INTERVITA/ Agim Rrapaj: Ndaj fermerëve zbatohet politika e taksave indirekte që ndikon negativisht për bujqësinë

847
Jakup B. GJOÇA

Loja e qeverisë me subvencionet për fermerët dhe taksat e fshehta
Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se qeveria, ndonëse ka projekte nxitëse për fermerët, ato mbeten në letër, sepse edhe subvencionet nuk plotësohen, pasi jo vetëm që ato janë të vështira për t’u marrë nga fermerët, por fondet e tyre përdoren për qëllime të tjera nga qeveria. Sipas zotit Rrapaj, problem është edhe formalizimi i fermave, taksat indirekte ndaj fermerëve dhe është domosdoshmëri përmirësimi i ligjit për SHBB-të. 
– Zoti Rrapaj, çfarë do të thotë TVSH për agrobiznesin?
– Rimbursimi i TVSH-së dhe futja e saj në taksë, që e rëndon konsumatorin, jo prodhuesin, është një arritje në fushën e agrobiznesit. Si, fillim, duke mos qenë e formalizuar agrobiznesi, nuk ka pasur rimbursim të TVSH-së, dhe kjo ka munguar në gjithë procesin e rregullt të tregut të lirë, dhe pa TVSH nuk mund të funksionojë tregu i lirë. Por TVSH-ja në bujqësi ka hasur në shumë vështirësi. Në shumë raste, rimbursimi i TVSH-së në bujqësi dhe agroindustri nuk është ndonjë vlerë e madhe, rreth 22 milionë euro në vit, por kjo është mjaft e domosdoshme për të rregulluar tregun. Fermerët janë të papërgatitur për këtë proces, për rimbursimin, 

– Pse fermerët tanë janë të papërgatitur për rimbursimin e TVSH-së?
– Sepse ne, së fundi kemi publikuar një udhëzim të DPT, për rregullat e rimbursimit të TVSH-së, dhe shumë nga këto rregulla janë të pamundura për t’u realizuar nga fermerët, veçanërisht nga blegtorët. Për të rimbursuar TVSH-në duhet fillimisht një marrëveshje paraprake me blerësit e lëndës së parë, duhet njoftuar drejtoria e tatimeve, duhet bërë veprime nëpërmjet bankës mbi 150.000 lekë, e të gjitha këto elementë një blegtor i ka të vështirë, që aty në mal ai të bëjë një marrëveshje paraprake 1 vjeçare, të shkojë në bankë për të bërë rimbursimin, etj. Ky është një rregull që duhet zbatuar. 

– Po TVSH-ja për biznesin e vogël në agrobiznes?
– Është tjetër histori. Në këtë fushë ku jemi ne, nuk do të ketë ndonjë influencë të madhe vështirësi për t’u zbatuar, sepse shumë fermerë nuk e kalojnë 2 milionëshin dhe kjo është një shifër mjaft e madhe. Nga 354.000 fermerë që kemi, vetëm 36.000 janë ata që do të përfshihen në këtë skemë. Tek 36.000 fermerët, që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, unë mendoj se edhe këtu do të gjejnë rrugë të tjera. Ata do të copëtojnë NIPT-et, duke i ndarë në disa pjesë të familjes. Një familje mund të ketë 2-3 NIPT-e, kështu nuk besoj se do të ketë ndonjë influencë shumë të madhe. 

– Janë përgatitur fermerët për t’u përshtatur skemës së re të TVSH-së?
– Fermerët nuk janë përgatitur për këtë, kanë dëgjuar, por deri sat ë shkojnë tre 2 milionëshi, besoj se ata do të përgatiten. Ne jemi munduar t’i informojmë, por kur të fillojnë gjërat, besoj se ata do të kuptojnë. Tani nuk e kuptojnë rregullin për TVSH-së, dokumentacionin për të mbajtur TVSH, etj.

– Një fshatar ka një produkt për të shitur. Problemi është se tani ai nuk e shet dot, nuk ia blen asnjë tregtar, sepse nuk ka TVSH-në. Çfarë do ndodhë?
– Problemi është se fermeri ka vështirësi në shitje. Nëse fermeri nuk është i formalizuar, ai ka vështirësi në shitje, jo me TVSH, por edhe pa atë. Fakti që u vu edhe TVSH-ja mbi 2 milionë e sipër, një pjesë e fermerëve, ose do të bëjë që marrin asistencën e duhur nga ata që dinë, ose do të ndodhen para faktit, që do paguajnë gjobat dhe gjobat do t’i detyrojnë ata që të mbajnë dokumentacion të rregullt për të paguar TVSH-në. 

– Cila ka qenë politika ekonomike e qeverisë për të ndihmuar fermerin?
– Për sa i përket taksave në bujqësi, është vepruar gabim. Fakti që fermerët taksohen në mënyrë indirekte, do të thotë që taksohen nëpërmjet karburantit, përmes faturave të energjisë, përmes faturave të koncesioneve të ndryshme. De fakto, ndaj fermerëve zbatohet politika e taksave indirekte. Kjo ndikon shumë negativisht te agrobujqësia e agroindustria. Përkundrazi, nëse do të vinin një taksë për tokën, taksë të drejtpërdrejtë për infrastrukturën rural, fermerët do të ishin më të ndërgjegjësuar, sepse duke paguar këtë taksë, ata do të kërkonin edhe llogari. Tani u duket sikur nuk paguajnë taksa. 

– A ka qeveria politika nxitëse për investimet në agrobiznes?
– Ka politika nxitëse, por këto mbeten në kuadrin e teorisë. Unë po ju jap një shembull. Qeveria ka disa vjet që vë një fond 15 – 20 milionë euro për të subvencionuar bujqësinë. A e dini sa ishte realizuar për vitin e kaluar? Është realizuar vetëm 1,2 milionë euro. 

– Pse nuk u subvencionuan 15 milionë euro?
– Vështirësitë janë të shumta. E para, vjet ishte një vit politik, zgjedhjet parlamentare. E dyta, qeveria, ata zbatuesit nuk janë shumë të interesuar, nuk u kërkon askush llogari pse nuk u subvencionuan këto para? Përkundrazi, mund t’u japin ndonjë fletë lavdërimi, sepse ato para shkojnë në një drejtim që ata dëshirojnë më shumë. E treta, ka korrupsion, në një mënyrë të tillë që ata që i japin këto fonde sillen sikur i kanë të tyre dhe duan pjesën e luanit. U vënë tarifa, u kërkojnë favore përfituesve të vërtetë të subvencioneve. Dhe e fundit, një pjesë e atyre që aplikojnë për subvencione, janë të painformuar rreth procedurave që duhet të plotësojnë. Procedurat janë tepër të vështira për t’i plotësuar. Ndaj, pot ë shikosh aplikimet, çdo vit shtohet përqindja e mohimit të kërkesave. 

– Ku qëndron vështirësia, që fermerët nuk i përfitojnë subvencionet?
– Vështirësia e parë është që fermerët nuk janë të informuar. Nuk kanë informacionin e nevojshëm, që ai të realizojë atë që duhet. Së pari, fermeri duhet të ketë një projekt të mirë, një plan biznesi të mirë. Duhet të ketë një ide të mirë. Të ketë dikë, që ta stimulojë dhe ta ndihmojë. Të gjitha këto, dhe ato që përmenda më lart, bëhen barrierë që fermerët të mos përfitojnë subvencionet. Nuk mundet që subvencionet të përfitohen edhe me këtë strukturë të tanishme që kemi, një strukturë aspak e kualifikuar. 4 vjet, nga 2014-ta ne nuk plotësojmë dot kriteret e subvencioneve. Kemi realizuar deri në 50 % të detyrës në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. 

– Fermerët tanë ndeshen edhe me vështirësitë se nuk kanë treg ku të shesin produktet e tyre, ndërkohë që tregu mbushet me prodhime të importuara. Çfarë duhet bërë?
– Ky fenomen do ekzistojë, sepse tregtia është e lirë. Problemi është se ne kemi kosto të lartë. Nuk kemi certifikim dhe nuk kemi rrjet tregtar të brendshëm. Të gjitha supermarketet tona nuk marrin nga prodhimet e brendshme, sepse ne nuk kemi laboratorë për të certifikuar prodhimet, nuk kemi akoma ekspertët e duhur, nuk kemi laborantë, merceologë, që certifikojnë produktin nga pikëpamja e cilësisë. Edhe nga pikëpamja e sasisë, ne nuk jemi në nivelin e duhur. Të gjitha këto bëjnë që produktet e importit dhe mjetet e importit, që janë më të profilizuara, më të konsoliduara, dhe rimbursimin e TVSH-së e marrin menjëherë, ndërsa rimbursimi i TVSH-së nga fermerët tanë kalon nëpër 100 kanale të pakapërcyeshme. 

– Çfarë roli duhet të luajë politika ekonomike e qeverisë?
– Kemi një element që nuk po e zgjidhim. Nuk zgjidhim dot problemin e formalizimit. 90 % e fermave tona janë të paformalizuara. E para, fermerët nuk po ndërgjegjësohen, pse duhet të bashkohen dhe e dyta, qeveria ende nuk po bën ligjin për të mbrojtur fermerët që bashkohen. Janë bashkuar 65 kooperativa, ose SHBB dhe këto ende nuk po funksionojnë siç duhet, sepse ligji i qirave, që i mbështet këta është diskriminues. 

– Pse i diskriminon ligji fermerët e bashkuar?
– Po të jap një shembull. Nëse bashkohen 7 fermerë në një SHBB, e kalojnë atë 2 milionë xhiro dhe fillojnë të paguajnë TVSH. Po të jenë veç e veç, nuk paguajnë TVSH. Edhe rimburisimi është shumë i vështirë. Pastaj, ka të bëjë edhe me taksa të tjera, do paguajë tatim fitimin, siguracion, do mbajë balance. Pra, duke trajtuar një organizatë jo fitimprurëse, siç është SHBB-ja në një fitimprurëse, siç është SHPK-ja, ky është bllokim. Ka që në 2012, që nuk ka dalë asnjë rregull, as ligji nuk është amenduar. 

– Çfarë i kërkoni tani qeverisë?
– 2 elementë. E para, ligji për SHBB-të të ribëhet, të pasqyrojë, çfarë mbështetje merr SHBB-ja, që nga trajnimet, subvencionet, te mbështetja financiare, teknike. 
Sigal