INTERVISTA/ Mark Krauford: Qeveria juaj, zgjedh se cilët do fitojnë në biznes dhe cilët duhet të humbasin

637
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “TELEGRAF”

Mark Krauford: Qeveria juaj zgjedh se cilët do të fitojnë në tregti dhe cilët duhet të humbasin. Pastrimi i parave, ministri biznesmen, FMN, kolapsi në gjyqësor, koncesionet klienteliste, taksa zero…

Këtu është problemi i Shqipërisë, që ata, që fitojnë në biznes, janë zgjedhur nga shteti dhe ata që humbasin në biznes, janë zgjedhur përsëri nga shteti, që të humbasin në biznes

Mark Krauford, Kryetar Dhomës Amerikane të Tregtisë në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf” shprehet, se është problem që në Shqipëri biznesmenët bëhen edhe politikanë. Zoti Krauford thotë se qeveria favorizon klientët dhe lufton ato biznese që i konsideron të kundërshtarëve të vet partiak. Zoti Krauford argumenton, pse taksa 0 dhe sistem fiskal është më efikas edhe për bizneset, edhe për shtetin. Korrupsioni vazhdon, sikurse tregojnë sondazhet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ndërkohë, që për problemet me ligjin, biznesmenët nuk dinë ku të ankohen, pasi nuk funksionojnë gjykatat. Zoti Krauford e quan absurd ligjin për 3% e sipërfaqeve të ndërtimit t’u falet bashkive dhe argumenton, pse FMN kritikon qeverinë për koncesionet që jepen pa transparencë, të cilat nuk investojnë, por thithin vetëm paratë publike. Zoti Krauford e quan absurd edhe projektligjin e qeverisë, që të përcaktojë një firmë konkrete, që të marrë një koncesion të caktuar.

 

– Zoti President Mark Krauford, sa e ka përmirësuar reforma në drejtësi klimën e të bërit biznes në Shqipëri?

– Ne dhe ambasada jonë amerikane e kemi mbështetur reformën në drejtësi. Ne nuk kemi marrë pjesë drejtpërdrejt, sepse nuk kemi aftësi për këtë, por është më shumë punë e ambasadës tonë në Tiranë. Unë e di që ata janë duke peshkuar “peshqit” e mëdhenj (të korrupsionit) dhe nuk e di, nëse kanë kapur peshqit e mëdhenj apo vetëm sardele, por për mua nuk është vetëm një person, që mund të themi: Okej, nëse kapet ai, ne kemi ndryshuar gjithë sistemin. Është një ndryshim që do bëhet me ngadalë, edhe gjykatësit duhet të paguhen më mirë, edhe të bëhet një ndarje më e mirë e politikës me pushtetet dhe nga biznesi. Një kanadez erdhi këtu dhe foli me një politikan që ishte i ri, por ishte edhe biznesmen. Kanadezi i thoshte: Mirë je, që je edhe në politikë, edhe në parlament, Por do vijë koha, që duhet të vendosësh: Ose në politikë, ose do bëhesh biznesmen. Shqiptari i tha kanadezit. Jo, jo, nuk heq dorë as nga politika, as nga biznesi, sepse këtu në Shqipëri, i bëjmë të dyja. Nuk ka problem në Shqipëri, kur biznesmeni bën edhe politikën…(Folësi qesh me të madhe).

– Sot faktikisht, në parlamentin shqiptar ka shumë biznesmenë të mëdhenj, që janë deputetë. Kjo, sipas jush, është mirë? Është keq?

– Ne kemi presidentin Trump, që është biznesmen. Sjell një mentalitet pozitiv për ekonominë. Shqetësimi është që biznesmeni, kur bëhet politikan, do të favorizojë bizneset e tij. Këtu është problemi, që ka pasur dhe ka Shqipëria, por edhe në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, kur kam qenë andej. Unë kur erdha në Shqipëri, i thashë dikujt, që erdha me pikëpamjen, që është Zoti dhe Shteti dhe ne bëjmë çdo gjë, sipas standardit absolut, që na ka dhënë Zoti, pastaj jemi patriotë, domethënë, nuk do të favorizojë vëllain tim, në dëm të interesave të shtetit, sepse jemi patriotë. Vërtet kemi familjen, që është gjëja më e shenjtë, por unë nuk do të favorizoja familjen, një kushëri, sepse është mashtrim kundër Zotit dhe ligjit. Nuk e bëj asnjë favorizim kundër ligjit, sepse jam patriot. Por kuptova, që këtu në Shqipëri asnjë nuk beson në Zot dhe shteti kishte rënë fare, kështu që mbeti vetëm shoqëria, miqësia dhe familja, për të favorizuar. Nëse nuk besojmë në mënyrë absolute, nuk do kemi as besim te shteti dhe do bëj çdo gjë për të favorizuar familjen time. Kjo vazhdon edhe të ndodhë akoma. Do shumë kohë, që shteti të respektohet më shumë. Disa njerëz kanë moral absolut, që mashtrimi nuk është i mirë, qoftë për të favorizuar një të huaj, qoftë për të favorizuar një kushëri. Kjo është diçka që do kohë të ndryshojë e bëhet ngadalë. Në Amerikë kemi shumë njerëz, që janë bërë të pasur me një mënyrë të drejtë, kanë paguar taksa. Këtu në Ballkan është më vështirë për të gjetur dikë, që është bërë i pasur dhe të mos dyshosh: Si u bë ai kaq i pasur? Kishte lidhje me politikën? Apo ka bërë dallavere? Tani po bëhen disa shembuj, nga ata biznesmenë që janë të drejtë, por ka shumë pak, shembuj, që të rinjtë ta kenë idhull dhe të ndjekin shembullin e tyre.

– Taksë progresive apo taksë e sheshtë për biznesin?

– Në Amerikë kemi taksë progresive. Unë personalisht, jam për një taksë sa më të thjeshtë.

– Shqipëria me çfarë takse do ta favorizonte më mirë nxitjen e investitorëve të huaj?

Unë do të thosha, që për disa sektorë mund të ketë taksë progresive, por unë nuk nuk do të isha as për taksë të sheshtë, por do isha për një taksë zero dhe për një taksë fiks për bizneset e vogla, të cilat kanë efekte të mëdha pozitive për ekonominë. Nëse TVSH-ja funksionon saktë, nuk ka nevojë fare për disa taksa të vogla, sepse një përqindje më e madhe përfitohet në buxhetin e shtetit, sesa nga taksat personale dhe disa taksat e tjera. Duke u fokusuar në mbledhjen e TVSH-së, duke përjashtuar futjen e berberëve në burg, por duke u fokusuar tek TVSH vetëm, të hiqet taksa personale, të hiqen të gjitha kontrollet ndaj biznesit. Unë kam një mik nga Rusia, ka lindur në Amerikë e punon në Evropë dhe ai tha: Unë vetë do të shkoj të jetoj në Kosovë, sepse aty ka taksë shumë të mirë personale. Kështu, që ka njerëz që mund të vijnë, si rezident, për arsye se nuk ka taksë personale. Por, duke ardhur, ata investojnë, duke blerë një apartament, në shkolla, nëse kanë fëmijë, prandaj ka një efekt pozitiv, kur taksa zero ekziston, nuk fitojnë vetëm bizneset, por edhe buxheti, me xhiron që rritet në derdhjet e parave tek TVSH që ata paguajnë në investimet e blerjeve të tyre. Ne kemi një thënie: Kur bie shi, përfitojnë të gjithë, por edhe kur shiu bie mbi pemë, uji nuk bie njësoj në tokë. Kështu, që ka nevojë për një sistem social, për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

– Zoti President, ju shikoni, gjykoni se ka preferenca politike, që në Shqipëri ka shumë investitorë turq, që kanë marrë koncesione, por mungojnë investitorët nga SHBA dhe Bashkimi Evropian?

– Unë jam në bordin e një kompanie kanadeze që investon këtu në minierën për bakrin, por përpara se të fillonin investimin, kishin një periudhë 2-3 vjeçare, që asnjë kompani perëndimore nuk ishte në Shqipëri në këtë lloj investimi në minierë. Ata thonë, që problemi nuk është gjeologjik, as problem gjeografik, as problemi nuk është tek aftësia profesionale e punëtorëve, sepse ata kanë mjaft aftësi, por është problemi tek politika, që disa të cilët kishin investuar, koncesionet e tyre ishin grabitur ose kanë shkuar në arbitrazh, dhe në raste të tilla investitorët thonë: Më mirë të shkojmë të investojmë në mes të Afrikës, të paktën e dimë që ka rreziqe aty dhe i përballojmë, dhe shkojnë të investojnë e fitojnë aty. Ndërkohë, që këto kompani ishin duke investuar në Shqipëri, ikën këtej e shkuan në Afrikë, ku njerëzit e hanë njëri-tjetrin, atje bëjnë biznes, kurse këtu në Shqipëri, ata na kanë thënë, që është shumë vështirë të bëjnë biznes, edhe pse duket vend i qetë dhe është i qetë, me njerëz të mirë dhe janë të mirë, është shumë afër Evropës dhe është Evropë, është në NATO, është në prag të BE-së, nga jashtë duket që mund të jetë shumë më lehtë të bësh biznes, sesa në mes të Afrikës, por përse nuk ka aktivitet investimesh këtu? Sepse kanë pasur probleme me ministrinë e Energjetikës, ose me ndonjë ministër tjetër dhe duket se disa koncesione janë grabitur. Mbase ministria e Energjetikës në fillim fare ka dhënë shumë koncesione, kur nuk duhet të kishte dhënë. U kanë dhënë koncesione disa njerëzve, që i kanë mbajtur vetëm në letër dhe nuk kanë bërë investime dhe janë duke fjetur. Pra është shumë vështirë edhe për vendimet që janë dhënë, Këto kompani janë në bursë dhe kur kanë probleme të tilla, duhet t’i shpallin publikisht, që në Shqipëri kemi probleme dhe problemet janë këto. Kjo u jep mundësinë që çdo person tjetër i interesuar i lexon online dhe, paskëtaj, është shumë vështirë vështirë të tërheqësh investime të tjera të të huajve, sepse të është prishur imazhi i mirë, për kushte favorizuese të padrejta të investimeve.

– Cili është mendimi juaj për koncesionet e shumta, që jep qeveria shqiptare?

Unë e di më mirë për burimet natyrore, nuk di për të tjerat. Kur erdha fillimisht, lexova raportet e gjermanëve, kanadezëve, gjermanëve. Për Shqipërinë është e mirë, për koncesionet në ato kohë. Unë do të them, që koncesionet ishin mirë në ato kohë. Tani, për koncesionet e tjera, për qytetet, nuk e di, nëse të huajt konkurrojnë ose jo. Mbase është diçka që ndodh brenda për brenda. Mbase aty do gjesh edhe kritikat për lidhjet politike. Unë jam pro idesë, që sektori privat duhet të jetë i përfshirë në koncesionet, por bëhet shumë e ndërlikuar, nëse sektori vjen e merr koncesion, por nuk investon asgjë, vetëm fiton tenderët ose koncesionet, dhe pret të marrë lekët e bashkisë, ose të qeverisë dhe nuk është më partneritet, por është më shumë një thithje parash nga publiku nga një firmë private, që mund të ketë lidhje politike.

– Pse FMN-ja e kritikon qeverinë shqiptare, që nuk duhet të japë koncesione?

– Si ide koncesionet nuk është këtu e keqja, por FMN-ja ka parë që koncesionet në Shqipëri kanë pasur probleme. Nëse koncesionet do të ishin shumë transparente, me shumë të mira, efikase, atëherë nuk ka pse FMN-ja të jetë kundër. FMN-ja është kundër, sepse kanë parë realitetin siç është, them unë.

– A është Shqipëria vend i pastrimit të parave?

– Unë e di, që para disa vitesh kritikat për Shqipërinë që gjysmën e ekonomisë e ka në të zezë, dhe më shumë në këtë ekonomi të zezë ishte hashashi. Tani akoma hashashi është i paligjshëm, nuk e di, nëse është zmadhuar apo zvogëluar ekonomia e hashashit në Shqipëri, unë e di që Lazarat nuk ka më, vetëm aty e di që nuk ka. Kuptohet nëse ka drogë dhe shikojmë kokainë në Durrës dhe hashash akoma të trafikohet në Itali nga deti juaj, të mos përmend trafikimin e qenieve njerëzore, ka para të zezë, që është e lidhur me Shqipërinë. Nuk e di, nëse është pastruar këtu ose është pastruar jashtë, por besoj që pastrimi i parasë nëpërmjet biznesit të vogël është shumë i ngadaltë. Duhet të qethë shumë koka berberi, që të bëjë pastrim parash, ndaj nuk ka shumë sens. Përmes pasurisë së patundshme, është diçka që mund të bëhet më shumë pastrimi i parave, sepse paguhet me CASH. Unë e di që ndodh, por nuk e di si është më mirë, që ta shmangësh këtë. Në disa shtete të SHBA-ve ne kemi legalizuar shumë gjëra, por kemi ndarë: Këto nuk janë vepra penale për burg, por themi, nuk është mirë, nuk është e drejtë. Siç kishim ligjin e ndalimit të alkoolit dikur, tani është lejuar, por ka ende shtete që e ndalojnë. Dhe, nëse shikojmë rezultatin e Amerikës, të paktën me hashash, kemi thënë: Nuk është mirë për shëndetin ta pish, por ne do përdorim taksat, informacionin për ta shmangur përdorimin e hashashit, sepse, nëse je vërtet përdorues i hashashit nuk të çojmë në burg, por do dëmtosh shëndetin tënd dhe do shkosh në spital. Nuk mund ta çojmë studentin në burg, sepse piu hashash, por duhet ta bindim për rreziqet e shëndetit të tij. Po të kishim futur gjithë politikanët tanë në burg, sepse përdorën hashash, do të kishim futur në burg edhe Obamën, edhe Bushin, edhe gjysmën e Kongresit. Tani Shqipëria duhet ta vendosë, se çfarë duhet të bëjë me hashashin. Në Amerikë e kanë legalizuar për prodhim, duke hequr pjesën e drogës dhe e bëjnë ilaç dhe e eksportojnë dhe mund të jetë shumë fitimprurës edhe për njerëzit, edhe për shtetin dhe, njëkohësisht, hiqet edhe problemi i burgut. Shqipëria harxhon 3 milionë euro në vit për të burgosurit nga hashashi, të cilat mund të investohen në shkolla, në spitale publike, në ndihmë sociale. Dhe, hiqet edhe pjesa e mafies, sepse, tani që është ilegal, keni edhe mafien e hashashit, vjen edhe kokaina, edhe heroina, edhe trafikantët e drogës. Për mua, sa më e hapur është ekonomia, duke thënë, që çdo gjë është e lejueshme por nuk është e mirë, do shmangen problemet.

– Zoti president, kur thoni që është përkeqësuar situata me korrupsionin për biznesin, çfarë doni të thoni?

Kur flas, disa mendojnë që unë flas për veten time, duke personalizuar deklaratat e mia. Ne, si Dhomë Amerikane të Tregtisë kemi 250 biznese dhe kur flas, flas edhe për ata. Ne marrim indeksin nga sondazhet që bëjmë çdo vit, dhe andej shikojmë, nëse është rritur korrupsioni. Nga përgjigjet që na kanë dhënë anëtarët tanë, le të themi, që indeksi ynë ka qenë çka, as mirë, as keq. Jemi nën 50 %, sepse duhet të jemi mbi 50 %. Jemi gjithmonë, 40-45 % të statistikës të indeksit të korrupsionit. Nuk kam më shumë të dhëna, nga sa na thonë në sondazhe.

A shikoni te ekonomia shqiptare krijimin e monopoleve, që luftojnë konkurrencën e ndershme?

– Unë shikoj që kapitalizmi ka tendencë për krijimin e monopoleve. Nëse ekonomia është e hapur dhe zhvillohet, atëherë kemi balancim. Në qofte së dikush kishte monopolin për trenin, nuk është më tani, sepse kemi ndërtuar avionët, sepse, po të kishim mbetur vetëm te monopoli i trenit, as ekonomia nuk do të zhvillohej. Këtu është problemi, sipas meje. Unë nuk jam kundër atyre që kanë pasur sukses në monopolin e një biznesi. Jam pro atyre. Ata që kanë monopol, në përgjithësi kanë punuar shumë.

– A i favorizon shteti shqiptar, me politikën e vet, monopolet, në dëm të ekonomisë së hapur, siç pranoni ju, që zhvillimi i ekonomisë të jetë më i madh?

– Këtu është problemi i Shqipërisë, që ata, që fitojnë në biznes, janë zgjedhur nga shteti dhe ata që humbasin në biznes, janë përsëri të zgjedhur nga shteti, që të humbasin në biznes. Dhe, pastaj shumë biznese shkojnë në arbitrazh kundër shtetit shqiptar. Ka disa kritika, që nuk është i mirë monopolizimi.

– Konkretisht, mister President, shikoni që qeveria të favorizojë biznese të caktuara dhe të luftojë biznese të caktuara?

– Po.

– U publikua ditët e fundit një projektligj i qeverisë, që t’i japë një firme të caktuar, pa tenderim, hapësira publike për të ndërtuar kulla në mes të Tiranës. A mundet qeveria shqiptare të bëjë një projektligj vetëm që të favorizojë një firmë?

– Zakonisht nuk është shumë normale ky veprim i qeverisë. Qeveria, nëse do të ndërtojë diçka aty, sipas ligjit është e detyruar të organizojë tenderim, edhe ndërkombëtar. Të hapë kriteret e pjesëmarrjes. Nuk është vetëm një firmë në Shqipëri, që i ka mundësitë të ndërtojë. Duke favorizuar vetëm një firmë, duket qartë, që ka dallavere në projektligjin e qeverisë. Është pak çudi që ta besoj si të vërtetë projektligjin e qeverisë suaj. Nuk kam ndonjë problem me këtë firmë “FUSHA SHPK”, nuk e njoh fare, prapëseprapë, është çudi që qeveria përcakton në projektligj vetëm një firmë.

– A është shqetësues për biznesin kolapsi i sistemit Gjyqësor në Shqipëri?

– Po. Unë isha duke folur me disa ndërtues, që janë shumë të shqetësuar për ligjin e fundit që miratoi qeveria juaj, i cili i detyron ata, që t’i falin bashkisë 3 % të sipërfaqes ndërtuese, që biznesi i tyre ndërton. Unë jam plotësisht dakord me atë ide, që duhet të ndihmojmë të varfrit. Por, që shteti me ligj t’u marrë 3 % të sipërfaqes ndërtuese çdo kompleksi të ndërtuar, për mua është çudi, si një taksë jo e drejtpërdrejtë. Për shembull, këtë hotel, nëse është me 100 dhoma, duhet t’i jap shtetit falas 3 dhoma. Investitorët e huaj në Shqipëri do të habiten me këtë ligj absurd të qeverisë tuaj. Nuk është shumë e logjikshme. Por, nëse në Shqipëri do të kishte gjykata, do të funksiononte Gjykata juaj Kushtetuese, të gjithë ndërtuesit do të shkonin aty. Por, tani, që ju nuk keni gjykata, gjendja është shumë shqetësuese. Do ketë gjithmonë probleme midis shtetit dhe privatit, tani nuk mund ta zgjidhësh dot problemin, sepse nuk ka gjykata.

Dëgjojmë kryeministrin Rama dhe ministrin e Financave, që përditë deklarojnë se ekonomia jonë rritet çdo vit 4 %, mirëpo varfëria e shqiptarëve thellohet dhe papunësia rritet. A ka ndonjë absurditet midis rritjes të ekonomisë dhe rritjes së varfërisë dhe papunësisë për shqiptarët?

– Duhet marrë në konsideratë, që gjysma e ekonomisë shqiptare ishte informale, në të zezë. Ekonomia mund të duket se është rritur, por vetëm ekonomia e zezë është formalizuar. Ekonomia e zezë është edhe tregtia e hashashit, edhe shitja e bananeve në rrugë pa taksa. Kur ai formalizohet, në statistika duket sikur u rrit ekonomia, por në fakt, ai që nuk deklaronte, tani deklaron dhe nuk ka ndodhur realisht asgjë e re. Prandaj njerëzit që jetojnë në Shqipëri nuk e ndjejnë se ekonomia është rritur, vetëm statistikat tregojnë rritje të ekonomisë. Është shumë e vështirë për qeverinë të përballojë perspektivën në makroekonomi me jetën e përditshme. E shikojmë që shqiptarët çdo vit kanë tendencën për ta braktisur Shqipërinë, për shkak të varfërisë dhe papunësisë. Nëse shqiptarët nuk kanë perspektivë të gjejnë punë në Shqipëri, ata “votojnë” me këmbë, ikin nga Shqipëria. Ky është tregues më i fortë, më real, sesa statistikat e shtetit për rritjen e ekonomisë.

– Zoti President Mark Krauford, ju falënderoj!