INTERVISTA/ Klajda Gjoshaj: Qeveria feston dështimin, sepse nuk ka respekt për shqiptarët. Paralajmërimi ynë dhe kushtet e reja të BE-së

632
Sigal

Klajda Gjosha, ish-ministrja e Integrimit dhe deputete e LSI-së, në një intervistë për gazetën “Telegraf” shprehet se festimet nga ana e qeverisë tonë për “JO”-në e Brukselit, do të thotë se nuk tregojnë respekt për vendin dhe shqiptarët. Zonja Gjosha argumenton se Shqipëria do ta ketë më të vështirë në 2019-n, për të hapur negociatat, sepse vendimmarrja nuk do të bëhet më nga udhëheqësit e qeverive të BE-së, por nga parlamenti i çdo vendi anëtar i BE-së. Ish-ministrja e Integrimit, përmend edhe shkaqet pse BE-ja nuk i hapi negociatat Shqipërisë, duke renditur problemet me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi, mungesën e reformës zgjedhore si dhe numrin e lartë të azilkërkuesve.

-Zonja Gjoshaj, a e mori vesh qeveria jonë “JO”-në e BE-së, për negociatat, sepse po falënderojnë shtetet e BE-së për vlerësimet e reformave që janë kryer në Shqipëri?

– Shqipërisë nuk i janë çelur negociatat, përkundrazi ky do të jetë një vit i vështirë për të plotësuar 13 kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian. Kam që nga dita e djeshme që ndjek me vëmendje reagimet e qeverisë mbi çështjen e negociatave të Shqipërisë. Çdo gjë mund të kuptoj, por të festosh për dështimin do të thotë të mos kesh respekt për vendin tënd, për qytetarët e tu!

– Përse pas një viti, do të jetë më e vështirë për Shqipërinë hapja e negociatave me BE-në?

– Për herë të parë në historinë e këtij procesi, Këshilli kërkon ratifikimin e vendimit të negociatave nga parlamentet e vendeve anëtare, para se ai vetë të japë vendimin. Këtë praktikë e ka pasur ligjërisht vetë Gjermania dhe më pas e praktikoi edhe Holanda. Sot kjo është e hapur për të gjithë parlamentet. Kjo e bën thuajse të pamundur një vendim pozitiv për negociatat edhe gjatë vitit 2019.

– Sipas jush, cilat ishin arsyet, pse Shqipërisë nuk iu hapën negociatat nga BE-ja?

– Rezervat për Shqipërinë janë të mëdha dhe çështjet kryesore kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi, mungesën e reformës zgjedhore si dhe numrin e lartë të azilkërkuesve.

– Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

– Shqipëria do të nisë sërish raportimet e një pas njëshme mbi pesë prioritetet dhe do të duhet të presë raportin e radhës të Komisionit Evropian si dhe një diskutim nga Këshilli Evropian për t’i dhënë një dritë jeshile. Këtu rrezikojmë një humbje të madhe kohore për arsye edhe të zgjedhjeve që kanë institucionet evropiane. Kushtet, që Gjermania ka vendosur deri tani, tregojnë qartë gjëndjen e mjerueshme, në të cilën ndodhet procesi i integrimit të Shqipërisë. Pra në asnjë rast nuk do të kemi nisjen e punës konkrete për çeljen e kapitujve dhe procesi do të bëhet i paparashikueshëm

– Cilat janë kushtet më kryesore të BE-së ndaj Shqipërisë?

– Kushti më kryesor që i është vendosur Shqipërisë përveç krimit të organizuar, korrupsionit dhe drejtësisë, është çështja e azilkërkuesve dhe mundësia e vendosjes së mekanizmit të vizave. Këshilli i tërheq vëmendjen Komisionit Evropian, duke kërkuar një raport të posaçëm mbi këtë çështje. Këto konkluzione janë një kambanë alarmi për të gjithë ne dhe është detyra jonë të bëjmë transparencë për qytetarët shqiptarë, të cilët gjëja e fundit që kanë nevojë është mashtrimi dhe e pavërteta. Perspektiva e tyre evropiane nuk mund të mbetet peng i delirit dhe papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie!