Intervista për “AL JAZEERA”/ Presidenti Ilir Meta: Dkreti për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve është kushtetues dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë. Vendimi i shërben stabilitetit, pluralizmit. Kryeministri ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët dhe jo vetëm për votuesit e tij

437
Sigal

Intervista e Presidentit të Republikës Ilir Meta për televizionin më prestigjioz arab “Al Jazeera”

Dekreti për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve është kushtetues, i detyrueshëm të zbatohet nga të gjithë

 

Në një intervistë për rrjetin ndërkombëtar “Al Jazeera”, presidenti i Republikës Ilir Meta ka komentuar edhe një herë situatën politike në vend, dekretin e tij të fundit që shfuqizon 30 qershorin si datë zgjedhjesh dhe kërcënimet e mazhorancës për shkarkim nga detyra. Presidenti Meta, pohon se që nga momenti që është betuar mbi Kushtetutë, Ai nuk i përket më asnjë force politike, por qytetarëve dhe Republikës.

 

Gazetari (John T. Psaropoulos): A mendoni se e keni shkelur Kushtetutën dhe a mendoni se Parlamenti e ka ndërmarrë një proces për t’ju zëvendësuar? A është kjo ajo që pamë me rezolutën e miratuar nga Parlamenti?

 

Presidenti Meta: Unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht. Por që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikës unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve. Në këtë aspekt, dua t’i siguroj të gjithë se dekreti im për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës. Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur.

 

– Por a mendoni se Parlamenti po përpiqet t’ju zëvendësojë apo është thjesht një akt politik teatral dhe Kryeministri Edi Rama ju ka sanksionuar publikisht përmes ligjvënësve për të treguar, se është sfidues dhe se ai mbetet i vendosur për të mbajtur zgjedhje. A ka nisur tashmë një proces kushtetues? 

– Pra, duhet t’jua bëj me dije se nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe dua gjithashtu t’ju siguroj gjithashtu se rendi kushtetues i Shqipërisë është i bazuar mbi pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ajo që ka bërë Presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimn e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

 

– A është Shqipëria gati për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian? 

-Shqiptarët, qytetarët e këtij vendi, kanë qenë gati, edhe më parë, për të qenë pjesë e BE-së, por në orët dhe ditët në vazhdim udhëheqja politike e vendit do të testohet, nëse ka maturinë e duhur, për të mos qenë pengesë e kësaj aspirate të qytetarëve shqiptarë. Më shumë se 95% e shqiptarëve mezi presin që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, dhe me vendimin tim kam dashur t’u jap kohë këtyre udhëheqësve që të reflektojnë, të qetësohen dhe të krijojnë kushtet për një dialog të arsyeshëm, që të tregojnë pjekuri, para së gjithash kundrejt qytetarëve tanë, por edhe ndaj BE-së, të provojnë se ky vend është gati të bëjë një hap tjetër përpara.

 

-Duke u kthyer te çështja kushtetuese, argumentet kundër Jush të shprehura nga qeveria theksojnë, se Ju nuk keni të drejtë të anuloni datën e zgjedhjeve…

-Nuk jam duke folur për spekulime politike. Unë ju sigurova se ky është një vendim kushtetues solid. I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju siguroj është se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe duke iu referuar kuadrit kushtetues dhe ligjor, nga çasti i publikimit është detyrim i çdo institucioni, qoftë në pushtetin qendror apo vendor, ta zbatojnë këtë dekret.

 

– Kryeministri Edi Rama thotë, se nuk ka ndërmend të ulet në dialog me opozitën, se i qëndron vendimit të mëparshëm për datën e zgjedhjeve. Si mund të gjendet në zgjidhje në këtë situatë? A do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve vendore, nëse do të mbahen?

-Pasi dekreti u firmos dhe hyri në fuqi, nuk ka më datë formale dhe ligjore për zgjedhjet më 30 qershor. Sa u përket pretendimeve të Kryeministrit Rama dua t’ju bëj me dije, se precedenti i shtyrjes së zgjedhjeve vendore është krijuar për herë të parë në vitin 2006 dhe 2007, kur zoti Rama ishte udhëheqës i opozitës dhe kryebashkiaku i Tiranës. Ai kërkonte që një dokument shtesë të përfshihej në këtë proces teknik, me kushtin që të merrte pjesë në zgjedhje. Pikërisht atëherë patëm precedentin e parë, që më pas do të përsëritej në disa raste të tjera. Dua të them se kjo nuk është diçka e re. Sigurisht, nuk është diçka normale, sepse kur gjithçka shkon mirë nuk ka asnjë arsye për të marrë një vendim të tillë dhe unë shpresoj se Kryeministri ynë duhet të jetë më shumë i vetëdijshëm për këtë parim qeverisës, që qeveritë kanë më tepër përgjegjësi për të gjithë vendin, jo vetëm për mbështetësit e vet apo militantët. Unë shpresoj që ato t’i marrin përsipër e t’i përmbushin këto përgjegjësi dhe të reflektojnë sa më shpejt në interesin më të mirë të vendit.

– Por a do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve nëse qeveria do t’i zhvillojë ato?

-Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë.

– Por meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse gjyqtarët po i nënshtrohen procesit të vettingut etik…

– Është vetëm një autoritet suprem që mund të gjykojë këtë dekret, që është Gjykata Kushtetuese, e që nuk është funksionale për momentin, siç e përmendet ju me të drejtë. Të gjithë e dinë se Presidenti i Republikës ka bërë çdo përpjekje prej kohësh për të shmangur një situatë të tillë, por kjo tani nuk ka më rëndësi. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim dhe jam i sigurt se kam bërë më të mirën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit midis qeverisë dhe opozitës, si edhe duke iu dhënë të dyja palëve mundësinë për t’u qetësuar, për të reflektuar dhe për t’u ulur sa më parë në dialog për interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve. Veçanërisht, në këto ditë para vendimit shumë të rëndësishëm që do të merret nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

– A jeni i shqetësuar për faktin se dekreti juaj duket se nuk ka efektin e dëshiruar?

– Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes evropiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve. Por unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato.

-Zoti Juncker ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm të asaj se çfarë është në interesin më të mirë të perspektivës suaj evropiane krahasuar me Ju. Si e shpjegoni këtë?

-President Juncker është gjithashtu një mik i mirë i imi dhe është demokrat i madh. Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës. Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Evropian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës evropiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin evropian të Shqipërisë.

– Gjithsesi, duket se Shqipëria nuk do të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian këtë muaj. Si mendoni se do të pritet ky vendim nga shoqëria shqiptare dhe si e parashikoni impaktin politik të këtij vendimi?

-Unë ende shpresoj që Shqipëria të marrë ftesën për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian sa më parë të jetë e mundur, madje brenda këtij muaji, së bashku edhe me Maqedoninë e Veriut. Por është shumë e rëndësishme qenë orët e ardhshme dhe në ditët e ardhshme të demonstrojmë pjekuri për të kapërcyer këtë krizë dhe kjo është mënyra e vetme që Shqipëria të ketë shanse më të mira për një vendim pozitiv në qershor apo shtator – kjo nuk është më e rëndësishmja, – por sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, nëse kriza do të vazhdojë, shanset mund të minohen për vite me radhë, e jo për disa muaj. Kjo është e qartë.

-Pse e keni këtë opinion? A mendoni se përplasja aktuale politike është kriter kyç për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

-Funksionimi i institucioneve demokratike është thelbësor për çdo vendim të niveleve më të larta politike. Siç e kam nënvizuar, standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kanë qenë gjithmonë vendimtare për vendime të tilla. Shqipëria ka pasur disa probleme edhe në të kaluarën me zgjedhjet dhe nëse nuk tregojmë normalitet dhe përparim në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore do të ishte një katastrofë.

-A vazhdon Shqipëria të ketë probleme serioze me krimin e organizuar sipas këndvështrimit tuaj?

-Sundimi i ligjit dhe përparimi i prekshëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe ndaj korrupsionit është thelbësor për të ecur përpara. Shqipëria ka nisur një reformë mjaft të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, por duhet bërë akoma më shumë për të treguar vullnet politik për ta zbatuar me përpikëri. Gjithashtu, për të qenë partnerë edhe më të besueshëm për të gjithë partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.

-Pse është dashur kaq shumë kohë për procesin e vettingut? Përse Shqipëri është pa Gjykatë Kushtetuese për tetëmbëdhjetë muaj?

-Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një problem i madh për vendin dhe kjo e ka ndihmuar qeverinë për të marrë autoritet shtesë që nuk është i përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë.

-Nëse Shqipëria nuk merr ditën jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE këtë muaj, a mendoni se do të ketë rrezik për rritjen e emigracionit në masë, të ligjshëm apo të paligjshëm, pra shkaktimin e një vale të re emigrimi nga ky vend? 

-Nuk do kisha dëshirë të përshkruaja skenarin më të keq, atë që ju përmendni. Jam i vendosur të luftoj për skenarin më të mirë, që do të thotë gjetja e një zgjidhje sa më parë, të tregojmë pjekurinë e duhur që qytetarët tanë të kenë më shumë besim për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe që gjithashtu partnerët tanë të jenë më të bindur se ne e meritojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian sa më parë të jetë e mundur.

-A mendoni se Shqipëria është gati për të nisur bisedimet për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në?

-Unë mendoj se shqiptarët janë gati, por udhëheqja politike dhe përfaqësuesit e institucioneve duhet të tregojnë më shumë pjekuri në mënyrë që të rrisim besimin te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian për ta hedhur këtë hap.

– Kryeministri Rama vuri në dyshim neutralitetin tuaj gjatë fjalës së tij në Parlament të enjten dhe tha se ju i keni dhënë fund të drejtës për të qëndruar në zyrën e Presidentit të Republikës, sepse ju jeni bërë të njëanshëm në postin tuaj, duke mbështetur qëndrimin e opozitës dhe keni kërkuar anulimin e zgjedhjeve. A druheni se do të humbisni të paktën imazhin e neutralitetit tuaj në shoqëri dhe në opinionin publik?

-Jo, unë jam i sigurt se vendimi im gëzon një mbështetje mjaft të madhe në shoqërinë shqiptare dhe opinionin publik, sepse çdo familje shqiptare ishte nën trysni nga kjo situatë konfrontuese dhe njerëzit në përgjithësi nuk dëshironin të shikonin e të ishin dëshmitarë të këtyre lloj zgjedhjeve. Por dua t’ju bëj me dije se zoti Rama nuk ka arsye për të qenë i zhgënjyer me mua, sepse një nga argumentet e tij më të forta kur më propozoi për President i Republikës, – asokohe ishim edhe partnerë në koalicionin qeverisës, – ishte se ai nuk mund të gjente dikë tjetër më të mirë që do të garantonte të drejtat e opozitës se sa zoti Meta. Dhe duke marrë një vendim të tillë, unë nuk po përpiqem të mbaj anën e partive opozitare, por jam gjithashtu i detyruar të garantoj të drejtat e opozitës në Shqipëri, sepse ky është një parakusht për të garantuar pluralizmin politik, mbi të cilin është ndërtuar i gjithë sistemi kushtetues i vendit. Dhe është shumë e rëndësishme gjithmonë t’i kujtojmë edhe Kryeministrit se qeveria ka përgjegjësi më të mëdha, sepse ka përgjegjësi për të gjithë vendin dhe gjithashtu për të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët janë taksapagues dhe kontribuojnë në buxhetin që menaxhohet nga kjo qeveri. Thënë kjo, shpresoj se qeveria dhe Kryeministri do të reflektojnë në mënyrë konstruktive në ditët në vazhdim dhe do t’i shërbejnë interesit më të mirë të vendit.

– A gëzon Kryeministri Rama besimin dhe mbështetjen tuaj si kreu i qeverisë së këtij vendi?

-Kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë. Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar.