Intervista/ Prof. Dr. Jamarbër Malltezi: Në vend po “Rilind” regjimi monist. Vendimi i gjykatave i hoqi maskën reformës në drejtësi. Nëse do kishte shtet ligjor, Kryeminstri do të ishte nën hetim për vjedhjet me PPP dhe tenderët. Bandat po përcaktojnë deputetë dhe kryebashkiakë

544
Sigal

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi

PD-ja mund të realizonte moslejimin e zgjedhjeve në shumicën absolute të vendit me shumë pak njësi të organizuara, por kjo mund t’i shërbente si pretekst krimit të organizuar në pushtet, përfshi fondacione apo kinse diplomatë të akredituar në Tiranë që përfitojnë nga krimi i organizuar në Shqipëri

 

Është Rilindur regjimi monist, Shqipëria shpëtohet me përballje

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi në intervistën për gazetën “Telegraf” u përgjigjet pyetjeve pse PD-ja nuk mbajti fjalën, kur u zotua se nuk do të lejonte zgjedhje në 30 qershor, pse 10 protestat e deritanishme kombëtare nuk e kanë rrëzuar dot Ramën, siç premtonte PD-ja para çdo proteste dhe Malltezi u jep përgjigje edhe atyre zërave që thonë se PD-ja i “fali” Ramës 61 bashkitë.

– Prof. Malltezi, duke u nisur nga precedenti i Gjykatës së Durrësit, e cila brenda 48 orëve rishqyrton të njëjtën çështje për të cilën Taulant Balla publikisht ushtroi presion politik, atëherë kush do ta pengojë kryeministrin Rama të kontrollojë të gjitha pushtetet?

– Ngjarja e shëmtuar e vendimmarrjes së dytë të gjykatës së Durrësit në favor të kryebashkiakes së 30 qershorit, pa u gjykuar në Apel, i hoqi maskën përrallave me reformë në drejtësi apo pretendimeve për pavarësinë e gjykatave. Hodhi në erë çdo parim juridik mbi çështjet e gjykuara dhe tregoi që ky kancer që ka kapur Shqipërinë bën gjithçka dhe shkel çdo ligj e çdo parim për interes të xhepit. Ishte tregues që Rama dhe krimi i organizuar kanë kapur çdo institucion dhe, më keq se kjo, kanë rrëzuar parimet e gjyqësorit, pasi tani nuk paska më nevojë as për gjykatë Apeli, as për Gjykatë të Lartë e as për Gjykatë Kushtetuese. Kjo maskaradë ishte treguesi më i mirë i keqpërdorimit të diplomateve dhe reformave për interesa të krimit. Jemi kthyer në monizëm.

PD dhe Opozita kishin premtuar se nuk do të lejonin zgjedhje në 30 Qershor. Faktikisht tashmë PS-ja i mori të gjitha bashkitë. Si u përgjigjet PD-ja disa kritikave se është PD që i fali PS edhe bashkitë?

– Nuk pati zgjedhje më 30 Qershor 2019. Pati votime siç kemi parë në monizëm qysh nga 1946 deri në 1990, me një kandidat të vetëm, me gjithë organet e zgjedhjeve dhe gjykatat të korruptuara nga krimi, ku opozita nuk kish të drejtë as të kish komisionerë për të mbikëqyrur votimet, jo zgjedhjet. Pra PD-ja faktoi se nuk kish zgjedhje, ndërkaq ka shkolla të ndryshme mendimi lidhur me atë se çfarë mund apo duhej të kish bërë më shumë PD, për shembull, të pamundësonte votimet. Ka mendime dhe qëndrime të ndryshme këtu dhe është vështirë të japësh një recetë të vetme, ndonëse mund të kish më shumë sinkronizim dhe mesazh të njëjtë. PD-ja mund të realizonte moslejimin e zgjedhjeve në shumicën absolute të vendit me shumë pak njësi të organizuara, por kjo mund t’i shërbente si pretekst krimit të organizuar në pushtet dhe mbështetësve ndërkombëtarë të krimit, përfshi fondacione apo kinse diplomatë që përfitojnë nga krimi i organizuar në Shqipëri. Ndërsa lidhur me atë që PD-ja i fali bashkitë PS-së është jo korrekte. PS-ja i vodhi me krimin e organizuar, siç na treguan përgjimet e Dibrës dhe Durrësit. Dhe organet ligjzbatuese kanë frikë të hetojnë prej 3 vitesh. Dalin shefa policie dhe deputetë që raportojnë dhe falen tek krimi i organizuar, si Lala, Avdylaj, etj. Për fat të mirë PD-ja nuk është infektuar nga kjo maskaradë. PD-ja ka dalë kundër Ramës dhe shpurës së krimit të organizuar me bindjen se as nuk mund të ketë zgjedhje me përfaqësuesin politik të krimit të organizuar në krye të qeverisë dhe as nuk kemi të ardhme Evropiane si popull sa kohë që zgjedhjet i vendos Rama me kapobandat e krimit të organizuar për çdo qytet. Pra, beteja e PD-së është parimore dhe jo për ca tenderë apo pushtet në tavolinë. Ku jemi sot? Kanë ikur 450,000 shqiptarë në këto 4 vitet e fundit, – kryesisht të rinj – sikur të ketë rënë kolera në këtë vend. Pse?

– A ishte i gabuar premtimi i PD para çdo proteste se protesta e radhës do rrëzonte Ramën, kurse në realitet pas Protestës ndodhën vetëm arrestime dhe burgosje të protestuesve dhe protesta dukej si një ekskursion turistik?

– Protestat ndaj krimit të organizuar janë jetike dhe përballja me krimin tregon dinjitet, paçka se shumë nuk kuptojnë lidhjen direkte mes krimit dhe bllokimit të të ardhmes sonë si komb. Shihni një moment Ramën që del për kafe në Rogner me Beson e Tajvanit – vëllain e kryetrafikantit të drogave, për të cilin ish-ministri Tahiri i çonte SMS ndjesë, që nuk u arrestua nga policia e shtetit – dhe reflektoni se kush qeveris vendin. Protestat janë reagim ndaj padrejtësive qysh nga shkatërrimi i Teatrit Kombëtar për të vjedhë tokën, tek supervjedhja me 20 milionë euro për kilometër rrugë sekondare tek Unaza e Madhe, vjedhja e 180 milionë eurove për 3 djegës të pakërkuar dhe pa certifikuar dhe shpronësimi i tokës së banorëve me vlerë sa 2 stilolapsa për m2, etj. Nëse do kishim shtet ligjor Rama do ishte në burg, qoftë për vjedhjet me tenderët publikë qysh kur ishte kryetar bashkie, qofte me vjedhjet pa tender me Vilmen, me Ahmetaj-Zoton, qoftë me vjedhjen me dokumente false tek unaza, qoftë për moszbatimin e dekretit të Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore, që e detyron qeverinë në një shtet ligjor. Por këtu nuk ka shtet ligjor, nuk ka institucione ligjzbatuese të pavarura dhe për më tepër ka Soros si kancer që ka shtrirë metastazat kudo dhe ka korruptuar deri prokurorë, gjyqtarë dhe diplomatë.

Shumë qytetarë intelektualë aktivistë pyesin: Pse Opozita nuk qëndron në shesh, në rrugë me protesta deri sa ta detyrojë Ramën të dorëhiqet? A e kupton Opozita se protestat 3-orëshe nuk e prekin dot pushtetin e Rilindjes?

– Kjo është një formë e protestës që mund të provohet. PD e provoi para 2 vitesh me çadrën mes bulevardit, por nuk mblodhi dot në protestë të përditshme shifrat e mëdha që ka mbledhur me 10 protestat e këtij viti. Ka edhe elementë të tjerë, si për shembull fakti që kanë migruar mbi 400,000 shqiptarë, që në shumicë absolute janë kundër qeverisë që po i bën të largohen nga të dashurit e tyre. Element tjetër është mungesa e shtetit ligjor, e institucioneve të pavarura dhe kultura e pandëshkueshmërisë së krimit, që lejojnë Ramën të përdorë para të pista nga trafiqet dhe vjedhjet për korruptim masiv të kujtdo që mund të blejnë, qoftë prokuror, gjyqtar, deputet apo diplomat.

– Ndërkohë që Opozita ka bojkotuar Parlamentin mazhoranca punon e “qetë” dhe do të formojë të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, SPAK, BKH, por edhe Gjykatën Kushtetuese, atë të Lartë me anëtarë të preferuarit e saj, sikurse bëri me KLGJ dhe KLP. A nuk është gabim i madh i Opozitës që i lë hapësirën parlamentare të lirë Ramës, duke marrë në mënyrë “të ligjshme” edhe Drejtësinë?

– Jemi kthyer në monizëm, kaq e thjeshtë është. Do të krijojë ca gjasmë-organe me persona-kukulla për të nxjerrë ca gjasme-vendime sipas interesit të pushtave të shtetit siç bëri me rastin e Durrësit. A të çon kjo në shtet ligjor? Jo. A të bën kjo të kesh shpresë që fëmijët e tu e rriten në këtë vend? Jo. Atëherë ku ishim dhe ku jemi? Partia e Punës i kishte të gjitha këto “rripa transmetimi” të pushtetit, siç i quante edhe para 1990, por nuk solli të mira për vendin, por veç diktaturë dhe varfëri. PS i kishte këto institucione edhe në 1997-2007, kur kishte ish anëtarët e kryesisë së PS si kryetarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, por a solli të mira për vendin? Jo. Kapja e institucioneve të drejtësisë i shërben veç Ramës dhe shpurës së krimit të organizuar për të mos u rrezikuar nga prokurorë të pakapur siç ndodhi me Tahirin. Rama ka frikë dhe zgjidhja është përmes përdorimit të kancerit Soros për të kapur drejtësinë dhe mos guxojë askush të hetojë krimin e organizuar qeveritar. Ndërsa prezenca apo mungesa e PD-së nga Parlamenti nuk zgjidh asgjë, pasi është ekzekutuar Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka kush të shqyrtojë vendimet antikushtetuese të krimit në pushtet.

– Opozita pranoi njëfarësoj 13 tetorin si datë zgjedhjesh. Nëse edhe Rama pranon të bëhen zgjedhje, a do të shkojë Opozita në 13 Tetor në zgjedhje me qeverinë aktuale?

– Kjo do jetë temë e vendimmarrjes së organeve drejtuese të PD dhe derisa të ketë një vendimmarrje nga Këshilli Kombëtar dhe/ose Kryesia e PD nuk mund të ketë një përgjigje të prerë. Qartazi opozita është shumicë absolute në Shqipëri dhe kjo frikëson Ramën dhe e bën atë të bashkëpunojë me krimin e organizuar në çdo qark.

– Prof. Malltezi, a keni edhe Ju perceptimin se me mjetet politike që përdor deri më sot PD dhe Opozita nuk bind dot shqiptarët se Rama do të rrëzohet, sado skandaloze të jetë korrupsioni dhe inkriminimi? Çfarë duhet të ndryshojë PD në strategjinë e saj që të bindë të gjithë shqiptarët që ta përkrahin?

– Shumica absolute e shqiptarëve janë kundra Edi Ramës dhe këtë e vërtetuan qartë më 30 qershor, kur militantët e shtetit detyruan administratën të dalë me kërcënime të votojnë dhe përsëri qeveria mbeti me 15% të votuesve, nga të cilët me mijëra që shkarravitën fletët e votimit. Shqiptarët janë të ndërgjegjësuar dhe janë kundra qeverisë, por qeveria e krimit vijon në pushtet, pasi nuk ka synim mirëqenien e shqiptarëve, por kapjen pas tenderëve dhe trafiqeve. Nga ana tjetër, PD-ja mund të bëjë më shumë tek qytetarët e thjeshtë, duke i takuar dhe shpërndarë programin ekonomik dhe premtimet politike të PD, duke shkuar edhe tek elektorati tradicional i PS-së, që ndihet i tradhtuar nga qeverisja dhe të paraqesë ofertën e vet, e cila është për progresin demokratik evropian të Shqipërisë dhe për rritjen e mirëqenies të të gjithë shqiptarëve.

-Faleminderit!

 

1

Ngjarja e shëmtuar e vendimmarrjes së dytë të gjykatës së Durrësit në favor të kryebashkiakes së 30 qershorit, pa u gjykuar në Apel, i hoqi maskën përrallave me reformë në drejtësi apo pretendimeve për pavarësinë e gjykatave

2

Prezenca apo mungesa e PD-së nga Parlamenti nuk zgjidh asgjë, pasi është ekzekutuar Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka kush të shqyrtojë vendimet antikushtetuese të krimit në pushtet

3

Qartazi opozita është shumicë absolute në Shqipëri dhe kjo frikëson Ramën dhe e bën atë të bashkëpunojë me krimin e organizuar në çdo qark

4

Këtu nuk ka shtet ligjor, nuk ka institucione ligjzbatuese të pavarura dhe për më tepër ka Soros si kancer që ka shtrirë metastazat kudo dhe ka korruptuar deri prokurorë, gjyqtarë dhe diplomatë

– Çfarë mësuam nga publikimet e audiopërgjimeve të gazetarit gjerman të BILD?

  1. Edi Rama urdhërues i blerjes masive të votave.
  2. Prokuroria e kapur ka frikë të hetojë.
  3. Ligji është bërë letër higjienike.
  4. Policia e Shtetit me ligj e depolitizuar – realiteti i tregon që janë grup i strukturuar kriminal për blerje votash dhe bllokues lëvizjes së lirë të shqiptarëve në vendin e tyre
  5. Bandat e krimit të organizuar dhe jo kryesia e PS cakton deputetët dhe vendosjen e tyre në lista.
  6. Bandat e jo kryesia e PS cakton emrat e kandidatëve për kryetar bashkish te PS-ja
  7. Bandat caktojnë drejtorët e çdo institucioni dhe drejtorët e institucioneve përgjigjen tek bandat kriminale dhe jo tek shteti!
  8. Drejtorët mbledhin stafin para bandave që bandat t’i paralajmërojnë për heqje nga puna e shtetit nëse nuk votojnë për partinë e bandave.
  9. Bandat caktojnë nëse duhet të vijë INUKV/INUK apo jo, nëse duhet vendos gjobë apo jo;
  10. Nuk flitet as për program, as për premtime elektorale, bile as për kandidatin, aty flitet veç për blerje dhe për pengim të ardhjes se votuesve që nuk i kontrollojnë.

Pra, Bandat komandojnë të gjithë piramidën shtetërore, ndaj gazetari e shkurtoi në “Mafia drejton shtetin”. Me Ramën kryeministër nuk ka zgjidhje të krizës politike, as zgjedhje të lira, – veç përballje!