INTERVISTA/ Meta: Gjykimi i LSI-së për mbetjet, jo si problem thjesht politik por si problem në raport me opinionin publik

480
Sigal

Ilir Meta: Gjykimi i
LSI-së për mbetjet, jo si problem thjesht politik por si problem në raport me
opinionin publik dhe me shoqërinë civile

Nga
Marsela Karapanço

 

Javën
e kaluar keni pasur një vizitë me takime intensive në Greqi. Përveç takimeve
zyrtare, keni patur edhe takime me dyer të mbyllura, çfarë u tha në ato takime
që nuk është thënë ende në media?

Mendoj se në publik janë thënë të
gjithë elementët e rëndësishëm dhe të domosdoshëm të kësaj vizite, ndërsa përsa
i takon pjesës tjetër, mendoj se është e panevojshme për të bërë komente. Por
ajo që mund të them është se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë jetike dhe
janë vitale.

A
folët për marrëveshjet dypalëshe që prekin drejtpërsëdrejti shqiptarët që
jetojnë në Greqi?

Po, patjetër që kemi biseduar në
mënyrë të veçantë për të krijuar lehtësi sa më praktike për qytetarët tanë. Për
shembull, zgjidhja e çështjes së dokumenteve të tyre, zgjidhja e çështjes së Vulës
Apostile, çështje që kanë të bëjnë me njohjen e dokumenteve të drejtimit të
makinës, pra të patentave.

Por, mundësisht edhe zgjidhje të
tjera sikurse kemi të bëjmë me njohjen e sigurimeve shoqërore apo të pensioneve
që natyrisht është më e vështirë dhe më komplekse sepse është një çështje e
rëndësishme edhe financiare, nuk është vetëm një çështje e të drejtave të
njeriut.

Ju
flisni për fqinjësi të mirë z. Meta ndërkohë një ditë më parë kryediplomati grek,
Nikos Kotzias bëri një deklaratë ku thotë se e njeh mirë Shqipërinë dhe e di
kapacitetin e saj, gjendjen në të cilën ndodhet. Ndërsa nga ana tjetër “nxjerr
dhëmbët” le të themi dhe flet për një fuqi më supreme të Greqisë sa i përket
forcave ushtarake dhe ekonomisë. Ju si ish-ministër i Jashtëm si i shihni këto
deklarata? Çfarë ka dashur të thotë Kotzias?

Kam lexuar me vëmendje dje
intervistën e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, e cila nuk fliste vetëm për
marrëdhëniet me Shqipërinë, por edhe për marrëdhëniet me fqinjët e tjerë, të
Turqisë, me të cilën marrëdhëniet janë më komplekse, janë më të vështira. Por
unë e kuptoj ose më saktë e mirëkuptoj pozitën e tij.

A
ishte kjo një gjuhë diplomatike?

Asnjëherë diplomacia mendoj unë nuk
duhet të flasë me gjuhën e forcës apo të trimërisë. Edhe në bisedën konfidenciale
që pata me të në fillim të vizitës sime, mund t’ju them që ai personalisht….


u fokusua tek…

Te disa nga çështjet më delikate në
marrëdhëniet tona. Mendoj që ai është në një pozitë të vështirë personalisht…

Edhe
për çështjen “çame”?

Për të gjitha çështjet dhe padyshim
edhe për çështjen “çame”, veçanërisht pas përmendjes së saj nga Komisioneri
Hahn. Natyrisht që kjo nuk e justifikon, mendoj unë, këtë mënyrë komunikimi, e
cila nuk është e vetmja që vjen në përgjithësi nga diplomacitë ballkanike.
Kështu që zgjidhja më e mirë nuk është as të masim GDP-në e njëri-tjetrit, as
të tregojmë kapacitetet mbrojtëse, sepse unë nuk jam edhe për përgjigje simetrike.
Unë mendoj që ne duhet të jemi asimetrik, por gjithmonë europianë. E vetmja
rrugë që ne të shkëputemi nga e kaluara ballkanike, në kuptimin e konflikteve dhe
të pengimit të njëri-tjetrit, është një sjellje tërësisht e hapur pro-evropiane.

Çështja
“çame” nuk është e shkuara do të thoshte z. Idrizi sikurse u përmend edhe në
Parlament…

Patjetër me shumë të drejtë. Është
një çështje që e kërkon dhe e meriton një zgjidhje dhe për të cilën absolutisht
është shumë e rëndësishme që të ndiqet një politikë që e zgjidh, jo një
politikë që e ngurtëson apo e kalçifikon dhe që e bën këtë çështje një çështje
të largët, në kuptimin e zgjidhjes së saj.

Sa
kohë do të duhet për të gjetur një zgjidhje, z. Meta?

Duhet të punojnë në mënyrë të
veçantë diplomacia dhe politika, sepse nuk është një çështje që mund të
zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Në qoftë se do të kishte qenë një çështje, që
mund të ishte zgjidhur në mënyrë të njëanshme, kjo çështje do të ishte zgjidhur
me kohë.

Së dyti, kjo është një çështje që
në çdo rast do të zgjidhet në bashkëpunim me Greqinë dhe natyrisht që në çdo rast
dhe në çdo rast ajo fillon me një akt formal të heqjes së ligjit të luftës. Sepse
çështje të tilla, pa një konsensus të gjerë, është e vështirë që të zgjidhen
edhe për arsye elektorale. Pra, të keqpërdorimit të tyre nga forcat politike
apo nga opozita për të dëmtuar qeverinë, për ta paraqitur atë si një tradhtare
të interesave kombëtare e kështu me radhë.

A
jemi ne në krizë me Greqinë sikurse shkruajnë mediat e huaja, sidomos i
referohen tre viteve të fundit, që përkojnë me mandatin e qeverisjes tuaj dhe
të z. Rama?

Nuk mund të them se ne jemi në një
krizë me Greqinë, sepse kemi marrëdhënie mjaft aktive. Mos të harrojmë që në
Shqipëri ka qenë Presidenti Papulias. Kanë qenë vizita të niveleve të larta.
Njëkohësisht edhe në Greqi dhe në këtë drejtim mund të bëhet akoma më tej. Për
herë të parë patëm një vizitë të nivelit të lartë të Kryetarit të Kuvendit me
një delegacion të gjerë që është shumë pozitive
.

Dhe unë besoj që jemi në një moment të rëndësishëm për të krijuar
një klimë edhe më mirëbesuese me njëri-tjetrin dhe ky duhet të jetë angazhim i
përbashkët dhe i të gjithë faktorëve. Sepse padyshim që kjo është një
marrëdhënie, e theksoj, është edhe jetike, është edhe vitale, dhe jo vetëm për
njërën palë, por mendoj për të dy vendet, për të dy popujt.

Vizita juaj z. Meta në
Greqi a i bëri më transparente të themi çarjet brenda koalicionit? Gjatë
seancës së kaluar ju patët edhe një fërkim me z. Idrizi, dhe pse kishit
premtuar se nuk do ta merrnit fjalën. Në foltoren e Kuvendit ju zbritët dhe iu
kundërpërgjigjët…

Unë kam mirëkuptim
maksimal për përfaqësuesit e PDIU-së dhe e theksoj që gjithnjë kam qenë dhe jam
i shqetësuar, që një lloj padurimi për vetë kohën e gjatë të moszgjidhjes së
kësaj çështjeje, e cila sjell edhe një lloj nervozizmi. E kthyer në një lloj
retorike që stigmatizon Greqinë e sotme dhe njëkohësisht përmes stigmatizimit
kërkon zgjidhjen, e bën zgjidhjen shumë më të vështirë po të kemi parasysh se
nuk është kjo klasë politike në Greqi përgjegjëse për atë që ka ndodhur përpara
70 viteve.

Kështu që unë mirëkuptoj
gjithmonë qëndrimin e përfaqësuesve të komunitetit çam, por më e rëndësishme
për të gjithë ata dhe të gjithë ne, është të gjejmë rrugën e zgjidhjes së kësaj
çështje në mënyrë që edhe marrëdhëniet midis dy vendeve të forcohen, dhe
njëkohësisht edhe të drejtat e tyre të respektohen që të kenë mundësi të
shkojnë në trojet e të parëve të tyre, të kenë mundësi të gëzojnë të drejtat e
pronës, të trashëgimisë, të kenë të drejtë të vënë një buqetë me lule në varret
e të parëve të tyre, e kështu me radhë.

Brenda koalicionit a ka të
pakënaqur nga qëndrimi juaj në Greqi? A keni pasur komunikim direkt me z.
Idrizi përveç atyre çfarë është thënë publikisht në foltoren e Kuvendit?

Të gjithë forcat
politike në Shqipëri kanë interes që të zgjidhet, pra nuk është thjeshtë një
çështje e ngushtë. Ajo që dua të them është kjo: askush nuk duhet të presë nga
unë për shkak të përvojës që kamë në marrëdhëniet ndërkombëtare, që t’i hedh benzinë
zjarrit.

Qëllimi im ka qenë,
është dhe do të jetë që kjo çështje, pra çështja “çame”, të zgjidhet në mënyrë
më të mundshme dhe më të shpejtë si një çështje që do të ndihmonte shumë çtensionimin
për aq sa ato janë të tensionuara të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Çfarë ju ka thënë z.
Idrizi për këtë qëndrim që ju keni mbajtur, sepse një qëndrim sigurisht jua ka
dhënë?

Unë besoj se kemi pasur
një komunikim mirëkuptues dhe e kam njohur me të gjitha bisedimet që kemi
zhvilluar atje.

Mbetemi pak te zhvillimet
në Greqi. Gjatë vizitës që patët atje, a kishit një bisedim me homologët tuaj
për çështjen e kanabisit?

Kjo çështje është
ngritur në takime të ndryshme nga Kryetari i Parlamentit, edhe në takimin me
Kryeministrit, sidomos në drejtim të forcimit të luftës kundër krimit të
organizuar. Natyrisht është një çështje që ka një impakt në marrëdhëniet tona,
por për arsye, sepse një pjesë e kanabisit shkon edhe përmes Greqisë.

Çfarë shqetësimi ju
paraqitën grekët?

Të forcimit të luftës më
tej në këtë drejtim.

Një tjetër takim ju
patët edhe me Presidenten e Dhomës së Deputetëve, znj. Boldrini, këtë herë me
fqinjin tjetër, fqinjin italian. Gjithashtu patët një komunikim për kanabisin, sepse
tonelata të drogës kapen pothuajse çdo javë, të mos themi çdo ditë?

Natyrisht, edhe këtu
kemi ndarë të njëjtin shqetësim që duhet forcuar lufta kundër krimit të
organizuar në të dy anët e Adriatikut dhe njëkohësisht në drejtim të luftës
kundër trafikut të drogës, të kanabisit e kështu me radhë.

Nuk e di nëse jeni në
dijeni, por në mediat italiane ditëve të fundit i është bërë një fushatë për
kanabisin që vjen nga Shqipëria. Ka pasur edhe televizione që kanë ardhur në
Shqipëri, kanë shfaqur nëpërmjet kamerave të tyre parcela me drogë. Çfarë
mendimi keni ju për këtë situatë z. Meta? Si po dukemi ne në sytë e
ndërkombëtarëve kur Shqipëria për kanabisin?

Ne duhet të forcojmë
bashkëpunimin më tej me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse ky padyshim që
është një problem shqiptar, por është edhe një problem ndërkombëtar.
Përgjegjësia nuk është vetëm e jona. Përgjegjësia është e përbashkët.

Puna e Policisë së
Shtetit për luftën kundër kanabisit si ju duket?

Kjo është një pyetje që
i takon më shumë Kryeministrit, sepse ai bën vlerësime dhe ka informacionin më
të plotë për këtë çështje. Por është e qartë se duhet bërë akoma shumë më tepër
nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për sigurinë kombëtare, për
administrimin e territorit.

Meqenëse përmendët
Prokurorinë, z. Meta, ka pasur një përplasje të ditëve të fundit përsa i përket
vdekjes së një 36-vjeçari në Shëngjergj. Ngjarje të cilën fillimisht policia e cilësoi
si një vetëvrasje, por për shkak të rrethanave që u zbuluan më pas, ka pasur
një hetim të mëtejshëm të Prokurorisë që e ka rihapur çështjen dhe e ka
klasifikuar atë si vrasje për çështjen e kanabisit. Si i shihni këto përplasje
mes Policisë dhe Prokurorisë z. Meta?

Mua asnjëherë nuk më
pëlqejnë dhe nuk i nxis përplasjet
midis institucioneve, sepse janë shumë
të gabuara, aq më tepër institucioneve që duhet të punojnë çdo ditë së bashku.
Sepse shpesh përgjegjësitë nuk ndahen me thikë, aq më tepër në drejtim të
zbatimit të ligjit dhe në këtë plan e vetmja gjë që unë mund të kërkoj edhe si
Kryetari i Kuvendit është forcim i bashkëpunimit të institucioneve.

Gjatë
muajve të kaluar kemi pasur zgjedhjet në Dibër, zgjedhje për të cilat ishte një
angazhim dhe më i madh e më i dukshëm i PDIU, ndërsa LSI-ja le të themi pati
një rol më të vogël dhe ndoshta nuk u duk edhe aq shumë mediatikisht. A ishte
kjo një fitore e PDIU-së?

Edhe nëse ishte e tillë neve kjo
fitore na gëzon.

Si
u perceptua ky angazhim i PDIU-së në Dibër në koalicionin tuaj?

Unë nuk kam qenë në Dibër, sepse e
kam thënë që këto zgjedhje ishin aksidentale, siç është edhe në rastin e
Kolonjës. Dhe natyrisht që ka qenë zgjedhje që do të mbetej më shumë në
vlerësimin e komunitetit atje, sepse këto ishin zgjedhje të rëndësishme për atë
komunitet.

A
ishin zgjedhjet e Dibrës një provë gjenerale le të themi për zgjedhjet e
përgjithshme të vitit 2017? I referohem rezultatit…

Unë i referohem asaj që kam thënë
pas zgjedhjeve, që këto kanë qenë zgjedhje me rëndësi thjesht lokale. Siç të
tilla do të jenë edhe në Kolonjë apo kudo që do të ndodhin zgjedhje të
paparashikuara dhe të pjesshme.

Po
Kolonjën pse ia latë Partisë Socialiste, z. Meta? E kishit tuajën…

Kolonja ka qenë e koalicionit, do
të jetë e koalicionit, çështja e kandidatit për ne nuk ka qenë dhe nuk është e
rëndësishme, aq më tepër pas asaj që ndodhi…

Ju
keni lënë dy poste kandidatësh për kryetar bashkie, Dibrën dhe Kolonjën, çfarë
kërkon LSI-ja në këmbim të këtyre dy posteve?

Ne kërkojmë që këto zgjedhje të
përmirësojnë jetën e komunitetit ku do të kemi zgjedhje. Kaq, asgjë tjetër!

LSI-ja
nuk mund t’ia ofronte komunitetit këtë gjë?

Mendoj që LSI-ja beson që përmes
këtij koalicioni i ofrohet mundësia më e mirë.


2017-n, LSI-ja është e gatshme të dalë e vetme në zgjedhje?

Unë jam thjesht një kandidat për
Kryetar i LSI-së, dhe shpresoj që të zgjidhem kryetar i saj. Por edhe nëse do
të zgjidhem, përsëri ky nuk është një vendim që do ta marrë Kryetari i LSI-së.
Ky është një vendim që do ta marrin forumet e LSI-së dhe është një çështje
tepër e parakohshme.

Por
çështjen e koalicionit kur do ta ndani z. Meta, një muaj para zgjedhjeve, në
fushatë elektorale apo më herët?

Kjo është një çështje për të cilën
nuk mund të shprehem unë, sepse nuk mund të zëvendësoj unë forumet e LSI-së.

Mbetemi
sërish te reforma zgjedhore. Keni propozuar listat e hapura për deputetët….

Besojmë që kjo është rruga më e
mirë, që të forcohet sistemi parlamentar në vend dhe të jetë më demokratik.
Natyrisht dhe për këtë kërkohet mirëkuptim dhe konsensus.

Partia
Socialiste nuk ka qenë dakord dhe nga Beogradi, z. Rama iu dha një përgjigje
indirekte, kur tha se nuk është dakord për listat e hapura…

Kjo është një çështje që i mbetet
komisionit për të diskutuar. Ky është qëndrimi i ynë dhe besojmë që ka mjaft
argumente në këtë drejtim, megjithatë e theksova që çdo çështje e reformës
zgjedhore kërkon mirëkuptim të gjerë edhe konsensus.

Lidhur
me reformën zgjedhore po diskutohet edhe ideja e votimit elektronik, e kërkuar
nga opozita dhe për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që është
kërkuar nga mazhoranca. Cili është qëndrimi juaj për të dyja këto propozime?

Ne jemi të hapur për përfshirjen e
të dyja këtyre elementeve mjaft të rëndësishëm edhe për të garantuar të drejtën
e votës së qytetarëve shqiptarë atje ku ata jetojnë, pra në rastin konkret të
emigrantëve. Edhe përsa i takon votimit elektronik nëse do të jetë koha e
mundur për t’u realizuar nga ana teknike. Gjithashtu, kemi kërkuar si Kuvend
edhe ekspertizën e OSBE-ODIHR-it për çështje të reformës zgjedhore dhe gjithçka
që garanton transparencën dhe forcon transparencën e sistemit tonë zgjedhor,
dhe besimin te ky sistem dhe tek integriteti i tij, ne e mbështesim fuqimisht.

Jeni
në pikun e fushatës suaj elektorale për zgjedhjet në parti. Çfarë po ndodh me
fushatën dhe një vlerësim pse jo dhe për kandidatët e vetpropozuar?

Do të doja që të dy kandidatët të
ishin edhe më aktivë, megjithatë kjo është një çështje e tyre, por përderisa
kanë kandiduar kam respekt për cilindo që kandidon dhe që ka dëshirë të
kontribuojë për përmirësimin e drejtimit apo të lidershipit të LSI-së.

Sepse edhe unë besoj që ka mjaft
gjëra që duhen përmirësuar në politikëbërjen e LSI-së në funksionimin e
forumeve të saj, në cilësinë e përfaqësimit të saj dhe në këtë drejtim
kontributi i secilit është shumë i mirëpritur.

Z.
Përparim Spahiu ka qenë le të themi shumë i pranishme dhe në media dhe ka pasur
deklarata të forta. Në ato postimet që bën në rrjetet sociale kërkon një
Kryeministër nga LSI-ja, e ka fjalën për veten apo për ju z. Meta?

Kjo është një e drejtë e tij, por
nuk mund të duket kaq e thjeshtë përmes Twitter-it për t’u bërë as Kryetar i
LSI-së aq më tepër as Kryeministër…

Gjithsesi,
juve nuk do t’iu pëlqente ideja e Kryeministrit në 2017-n, z. Meta?

Mendoj që këto janë çështje që nuk
kanë lidhje me këtë fushatë ku ne ndodhemi. Secili ka mendimin e vet, ka
vizionin e tij dhe më e rëndësishme se sa të bëjmë lajme apo të krijojmë
sensacione është të përmirësojmë me themel disa politika.


2017-n kemi edhe zgjedhjen e Presidenti të Republikës. Ka pasur deputetë të
Partisë Socialiste të cilët kanë deklaruar që z. Meta në postin e Presidentit
do t’i lehtësonte rrugën PS-së në qeverisje, gjithmonë nëse në zgjedhjet e
ardhshme e majta të marrë edhe një mandat tjetër…

Për çdo gazetar apo aktor që ka një vlerësim për
mua, nuk mbetet gjë tjetër veçse t’i falënderoj dhe t’u shpreh mirënjohjen.
Ashtu sikurse jam i bindur që Shqipëria ka shumë individë, personalitete,
politikanë që mund të jenë President shumë të denjë të Republikës, por
njëkohësisht edhe që mund të jenë edhe Kryeministra, Kryetar Kuvendi dhe
në çdo lloj funksioni të lartë përfaqësuesish.

Nëse ju propozojnë, do ta refuzonit?

Unë nuk marrë pjesë në garat, të cilat nuk
ekzistojnë dhe nuk janë hapur.

E ka Kushtetuta z. Meta, në 2017 zgjidhet
Presidenti? Do të jetë ky Parlament që do ta zgjedhë? Të paktën kështu ka thanë
z. Rama, si keni rënë dakord?

Unë besoj se do të respektohen të gjitha kërkesat
e Kushtetutës dhe procedurat kushtetuese dhe për këtë rast.

Dua të ndalem te një temë, ligji i mbetjeve. Ju
jeni larguar nga seanca e 22 shtatorit në ato momente, kur u bë votimi dhe
ju nuk e kemi votuar. Presidenti Nishani e kthehu mbrapsht ligjin në Parlament.
Cili do të jetë qëndrimi i LSI-së?

Qëndrimi LSI-së besoj do të bazohet në
vlerësimin e argumenteve, mbi të cilat Presidenti ka mbajtur qëndrimin e fundit
dhe besoj që LSI-ja në çdo rast nuk do ta shikojë këtë ligj, si një problem
midis shumicës dhe opozitës. Pra si problem thjesht politik apo si problem
institucional midis Parlamentit dhe Presidentit, por do ta gjykojë me
përgjegjësi, si problem, në raport me opinionin publik, në raport me shoqërinë
civile.

Do ta votojë Ilir Meta këtë herë ligjin kur të
vijë në Parlament?

Nuk mund të jap asnjë prononcim të parakohshëm dhe
të panevojshëm, sepse çdo vendim i tillë do të ishte i paragjykuar. Ndërkohë që
kemi të bëjmë me një çështje mjaft të rëndësishme, e cila kërkon përqendrim,
thellim dhe dialog, sidomos me ekspertët e kësaj fushe.

Në fakt, 17-vjeçari Ardit Gjoklaj mbeti viktimë
mbi malin me mbetje në Sharrë. Partia Demokratike kërkon që të ketë zbardhje të
vdekjes së 17 –vjeçarit, duke e quajtur atë një krim shtetëror. Keni ju një
qëndrim si LSI pasi ka pasur shumë reagim mbi këtë çështje?

Absolutisht, që është një ngjarje mjaft e rëndë.
I rëndë është edhe politizimi i kësaj tragjedie, por në çdo rast, absolutisht
për çdo dyshim, ne mendojmë që duhet të ketë një reagim të institucioneve
përgjegjëse. Por nuk do të doja të bëhesha pjesë e këtij debati, i cili ka një
shqetësim të gjerë publik dhe njerëzor, por i cili ka dhe pjesën e spekulimit apo
të përfitimit politik. Por çështja e trajtimit të mbetjeve është një çështje
mjaft e rëndësishme në vendin tonë dhe në çdo rast duhet të synojmë trajtimin
maksimal të mbetjeve në vendin tonë.

Z. Meta, ju sot do të niseni edhe për një vizitë
zyrtare, në Kinë. Cili do të jetë qëllimi i kësaj vizite?

Kjo është një vizitë zyrtare e programuar prej
kohësh. Qëllimi është forcimi i marrëdhënieve midis parlamenteve, institucioneve
të dy vendeve tona. Marrëdhënie të cilat janë shumë të mira.