INTERVISTA/ Sedadin Fishta: Vetingu, me kërkesat absurde, edhe do penalizojë padrejtësisht policët

492
Jakup B. GJOÇA
Teknikisht problemet që hasin punonjësit e policisë janë: Te deklaratat për pasurinë problemet janë vështirësitë për marrjen e informacioneve dhe vetëdeklarimeve të personave familjarë me moshë madhore, sikurse janë fëmijët, dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, si vjehrri, vjehrra, që mund të mos bashkëjetojnë me punonjësin e policisë
Kryesindikalisti i punonjësve të Policisë së Shtetit, në intervistën për gazetën “Telegraf” pranon që vetingu në Polici do të spastrojë policinë nga personat e inkriminuar, të korruptuar, por, njëkohësisht thekson, se procedura e ndërlikuar, kërkesat e shumta për vetëdeklarim, edhe për persona të largët familjarë, sikurse vjehrri e vjehrra, ose edhe për persona të tretë, sikurse fëmijët, që mund të jenë jashtë shtetit, vështirëson dhe mund të penalizojë padrejtësisht punonjësit e policisë. Zoti Fishta thotë, se nga rezultati i vlerësimit që do bëjnë komisionet e vlerësimit, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit do të ankohet në gjykatë, madje deri në Gjykatën Kushtetuese. 
-Zoti Fishta, U mbyll procesi i dorëzimit të dokumentacionit për vetingun nga punonjësit e Policisë së Shtetit, cilat janë problemet që dolën?
– Në radhë të parë është koha e pamjaftueshme që kanë vënë në dispozicion punonjësve të policisë së Shtetit, nga momenti i hyrjes së ligjit në fuqi, që ishte prej 30 ditëve. Kjo kohë shumë e kufizuar i bëri njerëzit e policisë që të mos kenë mundësi që të realizojnë në përputhje me kërkesat e ligjit ato kërkesa që kanë 3 formularët e vetëdeklarimeve. Duhej që punonjësve t’u jepej kohë e mjaftueshme, të paktën 3 muaj, që të mblidhnin të gjitha të dhënat, dëshmitë, vërtetimet, që kërkohen për të vetëdeklaruar pasurinë e familjes dhe të njerëzve të trungut familjar, siç e kanë hartuar ligjin e vetingut për policinë. Ta dini, këto formularë të vetëdeklarimit për punonjësit e policisë së Shtetit kanë 40 faqe kërkesash.

– Pse u la afat 30 ditësh? Ka ndonjë qëllim të caktuar?
– Mendoj që 30-ditëshi si afat ka qenë thjesht çështje burokratike, për të shpejtuar kohën e realizimit të vetingut. Kjo mund të jetë një kushtëzim edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Por duhet të themi, që ky ligj nuk u konsultua fare as me Policinë e Shtetit, por e realizoi vetëm ministria e Brendshme. Ose u imponua nga ndërkombëtarët dhe si i tillë, janë adoptuar ligje të vendeve të tjera.

– A e “kapën” 30-ditshin të gjithë punonjësit, a dorëzuan të gjithë vetëdeklarimet?
– Aktualisht, janë dorëzuar të gjitha vetëdeklarimet.

– Nëse dikush ka bërë ndonjë gabim, nga mosdija, nga ngutja, çfarë ndodh?
– Vetë procedurat e vetëdeklarimit nga punonjësit e policisë do të sjellin rezultatet konkrete sa efekt ka pasur ky ligj edhe teknikisht. Nuk flasim si ligj në formulim, sepse është formuluar mirë, për të pastruar radhët e policisë nga elementët e inkriminuar, por teknikisht, ka probleme. Edhe në të ardhmen. 

– Cilat janë problemet që ju si sindikatë e Policisë së Shtetit shikoni te ligji i vetingut për Policinë e Shtetit?
– Teknikisht problemet që hasin punonjësit e policisë janë: Te deklaratat për pasurinë problemet janë: Së pari, vështirësitë për marrjen e informacioneve dhe vetdeklarimeve të personave familjarë me moshë madhore, sikurse janë fëmijët, dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, si vjehrri, vjehrra, që mund të mos bashkëjetojnë me punonjësin e policisë, por që ligji kërkon që edhe për ata të sjellin deklarimin e pasurive. 

Së dyti, i vështirë ka qenë edhe vetë plotësimi i formularëve, duke mos pasur përvojë në mbushjen e këtyre formularëve, sepse për të plotësuar ato kërkohet një kulturë juridike dhe kontabël, sepse vetë kërkesat e formularëve janë që të vetëdeklarohen shpenzimet, të paktën për 7 vitet e fundit. Koha e pamjaftueshme, mosdija e njohurive të tilla, e bëri shumë të vështirë plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit. 

– A përbën ngërç kjo vështirësi në plotësimin e vetëdeklarimit?
– Tani, që u dorëzuan vetëdeklarimet do të shikojmë konkretisht, se cilat dhe në çfarë shkalle kanë qenë vështirësitë, por më kryesorja, do të shikojmë a do të penalizohen apo jo, punonjësit e policisë së Shtetit, për shkak të defekteve teknike në plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit. Vlerësimet e komisioneve do të dëshmojë edhe se sa efekt pozitiv, apo negativ ka pasur ligji nga ana teknike dhe kohën e pamjaftueshme që iu dha punonjësve të policisë së shtetit. 

– A duhet një kohë shtesë, për të korrigjuar të metat në plotësimin e vetëdeklarimeve?
– Natyrisht, kjo do të varet nga vlerësimi që do të bëjnë komisionet e rivlerësimeve.

– A ndeshët raste, ku, për shkak të vështirësisë së madhe të mbledhjes së të dhënave dhe mosdijes, pati punonjës të Policisë së Shtetit që nuk dorëzuan formularët e vetëdeklarimeve?
– Jo vetëm pamundësia, por edhe dilemat që kanë pasur midis kërkesave që ka formulari, siç është nevoja për të marrë një vetëdeklarim të një personi të lidhur me ta, siç e kërkon ligji dhe kjo e ka venë punonjësin në dilemë, nëse duhet që ta dorëzojë ose jo vetëdeklarimin, pavarësisht se çfarë marrëdhënie bashkëjetese ka me atë person. Janë shumë arsye të 11 kërkesave që ka ligji i vetingut dhe vetë formulari i vetëdeklarimit, që e vë në dilemë punonjësin e policisë së Shtetit në sigurimin e informacionit bazë, nëpërmjet vërtetimeve që i është dashur të merrte në institucionet e ndryshme shtetërore për të vetëdeklaruar pasuritë, shpenzimet, të ardhurat të të gjithë pjesëtarëve të familjes dhe personave të lidhur me atë. Prandaj shumë kanë bërë kërkesë të largohen nga policia e shtetit, sepse nuk janë në gjendje ta plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. 

– Si mund të bëhej më i dobishëm ligji i vetingut në Policinë e Shtetit?
– Së pari, derisa punonjësit e Policisë së Shtetit janë punonjës me kontratë pune afatgjatë të rregullt, nuk mund t’i vënë afat 30 ditësh për të plotësuar formularët e vetëdeklarimit dhe Kodi i Punës e ka përcaktuar që në raste të tilla minimumi i kohës duhet të jetë 3 muaj. 

– Po në formular, çfarë kërkesa duhet të ishin shkruar më mirë?
– Në formularët e vetëdeklarimit duhet të ishin më realisht gjithë marrëdhëniet e punës që kanë punonjësit e policisë së Shtetit. Në formular duhet të ishin pasqyruar më thjesht të dhënat në lidhje me disa kërkesa që punonjësit i kishin para viteve 1997, që ka qenë koha e një informaliteti total dhe sot, edhe nëse duan, nuk janë në gjendje të vërtetojnë asgjë për të ardhurat që kanë fituar deri në 1997. 

– Ju si sindikatë e Policisë së Shtetit, mendoni ta apeloni këtë ligj të vetingut në Policinë e Shtetit?
– Në përgjithësi, ne e kemi mbështetur ligjin e vetingut. Ne nuk apelojmë ligjin në tërësi. Ne problemin e kemi nga ana e zbatimit teknik të ligjit të vetingut në Polici. Domethënë afati i shkurtër, i pamjaftueshëm prej 30 ditësh. Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje, kur kemi kërkuar shtyrjen e afateve. Kur të dalin problemet teknike të plotësimit të formularëve, nga vlerësimet që do bëjnë komisionet përkatëse, sepse punonjësi mund të penalizohet për shkak të mangësisë, gabimeve në plotësimin e formularëve, ne si sindikatë, do të drejtohemi deri në Gjykatën Kushtetuese, për shkeljen e të drejtave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Qeveria duhet të kishte nxjerrë edhe aktet nënligjore për punonjësit e policisë, të cilët do largoheshin nga vetingu, por që në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit, duhet të marrin edhe përfitime të tjera, sepse në qoftë se do të kishte akte nënligjore, siç është rasti për ligjin “Për të qenit në shërbim”, i cili duhet të ishte në fuqi që në 2015-n, e sot ka mbetur në letër. 
Absurditetet e Vetingut
Sipas nenit 33: Deklarimi i pasurisë, janë 11 pika që i kushtëzojnë punonjësin e policisë të mbledhë dokumentacion për vetëdeklarimin e pasurisë. Duhet të paraqesë dokumentacion për drita, ujë , internet, telefon, qira banese, pagesa periodike për gjithë familjen, si edhe për …vjehrrin e vjehrrën. Po edhe dëftesat për shkollat e fëmijëve, udhëtimet private që ka bërë, duke paraqitur faturat etj., sendet e luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë mbi 300.000 lekë edhe për vjehrrin e vjehrrën. 
Sigal