Intervistë e Presidentit Nishani: “jam gati të takoj Ramën”

464
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dha një intervistë për emisionin “Fakt” të televizionit “UTV NEWS” me gazetarin Çlirim Peka dhe me pjesëmarrjen e katër analistëve të njohur: Artur Xheji, Ylli Rakipi, Artan Hoxha dhe Andi Bushati.

Çlirim Peka: Cilin prej vendimeve deri më sot e keni marrë pa pëlqimin e shefit të maxhorancës?

Presidenti Nishani: Veprimet e Presidentit të Republikës duhet të jenë në radhë të parë në përputhje me Kushtetutën, duhet të jenë në respekt të plotë të integritetit të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe duhet të shkojnë në harmoni me pritshmëritë e opinionit publik, padyshim në bashkëpunim me aktorët e tjerë.

Zoti Artur Zheji: Një ftesë e posaçme nuk ka ndodhur dhe nuk është në agjendë. Meqë jemi përpara një fushate elektorale, garantizimi presidencial është një koeficient i domosdoshëm demokratik.

Presidenti Nishani: Unë e shoh të ardhmen e afërt padyshim si një mundësi shumë të mirë për të pasur një takim edhe me Kryetarin e Partisë Socialiste. Ajo që unë konstatoj dhe që evidentoj, është që Presidenti duhet të jetë iniciues i këtij takimi.

Presidenti Nishani: Në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, unë besoj që përtej debateve që u zhvilluan në ambientin publik dhe politik shqiptar, mënyra se si rrodhën ngjarjet dhe votimi në Parlament, tregoi që jo vetëm maxhoranca nuk kishte kundërshti ndaj propozimit të Presidentit, pasi ka qenë tërësisht një propozim i Presidentit, por dhe opozita nuk pati kundërshti ndaj propozimit të Presidentit.

Zoti Andi Bushati: Zoti Nishani, është i drejtë problemi i jopartizanizmit apo jo, por mua më duket sikur të dekretosh pa asnjë lloj mëdyshje një ish personazh të SHIK-ut të para vitit ’97 të Gazidedes, në Shërbimin e sotëm, mund të jetë një akt i ligjshëm, por vetëm akt jopartizan nuk më duket nga këndvështrimi im, në qoftë se flasim jo gjithmonë për ligje dhe për Kushtetutë, por dhe për një frymë shtensionimi dhe për ngritje të një karakteri mbi palë.

Presidenti Nishani: Unë besoj se nëse do të përdorim si një masë vlerësimi për individin, për një person të caktuar, institucionin në të cilin ka punuar në një periudhë të caktuar, unë besoj që ne jemi së pari në dhunim të së drejtës së tij. Drejtori aktual, i cili është dekretuar nuk ka pasur asnjë veprimtari të tij antikushtetuese, pro partizane të artikuluar, të gjetur, apo të evidentuar. Ka qenë një nëpunës i nderuar i shtetit, ka punuar në një sektor shumë të vlerësuar, ashtu siç ka pasur tërë karrierën e tij si profesionale, por dhe qytetare me një nivel shumë të lartë integriteti. Për sa kohë nuk ka pasur të evidentuar, apo dhe të atakuar qëndrime të tilla, unë mendoj se nuk kemi pse të paragjykojmë individë në mënyrën se ku kanë punuar në një periudhë të caktuar.

Zoti Artan Hoxha: Mos jemi në një situatë pa zgjidhje, se që Presidenti të fitojë simpatinë e opozitës duhet të bëjë një sherr me Kryeministrin?

Presidenti Nishani: Presidenti i Republikës nuk ka nevojë për një certifikim politik të partive të caktuara politike. Presidenti i Republikës duhet me çdo kusht të realizojë dhe të zbatojë atë, çka Kushtetuta parashikon dhe i kërkon Presidentit të Republikës, të ruajë integritetin e lartë dhe profilin e lartë të përfaqësimit, që i kërkohet Kreut të Shtetit

Zoti Artur Zheji: Në Parlamentin shqiptar është paraqitur një rezolutë, që është quajtur Rezoluta e Çështjes Çame, e zotit Idrizi, Nga ana tjetër, kam informacion që, Ambasadori i ardhshëm i Republikës së Greqisë, që do të jetë në Shqipëri dhe që ju dorëzoi kredencialet, ka qenë rreth tri vite Drejtor i Shërbimeve Sekrete greke.

Presidenti Nishani: Përkundrazi. Kushtetuta e rrit obligimin në këtë sens që ju e thatë dhe për Presidentin e Republikës dhe për çdo qytetar shqiptar, çdo institucion. Çështja kombëtare është çështje prioritare për shqiptarët, është një çështje, e cila kërkon angazhime shumë serioze, kërkon kontribute reale. Çështja kombëtare është e lidhur pazgjidhshmërisht me prosperitetin, me përparimin ekonomik, me përparimin e demokracisë për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, apo kudo që ata jetojnë. Çështja e nënshtetësisë: Presidenti i Republikës do të mbështesë çdo kërkesë të vullnetshme që do të vijë për marrjen e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë nga të gjithë shqiptarët, në momentin që hapësira ligjore krijohet.

Zoti Andi Bushati: Kontradikta kjo është: kemi deklarata të forta dhe deklaratat e partnerëve tanë. Kush ka të drejtë?

Presidenti Nishani: Ne ndajmë gjykimin bazik të çështjes, sepse nuk ka pasur ndonjë reagim të partnerëve ndaj deklaratave të Kryeministrit.

Zoti Andi Bushati: Po, të fortë. Pas shtimit të gjuhës së zotit Berisha, atëherë kanë ardhur të gjithë deklarimet.

Presidenti Nishani: Unë nuk dua të hyj në citime konkrete, por ka pasur citime të partnerëve tanë për raste konkrete dhe adresuar qëndrimeve konkrete të grupeve të caktuara me emërtim. Megjithatë, edhe një herë, unë nuk ndaj asnjë ndryshim të qëndrimit të Kryeministrit, me qëndrimet, që janë mbajtur deri më tani nga institucionet shqiptare.

Zoti Artan Hoxha: Mbi temën patriotike. Kemi një diskutim të PDIU-së për një rezolutë parlamentare lidhur me çështjen çame. Besoj që jeni njohur me draftin e kësaj rezolute dhe pyetja ime është: e konsideroni këtë nismë të gabuar, e konsideroni të drejtë, por në momentin e gabuar, apo e konsideroni edhe të drejtë, edhe në momentin e duhur?

Presidenti Nishani: Ajo që për mua është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që çështja e pronave të komunitetit çam është një çështje që do zgjidhje. Është një çështje, e cila duhet adresuar. Përsa i takon përmbajtjes së rezolutës unë jam njohur përmes mediave, nuk kam pasur rastin ta shoh, por natyrisht është ajo që media ka, sepse media e ka përcjellë në mënyrë shumë serioze. Përsa i takon përmbajtjes natyrisht që si President i Republikës do të shoh me kujdes zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë.

Zoti Artan Hoxha: Gjithsesi ju e inkurajoni këtë ide.

Presidenti Nishani: Pa diskutim.