Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha foli mbrëmë, si asnjëherë më parë hapur për çështje shumë diskutuara për të cilat në kohë interesi ka qenë i madh. Nisur nga akuzat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Berisha ka folur për marrëdhënien e tij me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, UÇK-në, Bin Laden, Millosheviçin etj. Berisha ka mohuar kategorikisht se Adem Jashari është arrestuar në Shqipëri. Ai tha se asnjë shqiptar i Kosovës në këtë vend nuk është arrestuar për veprimtari të UÇK, për veprimtari çlirimtare të Kosovës. Ish-kryeministri gjithashtu ka mohuar akuzat për kontrabandë nafte me Serbinë, të cilës i ishte vendosur embargo, por tha se 99% të naftës e merrte nga Danubi. Ai u shpreh se Arkani, një nga ushtarakët serbë gjakatar që ka vrarë mijëra njerëz nuk është strehuar në Shqipëri dhe se nuk eka takuar kurrë. Akuzat sipas Berishës, janë gatuar nga Serbia dhe kuzhina e Enver Hoxhës. Berisha foli për marrëdhënien me Rugovën, sipas tij shumë e mirë duke treguar dhe si ka qenë e vërteta e moslejimit të tij në Kosovë.

-Ka pasur përpjekje që çështja e Kosovës të zgjidhej mes Shqipërisë dhe Serbisë?

– Të jashtëzakonshme dhe qeveria, qeveria ime, unë duke ditur se kjo dëmton interesin e Kosovës ka refuzuar në mënyrë kategorike, por nuk ka refuzuar vetëm palën serbe, më është kërkuar në momente të caktuara edhe nga miq shumë të çmuar që unë të ndërhyj.

– Presidenti Thaçi thotë, që nuk do të ketë vetëm shkëmbim të territoreve, por vetëm korrigjime?

– Jo, nuk merrem me lojëra fjalësh, ajo është më e keqe do dalë unë edhe aty. Ajo është akoma më keq, ajo është tregti e pastër. Shiko, Beogradi ka një gjë. Do të lexosh Beogradin, duhet të lexosh edhe Prishtinën, Mediat në Prishtinë. Beogradi i nxjerr tezat në Prishtinë nuk i nxjerr në Beograd. Çfarë thonë tezat që dalin në Prishtinë? Thonë më mirë të marrin Preshevën se sa t’i humbasim edhe Preshevën, edhe Mitrovicën. Ka gjë më anti-shqiptare se kjo?

Berisha më lejoni t’ju lexoj diçka për reagimet që ju i bëni, ka pasur një reagim nga presidenti Thaçi: “Institucioni i Republikës së Kosovës sot më së paku i duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike, veçanërisht atyre të viteve 92- 97. Tregtonin dhe bënin që me punë të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”.

-Nuk merrem absolutisht me çështje personale dhe komente personale por në respekt të qytetarëve të Kosovës unë duhet të shpjegoj sa vijon. Në vitet ‘92-‘97, Shqipëria, në një përballje të fuqishme në arenën diplomatike botërore mposhti Serbinë në mënyrën më përfundimtare. Në këtë kontekst, në jetë mbas viteve ’90 dy armiq kam pasur. Njëri ishte Enver Hoxha dhe enveristët ,sepse atyre iu shemba pushtetin, bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe popullin shqiptar, parajsën që kishin ndërtuar mbi ferrin e shqiptareve dhe tjetri Sllobodan Millosheviçi, i cili e pa veten të humbur në çdo forum ndërkombëtar me dokumente dhe ligje ndërkombëtare. U përpoq të bëjë gjithçka ndaj meje sikur unë u përpoqa të bëj gjithçka ndaj tij. Kjo është e vërteta. Tani, një nga ato përpjekjet e tij ishin shpifjet dhe shpikjet për Bin Ladenin, sepse duhej që Shqipëria, për shkak të besimit fetar, të racizmit te tyre ndaj myslimanëve, të paraqitej si një strofull…Tani kjo është e vërteta sa i përket Bin Ladenit të krijuar në Beograd.

-Është arrestuar Adem Jashari?

-Absolutisht jo kurrë, kurrë ndonjëherë. Është ë tëra trillim i atyre që janë arrestuar për motive të tjera.

-Është arrestuar Hashim Thaçi?

Nuk kam parasysh këtë. Shiko, për një gjë të siguroj, asnjë shqiptar i Kosovës në këtë vend nuk është arrestuar dhe nuk mund të arrestohet për veprimtari të UÇK, për veprimtari çlirimtare të Kosovës, kjo kurrën e kurrës. Për të tjera, n.q.s ti shkon në diskotekë ta zëmë, nuk është rasti por po e marr si shembull dhe bën grushte e tjera e tjera, aty rendi është rend, por për veprimtari politike asnjë, kurrë. Kjo është e kuzhinës së Enver Hoxhes …kjo është një fabrikim i kuzhinës së Enver Hoxhës.

-Keni pasur një takim me Bullatoviçin në vitin 1993, në shtator të vitit 1993.

-Po.

-Dhe ka kërkuar lehtësira për…

-Jo, nuk ka kërkuar, jo ata nuk kanë kërkuar absolutisht domethënë ata erdhën të trembur, të them të vërtetën tashti, erdhën më shumë për një fqinjësi të mirë por, tashti mos të hy ne atë se i kam prit si zot shpie, por ata, jo ata nuk kërkuan naftë.

-Nuk kërkuan naftë?

-Jo nuk kërkuan naftë… absolutisht, asnjëherë, është Milo gjallë tani, se s’di ku është Bullatoviçi, nuk kanë kërkuar, kanë ardhur me Milon, kanë qenë të dy bashkë, por s’kanë kërkuar naftë… dhe nuk kanë kërkuar. Kemi kapur një tanker që e fusnin në liqenin e Shkodrës, ia kemi shkatërruar kontrabandistëve dhe kjo është e gjithë legjenda. Ato janë në OKB, në qoftë se Shqipëria shkelte embargon, në mënyrë të vullnetshme, Shqipëria vendosej nën sanksione, por Shqipëria ka luftuar me eficiencë kundër kontrabandës dhe respektimin e embargos, kontrabandën zero nuk e ka asnjë vend i botës.

-A keni zhvilluar takim në Shkodër me Arkanin në vitin 1992?

-S’kam zhvilluar kurrë takim me asnjë serb, asnjëherë, përveç takimeve ndërkombëtare. Kjo është e vërteta.

-A është strehuar Arkani gjatë kohës?

-Ky është vetëm një trillim i kuzhinës së shërbimeve të fshehta serbo-shqiptare qe bashkëpunojnë bashkë. Arkani të strehohej, po pse të strehohej Arkani, Arkani vriste e priste në Kosovë, pse, si do strehohej Arkani?

-Do të dëshiroja të ndalesha pak në historinë dhe marrëdhëniet tuaja me Rugovën.

-Unë besoj se bashkëpunëtorët e afërt të Rugovës i dhanë përgjigjen më të mirë këtij trillimi. Unë kam besimin më të madh se Rugova nuk bashkëpunonte kurrë me ata të cilët nuk lanë gjë pa bërë për ta zhvlerësuar dhe nxjerrë nga skena politike dhe që ishte qeveria socialiste në Shqipëri. Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Rugovën, gjatë luftës dhe pas luftës ato kanë qenë më të shkëlqyerat që mund të ishin.

-A ka pasur plan për vrasjen edhe tuajën edhe të Ibrahim Rugovës?

-Preteksti ishte ky, i ndjeri President refuzoi të vendosë kurorë te varri i Enver Hoxhës dhe natyrisht tregoi menjëherë anësimin drejt forcave demokratike. Dokumenti thotë se ushtarët e gardës donin t’i vrisnin. Pse nuk jemi vrarë ajo është punë tjetër. Po ky është dokumenti.