INTERVISTA/ Luçiano Boçi: Pedagogët janë lënë pa asnjë vlerësim e pozicion akademik e moral, duke u shndërruar në librashitës

163

Zoti Boçi, sa i pranueshëm nga mësimdhënia pedagogjike është pyetësori që u bëhet nxënësve 11-vjeçarë në tekstet mësimore për mënyrat e seksit?

Pyetësori për të cilin ka pasur një debat madje dhe politik nuk është pjesë integrale e teksteve mësimore që shërbejnë në transmetimin e edukatës seksuale si njohuri dhe që nis në klasën e 6-të me biologjinë. Ai sipas justifikimit të shpërndarë nga Ministria e arsimit bëhet në kuadrin e një studimi të sjelljes shëndetësore të grupmoshave 11, 13, dhe 15 vjeçare dhe që realizohet në pothuaj të gjitha vendet Evropiane. Sido të jetë ky justifikim i Ministrisë gjykoj se pyetësori ka përmbajtje shokuese për fëmijët dhe stimulon orientime seksuale jashtë natyralitetit biologjik dhe moral. Përmbajtja e tij ndonëse përgjigjet janë opsionale, sipas dëshirës së nxënësit, i nxit nxënësit drejt një sjellje atipike në raport me seksualitetin. E them këtë sepse njohuria që zotëron nxënësi shqiptar sot për këtë temë ka diferencë shumë të madhe me metodologjinë dhe synimet që ka pyetësori. Po të marrësh këtu në konsideratë më pas diferencën midis zonës urbane e rurale për sjelljen seksuale, distanca e pyetësorit më edukatën seksuale të dhënë në shkollë rritet akoma më shumë. Si i tillë pyetësori është jo i përshtatshëm sidomos për moshat 11 dhe 13 vjeç dhe shumë i diskutueshëm për moshën 15 vjeçare. Duhet, mendoj, të kishte një pyetësor më natyral dhe i lidhur ngushtë me sasinë e informacionit që sistemi arsimor ka shpërndarë duke marrë në konsideratë që në tekstin e Biologjisë të klasës së gjashtë ka thjesht një kapitull që transmeton një dije gjeneraliste, anatomiko-sociale, për seksin dhe problemet e tij. Ministria nuk mund të jetë kaq e verbër dhe të dalë me slogane evropianiste për të kaluar lumin, sepse pasojat e tij në psikologjinë e fëmijës për shkak të shumë faktorëve socialë, gjeografikë, moralë mund të sjellin deformime të pariparueshme më pas dhe ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijës.

Pyetësori pra nuk qëndron as nga ana pedagogjike e as edukative për nivelin e njohurisë që transmeton, kushtëzuar nga faktorë kurrikularë e programorë po aq dhe tradicionalë e moralë të vendit tonë.

A është ligjore që aktivistë të LGBT të japin përvoja në shkolla të Mesme?

Asnjë grup, pavarësisht statusit të tij shoqëror nuk mund të ndërhyjë ligjërisht në procesin e edukimit të nxënësve, proces ky i sanksionuar sipas rregullave normave, njohurive dhe metodologjisë së dhënies së tyre. Aq më tepër të imponojë perceptime dhe mënyra të vepruari që nuk ndjekin rendin normal të gjërave. Akoma me keq kur shpërfillet çdo opinion apo pranueshmëri, ose kundërshti e prindërve. Është tjetër gjë edukimi i rinisë me respektimin e grupeve të ndryshme dhe mosdiskriminimin e tyre, përfshirë LGTB-të dhe tjetër gjë transmetimi i përvojave të këtyre grupeve si normalitet. Kjo është krejtësisht e papranueshme. E para, është pjesë e sjelljes qytetare me të cilën duhet të pajisen brezat. E dyta, plotësisht jashtë misionit të procesit mësimor-edukativ. Orientimi social dhe seksual i fëmijëve duhet të jetë drejt familjes dhe vlerave të saj të patjetërsueshme. Ndërhyrja e grupeve të tilla në moshën e adoleshencës mbart rrezikun e nxitjes së sjelljeve devijuese për shkak të rrethanave dhe që shtrembërojnë personalitetin e adoleshentëve me pasoja për të ardhmen e tyre. Në këtë moshë seksualiteti është pothuaj një tabula rasa dhe nuk duhet lejuar të shkruash mbi të çfarëdolloj kurioziteti që i takon rendit jo të zakonshmes. Shkolla ka detyrë ta orientojë atë dhe ta trajtojë sipas ligjeve natyrore e metafizike që i sigurojnë njeriut jo thjesht kënaqësi fizike por mbi të gjitha që i sigurojnë atij shumimin e vetvetes e sigurimin e ekzistencës. Seksualiteti nuk është kuriozitet hedonistik por instinkt bazik që siguron vazhdimësinë e racës njerëzore. Në këtë kontekst, hapja e portave të shkollave ndaj këtyre grupeve është ta lesh edukimin në shkolla krejtësisht pa porta.

Sa janë investimet kapitale të Qeverisë për Arsimin?

Kjo qeverisje nuk i ka pasur asnjëherë prioritet, pavarësisht propagandës investimet në infrastrukturë. Dëshmi është jo vetëm buxheti i dedikuar arsimit gjithnjë në ulje, por dhe pamja reale fizike e institucioneve arsimore ekzistuese sidomos në zonat rurale. Shkollat tona në total vazhdojnë të jenë ndërtesa inferiore, të papërshtatshme, me ambiente të degraduara dhe pa kulturë arsimore. Mungojnë laboratorët, bibliotekat, TIK sikurse dhe mjetet mësimore. Shkollat e ndërtuara të reja, për pesë vite numërohen me gishtat e dorës e po ashtu dhe ato të rikonstruktuara e të plotësuara me elementët e domosdoshëm mësimorë.

Shumë prej tyre janë në gjendje të mjerueshme dhe një sy i lirë vështirë do ti konsideronte si vend ku fëmijët mësojnë.

Cilat janë frytet e Reformës në Arsimin e Lartë?

Arsimi i lartë vuan një kolaps dhe një kaos disavjeçar. Kjo për shumë arsye që lidhen me shumë faktorë midis të cilëve spikat ligji amorf i Arsimit të lartë. I trumbetuar me zhurmë si shpëtues i arsimit të lartë ai është shndërruar sot në sjellësin e fatkeqësisë së këtij arsimi sidomos të atij publik. Këtë e dëshmoi më së mirë dhe rezultati “spektakolar” i akreditmit institucional, brenda të cilit Universitetet publike u renditën më poshtë se ato private. Kuotat e pranimit kanë pësuar një deformim total për shkak të rrëzimit të meritë-preferencës dhe dalëngadalë po çojnë drejt fikjes totale të disa prej universiteteve rajonalë. Kërkimi shkencor është zeruar dhe akademizmi ka marrë një goditje fatale për shkak të paaftësisë së ligjit dhe të ministrisë njëkohësisht. Pedagogët të lënë pa asnjë vlerësim e pozicion akademik e moral, janë shndërruar në librashitës, ndërsa studentët të pa përkrahur financiarisht nga shteti, me tarifa të papërballueshme, janë shndërruar në klientë që nuk kanë interes për dije por që duan të pajisen me një diplomë, e cila në shumë raste ka vlerën e një kartoni pa treg të garantuar pune.

Sa është qasja e teksteve tona shkollore me tekstet bashkëkohore në Arsimin Parauniversitar?

Pavarësisht ndërhyrjeve kurrikulare, programore e tekstore, shpesh në nivel propagande, ende jemi shumë larg kapjes së trendit bashkëkohor. Tekstet angleze të sjella si risi nuk ndjekin ritmet normale të strukturës dhe të cikleve të arsimit tonë parauniversitar dhe si të tilla shkaktojnë çakordim, mospërputhje midis njohurisë që transmetohet dhe moshës që e absorbon atë. Për më tepër selektimi i tyre nuk i përgjigjet nivelit më të lartë por niveleve mesatare, pasi janë të orientuara jo drejt formimit të përgjithshëm të fëmijëve. Nga ana tjetër mungesa e mjeteve didaktike dhe kohëzgjatja e orës mësimore i bën ato në shumë raste krejtësisht të pa aplikueshme

Si e gjykoni ju ftesën publike të Ministres Nikolla që studentët të kërkojnë fakultetin e mësuesisë pasi ka vende pune?

Një ftesë miope si shumë të tjera të prodhuara nga kjo ministri. Mësuesia si profesion e stimulim cilësor ka nevojë për një paketë rregulluese dhe nuk varet thjesht nga kufiri i një mesatareje. Ajo duhet të konsiderohet si një degë e mbrojtur, të subvencionohet në ciklin e masterit që është dhe cikli përgjatë të cilit përgatitet mësuesia dhe diploma e saj duhet të trajtohet si titull shtetëror që mbrohet dhe përkrahet në forma të ndryshme. Aq më tepër që me këtë nisëm Ministria dhe njëherë për të disatën herë ka shfaqur paaftësinë e saj totale, pasi degë mësuesit të ciklit të parë sot konsiderohen vetëm ato që përgatisin mësues për ciklin fillor dhe parashkollor. Degët e tjera të ciklit të parë që mësuesinë e kanë si alternativë kryesore në studimet e ciklit të dytë, master, nuk janë dhe nuk mund të konsiderohen si mësuesi. Ato përgatisin njëkohësisht dhe specialistë të fushave të ndryshme si psikologji, histori, gjuhësi, letërsi, biologji, fizikë etj. Kësisoj vendosja e mesatares si kufi i penalizon në frekuentim dhe rrezikon mbylljen e tyre në disa Universitete. Thënë ndryshe ministria në vend të vejë vetulla po i nxjerr sytë mësuesisë

Sa zbatohet konkretisht ligji i Nëpunësit Civil dhe sa meritokraci ka procedura e punësimit në Arsimin Publik Parauniversitar?

Në rekrutimin e personelit mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar nuk merret në konsideratë as ligji i nëpunësit civil e as ligji i arsimit parauniversitar e meritokracia nuk ekziston. Portali i famshëm është joligjor dhe procedon brenda një shtrati që nuk ka referenca ligji por ka referenca politike dhe interesi. Mënyra si veprohet e ka shndërruar atë në një rrugë golgote për aspirantët që kërkojnë një vend pune dhe një vend të mirë për të punësuar e justifikuar militantët që emërohen para se ti nënshtrohen testeve të parashikuara në portal.

Rastet e denoncuara janë me dhjetëra dhe dëshmojnë qartë falsitetin e këtij portali.

Cilët faktorë politikë e favorizojnë rritjen e kriminalitetit në Elbasan, dhe pse aty bandat kriminale janë ende të pandëshkuara nga ligji?

Shtrati mbi të cilin është ndërtuar qeverisja e kësaj mazhorance si aleanca më solide midis krimit dhe politikës, është vendi që stimulon çfarëdolloj kriminaliteti dhe sundim të krimit jo vetëm në Elbasan por në të gjithë Shqipërinë. Si partnerë të qeverisjes që janë bandat kriminale kanë imunitet të plotë dhe fuqia e tyre mbetet tek presionimi, kontrollimi dhe blerja e votës në favor të pushtetit. Sa kohë Rama drejton vendin, qetësia dhe honori ndaj bandave është i garantuar kudo në Shqipëri.