INTERVISTA/ Silva Caka: Opozita një terren i shkëlqyer për të formuar një personalitet të fortë politik

514
Është një ndër emrat më të spikatura të politikës, por jo vetëm kaq. Ajo është mjaft aktive dhe mjaft kritikuese në deklaratat e saj. E kemi fjalë për deputeten e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, e cila në një intervistë për gazetën “Telegraf” flet për mandatin e dytë, gjithashtu Silva na tregon për marrëdhëniet me elektoratin e saj në qarkun e Beratit. Caka tregon për synimet e opozitës dhe kryesisht synimet e LSI, duke na thënë se fronti opozitar është i vendosur deri sa të heqë këtë qeveri të kriminalizuar. Por Silva nuk i shpëtoi dot dhe disa pyetjeve nga jeta private ku ajo na tregon për marrëdhënien e saj me djalin dhe kohën që kalon me të.

Përshëndetje Znj Silva, jeni në mandatin e dytë si deputete. Si po ju shkon puna në përgjegjësinë që keni marrë para elektoratit? 
“Mandati i dytë, edhe pse nuk nisi në afatin e tij të rregullt, deri tani po shkon në mënyrën e duhur. Ju rikujtoj se nga përfundimi i mandatit të parë, deri në fillimin e mandatit të dytë, nuk kaloi shumë kohë, çka nuk shkaktoi ndonjë problem apo pengesë, për të rifilluar atje ku e lashë për pak kohë. Gjithashtu më duhet të pranoj që e vetmja gjë që i mungoi jetës sime këto kohë, ishte procedura parlamentare në tërësinë e saj, por jo angazhimi politik, të cilin e kam ndjekur me të njëjtin pasion, si ditën e parë kur vendosa të angazhohem në strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Madje, për të qenë tërësisht e sinqertë me Ju, kam shumë më shumë për të dhënë e për të thënë tani që Lëvizja Socialiste për Integrim gjendet në opozitë. Mendoj që opozita mund të shërbejë si një terren i shkëlqyer për të formuar një personalitet të fortë politik. Të qenit në pushtet e aq më tepër në koalicion me forca të tjera politike, të imponon të zbatosh disa “rregulla loje”, të cilat mund të mos jenë pjesë e filozofisë tënde politike apo të forcës ku aderon.” 

Silva, ju jeni deputete e qarkut të Beratit. Sipas jush, cilat janë problematikat më kryesore të këtij qarku? 
“Qarku i Beratit është një qark as i madh, por as i vogël, ama është një qark që ka pasur, ka dhe besoj do të vazhdojë të ketë probleme të konsiderueshme. Më duhet ta lë mënjanë modestinë dhe të them se qarku i Beratit ka pasur të veçantë dhe unike vëmendjen e përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Tek-tuk do përmendja ndonjë drejtues lokal, i cili mund të ketë lënë disi gjurmë në komunitet, por në nivel qendror (ekzekutiv apo legjislativ), të vetmit përfaqësues që kanë lënë gjurmë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të këtij qarku, kanë qenë përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. E kam thënë kudo që infrastruktura është problemi më madhor i qarkut të Beratit. Ndoshta për shkak të terrenit relativisht malor, ndoshta për shkak të largësisë së fshatrave nga qytetet, por duhet pranuar se nfrastruktura ka probleme shumë të rënda, të cilat jo pak herë kanë izoluar banorët në zona të ndryshme. Një problem tjetër është papunësia. Administrata publike ofron shumë pak vende të reja pune dhe ato pak, shpeshherë i përfitojnë njerëz që njohin dikë, sidomos duke shfrytëzuar konjukturat me funksionarë lokalë politikë. Iniciativat private, që mund të punësojnë një numër të konsiderueshëm njerëzish, mbeten fasoneritë, të cilat sidoqoftë ofrojnë paga të ulëta në raport me intensitetin e punës që kryhet. Iniciativat e tjera pothuajse nuk ekzistojnë dhe e vetmja mundësi për të krijuar disa të ardhura familjare, mbeten sipërmarrjet e quajtura biznese të vogla, të cilat shumë shpejt, për shkak të përfshirjes së tyre në skemën e TVSH-së, do të falimentojnë, duke e varfëruar edhe më shumë popullsinë e atij qarku.” 

Sa pranë banorëve të këtij qarku jeni ju? 
“Unë nuk jam rastësisht deputete në këtë qark e as e “importuar”. Lëvizja Socialiste për Integrim ka aplikuar gjithnjë parimin e kandidatëve që kanë lidhje dhe që e njohin mirë zonën ku kandidojnë. Unë jam lindur dhe rritur në Skrapar, bashki e këtij qarku dhe pjesa më e madhe e njohjeve dhe lidhjeve familjare apo personale në jetën time, i përkasin këtij qarku. Pavarësisht se jam larguar në moshën 17 vjeçare, u riktheva përsëri 8 vite më vonë, me një përgjegjësi më të madhe, atë të përfaqësueses së banorëve të këtij qarku në Parlament. Këto 5 vite si deputete, më kanë shërbyer që të prek fizikisht shumë zona të qarkut, deri ato më të thellat dhe kjo, pa diskutim ka shërbyer si një mjet për t’u lidhur akoma më shumë me njerëzit e kësaj zone.”

Kemi parë këto ditë protestat e njëpasnjëshme të opozitës shqiptare, cili është roli i Lëvizjes Socialiste për Integrim në to? 
“Roli i Lëvizjes Socialiste për Integrim në protestat dhe organizimet e ndryshme, ka qenë thelbësor dhe i barabartë me atë të forcave të tjera politike, të Frontit të Bashkuar Opozitar. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka bërë të qartë që prej fillimit pozicionin e saj në opozitë dhe ka treguar se opozitarizmi frontal ka qenë në qendër të veprimtarisë së saj. E kemi deklaruar tashmë, se nuk ka kthim pas dhe se do të bëjmë ç’të jetë e mundur që shqiptarët të çlirohen nga kjo qeveri abuzuese, arrogante, selektive dhe diktatoriale. Madje jo vetëm do të organizojmë protesta, por do angazhohemi të mbështetim çdokënd që ndjen nevojën për të protestuar për të drejtat që i cenohen.” 

Çfarë kërkon Lëvizja Socialiste për Integrim dhe gjithë populli opozitar nga Qeveria shqiptare?
“Kemi parë që kjo qeveri mban në gjirin e saj ministra të korruptuar dhe të papërgjegjshëm apo të paaftë për të kryer detyrat e tyre. Kemi parë që kjo Qeveri ka në krye një njeri, i cili është i lidhur pazgjidhshmërisht me krimin e organizuar, me klanet dhe persona me rekorde kriminale, me trafikun e drogave të ndryshme, me oligarkët, të cilët me babëzi po kontrollojnë çdo aktivitet ekonomik e financiar (por jo vetëm) në vend, me koncesionet e papranueshme dhe të kundërshtuara me forcë nga organizmat financiarë evropianë dhe më gjerë që operojnë në vendin tonë, etj. Në këto kushte, ne dhe qytetarët shqiptarë, kërkojmë largimin sa më të shpejtë të kësaj qeverie dhe të këtij Kryeministri. Është e vetmja formë, për qytetarët shqiptarë, për të shpëtuar nga një diktaturë e re.” 

Ju keni propozuar ligjin “Për statusin e minatorit”. Çfarë po bëhet me të? 
“Po, në fakt ligjin “Për statusin e minatorit”, e propozoi një koleg nga Lëvizja Socialiste për Integrim, i cili është deputet në një zonë të Shqipërisë, ku ky aktivitet përbën mjetin kryesor të jetesës, për banorët e zonës e konkretisht bëhet fjalë për deputetin e qarkut të Dibrës, Z. Përparim Spahiu. Ishte një projektligj i mirëmenduar dhe i konsultuar gjerësisht me të interesuarit, i cili mbi të gjitha përmbante një dimension human të jashtëzakonshëm. Mirëpo qeveritarët kafshërorë dhe deputetët dritëshkurtër të Partisë Socialiste, vendosën ta rrëzonin me votë, pa asnjë arsye ligjore apo objektive, por me të vetmin arsyetim cinik, që ky projektligj ishte propozuar nga një deputet opozitar dhe ata kanë vendosur që, pavarësisht qëllimeve të mira të ligjeve që propozon opozita, të mos i votojnë dhe mundësisht ta marrin copy-paste ligjin e Z. Spahiu dhe ta ripropozojnë vetë në Parlament, sigurisht pa harruar propagandën në favor të tyre. Kjo vjen si pasojë e të qenit cinikë dhe hipokritë. Unë dua t’ju kujtoj një rast të ngjashëm, por i ndodhur në kohën kur bashkëqeverisnim. Në atë kohë, unë dhe kolegia Kejdi Mehmetaj, propozuam projektligjin “Për vullnetarizmin”. Kujtoj që deputetë të ndryshëm të Partisë Socialiste krijuan lloj-lloj artificash dhe pengesash, për të mos e miratuar projektligjin, për të vetmen arsye se e kishim propozuar ne dhe jo ata. Madje arritën deri në pikën që e shprehën hapur mllefin, duke thënë, që ligji duhet të kishte ardhur si propozim nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (në atë kohë) dhe jo si propozim nga deputetët, duke harruar kështu që e drejta e propozimit të ligjeve është një e drejtë që Kushtetuta ia njeh çdo deputeti dhe, sigurisht, nuk mund të na e heqë atë asnjë deputet, ministër, Kryetar Kuvendi apo Kryeministër nga Partia Socialiste.” 

Çfarë qëndrimi do të vazhdojë të mbajë Lëvizja Socialiste për Integrim për TVSH-në? 
“Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë kundër kësaj mase represive për biznesin e vogël që nga fillimi madje kemi bërë dhe disa propozime. Së pari, për nivelin e aplikimit të TVSH-së, në bizneset që e kanë xhiron vjetore mbi 5 milionë lekë. Ky propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk u miratua nga Partia Socialiste, pasi sigurisht atyre nuk iu intereson të lehtësojnë biznesin e vogël. Madje, duan ta rëndojnë gjithnjë e më shumë, derisa ta çojnë në falimentin, në mënyrë që në Shqipëri të lulëzojnë vetëm bizneset e mëdha të miqve të tyre, të oligarkëve. Një tjetër propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë ulja e nivelit të TVSH-së për produktet e shportës. Vende si Italia dhe Franca e kanë 5% nivelin e TVSH-së për produktet e shportës, ndërkohë që Britania e ka në nivelin 0%. Vetëm Shqipëria aplikon masën 20% TVSH edhe për produktet e shportës. Sigurisht, ky propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk u miratua nga deputetët e Partisë Socialiste për një arsye shumë të thjeshtë, se nuk iu intereson t’i lehtësojnë shqiptarët; sa më të varfër dhe të përulur të jenë ata, aq më të lehtë do ta kenë këta të qeverisin si duan, pa zbatuar ligje e rregulla.” 

Jemi pothuajse një vit larg zgjedhjeve lokale. Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike?
“Lëvizja Socialiste për Integrim dhe forcat e tjera opozitare, kanë aktualisht zhvillime më emergjente se zgjedhjet lokale, të cilat kërkojnë vëmendjen dhe angazhimin tonë të plotë. Le të mos harxhojmë as kohë e as energji, duke u marrë me çështje që nuk kanë as kohën dhe as rëndësinë e momentit. Le t’i përqendrojmë gjithë forcat e të bëjmë të mundur që në qershor të çelen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ky është prioriteti ynë e duhet të jetë për këdo.” 

Të hidhemi pak tek Silva dhe familja. Si e menaxhon kohën midis politikës, familjes dhe angazhimeve të tjera? 
“Në fakt, për një grua që angazhohet në nivele kaq të larta politike, dita nuk ka mjaftueshëm orë. Intensiteti i aktiviteteve dhe takimeve në shumicën e kohës, është aq i madh sa shpeshherë e gjejmë veten të lirë veç në orët e vona të mbrëmjes. Megjithatë, jo çdo ditë është e tillë; ka edhe ditë kur sigurisht i kushtohet më shumë kohë familjes dhe miqve. Mendoj që gjithçka varet nga prioritarizimi i kohës dhe respektimi i detyrimeve që lindin nga aktiviteti politik. Nëse tregon përpikëri me oraret dhe vendos se çfarë është e rëndësishme, mund të gjesh kohën e duhur për t’ia kushtuar familjes, miqve dhe pasioneve të ndryshme.”

Sa kohë kaloni me djalin? 
“Gjatë ditëve të javës, deri rreth orës 17:00, si shumica e fëmijëve, prindërit e të cilëve punojnë, djali shkon në kopsht. Edgar Howe ka thënë se: “Nëse nuk do të ekzistonin kopshtet dhe shkollat ku fëmijët kalojnë një pjesë të mirë të ditës larg shtëpisë, çmendinat do të mbusheshin plot me nëna”. Duke e lënë mënjanë humorin, mendoj që këto institucione, shërbejnë jo vetëm që fëmijët të mësojnë gjëra të reja, por edhe të socializohen me fëmijët e tjerë e të mësojnë hapat e parë të të jetuarit në komunitet. Zakonisht, nëse nuk kam ndonjë angazhim, pasditet përpiqem që t’i kaloj me të dhe të dalim bashkë, për t’u argëtuar në lojëra të ndryshme. Gjithashtu edhe fundjavën e shfrytëzojmë maksimalisht për t’u kënaqur të tre së bashku, shpeshherë edhe me gjyshërit dhe stërgjyshërit, të cilët janë kujdesur dhe e kanë rritur tim bir deri ditën që ai shkoi në kopsht.” 

Çfarë natyre është Silva? 
“Mendoj që kjo pyetje duhet t’iu drejtohet atyre që më njohin mirë, pasi vetëm ata mund të japin një përgjigje objektive. Unë, sado të përpiqem, nuk do të jem e drejtë dhe tërësisht e vërtetë në gjykim; sigurisht që do ta mbaj veten me hatër. Megjithatë, ka disa tipare ne karakterin tim, për të cilat jam edhe vetë e ndërgjegjshme. Unë jam një njeri që, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, vështirë se aplikoj të mesmen e artë. Zakonisht e gjej veten ose në njërin ekstrem, ose në tjetrin. Diçka ose dikë ose e dua, ose nuk e dua aspak, veprimet ose i toleroj tërësisht, ose i refuzoj me shumë forcë, në situata të ndryshme ndodh të jem jashtëzakonisht e qetë ose të jem shumë nervoze. Nuk është aspak e shëndetshme të jetosh mes kaq shumë emocioneve intensive, duhet të mësohem t’i lë gjërat të ndodhin, prandaj ka disa kohë që punoj me veten për t’i shtuar pak më shumë ngjyra përjetimeve dhe perceptimeve, jo vetëm bardh’ e zi. E vetmja gjë me të cilën nuk bëj asnjë kompromis, është ndershmëria e marrëdhënieve që ndërtoj me të tjerët. Gjithashtu jam e palodhur dhe punoj shumë, programoj me qetësi dhe durim rrugën drejt qëllimeve të mia. Nuk bëj dot ndryshe, jam bricjap!” 

Më thoni një tipar që e karakterizon Silvën.
“Më kanë thënë që jam një person që iu gjendet të tjerëve kur kanë nevojë dhe për të qenë e sinqertë, ky është një shpërblim i madh për punën që bëj.” 

Çfarë urreni më shumë? 
“Si person që përjetoj emocione të forta, ka edhe disa gjëra që urrej dhe që nuk i pranoj apo nuk i justifikoj, siç janë: tradhtia (në çdo formë), mosmirënjohja dhe dembelizmi. Mendoj që çdo njeri ka veset dhe të metat e veta, me të cilat sigurisht dëmton veten e tij, por 3 tiparet e karakterit që rendita më sipër nuk dëmtojnë vetëm personin tek i cili zhvillohen, por kanë një impakt shumë më të gjerë dhe kjo, ndoshta, i bën të papranueshme për mua.”

Cili është një thashetheme që mund të keni dëgjuar për veten? 
“Fatmirësisht asnjë! Jam natyrë diskrete dhe e kontrolloj mirë atë që zgjedh të shfaq, kështu që hapësirat për thashethemnajën që përfshin njerëzit si unë, mbeten shumë të pakta.” 

Ju jeni bërë deputete në moshë shumë të re, 25 vjeç. Çfarë ju dallon nga bashkëmoshataret e tua?
“Mandati i deputetit (në fakt e kam marrë dy ditë përpara se të mbushja 26 vjeç), ishte puna ime e gjashtë, pasi kam filluar të punoj që 19 vjeç. Kam punuar pa pushim që nga viti 2007, kur isha studente e juridikut. Ky fakt ka bërë që të jem një njeri kërkues dhe sistematik. Një tjetër faktor që ndikoi në një sukses kaq të madh, në një moshë kaq të re, është pa diskutim investimi i jashtëzakonshëm politik që liderët e atëhershëm dhe të sotëm në Lëvizjen Socialiste për Integrim, bëjnë për të rinjtë dhe gratë. Mandati i parë erdhi si pasojë e respektimit të parashikimeve gjinore që përmban Kodi Zgjedhor, por të mos harrojmë që ishte periudha kur partitë e tjera detyruan shumë gra apo të rinj të dorëhiqeshin nga mandatet e marra, me qëllim që në Parlament të futeshin të preferuarit e kryetarëve. Kjo gjë nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë në Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi ne jemi të vendosur në fuqizimin politik të gruas dhe të të rinjve. Siç edhe besoj del e qartë, nga mbështetja e lidershipit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që ishte faktori kryesor në konfirmimin tim në këtë rrugë.” 

Ku e shikon veten Silva pas 30 vitesh? 
“Pas 30 viteve, do të jem 60 vjeç dhe mbi gjithçka tjetër, shpresoj ta mbërrij atë moshë me shëndet të plotë dhe e plotësuar në aspektin personal dhe familjar. Në mënyrë të pandashme me realizimin personal, shoh edhe realizimin profesional, për të cilin i kam vendosur qëllim të qartë vetes. Besoj që këto dy aspekte janë më të rëndësishmet në jetën e njeriut.” 

Së fundmi, një koment për situatën aktuale politike në vend… 
Për fat, këtë intervistë e jap në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin tonë, pasi vetëm pak ditë më parë, u njohëm me Raportin mbi ecurinë e Shqipërisë drejt procesit të integrimit dhe u rikonfirmua Rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave, të cilin Shqipëria e ka marrë që në nëntor të vitit 2016. Ky është pa diskutim një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë, por politika nuk duhet, as të ngazëllehet e as të delirojë, pasi nuk është momenti i duhur. Politikës, në mënyrë të veçantë, qeverisë, i duhet të tregojë vullnet të hekurt për të arritur rezultate pozitive në pikat ku Raporti nuk ishte pozitiv. Duhet të shohim përpjekje dhe rezultate të vërteta në zbatimin e Reformës në Drejtësi, procesi i Vetting-ut sapo ka filluar dhe duhet të japë rezultate; duhen rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe sidomos në nivelet më të larta të ekzekutivit; duhen rezultate konkrete dhe jo statistika të stisura mbi luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar dhe bandave, grupeve e klaneve kriminale. Këto e disa kushte të tjera, duhet të trajtohen me prioritet, nëse duam që në qershor të kemi sukses në çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Intervistoi Era Çela
Sigal