Intervistë Ekskluzive/ Kreshnik Çollaku: “PD, marrëdhënie strategjike me SHBA-në, opozita nuk po luan”

499
Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme, Kreshnik Çollaku, shpjegon kontaktet me faktorin ndërkombëtar, pas 5 javësh përpjekjeje për largimin e qeverisë “Rama” 
Demokratët në opozitë nuk ndjehen të shqetësuar për marrëdhënien me faktorin ndërkombëtar, pas 5 javëve përpjekje për të arritur largimin e qeverisë “Rama”. Në një intervistë për “Telegraf”, kryetari i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Kreshnik Çollaku, e cilëson strategjike qasjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Partisë Demokratike, ndërsa nënvizon dallimin me atë që e klasifikon si marrëdhënie konjukturale të administratave amerikane me qeverinë aktuale.
Vizita e z. Basha në SHBA u shoqërua edhe me një debat publik dhe akuza nga maxhoranca. Cila është e vërteta e kësaj vizite?
“Në fakt do ta quaja një përjetim të shqetësuar nga qeveria, kryeministri në vetë të parë dhe aparati i tij i propagandës. Kishte një situatë absurde deri komike. Më parë aparati i propagandës së kryeministrit u investua ta përçmonte apo injoronte vizitën, më pas shpërthyen në sulm me “artileri të rëndë”, duke keqpërdorur nëpër kanale televizive edhe zyrtarë diplomatikë që ende vazhdojnë të mbeten anonimë dhe askush nuk ka parë tekst të shkruar deklaratash. Tani janë angazhuar në një “betejë heroike” kundër portalit kryesor republikan në SHBA “Breitbart News” dhe kryestrategjistit të Trump, Steve Banon. Harruan Çadrën dhe opozitën, janë të zënë me luftën kundër armikut të jashtëm. E gjithë kjo situatë është tragjikisht qesharake. Luftë me imperializmin amerikan pas Enver Hoxhës po bën Rilindja për herë të dytë në historinë e këtij vendi. S’kam ç’tu them, përveçse: ‘Suksese në jetë!’”.
Çfarë marrëdhëniesh ka sot PD me Uashingtonin zyrtar?
“Të shkëlqyera janë marrëdhëniet e PD-së me Uashingtonin. Por ka dhe diçka më tej që dua ta them. Marrëdhëniet e PD-së me Uashingtonin janë strategjike. Në fakt termi “marrëdhënie strategjike” është keqpërdorur shumë këto vite. Sidomos nga drejtuesit e politikës së jashtme të qeverisë dhe vetë kryeministri. Është qartë e dukshme se kryeministri përdor termin strategjik për këdo që i hyn në zyrë. Ky është abuzim me termin dhe në fakt mbulon paaftësinë ose mungesën e vullnetit për të cilësuar dhe dalluar ata që janë realisht ‘aleatët strategjik’, të cilët në gjykimin tim sot të vetmit e të provuarit mbeten SHBA.
Ka disa lloj marrëdhëniesh me aktorët ndërkombëtarë. Ka marrëdhënie reciprociteti, interesi të përbashkët, ka marrëdhënie partneriteti etj, por pika më e lartë e marrëdhënieve është ajo strategjike. Është ai nivel marrëdhëniesh kur bashkëpunimi është i pakushtëzuar, i qëndrueshëm, sjellja ndërkombëtare ndaj faktorëve të tretë është e rakorduar simetrikisht dhe është pjesë e sigurisë kombëtare. Për ne, i vetmi vend që përmbush këtë parametër janë SHBA. Për Ramën mesa duket strategjik është kushdo që i hyn në zyrë.
Ka dy gjëra: ose i gënjen të gjithë, ose nuk di të vlerësojë seriozisht partnerin strategjik. Në raport me SHBA, PD ka një marrëdhënie strategjike. Marrëdhënia strategjike karakterizohet nga qëndrueshmëria, parimet, historia, qëllimet madhore të përbashkëta. Marrëdhënia strategjike është pa kushte, nuk kufizohet në kohë. Marrëdhënia strategjike karakterizohet nga mungesa e retorikës. Në Tiranë shpesh kjo ngatërrohet me marrëdhëniet konjukturale. Marrëdhënia konjukturale është ajo që dominohet nga formaliteti që karakterizon marrëdhëniet e detyruara nga institucionet që komunikojnë. Marrëdhënia konjukturale ka interesa konkrete, të përkohshëm, në bazë kanë realizimin reciprok të interesave. Shoqërohet me shumë retorikë publike, pasi ka nevojë për konfirmim publik. Ajo zhvillohet dhe në kushte mos besueshmërie përmes aktorëve, por me dakordësinë dhe interesin për të realizuar objektiva konkret në interes të palëve. Konjuktural është tipikisht rasti i marrëdhënies së administratave amerikane me qeverinë aktuale. Amerikanet janë një komb për të cilët historia vlen dhe është kriter vlerësimi. Sado mirë në sjellje, asnjë amerikan i thjeshtë apo zyrtar kur krijon marrëdhënie nuk harron se kë ka përballë. Partia që sot drejton Edi Rama është partia trashëgimtare e një partie komuniste thellësisht anti-amerikane. Kësaj Rama nuk ka çfarë t’i bëjë. Nëse në Tiranë kjo harrohet, në Uashington kjo nuk ndodh. Amerikanët janë të ndërgjegjshëm se në këtë rast komunikojnë me ish-komunistë. Une mendoj se ky është elementi kryesor që përcakton marrëdhënien strikt konjukturale me çdo administratë amerikane, sa herë që në vendet e ish-Lindjes Komuniste, qeverisin të majtë. E kundërta ndodh me PD. Ajo ka në ADN-në e vet antikomunizmin. PD u krijua me kontribut jo të vogël të diasporës antikomuniste në SHBA dhe vazhdon në mënyrë permanente të mbështetet e dallohet nga të tjerë, pikërisht nga kjo histori. Kjo qasje strategjike mes PD dhe SHBA përcakton thelbin e marrëdhënies, është e pakushtëzuar, është parimore, është e pakufizuar në kohë”.
Nga kjo që po thoni, a ka dy linja qëndrimi nga SHBA?
“Unë nuk besoj që ka dy linja qëndrimi nga SHBA. Po mund të ketë individë që lobojnë dhe përpiqen të ndikojnë qëndrimet në favor të njërit apo tjetrit. Por kjo në SHBA është një rutinë e pranuar dhe e njohur. Mundet që këto interesa lobues mund të kenë efekt në konjuktura të caktuara në mënyrë të përkohshme, por asnjëherë nuk mundet që të përcaktojnë apo devijojnë qëndrimet bazë të SHBA-së. SHBA, siç lejon lobimet, ka po ashtu një super sistem që garanton parimet dhe qëndrimet strategjike nga efekti i lobimeve të ndryshme. Edhe në rastin konkret, situatën në Shqipëri, SHBA ka nje qëndrim thelbësor të përcaktuar. SHBA mbështet demokracinë në Shqipëri, luftën kundër krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe luftën ndaj terrorizmit. SHBA mbështet zgjedhjet e lira e të ndershme si thelbin dhe bazën e një sistemi demokratik. Ky qëndrim i pandryshuar i SHBA-së është frymëzimi kryesor i kauzës dhe betejës opozitare të PD-së. Thelbi i asaj çka karakterizon sot marrëdhënien e PD me SHBA është deklarata e anëtarit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan dhe Kryetarit të Nën/komitetit për Evropën në Kongres, Dana Rohrabaher. “Pa një Shqipëri stabël nuk ka Ballkan stabël. Është interesi i SHBA-së lufta ndaj korrupsionit, drogës, krimit dhe terrorizmit. Ne e shohim Lulzim Bashën si njeriun e duhur për këtë punë”. Dhe dua të tërheq vëmendjen në një element. Kjo deklaratë nuk u ekspozua nga Lulzim Basha, madje qasja e Bashës ishte krejt modeste dhe serioze në raport me këtë deklaratë. Ajo u shfaq nga burime amerikane menjëherë sapo u perceptua se në Tiranë pati përpjekje për të shtrembëruar mesazhin amerikan për PD dhe Bashën. Kjo është marrëdhënie strategjike, shumë punë dhe pak fjalë”.
Si janë sot kontaktet dhe marrëdhëniet e PD me faktorin ndërkombëtar në tërësi?
“Janë marrëdhënie shumë intensive dhe shumë të mira. Për ta ilustruar pyetjen tuaj me një ngjarje të ditës, sot z. Basha ndodhet në takim me grupin politik lider të Evropës, Partitë Popullore Evropiane. Dihet se shumica e tyre sot drejtojnë qeveritë e vendeve kryesore në BE. Komunikimi është në nivelet më të larta dhe mbështetja maksimale”.
A ka mbështetje ndërkombëtare nisma politike e PD-së për një qeveri teknike?
“Ka një unison ndërkombëtar me atë çka është pretendimi kryesor i PD-së. Faktori ndërkombëtar njeh dhe shpreh edhe publikisht rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme politike në Shqipëri nga qeveria në lidhje të ngushta e përmes krimit të organizuar dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës. Zgjedhjet rrezikojnë të kolapsojnë për shkak të këtij aliazhi kriminal me qeverisjen e vendit. Kolapsimi i zgjedhjeve është kolapsimi i demokracisë. Ky është një fakt të cilin tani askush nuk e fsheh më. Kjo është simetrike me atë çka PD ka shprehur si shqetësim dhe konfirmim se shqetësimi opozitar sot është në thelbin e qëndrimit dhe shqetësimit ndërkombëtar. Daljet nga kjo situatë po reduktohen dita-ditës. Qeveria teknike apo kujdestare e zgjedhjeve të lira është opsioni i vetëm i mbetur para përfshirjes së vendit në destabilitet të pakthyeshëm. Drejt zgjidhjes apo formulës së saj faktori ndërkombëtar po rrit shpejtësinë drejt një qëndrimi unik. Sigurisht më të shpejtët e më të qartët janë amerikanët dhe nivelet më të larta pranë administratës Trump, por edhe miqtë evropianë janë duke iu afruar me shpejtësi drejt kësaj qartësie. Unë besoj shumë shpejt do të kemi prova publike të këtij qëndrimi të qartë dhe të unifikuar”.
A ka kosto në raport me ndërkombëtarët mospjesëmarrja në zgjedhje?
“Sigurisht mos pjesëmarrja në zgjedhje është një vendim ekstrem. Sigurisht është vendim i dhimbshëm dhe nuk është një zgjedhje që bëhet lehtë. Por nëse gjërat shkojnë në drejtimin e nisur mbetet masa e fundit për t’u marrë për të mbrojtur minimumin e asaj çka kemi arritur në këto 25 vite, lirinë dhe zgjedhjet e lira. Kur kthehemi me kujtesë në historinë tonë të viteve 1945, do të donim që kundërshtarët e atëhershëm të diktaturës që po instalohej të kishin vepruar po në të njëjtën forme radilake edhe të vendosur. Çdo iluzion i asaj kohe se komunistët që po instaloheshin ‘demokratikisht’ në Tiranë do të mund të korrigjoheshin rrugës, dha pasoja, të cilat na u desh t’i vuajmë për 50 vite. Që të mos përsëritet e njëjta histori, ne sot kemi vendosur të bëjmë atë çka gjyshërit tanë nuk arritën të bëjnë më 1945-n. Me ndërkombëtarët sigurisht do të kemi bashkërakordim në këtë aksion. Siç ua thashë më sipër, kemi marrë mbështetje të qartë në Uashington për kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe kjo mbështetje do të faktohet shumë shpejt edhe në Tiranë. Ndaj kosto nuk ka. Patjetër na duhet një energji shtesë për të sqaruar dhe informuar lidhur me situatën në Tiranë. Po e bëjmë në mënyrë intensive dhe po konstatojmë se mbështetja ndërkombëtare po rritet ora-orës”.
Kur do të zgjidhet kriza politike aktuale në Shqipëri?
“Kur ata që drejtojnë qeverinë dhe maxhorancën të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën në demokraci nuk ka. Se çdo pushtet që buron pa zgjedhje të lira është diktaturë. Se çdo diktaturë përmbyset me forcë dhe çdo mjet për të përmbysur një diktaturë është demokratik. Sa më parë ta kuptojnë këtë, aq më shpejt merren vendime të arsyeshme dhe aq më pak kjo i krijon kosto vendit. Opozita nuk po luan”.

“Telegraf”
Sigal