INUK, PS: Çlirohen hapësirat që zuri Berisha. PD:Sulmoni qytetarët

431
Sigal

TIRANE – Partia Socialiste përmes deputetes Blerina Gjylameti ka dhënë një tablo të aksioneve që ka bërë Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në vend, ku vetëm në Tiranë janë rrafshuar 1800 ndërtime pa leje, që sipas mazhorancës janë lejuar nga kreu i Bashkisë Lulzim Basha e më pas janë legalizuar nga Sali Berisha në kohën kur ky i fundit ishte në pushtet.
 
“Ndërtime pa leje, kryesisht në Tiranë, që lulëzuan gjatë mandatit të demokrateve në krye të Bashkisë, të cilat më pas legalizoheshin nga qeveria e kaluar. Me pak fjale, Luli nxiste zaptimin e hapësirës publike, Saliu i legalizonte. Fatmirësisht, falë punës së qeverisë dhe INUK, sot hapësira publike po i rikthehet qytetarëve. Këtë e kemi parë në rrugët dhe lagjet e Tiranës, por po e shohim dita ditës edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Është për të ardhur keq që pikërisht këta zotërinj të opozitës, në vend që të kërkonin ndjesë për zullumet e bëra, qoftë në raport me drogën, qoftë në raport me energjinë, qoftë në raport me ndërtimet pa leje, si edhe shumë e shumë gjera të tjera, kanë zgjedhur të mos reflektojnë mbi gabimet e bëra në 8 vjet qeverisje, por me kokëfortësi të mbrojnë të pambrojtshmit, shkelësit e ligjit”, tha Gjylameti.

Po Partia Demokratike e konsideron aksionin e INUK në shkallë kombëtare si një sulm drejtuar qytetarëve dhe një mbështetje në të mirë të klientelës së Kryeministrit dhe qeveritarëve.

“Dy Shqipëri kemi sot e gjithë ditën. Shqipëria e miqve të Edi Ramës, e qeveritarëve që nuk preken. Dhe Shqipëria e të tjerëve ku arbitrariteti e represioni bën hi cdo gjë që u del para. Pallatet shumëkatëshe të klientelës qeveritare në breg të detit në Durrës vazhdojnë të hedhin shtat. Po janë me dhjetra e me qindra rastet selektive, ku ndërtesa e një qytetari prishet, dhe ngjitur me të, ndërtesa e mikut, nipit, kunatit, kushëririt, të deputetit ose ministrit nuk preket. Qytetarët nuk do ta lejojnë këtë padrejtësi. Partia Demokratike i fton ata të kundërshtojnë me cdo mjet pabarazinë para ligjit”, tha deputeti demokrat Aldo Bumci në një deklaratë për mediat nga selia blu.

Vetë kryeministri Rama është shprehur se INUK do të vijojë aksionet derisa të gjitha ambientet publike të jenë liruar, një politikë që për opozitën ka qenë me dy standarte, që në krye të herës.

Deklarata për shtyp e deputetes Blerina Gjylameti:
 Janë plotë 1800 objekte pa leje, vetëm në Tiranë, të çliruara deri më sot nga INUK, hapësira që fatkeqësisht ishin të zaptuara nga ndërtime pa leje dhe që kishin bllokuar parqe, kënde lojërash, trotuare, rrugë e rrugica. Ndërtime pa leje, kryesisht në Tiranë, që lulëzuan gjatë mandatit të demokrateve në krye të Bashkisë, të cilat më pas legalizoheshin nga qeveria e kaluar. Me pak fjale, Luli nxiste zaptimin e hapësirës publike, Saliu i legalizonte.

Fatmirësisht, falë punës së qeverisë dhe INUK, sot hapësira publike po i rikthehet qytetarëve. Këtë e kemi parë në rrugët dhe lagjet e Tiranës, por po e shohim dita ditës edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. 

Janë 138 mijë metra katror sipërfaqe e çliruar në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnje. Nga të cilat mbi 100 mijë metra katror sipërfaqe e çliruar janë vetëm në Tiranë. INUK është duke ndërhyre edhe në Durrës, në zonën e plazhit deri në Golem ku janë rreth 200 objekte të ndërtuara pa leje, shpeshherë në mes të rërës. Ndërhyrja ka filluar edhe në Elbasan, në rreth 400 objekte të ndërtuara pa leje.

Por, fatkeqësisht, opozita vazhdon të mbajë një qëndrim destruktiv. Njësoj si në rastin e Lazaratit, kur sulmonte policinë e mbronte kultivuesit e drogës, njësoj si në rastin e aksionit për ndërprerjen e lidhjeve të jashtëligjshme të energjisë, kur mbron eksponentët e PD që e vjedhin energjinë dhe sulmon punonjësit e shtetit që ndërpresin lidhjet e paligjshme, edhe në rastin e aksionit të INUK deputetët e opozitës kanë zgjedhure të bëhen palë me zaptuesit e hapësirës publike dhe ndërtuesit pa leje. 

Është për të ardhur keq që pikërisht këta zotërinj të opozitës, në vend që të kërkonin ndjesë për zullumet e bëra, qoftë në raport me drogën, qoftë në raport me energjinë, qoftë në raport me ndërtimet pa leje, si edhe shumë e shumë gjera të tjera, kanë zgjedhur të mos reflektojnë mbi gabimet e bëra në 8 vjet qeverisje, por me kokëfortësi të mbrojnë të pambrojtshmit, shkelësit e ligjit.

Deklarata e plote e deputetit te PD Aldo Bumci
Sa më shumë thellohet represioni i Edi Ramës ndaj të pamundurve, ndaj ndërtimeve të qytetarëve që ushqehen dhe mbajnë familjen me dyqanet e tyre, aq më shumë zmadhohet pabarazia para ligjit. INUK-u i Edi Ramës, po u shkatërron pasurinë, mundin e djersën shumë qytetarëve, por kjo nuk i shqetëson aspak Ministrat, deputetët, miqtë e Kryeministrit, të cilët kanë ndërtime pa leje, dhe vazhdojnë të shtojnë katet e pasurisë e tyre në breg të detit. Dy Shqipëri kemi sot e gjithë ditën. Shqipëria e miqve të Edi Ramës, e qeveritarëve që nuk preken. Dhe Shqipëria e të tjerëve ku arbitrariteti e represioni bën hi cdo gjë që u del para.

Po i kujtojmë qytetarëve sot se Sarajet e Koco Kokëdhimës 2 metra larg bregut të detit nuk preken. Shtesa e vëllait të Koco Kokëdhimës në Tiranë që ka zvogëluar trotuarin me 1 metër e gjysëm, nuk preket. Pallatet shumëkatëshe të klientelës qeveritare në breg të detit në Durrës vazhdojnë të hedhin shtat. Po janë me dhjetra e me qindra rastet selektive, ku ndërtesa e një qytetari prishet, dhe ngjitur me të, ndërtesa e mikut, nipit, kunatit, kushëririt, të deputetit ose ministrit nuk preket.

Qytetarët nuk do ta lejojnë këtë padrejtësi. Partia Demokratike i fton ata të kundërshtojnë me cdo mjet pabarazinë para ligjit. Ne do të jemi krah tyre për ta ndalur të keqen.