INTERVISTA/ Prof. Elmaz Sherifi: Kryeministri kërkon të fshehë korrupsionin e qeverisë me paketën antishpifje, krimi po sfidon shtetin

884
Sigal

Albert Z. ZHOLI

Në fakt krimi po e sfidon shtetin, duke larë hesapet para kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit, brenda m’u në “bllok”, për t’i thënë policisë dhe qeverisë, se këtu jemi ne zot

Prof. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mendimin se legjislacioni ynë nuk ka vend më për paketë ligjore për shpifjen, por kryeministri me paketën që premton të sjellë, kërkon që të kamuflojë korrupsionin e qeverisë. Zot Sherifi thotë se vettingu e ka humbur besimin, por mbetet e vetmja rrugë për katharsisin në drejtësi. Për “Babalen” zoti Sherifi thotë se “Babalja” e detyroi subjektin “x” të vetëburgosej në Itali, kur dy muaj më parë mohohej se “x” ishte i dënuar me vendim gjykate në Itali dhe rrinte i qetë në Shqipëri. Zoti Sherifi shpreh habinë, pse kryeministri përgënjeshtron i pari akuzat ndaj deputetëve dhe kryebashkiakëve: Cili është halli i kryeministrit?

-Zoti Sherifi, ka bazë ligjore dhe a ekziston në vendet perëndimore paketa antishpifje, që do të sjellë në parlament kryeministri Rama? Cili është qëllimi i saj?

– Ligji për shpifjen dhe fyerjen ekziston. Me këtë ligj është gjykuar kallëzimi i kryeministrit Edi Rama ndaj Edi Palokës dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendim nr.8 dt.05.06.2015 rrëzoi kërkesën për dënimin penal dhe kërkoi pagimin e dëmit civil me 200 mijë lekë.

 -Përse kërkohet nga kryeministri një ligj i ri, kur ligjin e kemi?

– Mesa kuptohet, iniciuesit duan të propagandojnë, se nuk ka probleme qeverisja, nuk ka as krime e korrupsion në qeverisje, por ekziston shpifja. Këto nisma janë marrë sa herë që qeverisja degradon, dhe qeveritarët nuk duan ta pranojnë realitetin e hidhur, si spec djegës. Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut synon maksimalizimin e lirisë së shprehjes. Legjislacioni shqiptar është brenda standardeve ndërkombëtare. Le të zbatohet ai dhe s’ka nevojë për ta trajtuar shpifjen vetëm si çështje civile dhe dënimin e saj me shuma të mëdha. Shpifja është kundravajtje penale dhe shkakton edhe dëm civil. Nisma e qeverisë nuk ka për të ndryshuar asgjë, veçse do të rrisë intensitetin e goditjes së saj, si qeverisje autokratike.

– Projektligji për mbylljen e Lojërave të Fatit, a do ndikojë ai në përmirësimin e ekonomisë së familjeve shqiptare? Është e vonuar kjo nismë? 

– Lojërat e fatit do të ishin kufizuar shumë kohë më parë. Kryeministri gaboi, kur u shpreh se nuk më kanë lejuar aleatët ta bëja këtë veprim më shpejt, sepse pranon që lojërat e fatit mund të vazhdonin nëse aleatët do te ishin në koalicion. Një lajthitje tjetër është pranimi publikisht se lojërat e fatit financoheshin nga kriminelët dhe maskonin botën kriminale. Kjo nuk është pranuar asnjëherë më parë nga qeveria Rama. Vetëm pak kohë më parë ato u inkurajuan me uljen e detyrimeve tatimore dhe u shtuan si kërpudhat në çdo rrugë e rrugicë. Vendimi i qeverisë u bë pas vrasjeve në bllok. Më mirë vonë se kurrë thuhet…Unë e përshëndes vendimin. Nuk duhet të inkurajojmë lojërat e fatit si iluzion punësimi, por të iniciohen politika punësimi.
– A mendoni se akuzat e Opozitës ndaj deputetit Taulant Balla për inkriminimin e tij me botën e krimit kanë vërtetësi apo bëhen për konsum politik? 

– Opozita është në misionin e vet. Detyra e saj është të godasë qeverisjen e keqe dhe të ofrojë alternativa qeverisjeje. Punën po ia lehtëson keq qeverisja. Nuk po goditet vetëm Balla, por në “ballë” të goditjes janë institucione dhe politikanë. Shumë janë tallur me “Babalen”. Por, asnjëherë nuk është pranuar se “Babalja” e detyroi subjektin “x” të vetëburgosej në Itali, kur dy muaj më parë mohohej se “x” ishte i dënuar me vendim gjykate në Itali dhe rrinte i qetë në Shqipëri. Kur ndaj “Babales” filloi një proces penal shumë zhurmë u bë dhe kryeministri u bë prokuror dhe Taulanti ishte aktiv mediatikisht, duke deklaruar publikisht, si gjithçka ishte shpifje. “Babalja” nga Kosova po i “fton në duel”. Një tjetër ngjarje ka “ftuar” Ballën në “ring”. Oficeri i policisë gjyqësore e akuzoi për ndërhyrje në “çështjen Xhisiela” dhe PD-ja për lëvizjet e shumta me avion e makinë me biznesmenin, që ka pasur probleme me drejtësinë. Më bën përshtypje që edhe Rama edhe Balla e mohojnë përfshirjen në “çështjen Xhisiela”, dhe sipas tyre kjo vërtetohet me kamerat e instaluara në rajonin e policisë, por nuk i tregojnë pamjet publikut se çfarë kanë të regjistruar kamerat. Dhe “Babalja 2” nga mohim, rezulton me ndalimin me burg të personit, që akuzoi oficeri i policisë?! Tani është mediatizuar shumë lidhja e Ballës me “biznesmenin problematik”. Le t’ia lëmë prokurorisë të zbardhë të vërtetën. Dje Balla në “Opinion” ishte në pozitë të vështirë.

A ka besueshmëri vettingu, me vendimmarrjet e deritanishme, të atakuara, se do të bëjë një katharsis të vërtetë të drejtësisë?

– Besimi te vettingu ka rënë. Por nuk ka rrugë tjetër, ai duhet të vazhdojë më me shpejtësi. Prokuroria është bërë institucioni më pak i besueshëm, sepse edhe prokurorja e Përkohshme po bëhet e përhershmja prokurore. Thuhet se krime ka më pak. Kryeministri është kontradiktor. Shkon në ministri të Brendshme dhe i shqetësuar në një pjesë të fjalimit e lëvdon policinë e nxjerr statistika drejtorëve sikur të ishte lektor, se ne jemi më mirë se Gjermania, Franca e Anglia dhe në pjesën mbyllëse u komunikon se kur do kapet Balili, apo kur t’ua kërkojë ambasadorja e SHBA? Në fakt krimi po e sfidon shtetin, duke larë hesapet para kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit, brenda m’u në “Bllok”, për t’i thënë policisë dhe qeverisë, se ‘këtu jemi ne zot’.

– A mendoni se çështja “Babale” ka skenar?

– Unë “Babalen” nuk e vlerësoj si skenar, por si një realitet që jep sinjale shumë të forta, të lidhjes së politikës me krimin. Ajo që më çudit, jo vetëm mua, është qëndrimi i kryeministrit. Sa herë që ka akuza për ministrat, deputetët, a kryetarët e bashkive, i pari që i mohon është kryeministri. E mban këtë qëndrim, se vetë i ka zgjedhur, apo ka hall tjetër, këtë ai duhet ta sqarojë…