INTERVISTA/ Koço Kokëdhima: Kambanat e BE-së për krimin dhe korrupsionin bien për klasën e vjetër politike që sundon në Shqipëri. Bllokimi i Kushtetueses, marrëveshja e detit, OSBE dhe Reforma Zgjedhore

612
Sigal

Jakup B. GJOÇA

3 partitë e vjetra, në marrëveshje të plotë me njëra-tjetrën kanë zëvendësuar Republikën me një formë qeverisëse hibride me një tirani të krimit dhe të korrupsionit. Sa kohë që Shqipëria të qeveriset nga kjo marrëveshje, sa kohë që Shqipëria të mos ketë një popull Sovran, që e delegon dhe e tërheq sovranitretin me votë të lirë, aq kohë Shqipëria nuk do ketë asnjë perspektivë europiane

-Zoti Kokëdhima, paratë e sekuestruara në Toyota në portin e Durrësit a janë treguesi, që në Shqipëri bëhet pastrimi i parave dhe garantuesi është person me ndikim në qeverisje?

– Faktet si ky i Durrësit, rëndojnë, në rradhë të parë, mbi elitën politike të kriminalizuar dhe të korruptuar të Shqipërisë, që ka shkatërruar sundimin e ligjit, që ka shkatërruar imazhin e vendit dhe që shkakton pasoja të mëdha në ekonominë tonë. Të transportosh para me makina dhe shuma të tilla, nuk është një gjë, që bëhet pa garanci të njerëzve në qeveri. Janë padyshim të zyrtarët e lartë të Shqipërisë, në këto akte kriminale të pastrimit të parave të drogës, të pastrimit të parave të krimit. Kështu, që përgjegjësia për këtë çështje është e kësaj elite politike. Nuk them vetëm e kësaj qeverie, sepse kriminalizimi i Shqipërisë është një proces që ka filluar me ardhjen në pushtet të Saliut dhe është thelluar me qeverisjen e së Majtës.

– BE-ja i kërkon dhe kushtëzon Shqipërisë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Për kë bien këto kambana?

– Këmbanat bien pikërisht për zyrtarët e lartë të kësaj qeverie, por edhe për ata të qeverive të shkuara; për shkatërrimin e administratës, korruptimin e Gjyqësorit, shkatërrimin e konkurencës në treg dhe grabitjen e pasurive publike, grabitjen e buxhetit të shtetit dhe gjithë rrënimin që kanë shkaktuar në Shqipëri. Për këta që kanë zëvendësuar sundimin e ligjit, sovranitetin e popullit dhe republikën  me marrëveshjen mes partive të vjetra. Tri partitë e vjetra, kanë zëvendësuar Republikën me partitokracinë, me tiraninë e krimit dhe të korrupsionit. Sa kohë që Shqipëria do të qeveriset nga kjo marrëveshje, sa kohë që populli të mos mundet ta delegojë dhe tërheqë sovranitretin e tij lirisht përmes votës, aq kohë Shqipëria nuk do ketë asnjë perspektivë europiane. Pikërisht për këta bien kambanat.

– A mundet që BE-ja të hapë negociatat me Shqipërinë, pa u future në burg “peshqit: e mëdhenj, siç ndodhi në Kroaci dhe Rumani?

– Perspektiva jonë integruese nuk është thjesht çështje e disa peshqve. Shqipëria u përfshi në NATO vetëm nga vullneti dhe dëshira e SHBA-ve, vetëm nga vendimmarrja e tyre. Shqipëria nuk plotësoi  asnjë standart për t’u përfshirë në NATO ashtu siç nuk plotëson dot asnjë standart për t’u përfshirë në BE.  Këta qeveritarë tanë janë thjesht mashtruesa dhe bëjnë vetëm propagandë për t’i shpëlarë trutë shqiptarëve sikur po i çojnë në BE. Ata e mbajnë Shqipërinë larg vlerave të demokracisë Perëndimore. Nuk do të ketë asnjë perspektivë europiane për Shqipërinë nëqoftëse nuk rrëzohet kjo elitë politike. Nëqoftëse nuk vendosen zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të ndershme, nuk do ketë integrim të Shqipërisë në Europë, por vetëm largim të saj.

– Paraliza e Gjykatës Kushtetuese është për shkak të vetingut, apo vetingu është masha e atyre që nuk e duan Gjykatën Kushtetuese të funksionojë?

– E vërteta është që Gjykata Kushtetuese përbëhej nga një trup e korruptuar gjyqtarësh, të cilët përdoreshin nga drejtuesit e qeverisë, PD-së dhe LSI-së për interesat e tyre politike, partiake, personale, korruptive, etj. Largimi i atyre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është një gjë e drejtë dhe e domosdoshme. Por, nga ana tjetër, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një realitet shumë i rrezikshëm për vendin tonë. Çakenjtë që na qeverisin e ëndërrojnë momentin kur mund të bëjnë gjithë këto plaçkitje dhe grabitje, kundër vendit dhe atdheut dhe të mos ketë një mundësi të pengohen. Dhe ata, faktikisht, po e shfrytëzojnë momentin që Gjykata Kushtetuese mungon, për të bërë veprat më të errta, më të zeza dhe më antishqiptare, që kanë ndodhur ndonjëherë. Këtyre u intereson, që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë të mos funksionojnë, sepse këto kufizojnë pushtetin abuziv të tyre. Nuk duhen marrë vendime të cilat mund të cënojnë kushtetutën e Shqipërisë nuk duhet të merren, për sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale.

– Kryeministri Rama u shpreh për marrëveshjen Greqi- Shqipëri, që mund të përfundojë së shpejti, që është më e mirë se ajo e 2009-s. Është e mjaftueshme? A duhet të nënshkruhet, derisa nuk kemi Gjykatë Kushtetuese?

– Unë mendoj që marrëveshje të kësaj rëndësie, nuk duhet të shqyrtohen dhe as duhet të nënshkruhen pa patur Shqipëria Gjykatë Kushtetuese.

– Siç informojnë mediat greke, Shqipëria dhe Greqia kanë rënë në dakortësi, që nuk do të përdorin më përkufizimet gjerografike, sikurse “Vorio Epir” dhe “Çamëri”. A mendoni se kjo dakordësi  në këtë marrëveshje është tradhëti, që mund të kryejë qeveria shqiptare?

– Partia ZGJIDHJA i ndjek me vëmendje shumë të madhe zhvillimet politike që ndodhin dhe është shumë e interesuar për ecurinë e marrëveshjes të vendit tonë me Greqinë, sepse ne duam marrëdhënie shumë të mira me Greqinë, për të gjitha arësyet, por veçanërisht sepse kemi një ndjeshmëri shumë të lartë për gjithë ato qindra mijëra shqiptarë në Greqi, të cilët e ndjejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në punën dhe interesat e tyre nivelin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona. Duam marrëdhënie që bazohen në respektin e ndërsjelltë, në respekt të së drejtës, dhe në përputhje me të vërtetën historike. Partia Zgjidhje mendon se nuk ka reciprokritet në çëshjen e të ashtuquajtur “Vorio Epir” dhe në çështjen e Çamërisë. Shqiptarët asnjëherë gjatë historisë nuk kanë pushtuar territore të vendeve fqinjë. Përkundrazi, mbi ta janë bërë padrejtësi të mëdha historike, dhe territore të shqiptarëve janë copëtuar në shumë shtete të Ballkanit. Ne, në asnjë rrethanë nuk do të pranonim që të zhduket nga fjalori dhe interesi i programeve tona politike, e drejta e çamëve, që ata të marrin pronat e të parëve të tyre. Kjo popullsi është larguar nga territoret e veta me gjenocid dhe në mënyrë kolektive, gjë që nuk ka qënë dhe nuk është e drejtë. Kjo padrejtësi duhet të zgjidhet. Ne nuk kemi ndonjë dëshirë që të mbajmë gjallë, termat, të cilat nuk i ofrojnë popujt tanë, dhe nuk e përmirësojnë klimën e bashkëpunimit. Por nga dëshira dhe nevoja për të mbyllur problemet, nuk duhet të harrojmë të drejtën e qytetarëve çamë, të cilët duhet patjetër të fitojnë pronat atje, në vendin e të parëve të tyre.

– A është projektligji për shembjen e Teatrit Kombëtar një tregues i korrupsionit të qeverisë socialiste?

– Ai është një akt banditest, një hajdutëri me ligj. Kanë marrë peng parlamentin e Shqipërisë, i përdorin deputetët si laro dhe i vënë të votojnë e firmosin çdo gjë, pa asnjë dinjitet, pa integritet dhe pa asnjë respekt ndaj vlerave morale dhe ndaj ligjit. Ky akt i shëmtuar mua vetëm më acaron, që të jem shumë i sinqertë me ju.

– Zoti Kokëdhima, përse heshtin ambasadorët në Tiranë ndaj inkriminimit të qeverisë dhe korrupsionit të saj, kur, ndërkohë, shtetet që i kanë akreditar ata këtu, i denoncojnë përherë?

– Dëshiroj që të përcjell një mesazh të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët naivë të Shqipërisë, për të gjithë qytetarët e dëshpëruar, të cilët ndihen të lodhur, ndihen të tradhëtuar dhe të kapitulluar, që të mos shpresojnë shumë tek ambasadorët. Ambasadorët nuk janë të zgjedhurit e popullit shqiptar, as nuk janë llogaridhënës përpara popullit tonë. Ambsadorët  bëjnë punën e shteteve të tyre dhe shtetet e tyre kanë interesa specifike, kanë interesa të dallueshme, shpeshherë mund të kenë interesa edhe të kundërta me tonat, prandaj, të mos presim që ambasadorët të venë drejtësi në Shqipëri. Ata mund të sensibilizojnë pozitivisht vendet e tyre, vetëm nëse ne do të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona, si popull dhe si qytetarë. Vetëm në rastin kur ne të luftojmë të vetëdijshëm për të drejtat tona, dhe të dalim në rrugë për këto të drejta, vetëm atëhere, ata do të mund të kenë një ndjeshmëri të lartë për abuzimet e pushtetarëve tanë.

– Është e qëllishme, që tejklalojnë afatet kushtetuese për ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë?

– Zgjidhja mendon se reforma në drejtësi është një nevojë ulëritëse dhe e domosdoshme për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë kritike ku ndodhet. Por reforma nuk do të japë rezultatet që presim, nëqoftëse nuk bëhen reformat e tjera politike. Drejtësia nuk u korruptua dhe nuk u kalb vetë, por u kontrollua, u deformua, u korruptua, u shkatërrua krejtësisht nga investimi i politikës dhe kryesisht nga investimi i zyrtarëve të lartë të partive të vjetra. Kështu që, po kjo elitë politike do përpiqet ta kontrollojë e vonojë drejtësinë e re të Shqipërisë, pavarësisht se sa i përsosur mund të jetë modeli i reformës. Energjia reformuese e këtij pushteti buron nga kapacitetet tona kombëtare. Buron nga gjithë integriteti dhe vlerat që sundojnë në këtë vend dhe në popull. Vlerat këtu nuk rikuperohen kurrë nëqoftëse nuk bëhen reformat politike dhe reforma në drejtësi nuk do ecë kurrë, ashtu siç duhet nëqoftëse nuk bëhen reformat politike, që do tja marrin pushtetin abuziv kryetarëve të partive të vjetra, dhe do tja japin instuticioneve të ligjit, shtetit dhe popullit. Hapi i parë më i rëndësishëm , që mund t’i japë oksigjen edhe reformës në drejtësi është reforma zgjedhore. Partia ZGJIDHJA ka bërë shumë përpjekje për të ndërgjegjësuar shqiptarët, që përpara se të luten për drejtësi e për punë, të kërkojnë të drejtën e votës, të kërkojnë pastrimin e zgjedhjeve, të kërkojnë reformat politike, të kërkojnë ndarjen e pushteteve, të ndalojnë qeverinë që ta trajtojë buxhetin e shtetit dhe vendin si çifligun e saj, ta ndalojnë qeverinë që t’i përdorin pasuritë si plaçkë lufte për ata mbështetësit e saj, për komisionerët e saj, etj.

– Thuhet se PD dhe PS kanë arritur në një dakortësi për reformën e re zgjedhore, por kjo reformë nuk do prekë sistemin zgjedhor dhe depolitizimin e Administratës Zgjedhore. A mund të bëjmë fjalë për reformë të re zgjedhore?

– Nuk mund të bëhet çlirimi i zgjedhjeve në Shqipëri nga vullneti i partive të vjetra. Partitë e vjetra janë të kapura nga krimi dhe mafia. Nuk luftojnë për kauzat e popullit shqiptar, dhe nuk mund t’i japin Shqipërisë asnjë reformë përfundimtare zgjedhore. Kështu, që pa u ndërgjegjësuar populli shqiptar për këtë çështje, ne nuk presim  që këto të çlirojnë zgjedhjet. E keni parë sesi PD-ja  flet për çështjet teknike e teknologjike të zgjedhjeve, por jo për standartet e tyre. ZGJIDHJA kërkon standarte të zgjedhjeve, kërkon si Kushtetuta, që zgjedhjet të jenë  të barabarta e të lira. Zgjedhjet e barabarta kanë në themel depolitizimin e administratës zgjedhore, ose heqjen e monopolit të dy partive, PD dhe PS nga administrimi i zgjedhjeve. Pa këtë çlirim nuk do të ketë asnjë progres real, për zgjedhjet në Shqipëri. PS e PD bënë puçin kushtetues në 21 prill 2008 dhe rrëzuan republikën duke sanksionuar sundimin e marrëveshjes së tyre. PD-ja vetëm do groposet dhe do dalë nga skena politike, sepse ajo mendon të mbajë në këmbë marrëveshjen me PS-në kundër zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, dhe të mos i reformojë zgjedhjet.

– Bën përshtypje, pse OSBE-ja, si institucioni ndërkombëtar i mbykqyrjes së zgjedhjeve nuk ka këmbëngulur që të bëhen reformat e atilla zgjedhore, që të barazohet vota?

– Një pyetje shumë e drejtë. Nuk e kuptoj, – thoshte deputeti gjerman Wadphul para disa ditësh, – pse nuk bëhet reforma zgjedhore në Shqipëri? Po kështu shumë njerëz nuk e kuptojnë, pse në 22 vite raportet e institucionet ndërkombëtare, OSBE dhe ODIHR thonë hap para, hap para, hap para dhe në fund rezulton që në fakt nuk ka asnjë hap përpara, por ka vetëm zgjedhje të uzurpuara, të vjedhura, të deformuara, të blera, të trafikuara dhe të dhunuara? Vendet europiane duhet t’i japin fund hiporkizisë me Shqipërinë, sepse pa mbështetjen e vendeve europiane, rregjimi i Tiranës nuk rri dot në këmbë as 6 muaj.

– Këta ambasadorë në Tiranë, janë thjesht hipokritë,  apo blihen nga elita jonë politike?

– Nëse presioni i BE-së do të jetë i sinqertë, që në Shqipëri të sundojnë vlerat e demokracisë perëndimore, atëhere do të flasim për progres real të Shqipërisë. Nëqoftëse vendet e BE-së nuk e kushtëzojnë me sinqeritet mbështetjen ndaj qeverisë së Tiranës me pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, atëhere deklarimet dhe qëndrimet e tyre duhet t’i konsiderojmë hipokrite.

– Zoti Kokëdhima, hapja e negociatave u shty për një vit, çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë dhe çfarë duhet të bëhet: Zgjedhje të parakoheshme, ndryshime në qeveri, apo dorëheqja e kryeministrit?

– Ne e kemi paralajmëruar që kështu do të ndodhte. Ndërkohë që zgjedhjet e pareformuara, qofshin të parakohëshme apo normale, nuk do sjellin ndonjë gjë të re në jetën e Shqipërisë. Ne na intereson progresi real i integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithë qëllimi i partisë tonë, i ZGJIDHJE-s, është që të ndërgjegjësojmë popullin shqiptar, se nevojitet një revolucion paqësor, mundësisht paqësor, për të rivendosur Republikën dhe Demokracinë në Shqipëri.

– E keni të njëjtë konceptin e revolucionit paqësor me revolucionin që kërkon ishkryeministri Berisha?

– Nuk e di si thotë Berisha për këtë gjë, por zoti Berisha nuk ka parasysh asnjëherë dhe nuk kërkon të njëtat gjëra që kërkojmë ne. PS-ja dhe PD-ja nuk luftojnë për kauzat tona. Ata janë armiqtë e këtyre kauzave, janë armiqtë më të egër të lirive politike dhe Republikës së Shqipërisë. Ne duhet t’i përmbysim ata. Pa i përmbysur ata, nuk mund t’i japim një perpektivë optimiste dhe aq më pak, nuk do mundemi t’i japim një perspektivë europiane Shqipërisë.

–  Shumë faleminderit!