INTERVISTA/ Spartak Topollaj: Pa Gjykatë Kushtetuese nuk mund të ketë shtet

124

Jakup B. GJOÇA

Vetingun e drejtojnë ata njerëz që i shërbejnë qeverisë

Nëse po pengohemi në hapjen e negociatave, të paktën për këto 5 vitet e fundit përgjegjësinë kryesore e ka maxhoranca që qeveris Shqipërinë. Mënyra e lobingut, qoftë ajo e nivelit më të lartë, me kryeministër e kryetar të Parlamentit, ashtu edhe nga diplomacia jonë, është për fat të keq nga më të dobëtat. Unë ju kujtoj që edhe shumë lobingje të tjera kanë qenë të dështuara, pikërisht nga inkompetenca nga mediokriteti dhe paaftësia e diplomacisë shqiptare

Spartak Topollaj, diplomat në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se përgjegjësia për moshapjen e negociatave i takon qeverisjes 5 vjeçare të kryeministrit Rama. Zoti Topollaj argumenton, se kryeministri Rama nuk mund t’i shantazhojë Merkel dhe Macron, duke u ofruar politikisht me Erdoganin dhe, se qeveria shqiptare nuk mund të gënjejë dot BE-në, duke dërguar 3 herë për në Gjykatën e Strasburgut kandidatura të klaneve të qeverisë. Për vetingun zoti Topollaj thotë se, është selektiv, bëhet nga njerëz që i bëjnë fresk qeverisë, por vetingu duhet të fillojë nga kryeministri, të shpjegojë me çfarë të ardhura e bëri bunkerin antiatomik në Surrel. Zoti Topollaj, si diplomat kritikon edhe deklaratat publike të ambasadorit Lu dhe pohon, se disa herë ai sillet si guvernator. Zoti Topollaj e vlerëson si Epokale ardhjen e presidentit Trump, dhe se ndikimi i politikës së tij në DASH sapo ka filluar të ndihet. Sipas zotit Topollaj, deklaratat e kryeministrit Rama për kandidaturën e Trumpit në fushatën presidenciale, do të kenë pasoja ndaj vetë kryeministrit Rama.

– Zoti Topollaj, cilët faktorë politikë e vështirësojnë hapjen e negociatave?

– Hapja e negociatave për Shqipërinë do të ishte një eveniment i madh dhe të gjithë shqiptarët e duan, sepse jemi nisur rrugës së Evropës së Bashkuar 28 vjet më parë. Nëse po pengohemi në hapjen e negociatave, të paktën për këto 5 vitet e fundit përgjegjësinë kryesore e ka mazhoranca që qeveris Shqipërinë.

– Ju si e gjykoni mënyrën e lobingut të deritanishëm të kryeministrit Rama me partnerët evropianë, për hapjen e negociatave

Mënyra e lobingut, qoftë ajo e nivelit më të lartë, me kryeministër e kryetar të Parlamentit, ashtu edhe nga diplomacia jonë, është për fat të keq nga më të dobëtit. Unë ju kujtoj që edhe shumë lobingje të tjera kanë qenë të dështuara, pikërisht nga inkompetenca nga mediokriteti dhe paaftësia e diplomacisë shqiptare dhe e politikës, që e udhëheq diplomacinë tonë.

– Përse diplomacia jonë është për fat të keq? Mund të na e argumentoni?

– Për të bërë një lobing, nga i cili të presësh rezultate, së pari, politikanët tanë duhet ta fillojnë nga vetvetja, duke i bërë me pyetjen: A jemi ne në rregull, a i plotësojmë ne disa kritere, që bashkëbiseduesit tanë, ta kenë të qartë, që lobojmë me njerëz, që ndershmëria e bashkëbiseduesit nuk duhet të vihet në diskutim.: A i kemi plotësuar detyrimet tona? Nëse bota shikon përditë fakte, skandale, abuzime dhe korrupsion, shikon që jepen koncesione rreptësisht të dyshimta dhe të paracaktuara, atëherë, gjëja e parë që evropianët thotë, është: Si mundet të pranojmë ne lobingun tuaj, kur ju nuk keni lobuar tek vetvetja juaj, për të qenë korrekt me të gjitha ato parametra të standardeve të demokracisë, që duhet të arrijmë në Shqipëri?

– Pak orë më parë se kryeministri ynë të fillonte lobingun në Gjermani, disa deputetë tanë sulmuan mediakisht disa deputetë gjermanë, të cilët kishin shprehur skepticizmin e tyre për reformat e pakryera në Shqipëri. Mendoni se këto sulme ishin papjekuri diplomatike, apo strategji komunikimi e kësaj mazhorance?

– Unë do të thosha, që 2 janë arsyet pse Gjermania reagoi ashtu siç e dimë. Një eufori e tepruar, e pambështetur në asgjë e kryeministrit Rama, i cili e paraqiste publikisht gjendjen se as që diskutohet, që Gjermania më do…

– Dua t’ju pyes se Gjermania, do demokracinë në Shqipëri, apo këtë qeveri?

– Janë dy gjëra të ndryshme. Gjermania është e interesuar që Shqipëria të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar. Por, se kush e qeveris Shqipërinë, në Gjermani i kanë mendtë në kokë dhe e dinë, e gjykojnë se cila është kjo mazhorancë, si i siguroi votat parlamentare në 2017-n, dhe e dinë pse Shqipëria ka akoma një rrugë shumë të gjatë për të bërë deri në integrimin e plotë si demokraci evropiane. Në rastin konkret, në diplomaci është e papranueshme të bësh diversion, të nivelit të tillë, që të quash me të folurën përçmim ndaj Kishbaunin, deputetit të Bundestangut, numrin 2 të partisë së Merkel, gjermanët nuk mund të të pranojnë më si partner politik dhe gjermanët nuk mund t’ia falin kaq lehtë kryeministrit Rama. Si mund ta pranojnë, paskëtaj, Komisioni i Jashtëm i Bundestangut, udhëheqësja e partisë së Merkel, t’i poshtërosh, t’i fyesh deputetin, nganjëherë edhe t’i shantazhosh, siç bën edhe tani kryeministri Rama me folësit në këto llogaridhënie. Nëse kancelarja Merkel pohon që Gjermania është e hapur për negociata me Shqipërinë, por duhet që të kryejmë disa reforma, e bën për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo për qeveritarët. Por, nëse gjermanët mësojnë që ministri i Brendshëm Tahiri është i përzier me 101 mënyra me trafikantët e drogës, sado këta tanët mundohen ta mbulojnë, atëherë gjermanët nuk mund të bëjnë syrin qorr e veshin shurdh, ngaqë duan kryeministrin Rama, siç thotë me eufori ky këtu.

– Sa mund të ndikojë presioni i kryeministrit Rama ndaj udhëheqësve të BE-së, se hapja e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim duhet të bëhet nga rreziku i ndikimit rus në Ballkan ose orientimi paskëtaj, drejt Erdoganit?

– Ky është një shantazh, që kryeministri Rama kujton se ua bën udhëheqësve evropianë. Edhe ky është një nga gabimet e rënda që bën kryeministri Rama, në euforinë dhe vetëkënaqësinë që ka dhe në mendimin që ushqen se “unë mund të them çfarë të dua, dhe nuk impresionohem nga askush”, patjetër, që do kemi pasoja. Kancelaren Merkel, presidentin Macron etj, nuk mund t’i emocionosh me këto shantazhe, ata bëhen edhe më reflektarë ndaj kryeministrit Rama. Nuk mundet kurrë që kryeministri Rama, as t’i shantazhojë, e as t’u japë mend udhëheqësve evropianë. Akoma ne nuk jemi në Bruksel të barabartë dhe nuk mund të themi dot fjalën tonë. Ne kështu u tregojmë udhëheqësve evropianë, që nuk jemi në rregull me veten tonë. Nuk pranon BE-ja atë vend që deklaron se është zvogëluar popullsia në 30 %. Evropianët e shikojnë që nga Shqipëria largohen qindra mijëra çdo vit sidomos të rinj, sepse Shqipëria keqqeveriset, krimi bashkëpunon me politikën, zyrtarët korruptojnë dhe nuk ndëshkohen.

– Përfytyroni vetveten si diplomat evropian dhe çfarë do gjykonit, kur dëgjoni që BE-ja i thotë Shqipërisë të thellojë reformat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përgjigja e kryeministrit shqiptar është se qeveria i ka kryer detyrat e saj?

Që bëhen reforma në Shqipëri, dihet. Problemi është me kë e nis reformën dhe vetingun? Unë do të thosha, që qysh këtu fillon gabimi. E para, nuk mund të gënjejmë dot BE-në, duke çuar si kandidatura 3 herë në Gjykatën e Strasburgut njerëz të klaneve dhe lobeve qeverisës dhe të 3 herët, haptazi, Stasburgu i refuzoi. Nëse bëjmë fjalë për veting në drejtësi, duhet të themi që vetingu është selektiv. Duhet të jesh naiv, që të mos e kuptosh, që ky veting, me ata kokrra që e bëjnë deri tani, është shumë selektiv.

– Mbi çfarë argumentesh e mbështetni  këtë?

– Janë zgjedhur ata njerëz, të cilët, mendohet se mund t’i bëjnë fresk qeverisë. Pra, ata gjykatës dhe ata prokurorë, të çdo niveli. Akoma më e rëndë, është gjendja e Gjykatës Kushtetuese, të cilën ta lësh për shumë muaj të tërë me 2-3 anëtarë, do të thotë, që Gjykata Kushtetuese të mos ketë fuqi vendimmarrëse. Më thjesht, Gjykata Kushtetuese ekziston kot. Pa Gjykatë Kushtetuese nuk mund të ketë shtet.

– Kujt i intereson, që të mos funksionojë Gjykata Kushtetuese?

– Atyre, që duan të bëjnë çdo gjë, pa dhënë asgjëkund llogari, të komandojnë edhe duke shkelur çdo ligj kushtetues. Duan që çdo gjë, të jetë nën kontrollin e mazhorancës, jo të ligjit, as të Kushtetutës.

– A mund të pranojë Evropa, që reforma në Drejtësi u krye me sukses, vetëm e vetëm sepse filloi vetingu, ndërkohë që korrupsioni nuk ndëshkohet?

– Evropa është e interesuar që reforma dhe vetingu të bëhen. Unë them, që reforma në drejtësi të mos fillojë nga drejtësia. Këta (qeveritarët) thanë, që drejtësia do bëjë edhe vetingun e politikës. Jo. Reforma duhet të fillojë nga politika dhe nga politikanët e lartë, që e qeverisin Shqipërinë. Vetëm atëherë dhe vetëm kështu reforma në Drejtësi është e besueshme dhe rezultative. Duhet të jesh naiv, që të besosh, që bunkeri antiatomik i Surrelit u ndërtua me 3.000 dollarë kursime të kryeministrit, apo ajo tokë u ble me 2 dollarë metri katror me ullishte, në vendim më të mirë të Tiranës. Kur kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj na mbushin mendjen se kanë bërë ndryshime të mëdha në Tiranë, pse nuk jetojnë familjarisht në Tiranë? Duhet të kalojnë në veting çdo pasuri e kryeministrit, e ministrave, e deputetëve, e ish-ministrave etj.

– Kush duhet t’i kontrollojë këta që bëjnë veting?

– Ne nuk kemi veting, për këta që po bëjnë vetingun. Nga erdhën këta që bëjnë vetingun? Por, që të bësh veting, duhet ta nisësh nga këta vetingashët, të cilët duhet t’i kontrollojmë. Unë them, që më mirë të vonoheshim 2-3 muaj nga vetingu, por një komision me juristë, financierë, bankierë, prokurorë, hetues dhe gjykatës le të fillojnë vetingun me anëtarët që bëjnë vetingun.

– Ju çfarë besoni: Cili do të jetë produkti i Reformës në Drejtësi?

– Produkti i reformës në optikën time është ky. Do të ketë rezultate, edhe pse kështu, copë-copë, vetingu do t’i ketë rezultatet e veta. i vetmi rrezik është, duke njohur mentalitetin tonë, unë i trembem kësaj, që këta që do emërohen, e që do kalojnë vetingun, kanë rrezikun të bëjnë qoka, duke ia ditur për nder politikës, që iu dha mundësinë që të vazhdojnë të jenë nëpër gjykata dhe prokurori. Dhe, paskëtaj, këto qoka t’jua kthejnë me heshtje, ose me kontrolle të përcipta të pasurisë dhe gjëra të tjera, që natyrisht i ka në dorë vetingu.

A ka filluar të japë drejtësi reforma në drejtësi, kur kemi Gjykatë Kushtetuese të paralizuar, kryeprokurore të përkohshme e zgjedhur vetëm nga mazhoranca, që mbush vitin, ministra të Brendshëm të akuzuar për trafiqe droge, ende me hetim të lirë dhe në detyrë, por qytetarë protestues në burg?

Që kryeprokurorja e Përkohshme u zgjodh në mënyrë të përkohshme, kjo nuk do diskutim. Jemi dëshmitarë të mënyrës sesi u zgjodh, të formës, sesi u organizua zgjedhja e saj dhe të këmbënguljes së mazhorancës të emërimit të saj. Megjithëkëtë, emërimit të saj, i parapriu propaganda, së kryeprokurorja e Përkohshme nuk do ketë kompetenca ligjore dhe Kushtetuta nuk e lejon që ajo të bëjë emërime e shkarkime. Kryeprokurorja e Përkohshme i ka marrë të gjitha fuqitë, emëron kë të dojë, heq kë të dojë, dhe emëron të gjithë njerëzit, që dihet që janë onturazhi i saj, nga miqtë e saj, nga rrethi i saj. Zgjedhja e kryeprokurores së Përkohshme ishte tendencioze.

– Sipas jush, çfarë roli luajtën ndërkombëtarët në reformën në drejtësi?

– Qëndrimi i dy kryediplomatëve të akredituar në Tiranë, i ambasadorit të SHBA, Lu dhe të BE, Vllahutin ka qenë, për mendimin tim, që në krye të herës, me zgjedhjen e kryeprokurores së Përkohshme, ka qenë i gabuar.

– Përse?

– Këta iu bashkuan korit të maxhorancës, kur thanë, që kjo kryeprokurore e Përkohshme nuk do ketë kompetenca ligjore të emërojë dhe të shkarkojë dhe tani, që këto ndodhin, as ambasadori Lu dhe as ambasadorja Vllahutin nuk po flasin asnjë fjalë. E dyta, sesi këta po luajnë rolin diplomatik që u takon, unë kam rezervat e mia. Unë mendoj, që ambasadori Lu, edhe në rastet e mëparshme, ka gabuar rëndë në disa gjykime dhe, sidomos, në disa deklarata.

– Mos vallë, të dy ambasadorët që ju përmendët, por, sidomos ambasadori Lu, mos sillet si guvernator i Shqipërisë? A përputhet me kartat kredenciale, aktiviteti, deklaratat publike të zotit Lu, për tema të caktuara dhe persona të caktuar politikë?

– Kjo është më e pakta, nëse nuk ka më gjë tjetër. Jo, sepse nuk do ta pranoja, që një ambasador nuk mund të sillet në asnjë vend si guvernator, edhe sikur të jetë ambasador i Universit. Unë nuk arrij ta kuptoj, dhe këtu edhe opozita është me përgjegjësi, që nuk i ka mëshuar kësaj pike, deklarata e ambasadorit Lu, që në ditët e para të zgjedhjeve të 2017-s, kur opozita ishte në çadra dhe protestonte, bëri deklaratën absurde, që zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 mund të bëhen edhe pa opozitën. Harroi ambasadori Lu, që opozitën shqiptare Enver Hoxha filloi ta asgjësojë që në fundin e 1944-s e fillimin e 1945-s? Pas kësaj deklarate, nëse unë do të isha në vendin e kryetarit të PD-së, të opozitës, do të thosha: Ne kundër SHBA-ve nuk kemi asgjë, ne jemi ajo parti që e solli Amerikën në Shqipëri në 1990, atëherë, u japim gjithë pushtetin politik dhe legjislativ këtyre, por edhe pushtetin lokal nuk e duam. U japim gjithë pushtetin sovjetëve. Të shikonim pastaj, si do të reagonte ambasadori Lu në një Shqipëri pa opozitë parlamentare, pa pushtet lokal dhe nëse e pranon SHBA-ja, le të qeverisin këta komunistët e reformuar, pa opozitë.

Cili ishte motivi politik i deklaratës së Lu-së, që zgjedhjet parlamentare të 2017-s mund të bëhen edhe pa opozitën?

– Në momentin që ambasadori Lu filloi ta ndjejë veten si guvernator dhe si i përkëdhelur nga Rama, ai bëri këtë deklaratë, që ishte rreptësisht e gabuar. Ishte non sens politik dhe diplomatik. Është e vështirë të them që kishte motiv politik, sepse janë ca gjëra të nëndheshme, për të cilat do flasë koha.

Mund ta perceptojmë se qëndrimet, deklaratat publike të ambasadorit Lu, përfaqësojnë politikat e administratës së SHBA?

– Qëndrimi i SHB-ve ndaj Shqipërisë ka qenë, është dhe do të jetë konstant. Mbështetje e fuqishme për Kombin Shqiptar. Atje dhe kudo që ka shqiptar, Amerika nuk ka qenë indiferente. Të mos harrojmë mbështetjen që i dhanë Demokracisë në 1990 në Shqipëri, mbështetja deri ushtarakisht e SHBA dhe NATO në Kosovë, që arriti të bombardojë edhe krijesën e Fuqive të Mëdha të Evropës, Ish-Jugosllavinë, Beogradin dhe i dha Pavarësinë Kosovës, i dha dhe i jep shumë nga të drejtat e mohuara edhe shqiptarëve të Maqedonisë, jo vetëm nga marrëveshja e Ohrit dhe e Kumanovës, por edhe me miratimin e Gjuhës Shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare aty.

– Çfarë po ndodh në ditët tona?

– Unë do ta quaja ardhje Epokale, fundin e administratës Obama dhe ardhjen e Presidentit Trump, i cili vetë e ka thënë disa herë: Amerika e Para! Ne e ëndërronim këtë ditë, ngaqë e duam me shpirt Amerikën, që nga koha e presidentit Uilson, i cili këmbënguli në ekzistencën e mëvetshme të popullit shqiptar. Në atë kohë, Evropa dhe fqinjët tanë bënin hesape si ta copëtonin dhe atë pak Shqipëri, që kishte mbetur. Por të kesh kurajën e të deklarosh, siç bëri kryeministri ynë Rama në televizionin e CNN-it nga Amerika, pa përfunduar në Amerikë zgjedhjet presidenciale, se po të fitojë Trumpi, do të jetë fatkeqësi për amerikanët, katastrofë botërore, kjo është e papranueshme, është një delir madhështie i një piciruku politik. Mund të jesh 2 metra i gjatë, por harron që je kryeministër i një vendi mikroskopik në botë e fjala jote nuk ka asnjë peshë në Amerikë.

– E deklaroi rastësisht kryeministri ynë nga Amerika atë thënie të “famshme” kundër Trumpit?

– Jo, sepse ai ishte i sigurt, që do të humbiste Trumpi dhe për të “fituar” mbështetjen e Hillarit, bëri atë gafë politike. Edhe nga pikëpamja diplomatike, është krejtësisht e papranueshme të prononcohet kryeministri ynë në Amerikë për këdo kandidat në zgjedhjet presidenciale. Administrata e presidentit Trump është makineri gjigante, nuk lëviz me shpejtësinë e një Ferrari, lëviz ngadalë, i bën gjërat mirë, por nuk mund të ndryshojë menjëherë, e t’i thotë Edi Ramës: Po ti pse ke thënë kundër meje ato fjalë? Çdo gjë do të shkojë në vendin e vet. Në Shqipëri nuk duhet shpërdoruar dashuria që kanë shqiptarët për Amerikën dhe akoma më e pafalshme dhe e papranueshme është kur duan të bëhen proamerikanë, ata që nuk lanë gjë e pa bërë kundër Amerikës, ata për 50 vjet dhe tani na hiqen, sikur u digjet barku për Amerikën dhe duan të nxjerrin si antiamerikane opozitën, e sidomos PD-në, partinë që solli pluralizmin, partinë e parë, që lidhi Shqipërinë me Amerikën, partinë e parë që solli në historinë e Shqipërisë presidentin në detyrë të SHBA-ve, Xhorxh Bushin.

Vijon nesër

 

Nesër do të lexoni

Fitorja e Trumpit si President është Epokë.

Erë e re dipmolatike edhe në marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë

Qokat e ambasadorëve të huaj në Tiranë me qeverinë e kryeministrit Rama.

Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë dhe çështjet e tjera.

Ambasadori i OSBE-së sponsor politik i maxhorancës për reformën e re zgjedhore