetëm korrektuese, por edhe respektuese ndaj qenieve njerëzore

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço po konkretizon reformën e re në sistemin e drejtësisë, edhe nëpërmjet investimeve që kapin shuma të mëdha në euro, falë politikave të bashkëpunimit ndërinstitucional të ministrisë së Drejtësisë, dhe sidomos bashkëpunimit  me institucionet ndërkombëtare. Kështu sot, në Berat  konkretizohet ky vizion i ri i reformave që ndërmerr Ministria e Drejtësisë, ku do të inaugurohet paraburgimi i ri, projekt ky i mundësuar nga  politika e bashkëpunimit  me institucionet ndërkombëtare, sikurse është IPA. Ky investimi i IPA-s kap shifrën e rreth 4 milion eurove,ndërkohë që duhet theksuar edhe investimi i Ministrisë së Drejtësisë me një buxhet prej rreth 782 mijë euro, që  ministri Naço siguroi nga buxheti i shtetit, ku përfshihen sistemi i ngrohje/ftohjes, sistemi elektrik i paneleve diellore, sistemi hidraulik etj.Paraburgimi i Beratit ka një kapacitet prej 116 personash. Në ceremoninë e sotme të inaugurimit të paraburgimit në Berat, të pranishëm, do të jenë ministri i Drejtësisë, Nasip Naco, zv/Ambasadori i Delegacionit te BE-se, z. Yngve Engstroem, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve,  Artur Zoto, nga Institucioni i Avokatit të Popullit, Zyra OSBE-së,  etj.

 I kontaktuar nga gazeta “Telegraf” ministri i Drejtësisë, Nasip Naço pohon se “Hapja e një institucioni të ri të ekzekutimit të vendimeve penale shkon paralelisht me frymën tonë të reformës në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, është edhe në përputhje me vizionin e një drejtësie penale jo vetëm korrektuese, por edhe respektuese ndaj qenieve njerëzore. Procesi i riintegrimit për personat në konflikt me ligjin nis që nga momenti i hyrjes së tyre në këto institucione e vijon me mënyrën e trajtimit konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Konkretisht, është kryer një punë e mirë për hartimin e Projekt VKM-së për shpërblimin e punës së të dënuarve në sistemin e burgjeve. Po ashtu, kanë nisur të zbatohen në praktikë projektet e punësimit brenda burgjeve, me anë të afrimit të investitorëve të ndryshëm, si dhe janë bërë amendimet e duhura ligjore dhe janë hartuar akte nënligjore që lidhen drejtpërdrejtë me jetën e të burgosurve, për t’i përsosur ato më tej”. Gjithashtu, është ndërtuar një infrastrukturë rrugore  e re, për të mbërritur në këtë institucion paraburgimi, dhe kjo është mundësuar me anë të një financimi prej 96 milion e 800 mijë lekë të rinj. Infrastruktura rrugore, do t’ju shërbejë edhe gjithë banorëve të qarkut të Beratit, por do të krijojë të gjitha lehtësitë dhe mundësitë edhe vizitorëve dhe turistëve, që dëshirojnë të vizitojnë vendet turistike të zonës e më tej. Jo vetëm kaq, por janë bërë edhe investime për skarpatat mbrojtëse dhe sistemin e përroit pranë IEVP Berat, me një vlerë prej 49 milion e 800 mijë lekë të reja. Të gjitha këto janë kryer brenda një periudhe 2- vjeçare. Të gjitha investimet e mësipërme ndikojnë në përmirësimin e zonës dhe sigurinë e mbrojtjes së terrenit. Sikurse mësojmë nga burime zyrtare të ministrisë së Drejtësisë, së shpejti pritet të inaugurohet edhe burgu i Fierit, me një kapacitet prej 780 personash dhe me kushte optimale, ndërkohë që është në ndërtim burgu i Shkodrës me një kapacitet prej 680 personash. Këto investime që ndërmerr ministria e Drejtësisë, do të ndikojnë drejtpërdrejt në një përmirësim të shpejtë të kushteve jetike dhe infrastrukturore ta kenë edhe IEVP-të e tjera në vend.

Jakup B. GJOÇA