Investime publike zero, rrugët nacionale në mëshirën e fatit

536
Jakup B. GJOÇA
Qeveria mbeti me gërshërë në dorë, duke prerë shirita inaugurimesh dhe përuruar objekte për të disatën herë
Dje, kryeministri Rama, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj, inauguruan fillimet e punimeve të segmentit të dytë. Lajm i madh, që meritoi ceremoni solemne zyrtare, edhe pse kemi harruar, e sata herë është festuar inaugurimi i punimeve. Bulevardi i ri i Tiranës, që do të fillonte që nga (ish)stacioni i trenit, si zgjatim i Bulevardit “Zogu i Parë e do të kishte mbaronte te terminali i ri, kemi harruar vitet kur filloi, u paralizua në 2013-n, nga kryeministri Rama, sepse kryebashkiaku i Tiranës ishte Basha i PD-së, rifilloi në 2017-n, sa PS-ja rifitoi bashkinë e Tiranës, është inauguruar disa herë. 
Qeveria që nga 2103-ta inauguron investime …fasadash
Që nga 2013-ta në Shqipëri nuk është ndërtuar asnjë aks i rrugëve nacionale. Madje, akoma edhe sot, nuk është bërë i mundur të mbarojë segmenti 14 kilometra i rrugës Elbasan – Tiranë, i trumbetuar që nga 2013-n. Ende nuk ka mbaruar baypass i Fierit, ndërsa Rruga e Kombit është lënë në mëshirë të fatit. Rruga e re për në Peshkopi ka mbetur në makete dhe premtohet sa herë që ka fushata elektorale. Rruga Kardhiq –Sarandë është braktisur, duke dëmtuar rëndë edhe zhvillimin e turizmit. Ndërkohë, që qeveria ka shpenzuar fonde qindra miliona euro për restaurimin e fasadave të institucioneve shtetërore, si ministritë apo për ndërtimin e muzeve dhe të shesheve të qyteteve. 

Investime pa vlerë, pa cilësi
Nëse bie shi, autostrada e vetme në Shqipëri Tiranë – Durrës përmbytet e tëra, pa mundur që të kalohet pa mjete lundruese. Qeveria e Rilindjes e devijoi projektin e parë, e ngushtoi, duke investuar miliona euro për mbjelljen e palmave, të cilat “hëngrën” edhe një korsi shtesë. Dihet, që palmat u thanë, rruga tashmë është kryer në rrugë rurale, me gropa, me asfalt të prishur, saqë dhjetëra aksidente vdekjeprurëse ndodhin çdo muaj. Rruga Lin – Pogradec ka 5 vite që është filluar dhe ende nuk ka përfunduar, edhe pse po fillon sezoni i ri turistik, edhe pse është aksi kombëtar që lidh Shqipërinë me Greqinë. Në rrugën Elbasan – Tiranë, kanë rënë disa ton gurë të rrëshqitur nga mali janë ende aty, sepse u kryen punime me cilësi të keqe dhe, me muaj të tërë, askush nuk interesohet të pastrojë, qoftë edhe me lopata dheun dhe gurët që të hapë rrugën. Rruga e Kombit, jo vetëm që nuk ka përfunduar në këto 5 vite, por edhe nuk mirëmbahet dhe është braktisur në mëshirën e fatit. Taksa që ka vendosur qeveria për mirëmbajtjen e rrugëve në çmimin e karburantit, e cila vlerësohet në 210 milionë euro, nuk përdoret për mirëmbajtjen e rrugëve, por për të paguar koncesionet e qeverisë, ndërkohë, që është llogaritur, që duhen 45 milionë euro në vit për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale. 
Mbillen pemë, por janë mbyllur ujërat e zeza
Tirana duket se për bashkinë është vetëm sheshi Skënderbej, i çimentuar tashmë, sepse nëse del 10 metra për në periferi, do të kujtosh se je në rrugë rurale, ngaqë të gjitha akset e rrugëve të Tiranës që lidhen me qendrën janë prishur, nuk mirëmbahen. Edhe ato rrugica që ka filluar të asfaltohen, lihen me vite të tëra në mes, duke u mbushur me pellgje uji dhe baltë për banorët e kryeqytetit. E vërteta është se rrugicat braktisen gjatë viteve, me qëllim që të inaugurohet mbarimi i tyre në prag-fushate elektorale, dhe jo të përmirësojnë jetesën e banorëve të Tiranës. Sapo u dha “sihariqi” që mbaroi fushata e stërzgjatur dimërore e mbjelljes së pemëve të reja, në ato pak hapësira që kanë lënë pa u betonizuar akoma. Ndërkohë, që në rrugët dhe rrugicat e Tiranës ujërat e zeza janë të pambuluara dhe bëhet burime infeksionesh dhe sëmundjesh, duke rrezikuar shëndetin publik, ndërkohë që bashkia e Tiranës ka shumëfishuar taksat për kanalizime, për gjelbërime. Bashkia e Tiranës ka rritur çmimin e ujit, ndërkohë që akoma banorët nuk kanë as ujë të pijshëm, as ujë 24 orë. Qeveria rriti çmimin e energjisë elektrike, por mungojë investimet, sepse shpeshherë qytetarët mbeten pa drita, nuk ka ndriçim në rrugë e rrugica dhe, tensioni i energjisë elektrike që mbërrin në shtëpi dhe biznese, është problematik. 
Sigal