INTERVISTA/ Kryetari i PAA, Agron Duka: Shqipëria me Strategji Kombëtare për zhvillimin rural. Grantet në skemat korruptive

15
Jakup B. GJOÇA
Agron
Duka, kryetar
PAA: Është ora që Shqipëria të ketë një Strategji Kombëtare afatgjatë për zhvillimin rural
Sektori i bujqësisë “punëson” 40% të popullsisë, dhe jep gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto dy shifra vënë në evidencë një fakt fare të thjeshtë, gati gjysma e popullsisë shqiptare punon gjithë vitin, dhe nuk prodhon dot më shumë se një të pestën e PBB-së
Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste në intervistën për gazetën “Telegraf skanon problematikat, faktorët dhe shkaqet përse ende bujqësia jonë nuk është konkurrente në tregun ndërkombëtar, ndonëse Shqipëria ka kushtet gjeografike-klimatike më të përshtatshme. Zoti Duka, edhe pse pranon që tani qeveritarët po i kushtojnë më shumë vëmendje bujqësisë, prapë është skeptik, dhe argumenton se janë burokracia dhe faktorë të tjerë që pengojnë që fermeri të përfitojë subvencione. Gjithashtu, zoti Duka thotë se PAA është e mendimit, se tashmë është Ora që Shqipëria të këtë një strategji kombëtare dhe afatgjatë për zhvillimin rural. 
-Zoti Duka, a e ka gjetur vetveten fermeri shqiptar në Ekonominë e Tregut?
– Do t’ju jap dy të dhëna për të shpjeguar përshtatjen e fermerit në ekonominë e tregut. Sektori i bujqësisë “punëson” 40% të popullsisë, dhe jep gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto dy shifra vënë në evident një fakt fare të thjeshtë, gati gjysma e popullsisë shqiptare punon gjithë vitin, dhe nuk prodhon dot më shumë se një të pestën e PBB-së. Kjo është edhe fotografia më e mirë për të kuptuar sesi kanë shkuar këto 27 vite për sektorin e bujqësisë. Kjo shifër, 20%, është larg potencialeve reale dhe nën mesataren ndërkombëtare. Shkak bëhen problemet e shumta me të cilat ky sektor përballet; të shoqëruara me mungesë të informacionit të tregut, mungesë të pajtueshmërisë me standardet e higjienës dhe të sigurisë. Mungesa në paketim dhe etiketim i bën produktet e tyre jo konkurruese. Produktiviteti bujqësor gjithashtu është penguar nga njohuritë e kufizuara teknike dhe pajisjet e vjetruara. Disponueshmëria e imputeve është e kufizuar. Imputet bujqësore si farat përmirësuese, plehrat apo kimikatet e ndryshme janë të shtrenjta dhe shpesh nuk i plotësojnë rezultatet e dëshiruara. Probleme të këtij sektori vazhdojnë të ngelen largësia e tregjeve, mungesa e shërbimeve financiare, aktiviteti i paorganizuar, madhësia e kufizuar e sipërfaqes së fermës, si dhe sistemi i pazhvilluar i ujitjes. Shumica e fermerëve në Shqipëri janë të varfër. Fermerët nuk mund të punësojnë specialistë bujqësorë pasi pagat e tyre janë shumë më të larta nga çfarë ata mund të përballojnë. Transporti i dobët rrit koston e sjelljes së produkteve bujqësore nga zonat rurale në ato urbane. Mungesa e mjeteve të transportit rrit veprimtarinë e ndërmjetësve në lëvizjen e produkteve bujqësore nga ferma në qendrat ku këto produkte konsumohen. Kushtet e papërshtatshme të magazinimit bëjnë që produktet të dëmtohen. Shumica e fermerëve nuk janë të arsimuar sa duhet në çështjet teknike që kanë të bëjnë me produktin bujqësor. Kjo bën që ata të jenë dyshues ndaj risive dhe jo të gatshëm për të pranuar ndryshimet teknologjike. Duke refuzuar të mësojnë si të aplikojnë plehra, instekticide dhe mjete të reja bujqësore, ata ulin cilësinë dhe produktivitetin bujqësor. Kontributi financiar i shtetit në bujqësi ka qenë i kufizuar. Në përgjithësi investimet bujqësore në Shqipëri janë mbështetur nga kreditë dhe grantet e huaja. Mbështetja financiare që iu është ofruar fermerëve nga institucionet financiare rurale dhe agjencitë ka qenë e pamjaftueshme. Këto probleme japin efekt negativ në investimet lidhur me produktet e ndryshme bujqësore. 
– Në kë drejtim ka ndikuar Qeverisja e Kryeministrit Rama për zhvillimin e Bujqësisë?
– Ndonëse në 2013 erdhi në pushtet me premtime të qarta elektorale për bujqësinë, katërvjeçari i parë nuk ka qenë i suksesshëm në këtë këndvështrim, mund t’i quajmë katër vite të humbura. Ndryshe nga mandati i parë, në këto gjashtë muaj të mandatit të dytë, jemi përballë një përpjekje disi më cilësore nga ana e mazhorancës. Bujqësia po lakohet më shumë nga aktorë të ndryshëm të qeverisë, dhe këtë gjë dua ta përshëndes. Megjithatë, duhet një vëmendje e madhe në mbikëqyrjen e hapave që po hidhen në sektorin e bujqësisë, pasi realitet duhet të përkojë me retorikën. Duhet një strategji e qartë dhe afatgjatë, e cila duhet të pasqyrojë këtë vullnet të ri ndaj bujqësisë në politika që të nisin zbehjen e problematikave që paraqita më sipër. 
– Pse Shqipëria e ka të vështirë sot të konkurrojë në Eksportin e prodhimeve bujqësore e blegtorale, kur kushtet gjeografike i ka më Të favorshme?
– Shqipëria ka kushte të shkëlqyera natyrore e klimatike për zhvillimin e bujqësisë dhe të zonave rurale. Ultësira bregdetare dhe një pjesë e zonave verilindore të vendit karakterizohet nga toka me potencial prodhues mesatar dhe të lartë. Por, problemet endemike për të cilat fola në fillim, e ulin potencialin tonë konkurrues. Subvencionet e ulëta, sidomos në krahasim me rajonin; parcelizimi i lartë i tokës; mungesa e certifikimit të produkteve, e cila në shumë raste pengon eksportin; mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar mes fermerëve, e bëjnë të vështirë daljen në tregjet ndërkombëtare. 
– A mundet një fermer sot, që pa ndihmën e “mikut” të përfitojë grande dhe subvencione ngaqë i plotëson kriteret me fermën e vet?
– Nëse kemi parasysh raportin e KLSH-së për periudhën 2013-2017, kuptohet se fondet që i dedikohen bujqësisë rrezikohen nga skema klienteliste dhe korruptive. Këtu një rol të fortë duhet ta luaj monitorimi në fazën e aplikimit. Fermerët që do të shkojnë të aplikojnë pranë pikave të ngritura nga qeveria duhet të trajtohen në mënyrë uniforme. Nëse do ketë veprime korruptive, nëse do iu merren bakshishe, do u vihen kushte që fermerët nuk i plotësojnë procesi do të humbasin çdo lloj kredibiliteti. Uroj që procesi të jetë sa më transparent, dhe fondet të shkojnë te ata fermerë që realisht kanë nevojë për mbështetje për t’i dhënë një hov të ri zhvillimit të tyre.
– Pse tashmë fermerët përmbyten nga çdo reshje shiu?
– Në thelb të kësaj situate janë treguar armik i territorit, duke e përmbytur herë nga mungesa e investimeve, herë nga vjedhja e fondeve e herë nga bërja e punëve shkencore nga njerëz që nuk kanë lidhje me këtë fushë. Kanalet ujitëse dhe kulluese janë thembra e Akilit e të gjithë sistemit. Unë e vlerësoj angazhimin e qeverisë për rritjen e financimit për këto dy sisteme, si atë kullues ashtu edhe atë ujitës, por vlen të citoj që rrjeti i kanalizimeve për bujqësinë është rreth 40 mijë kilometra, shifrat e ndërhyrjeve në rrjetet ujitëse dhe kulluese që ju përmendni përgjatë takimeve me fermerë në zona të ndryshme të vendit, janë shumë inferiore në krahasim me atë që duhet bërë çdo vit. Si specialist i bujqësisë po ju them: Nëse vërtet doni te keni rezultate te mira, duhet të pastroni të paktën 20 mijë kilometra në vit. Partia Agrare Ambientaliste dhe ekspertët e saj janë të gatshëm të diskutojnë për një strategji të mirëfilltë për menaxhimin e ujërave për t’i dhënë zgjidhje permanente dhe jo sporadike, sikurse është bërë në 27 vite, problemit të përmbytjeve dhe erozionit.
– Kryeministri Rama kohët e fundit propagandon një program qeverisës për një subvencion miliarda lekë për zhvillimin e fermerëve. Ju mendoni se Qeveria do ta konkretizojë, apo do mbetet premtim?
– Shumat për të cilat ju flisni ndahen në dy grupe. Njëzet miliardë lekë, është fondi i qeverisë për bujqësinë. Dhe 71 milion euro, që është fondi që BE vendos në dispozicion të bujqësisë shqiptare nëpërmjet programit IPARD për katër vitet e ardhshme. Për sa i përket fondit të qeverisë shqiptare, jemi përballë një fenomeni disi negative, pasi vit pas viti aplikimet e fermerëve janë në rënie; duke qenë se ata përballen me burokraci, por edhe për shkak të një hezitimi që ata kanë për t’u bashkuar me fermerë të tjerë në përfitimin e fondeve. Sigurisht edhe situata në formalizimin e bujqësisë ka një impakt negative, pasi nga 350 mijë fermerë, vetëm 36 mijë janë të pajisur me NIPT. Pra, ata që do të jenë të aftë për të fituar subvencione, janë realisht vetëm 10% të fermerëve shqiptarë. Për sa i përket 71 milionëve të BE-së problemet në përthithjen e tyre janë të shumta. Ndër vite Shqipëria e ka humbur shumë herë rastin për t’i shfrytëzuar fondet IPARD për bujqësinë. Kjo ndodh për shkak të parregullsive, mungesës në dokumentacion dhe probleme të pronësisë, të cilat bëjnë që fermerët dhe agrobizneset të kenë vështirësi në përthithjen e fondeve.
– PAA, çfarë politike ekonomike u ofron fermerëve shqiptarë?
– Ekspertët e Partisë Agrare Ambientaliste janë unanim me mendimin se është ora që Shqipëria të ketë një Strategji kombëtare për zhvillimin rural, e cila duhet të adresojë në mënyrë afatgjatë të gjitha problematikat e sektorit. Një gjë e tillë kërkon sigurisht një vullnet që shkon përtej një grupimi politik, pasi një aksion i tillë duhet të shtrihet në disa legjislatura. Kjo duhet të jetë pikënisja e çdo diskutimi serioz për të ardhmen e bujqësisë. Nëse nuk ulemi për të diskutuar për një ose dy dekadat e ardhshme, por ndryshojmë qasje çdo vit, bujqësia do të mbetet në kushtet në të cilat dergjet prej vitesh. Në këtë optikë afatgjatë, sigurisht duhet të rriten grantet për fermerët, orientimi i tyre. Po ashtu, ne mbështesim rritjen e buxhetit për përmirësim infra-strukturës, e cila shërben në urbanizimin e zonave rurale. Ne mbështesim konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore shqiptare, duke marrë masa në forcimin e tregut vendës. Një gjë e tillë do të ndikojë në uljen e importeve dhe rritjen e eksporteve. Prodhimi duhet të fokusohet në ato produkte tregtare, të cilat fermerët tanë i prodhojnë me një çmim më të ulët, se sa vendet, me të cilat kryejnë marrëdhënie tregtare. Duhet të rritet vlera e produkteve dhe të ardhurat e fermerëve, të bëhet konsolidimi i magazinimit dhe industrisë përpunuese, të përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme teknologjia e prodhimit dhe e informacionit, të ndiqen politika të qëndrueshme në tërheqjen e investimeve direkt etj. Të gjitha këto masa, sipas ekspertëve të PAA-së, do të ndikonin në përmirësimin e problematikave të sektorit bujqësor e më tej në klimën ekonomike të vendit.