INTERVISTA/ Prof. Arben Malaj: Nëse do të funksionojë shteti ligjor, do të ketë barazi për të konkurruar. TVSH-ja, koncesionet dhe emigracioni

689
Sigal

Tërheqja e investimeve të huaja direkt vetëm apo kryesisht nëpërmjet paketave favorizuese fiskale, minimizion përfitimet reale në ekonomi dhe buxhetin e vendit

-Prof. Malaj, pse Shqipëria mbetet mbrapa nga vendet e tjera fqinje në thithjen e investimeve të huaja?

Modernizimi i ekonomisë tonë ka nevojë për kapital vendas dhe të huaj të orientuar për të investuar në sektorët më produktivë dhe me teknologjitë më moderne që fusin në qarkullim ekonomik, jo vetëm pasuritë natyrore të vendit. Bazuar edhe në analizat dhe raportet e institucioneve, pengesa kryesore mbetet mos funksionimi i shtetit ligjor, ku kryesore janë; e drejta e pronës, gjyqësori i pa varur , cilësia e administratës publike, niveli i korrupsionit etj. Ndërsa tërheqja e investimeve të huaja direkt vetëm apo kryesisht nëpërmjet paketave favorizuese fiskale, minimizion përfitimet reale në ekonomi dhe buxhetin e vendit.

– Pse vendet e BE-së fare pak investojnë në Shqipëri?

Nëse shikojmë gjeografinë e partnerëve tanë tregtarë nëpërmjet tre treguesve; eksporteve, importeve dhe investimeve të huaja direkt, ekonomia jonë është më shumë e ndërlidhur me BE-në, në nivelet 60-70%. Natyrshëm ka rritje të investimeve edhe nga vende jo-evropiane. E rëndësishme është të qartësojmë, që Shqipëria ka një legjislacion modern për investimet e huaja direkt, çka lehtëson hyrjen e sektorit privat nga vende të huaja. Politikat nxitëse dhe konkurruese nuk duhet të dëmtohen nga projekte nga vende të ndryshme kryesisht jo-evropiane, të cilat kërkojnë akses në ekonominë shqiptare nëpërmjet ndërhyrjeve politike. Kjo dëmton konkurrencën, ul interesin e kompanive serioze dhe dëmton impaktit e tyre në ekonomi.

– A është e drejtë të paragjykohen politikisht investimet turke në ekonominë tonë? Kjo a bie ndesh me Frymën e Europianizmit ku duam të integrohemi?

Në kushte e tregtisë së lirë, në kushtet e marrëdhënieve tregtare bazuar edhe në marrëdhëniet bilaterale ka pasur rritje të aktivitetit tregtare dhe investues të biznesit turk në vendin tonë. Biznesi turk është sot prezent në sistemin bankar, sistemin e telefonisë, në energjetikë, si edhe ka rritje te volumit te importeve nga Turqia. Çdo zhvillim mbi bazë të tregtisë së lirë dhe konkurruese nuk përbën shqetësim.

– Prof Malaj, pse tashmë Shqipëria nuk ka industri përpunuese të mineraleve? Nuk kanë interes investitorët? Nuk kanë kapital?

Në se ka diçka që ne ekonomistëve të tranzicionit na bën të ndjehemi keq, është pikërisht fakti që në hapat e para të tranzicionit nuk guxuam të ndiqnim politika me produktive për nxjerrjen, shfrytëzimin dhe përpunimin me cikle të plotë të pasurive tona natyrore që për fat të mirë janë të shumta dhe me vlerë tregu në rritje.

Tranzicioni ynë filloj me teorinë e profesor Jeffrey Sacks “Shock- Therapy”, (https://www.investopedia.com/terms/s/shock-therapy.asp) ku ekonomia e trashëguar u konsiderua e vjetër, jo konkurruese dhe barrë për kosto sociale që krijonte duke u subvencionuar nga taksat e pakta. Iu dha prioritet liberalizimit te çmimeve dhe tregjeve , derregullimit dhe privatizimeve masive, në këtë moment në Shqipëri, investitorë potencialë që kishin njohuri manaxheriale për teknologji moderne dhe tregje konkurruese, që kishin aftësi të ngrinin fondet e nevojshme për modernizimin e tyre ishin shumë pak, ndërsa të huajt mbetën për një kohë të gjatë hezitues. Strategjia e bërjes së çdo punonjësi aksioner në ndërmarrjen e tij, modeli i një kapitalizmi popullor në një vend që në historinë e tij kurrë nuk kishte pasur bursë kapitalesh apo ku edukimi financiarë ishte shumë i ulët do të dështonte. Ky model i importuar nga disa vende të lindjes dështoi edhe aty.

– Cilat quhen investime strategjike? Një resort turistik a mund të cilësohet investim strategjik?

Duhet të qartësojmë, se cili prej sektorëve të ekonomisë mund të kenë rëndësi strategjike, koncept që mban parasysh rëndësinë e këtyre sektorëve në garantimin burimeve të zhvillimit dhe parandalimin e krizës së mungesës së tyre. Me përfaqësues është sektori i energjisë sepse kushtëzon sektorët e tjerë te ekonomisë dhe parandalon krizat energjetike të mungesës së furnizimit apo të goditjeve të prodhuesve dhe konsumatorëve nga çmimet e larta. Mund të jetë një investim strategjik në futjen në qarkullimin ekonomik të pasurive natyrore të pa njohura, siç janë rezervat e naftës, gazit dhe burimeve të tjera minerale. Mund të jetë strategjike një kompani që merr përsipër rritjen e cilësisë së dokumenteve identifikuese të çdo individi, sepse cilësia e dobët e tyre ushqen krimin dhe penalizon vendin, mund të jenë kontrolli i kufijve ajrorë, ujorë dhe tokësorë ku ka elementë të sigurisë kombëtare në konceptin ushtarak, si monitorimin për parandalimin e aktiviteteve kriminale të drogave, armëve, njerëzve por edhe ruajtjen e pasurive ujore nga shfrytëzimi barbar i tyre duke pakësuar burimet e brezave të ardhshme. Është e vështirë të konsiderosh strategjik një investim që thjesht shton vende pune. Turizmi mund të jetë sektor me potenciale të pa shfrytëzuara dhe meriton mbështetje, por as si sektor dhe as si kompani ato nuk përmbushin kritere te klasifikimeve strategjike.

– Pse shteti nuk favorizon Industrinë përpunuese të mineraleve si investime strategjike?

Edhe në këtë drejtim ne ekonomistët e tranzicionit të vendit tonë ndjehemi “fajtorë” ndaj mundësive të zhvillimit të pasurive tona natyrore. Këtu kam parasysh moskrijimin e modelit zinxhir të prodhimit, përpunimit dhe shitjes së tyre. Në disa industri është e vështirë në disa raste ka shembuj pozitivë. Modeli me cikël të mbyllur do të rriste vlerën e shtuar të eksporteve tona. Aktualisht ne eksportojmë për një përfitim të vogël minerale të pa përpunuara dhe krahun e lirë të punës. Ne u orientuam në privatizim tek shitja bazuar tek çmimi më i lartë, përfituam lekët nga shitja dhe humbën milionat nga mos ringritja e këtyre kompanive që siguronin cikël të mbyllur. Ambienti shoqëror dhe politik gjatë tranzicionit tonë ka qenë pengues duke e bërë hezitues pranimin e çdo ideje novatore dhe duke mos marrë përsipër më shumë risk profesional. P.sh në Gjermaninë Lindore shumë ndërmarrje të mëdha iu shiten investitorëve që do të investonin milionat, vetëm për 1 Dojç Mark. Atë që nuk e përfituan si çmim shitje, e përfituan i nga investimet modernizuese, mbijetesën konkurruese të këtyre ndërmarrjeve, reduktimin e papunësisë masive dhe rritjen graduale të punësimit dhe të të ardhurave.

– A mund të jepen me koncesion shërbimet publike, ku koncesionari nuk detyrohet të investojnë kapitale dhe të hapë vende pune?

Koncesionet synojnë që shërbimet publike të përmirësohen në tre aspekte: 1- Shumë llojshmëri shërbimesh, apo shërbime alternative. 2- Koha apo mënyra përftimit të një shërbimi publik të jetë sa më e shkurtër dhe sa më e lehtë dhe 3- Kostoja shërbimit për përfituesit të jetë në ulje. Koncesionet duke lehtësuar rritjen ekonomike duhet ta lehtësojnë dhe jo ta rëndojnë borxhin publik. Dihet që kostoja financiare e investuesve në koncesionet është më e madhe se kosto e borxhit të qeverive. Ndërsa koncesione të financuara nga buxheti për shërbime apo investime publike dhe të realizuara nga kompanitë private në thelb janë investim publik, ndaj kompanitë private pas përfundimit të investimit mund të aplikojnë për kontratë menaxhimi, sepse ata nuk janë koncesionarë për aq kohë sa nuk kanë investuar burime te tyre financiare. Shumë koncesione do të mbeten një njollë e zezë për keqpërdorimin e Partneritetit Publik Privat, për përfitimet abuzive nëpërmjet aksionerëve guackë, nënkonktraktorëve guackë dhe sekserëve guackë.

– Ditët e fundit, FMN-ja këshillonte qeverinë tonë, për një paketë të re taksash, ndërkohë, që klima e të bërit biznes në Shqipëri përkeqësohet, pikërisht, për shkak të taksave të larta, krahasuar edhe me vendet ballkanike. Ju, shikoni ndonjë kontradiktë në kërkesat e FMN?

FMN ka kohë që këshillon që vendi ynë duhet të ulë koston e deficitit dhe të borxhit publik. Saktësia e statistikave financiare është përgjegjësi e rëndë profesionale. Besoj shumë që kolegët e FMN të mos krijojnë asnjë pasaktësi apo perceptim për pasaktësi të treguesve të financave publike. Nëse borxhi dhe kostoja e tij do të rritet, nuk do të jetë vetëm FMN që do të imponojë paketa fiskale antikrizë, që në thelb kërkojnë rritje të të ardhurave dhe reduktim të shpenzimeve. Ky kushtëzim do të jetë nga çdo donator potencial. Mundësia e Shqipërisë që të shkurtojë shpenzimet është minimale, sepse mbështetja buxhetore për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, mjedisin dhe infrastrukturën aktualisht janë minimale.

– Mendoni se paketa e re fiskale që kërkon FMN-ja ndaj qeverisë Shqiptare diktohet nga rritja e borxhit, për ta bërë borxhin publik të menaxhueshëm, pavarësisht riskut që do ketë në investimet e huaja në Shqipëri?

FMN i ka dhënë të qarta dhe në mënyrë transparente analizat e faktorëve që bëjnë të domosdoshme ndërhyrjet për një rritje ekonomike më të lartë dhe deficitit buxhetor dhe borxh publik në ulje.

– Prof. Malaj, është fakt, që shumë kapitale vendase “emigrojnë” nga Shqipëria dhe investojnë në vendet ballkanike fqinje. Përse ndodh kjo?

Është një fazë e re e biznesit shqiptar, ata janë rritur në përmasat e tyre, në kufijtë potencialë të investimeve, në aftësinë për të identifikuar kudo tregje potenciale. Kemi kohë që diskutojmë me kolegët tanë të biznesit që ata nuk mundet të rriten në një treg me më pak se 3 milionë banorë. Jam i bindur që nëse këtu do të funksionojë shteti ligjor, do të ketë barazi për të konkurruar në ofertat private dhe fondet publike, nëse administrata nuk do të veprojë sipas telefonatave, por sipas ligjit, nëse rimbursimet do ishin një proces burokratik dhe pa asnjë vonesë abuzive , bizneset shqiptare nuk kanë asnjë motiv të mos investojnë në vendin e tyre. Nuk duhet t’i paragjykojmë në vendimet e tyre të biznesit, por duhet të bëjmë maksimumin që kjo “arratisja e kapitaleve” të mos ndodhë për shkak të pengesave që ata ndjejnë në ambientin tonë ekonomik e politik.

– Çfarë mund dhe duhet të bëjë qeveria jonë, për të riatdhesuar kapitalet vendase të riinvestojnë në Shqipëri?

Jo një garë lehtësirash, por një garë për funksionimin sa më mirë të shtetit ligjor dhe përmirësimin rrënjësisht të ambientit të biznesit.

– Përse nuk kemi një politikë fiskale të qëndrueshme në Shqipëri?

Sipas Indeksit të Konkurrencës Globale të Forumit Botëror të Davos-it, taksat dhe keqadministrimi fiskal konsiderohen, sipas biznesit të huaj, në vendin janë dy pengesat kryesore. Vlerësoj se vendi kërkon një moratorium trevjeçar për mos ndryshim të taksave dhe fokusimin në thjeshtësimin, lehtësimin dhe uljen e kostos së administrimit.

– A pajtoheni ju me kritikën e FMN-së, se qeveria jonë duhet të heqë dorë nga koncesionet?

Shqetësimi i FMN duhet analizuar me shumë përgjegjësi nga çdo hallkë e proceseve përzgjedhëse, miratuese dhe monitoruese te koncesioneve. Shqipëria dhe FMN mund të bashkëpunojnë për përmirësimin e kuadrit ligjor, institucional dhe monitorimit të koncesioneve,

– Ju Prof. Malaj jeni “pro” apo kundër TVSH-së për biznesin e vogël?

Bazuar edhe në përvojat konkrete gjatë tranzicionit, bazuar edhe në modelet më të mira, kam qenë publikisht kundër. Ne duhet të qartësojmë misionin biznesit të vogël në ekonominë tonë që konkretizohet në vetëpunësim, përmirësimi i të ardhurave familjare, mirë arsimimi dhe shërbimi shëndetësor, financimi i investimeve modeste që përmirësojnë jetën e tyre. Kam qenë kundër edhe fushatës të anti-informalitet, e cila dëmtoi rëndë frymën e biznesit, penalizoi shumë biznese, dëmtoi pritshmëri për të ardhmen dhe nxitën flukset e mëdha të emigrantëve.

– Si ka ndikuar Taksa progresive në ekonominë tonë?

Shoqëritë sot vuajnë tre plagë të rënda sociale: papunësinë e lartë, varfërinë dhe pabarazinë në nivelin ku 8 miliarderët më të mëdhenj në botë kanë pasuri sa 3.6 miliardë njerëz.

Rritja e pagës minimale, garantimi i një të ardhure bazike minimale ( UBI) për të varfrit, një progresivitet i taksave, janë tre nga instrumentet të politikave fiskale që të majtët mendojnë së mund të përballen me krizën sociale. Studiuesit e shkencave politike theksojnë se fokusimi vetëm apo kryesisht tek taksat progresive si zgjidhje për sfidat sociale, e dëmton suksesin e tyre.

– Pse ekonomia jonë, ndonëse ka zhvillim 3% nuk krijon vende të reja pune?

Në vendet me shkallë të lartë të ekonomisë informale mund të ketë rritje punësimi edhe me rritje 3%, të ekonomisë. Në teoritë ekonomike rritja 3% për vendet në zhvillim është anemike në misionin e saj për zbutjen e problemeve sociale, rritjen e punësimit për uljen e varfërisë.

– Cilat kushte ekonomiko-sociale në 2018 i detyrojnë shqiptarët të emigrojnë?

Sot jetojmë në ekonominë digjitale, autostradat informatike e kanë rritur shpejtësinë dhe sasinë e informacionit për zhvillimet në vendin tënd dhe për mundësitë në çdo vend të botës, bile shpesh duke mos e ndryshuar vendndodhjen. Këto avantazhe të ekonomisë së dijes i përdorin shumë mirë të rinjtë dhe jo vetëm të talentuarit. Një avantazh i shqiptarëve është krijimi i komuniteteve familjare në 28 vendete BE por edhe në pjesë të ndryshme të botës. Pra e vetmja mënyrë që ta reduktojmë këtë trend, koston e të cilit do ta vuajmë për shkak se po humbasim faktorin kryesore të suksesit, po humbasim kapitalin human dhe social. Duhet që nëpërmjet një qeverisje më të mirë në çdo qelizë të jetës tonë ekonomike, shoqërore dhe politike të përmirësojmë pritshmëritë e çdo fëmije, studenti dhe të rrituri, për të ardhmen e tyre në vendin tonë. Duhet të reduktojmë agresivitetin politike e social, të lehtësojmë suksesin e çdo individi duke u bazuar vetëm tek aftësitë e tyre profesionale dhe vlerave njerëzore që përfaqësojnë.