INTERVISTË ME PROF. EDMOND PANARITI

524
Edmond Panariti: Laboratorët privatë do krijojnë monopol dhe vrasin konkurrentët
Ish ministri i Bujqësisë shprehet se: Blegtoria dhe Agroturizmi nuk mund të zhvillohen me produkte të importuara nga qyteti
Duket se beteja e radhës e qeverisë në stimulimin dhe më pas në formalizimin e ekonomisë është sektori i agroturizmit. Në Ministrinë e Bujqësisë ka nisur puna për klasifikimin e sipërmarrjeve që do të përfitojnë lehtësira fiskale nga qeveria. Nga ana tjetër kryeministri ka deklaruar se TVSH-ja për këto subjekte do të jetë në nivelin e 6%. Gjasat janë që në bizneset e kësaj kategorie do të aplikohen të njëjtë stimuj siç janë aplikuar ndaj investitorëve me status të veçantë në sektorin e turizmit. 
Cila është situata e sotme e Agroturizmit dhe si e vlerësoni këtë nisëm?
Mendoj që Agroturizmi është një element i rëndësishëm i zhvillimit bujqësisë dhe në tërësi të zhvillimit rural. Bëhet fjalë për një potencial ende të pashfrytëzuar në zhvillimin e bujqësisë, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes edhe gjatë kohës që unë kam qenë ministër i bujqësisë, dhe jo rastësisht gjatë asaj kohe në vendosëm në dispozicion pikërisht në funksion të zhvillimit të Agroturizmit jo pak por 13 milionë euro grant nëpërmjet një projekti të përbashkët midis qeverisë daneze edhe qeverisë gjermane, për të zhvilluar ato që unë i konsideroja apo konsideroheshin si zona të pa avantazhuara për të qenë konkurrente në prodhim masiv, por që paraqisnin avantazhe konkurruese si zona turistike. Ai projekt tani është drejt finalizimit, qe martesa më e suksesshme e bujqësisë me turizmin dhe pikërisht modelet e para agro-turistike do të krijoheshin në ato zona të paavantazhuara në kuptimin e një prodhimi intensiv dhe masiv por që paraqisnin konkurrencë të jashtëzakonshme në potencialet e tyre turistike. Ku ferma jo thjeshtë do të prodhonte, ku brenda saj do të kishim edhe sektorin e shërbimeve pra hoteleri, bujtina, njëkohësisht edhe tregje lokale me produkte që prodhoheshin në fermë. Ky ishte koncepti i agro-turizmit. Dhe tani dëgjoj se ka një paketë incentivash fiskale për të stimuluar këto operatorë që tashmë funksionojnë dhe që kanë krijuar piketat e para të agro-turizmit në Shqipëri, dhe që sigurisht duhen mbështetur me lehtësira në mënyrë që të zgjerohen apo dhe të krijojnë edhe filiza të rinj edhe në zonat e tjera. Mbetet për t’u parë, pasi këtu jemi në “do të” dhe mbetet për tu parë nëse kjo do të përkthehet realisht në një masë lehtësuese fiskale, e cila për hir të së vërtetës ka qenë e deklaruar edhe për sektorë të tjerë, por që mjerisht për mendimin tim shumë pak është bërë dhe ato që ne i patëm inkuadruar në kuadrin e një pakete “lehtësira fiskale të bujqësisë”. Ne në vitin 2015 lëshuam paketën e lehtësirave fiskale të bujqësisë ku paraqit si një dëshirë e mirë heqja e TVSH-së nga imputet bujqësore, lehtësimi nga barra tatimore fiskale në procesin e përpunimit dhe grumbullimit, por nuk është se pamë ndonjë rezultat konkret dhe ende bujqësia vazhdon të jetë për mendimin tim shumë e rënduar me taksa, me tatime, me bar fiskale krahasimisht me fqinjët tanë.
Cilat ishin arsyet që nuk funksionoi në të shkuarën dhe cilat janë shanset që kjo nisëm sot të ketë sukses?
Kam mendimin se, shpeshherë tentohet që në nivel propagandistik të deklarohen gjëra që nuk peshohen mirë në momentin që premtohen si të tilla. Padyshim që bujqësia kishte nevojë për lehtësira fiskale. Madje ne kishim një propozim gati edhe tipit ekstrem por që bujqësia shqiptare e meritonte “Bujqësi taks free” një moratorium fiskal për bujqësinë. Bujqësia shqiptare ka nevojë të ngrihet në këmbë dhe mbasi të ngrihet dhe konsolidohet mund të vendoset një sistem të taksave dhe tatimeve. Por pa e ngritur në këmbë ishte vërtetë e justifikueshme, pra heqja e TVSH-së që ishte shumë e madhe, 20%, heqja e TVSH-së për imputet bujqësore, heqja e një bare taksash, tatimesh dhe një modaliteti pagesash. Fermerët tanë penalizoheshin në momentin e dorëzimit të prodhimit në pikat e grumbullimit, pasi u kërkohej që jo më shumë se 300 mijë lekë të vjetra mund të operonin si transaksione me kesh. Gjë që për mendimin tim ishte një paradoks i madh pasi një pjesë e fermerëve nuk dispononin konto bankare dhe sigurisht, masa e produkteve që ata donin të shisnin në pikat e grumbullimit ishte shumë më e madhe se 300 mijë lekë (të vjetra). Pra këtu kërkohej një vullnet, të cilin unë ua pata bërë prezent që në atë kohë qeverisë, insistuam, ishim pjesë e koalicionit por në këtë mes kemi qëndruar shumë fort duke kërkuar që masa e transaksionit me kesh të shkonte pse jo deri në 2 milionë lekë të vjetra. Italia p.sh lejon deri në 3 mijë euro, Maqedonia e ka 1 mijë e 500 euro, pse ne duhet të jemi në nivelin e 200 eurove! Pra këto janë lehtësirat në mënyrë që fermeri të ketë gjithë hapësirën e nevojshme për të blerë dhe për të shitur. Duhet të ulemi me këmbë në tokë dhe të kuptojmë që fermeri shqiptarë është në këtë stad zhvillimi, për pos një pjesë e tyre nuk kanë konto bankare, dhe banka më e afërt nja 20-30 km larg nga vendi ku prodhohet dhe dorëzohet. Prandaj duhet që të kemi parasysh situata të tilla t’i analizojmë dhe kur i premtojmë t’i mbajmë. Njëkohësisht dhe rimbursimi i TVSH-së në pikat e grumbullimit, që bëhej me vonesë, nuk bëhej fare. Sa herë shkoja në pikat e grumbullimit, takohesha me operatorët e këtyre pikave, më ankoheshin që kishin fatura të pa rimbursuara të TVSH-së, të cilët ata ja ngarkonin fermerit. 
Këto janë biznese të agroturizmit të cilat bazohen në sektorë të caktuar, si bujqësia, blegtoria, agrikultura. Si pritet të përkthehen këto sektorë në këtë nisëm e cila ende është në fillimet e saj? 
Në fakt këtu bëhet fjalë për nj model agroturizmi si do të funksionojë ky model agroturizmi? Do të ketë thjeshtë një lokandë për strehim njerëzish apo do të kapërcejë konceptin e një bujtine, dhe të jetë një resort në kuptimin e plotë të fjalës por edhe shumë shërbime të tjera. Të cilat mund të kenë të bëjnë me agro kulturën, peshkim turistik, me ushqim bio me parcelat bio që janë në funksion të atij resorti agro-turistik. Dhe këtu dalim me një diskutim edhe më të gjerë. Mendoj që duhet të kuptohet fare mirë se e shikoj një ngutje të qeverisë për tu përqendruar vetëm tek operatorët e mëdhenj. Sigurisht ne jemi krenarë për atë industri agro-përpunuese shqiptare e cila po krijon funksion. Jo të industrisë së madhe agro-përpunuese, por në funksion të potencialit turistik lokal të asaj zone dhe ata duhet të krijojnë brendet e tyre. Është ndryshe një qumësht që tregtohet në supermarket dhe ndryshe një që tregtohet brenda parametrave hijeno-sanitare dhe që është i lidhur me jë fermë lokale. Apo produktet që mund të mblidhen në një pikë grumbullimi, por aty e humbasin identitetin se vinë nga të gjitha anët. Një produkt i caktuar i lidhur me emrin, me një origjinë gjeografike të caktuar që të tregtohet në një treg të caktuar. Dhe këtu duhet të bëjmë kujdes, siç është pozitive nisma për të vendosur parametra strikt hijeno sanitar në prodhimin dhe përpunimin e mishit duhet të mos kalojmë në asfiksi. Kam qenë dhe mbetem kundër me tendencën dhe pretendimin dhe respektin e parametrave të sigurisë ushqimore për gjymtuar dhe nxjerrë jashtë loje të vegjlit. Bizneset e vogla janë motor i ekonomisë shqiptare. Nuk lëviz ekonomia shqiptare nga bizneset e mëdha, jo vetëm ekonomia shqiptare por edhe ekonomi gjermane edhe italiane. Janë të vegjlit që i bëjnë të mëdha ekonomitë. Kjo është nj ndarje konceptuale që kam unë. Këtyre të vegjëlve duhet tu krijohet mundësia që të prodhojnë dhe të ofrojnë shërbime dhe produkte konform cilësisë. 
Të mëdhenjtë a mund të shërbejnë si modele për të vegjëlit?
Agroturizëm nuk mund të zhvillohet me produkte të importuara nga qyteti. Duhet që edhe cikli i prodhimit dhe përpunimit të mbyllet brenda fermave. Dhe në këtë mes jemi fleksibël që edhe të vegjëlve t’u krijojmë mundësi për të respektuar kriteret hijeno-sanitare. Pse duhet ta mbyllësh pa i dhënë një paralajmërim një pikë therjeje apo thertoreje të vogël? Jo. Duhet të jemi miqësor me ta. Duhet t’u vëmë paralajmërimin dhe kriteret për të justifikuar licencimin. Një pikë therjeje mund të pajiset me: ujë të rrjedhshëm, me pllakën majolike, me ambiente të veçanta ftohjeje, me çengel edhe me të gjitha ato pajisjet inoks të dezinfektueshme. Pse domosdoshmërish duhet të lejojmë thertore me kapacitet 300-400 therje në 24 orë. Mund të lejohet edhe një thertore me parametrat hijeno sanitare, në fshatrat e Korçës, Gjirokastrës, e Vlorës, e Dibrës etj, e cila është larg qytetit por mundet që produktin e saj brenda kushteve hijeno-sanitare ta vërë në dispozicion të komplekseve turistike që operojnë në ato zona si produkt të freskët, të certifikuar, dhe vetëm me këtë mundësi kemi shans për të krijuar identitet dhe për të krijuar prodhime të markës, prodhime lokale. Pra duhet të krijosh mundësi që edhe një ferme të vogle të tregtojë qumësht brenda parametrave hijeno-sanitare. Dhe me pak investim, me pak asistence edhe ai operon atje ku mund të operojnë.
Mos lind një sistem i shtrirë, deri tek stani tek fermeri i vogël? 
Si do t’i inkurajosh ato njerëz të zhvillojnë aktivitetin e tyre atje në mal, nëse do t’i thuash se në rast se “Ti nuk e ther qengjin në thertoren që them unë, që mund të jetë 40-50 km larg, realisht aq është, kuptohet që atij nuk i del hesapi për ta bërë, dhe kjo që bëhet në emër të sigurisë ushqimore në fakt e përkeqëson situatën sepse ai e ther brenda në bodrum dhe në mënyrë të fshehtë për t’i shpëtuar. Prandaj duhet të lëvizim me dy dimensione. Duhet të përqendrohemi tek modeli i suksesit të thertoreve moderne, te pikat të përpunimit moderne, të cilat i inkurajojmë dhe që po japin fizionominë evropiane të sigurisë ushqimore. Natyrisht, me ata fermerë me të cilët ka lidhur kontrata. Por Shqipëria ka edhe një dimension tjetër. Ne 70% e kemi mal. Ç’mundësi do t’i krijojmë atij fermeri, i cili është në mbi 1500 metra lartësi apo 2000 metra, që ka fermën e tij? Do ta detyrojmë të jetë konform shabllon në këtë skemë? Jo duhet të jemi fleksibël. Zhvillimi rural nuk janë vetëm shtrimi i rrugëve, ujësjellësi, ndriçimi, por janë edhe aktivitete prodhuese që e mbajnë atë të lidhur me tokën. Duhet ta nxisim që të krijojë një baxho, e cila nuk është një fabrikë qumështi, ama mbledh qumështin e gjithë asaj zone. Apo një pikë therjeje apo thertore. 
I pyetur nga “Telegraf”….
Laboratorin privat nuk ka kush ta kontrollojë
Cila është iniciativa për laboratorët që po kërkohet të bëhet nga AKU dhe nga ministria?
Këta me raportin që bënë; që ka raste pozitive, por ka edhe falsifikime për aflatoksinën synojnë të japin një mesazh se: “laboratorët e shtetit nuk janë në gjendje…, pra, e zbulojmë ne këtë histori, dhe prandaj nuk ia vlen më që shteti të merret me kontrollin e ushqimeve, por duhet ta marrim ne.” Po ato janë të dhëna të falsifikuara, pasi ata nuk tregojnë, as laboratorin ku janë bërë analizat, as kush i ka bërë. Pra janë sajesa me qëllimin që t’ia heqin shtetit kontrollin e ushqimeve dhe ta marrë një grup monopolistësh ushqimorë, të cilët pastaj do auto-certifikojnë veten e tyre dhe do shkatërrojnë të vegjlit. Do thonë që “ne jemi më të mirët, kurse të vegjlit nuk bëjnë”. Kjo është e gjithë historia 
Përveç certifikimit të vetes, mund të hapin edhe probleme tek të tjerët, tek konkurrenca? Duke prishur rregullat e konkurrencës?
Përveç certifikimit të vetes ata në një farë mënyre do nxjerrin jashtë loje të vegjlit, për të prishur rregullat e konkurrencës. Sepse do t’i kenë vetë laboratorët edhe do të thonë: “Shiko se laboratori jonë thotë që ti nuk bën…” Dhe në këtë mënyrë duke mos pasur një palë mbi palët që është shteti, normalisht do nxjerrin nga tregu të vegjlit e pambrojtur, me pretendimin që “na doli se… ke këtë ke atë”, dhe në fakt të bën të besosh që ky është skenari, sepse raporti që është paraqitur, është plotësisht i falsifikuar. Unë këtë kërkova: “Më jepni laboratorët që kanë bërë këto analizat, më jepni metodat, më jepni edhe aparaturat. Nuk dhanë përgjigje. Kjo tregon që janë sajesa pikërisht për t’ia marrë shtetit laboratorët dhe për t’ia dhënë me koncesion privatit. 

Bëhet fjalë vetëm për kontrollin e qumështit, çokollatave apo për të gjitha produktet?
Për të gjitha llojet e ushqimeve. 

Domethënë kështu u përdor si karrem qumështi dhe rasti i çokollatave?
Po po. Si karrem dhe pastaj thanë: “Shiko, na e jepni neve këtë, se e menaxhojmë më mirë”!
Therrtorët e përqenduara groposin blektorinë 
Vendosja e thertoreve të përqendruara a mendoni se po e gropos përfundimisht blegtorinë? Sepse i bie që ai nga Skrapari duhet të shkojë në Berat për të therur apo njëri në Pogradec duhet ta therë në Korçë dhe ta kthejë. Këtu përveç kostos, përveç pasigurisë ushqimore, transporti…?
Mesazhi që u jepet atyre është ky: “Ju nuk duhet të ekzistoni”. Sepse praktikisht e the shumë mirë, ai nuk ka, as mundësi financiare, as fizike për të transportuar kafshët nga vendi ku janë. Mund të jenë në mal, në kodër, për të shkuar 20 km ku janë thertoret. E imagjinoni, nga Mokra ai të vi e ta therë atje? Përkundrazi, kjo në vend që të forcojë sigurinë ushqimore po bën diçka tjetër që s’ka ndodhur që në kohën e komunizmit. Tani po i therin bagëtitë fshehurazi, nëpër bodrume dhe po i tregtojnë. Kjo ndodh, sepse ti u ke mohuar mundësitë që të ketë një pikë therjeje ku të aplikojë edhe ai ato standardet për të cilat Bashkimi Evropian ka kritere të posaçme për thertoret e vogla, nuk i ka vetëm për të mëdhatë. Madje këto prodhime, që janë prodhime lokale, të Kodrës dhe Malit inkurajohen që të prodhohen dhe të përpunohen atje ku janë, në mënyrë që të ruajnë identitetin. Se po e çove qumështin ta zëmë, të kullotave të Tomoricës të përpunohet në Elbasan nuk është më qumësht Tomorice. Ai përzihet me qumështin që vjen nga të katërta anët dhe e humb identitetin. Kurse duke u përpunuar atje, në një baxho, të respektojë standardet hijeno-sanitare, ruan identitetin, ruan aromën, ruan vlerat e qumështit dhe kullotave. Kjo është ideja ne duhet të kemi kërpudha zhvillimi kudo dhe jo vetëm në qendrat urbane, në fabrika të mëdha përpunimi qumështi, por edhe baxhot, punishtet siç ka pasur në kohën e Enverit. E vetmja mënyrë që i mban ata atje kjo është, që të ketë mundësi ta përpunojë dhe ta tregtojë atje. Edhe turisti që do i vizitojë natyrisht që nuk do t’i nxjerrësh djathë supermarketi, por djathin që prodhohet me qumështin që përpunohet aty në vend. Natyrisht me kriteret higjeno-sanitare. Prandaj thashë, ajo është për të nxjerrë jashtë loje të vegjlit dhe për të forcuar 3-4 monopolistë këtu në qendër. 
Mund të jetë edhe kjo një arsye siç po ndodh me kontrollin e ushqimit nëpërmjet laboratorit për t’i dhënë suport importit të mishit? 
Faktikisht po të shikosh statistikat, vjet për herë të parë u importuan 2500 kile. Dhe realisht kjo atje do të çojë. Sepse ai nuk ka më interes të mbajë bagëti. Se ti e detyron ta therë aty ku do ti, jo ku ka mundësi ai. Kosto është e lartë, ulet numri, ndërkohë ti importon mish të huaj që rriten në stalla. Që i merr me kontrata, që i kanë me Rumaninë e me të tjerë. Në vend që të kishim objektiv, siç i shpalli edhe ministri eksportin e qengjave, po bëjnë të kundërt, po importojmë qengja. Se për të eksportuar harroje atë muhabet. 
Sigal