INTERVISTA/ Gert Bogdani: Kryeministri Rama, si në 2012-n, edhe tani bllokon integrimin, për të ushtruar pushtet absolut

584
Jakup B, GJOÇA
Kryeministri Rama është tipiku. Ndryshe thotë me fjalë, ndryshe vepron, ndaj tanimë, askush nuk i beson. Jo vetëm në Shqipëri, por Rama zhgënjen edhe partnerët ndërkombëtarë, sepse u zotohet shumë dhe nuk bën asgjë
Gerd Bogdani, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në PD në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se kryesoi delegacioni i PD-së në Asamblenë e Partive Popullore të Evropës, ku ai edhe loboi për hapjen e negociatave dhe është absurde pretendimi i kryeministrit Rama, se ka udhëheqës evropianë që mund të pranojnë të dëgjojnë opozitën shqiptare kundër integrimit të Shqipërisë. Zoti Bogdani pohon se është kryeministri Rama ai që humbet besimin e BE-së, pasi, jo vetëm nuk zbaton reformat e integrimit, por trafikimi i mijëra ton kanabis, dhe qindra ton kokainë në Evropë nëpërmjet Shqipërisë bëhet nga kriminelë që kanë bekimin e kryeministrit dhe pagëzimin e qeverisë. Zoti Bogdani pohon se evropianët kanë imazh të keq për Shqipërinë, dhe kjo nuk është e papritur, që hapja e negociatave të shtyhet për në fund të vitit. 
-Zoti Bogdani, kryeministri Rama kujt ia dërgoi si mesazh deklaratën, se ka politikanë gjermanë që janë të lidhur me PD-në dhe nuk duan hapjen e negociatave?
– Është e qartë kujt politikanëve gjermanë, ua tha. Ua tha atyre politikanëve gjermanë që janë të ndërgjegjshëm dhe që e duan Shqipërinë, atë Shqipëri që përmbush të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në BE dhe kur kritikojnë, ata e duan të mirën e Shqipërisë. Lajkat e politikanëve evropianë, nuk ia duan të mirën Shqipërisë. Zoti Rama mbase i referohet takimit të para disa ditëve me kancelaren Merkel, një nga takimet më të vështira të vizitës së vet, dhe ajo që mori nga kancelarja e Gjermanisë, ishte ‘shkulje veshësh’, për trafikimin ndërkombëtar të drogës, mosluftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. 
– A mund të ketë politikan gjerman që të mos dojë integrimin e Shqipërisë.
– Jo, jo, nuk mund të ketë asnjë. Më shumë se nga kushdo tjetër, edhe nga ndonjë politikan gjerman, që nuk e do Shqipërinë në Evropë, është vetë kryeministri Rama, sepse, sa më afër të jemi në BE, aq më shumë kërkesë llogarie do të ketë për qeverinë, në veçanti dhe klasën politike në përgjithësi, aq më të kufizuar do jenë politikanët, qeveria dhe klasa politike për të bërë sipas interesave vetjake, për ta vjedhur Shqipërinë. Sa më pranë BE-së, aq më të fortë do të jenë qytetarët shqiptarë, dhe aq më të dobët do jenë oligarkët shqiptarë, që e shkatërrojnë burimet natyrore, shkatërrojnë Shqipërinë dhe marrin me koncesion çdo të drejtë, që u takon qytetarëve, duke u imponuar një varfëri edhe më të madhe shqiptarëve.
– Zoti Bogdani, ju sapo u kthyet nga asambleja e Partive Popullore Evropiane. Cila është Shqipëria, në bisedat që ju patët me politikanë të së Djathtës Evropiane?
– Fatkeqësisht, ka një rikthim në imazhin negativ për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi te politikanët gjermanë dhe austriakë, ndërkohë që për vendet e tjera të Ballkanit, për Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, kanë përshtypje më të mira nga Shqipëria. 
-Pse?
– Po, që të kapen 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, do të thotë, që janë “doganuar” me mijëra të tjera kg kokainë, kapen dhjetëra ton hashash në Itali e Greqi, nga eksporti shqiptar, do të thotë që janë “eksportuar” me qindra ton të tjerë hashash në Evropë, dhe këto janë tregues të rritjes të kriminalitetit të organizuar nga shqiptarët në vendet e tjera të Evropës, kryesisht në Gjermani, Holandë, në Angli. Këto përkeqësojnë edhe imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve tek evropianët. Të gjithë e kuptojnë qartë, që këtë trafik ndërkombëtar me dhjetëra dhe qindra ton hashash dhe kokainë nuk mundet kurrë ta bëjë një kriminel apo bandë kriminale, por vetëm ata kriminalë që janë të lidhur me pushtetin, me Policinë e Shtetit, me (ish)ministrin e Brendshëm, që sot është nën hetim, me bekimin e kryeministrit të vendit, të mos themi me direktivat e qeverisë, këto fakte grisin çdo imazh për Shqipërinë. Nuk janë shqiptarët e ndershëm ata që e prishin imazhin e Shqipërisë në Botë, por është drejtuesi i qeverisë që na keqqeveris, me pasoja rritjen galopante të trafikimit ndërkombëtar të drogave, të korrupsionit, të autoritarizmit, të krijimit të klasës së re të oligarkëve. 
– Mund t’i konceptojë një politikan evropian, ato akuza të ndërsjella të politikanëve tanë, që opozita të shkojë në Bruksel dhe të lobojë kundër vendit të vet? Të pranojnë ata që të bisedosh kështu?
– Absolutisht, që nuk mund të konceptohet një gjë e tillë. Ata që e thonë këtë, duan të gjejnë alibi për dështimet e tyre, qeveria në momentin që anatemon opozitën në këtë sens, do të gjejë alibinë për dështimet e veta. Ju përmend dy shembuj konkretë. Delegacionin e PD-së në Gjermani dhe ju kujtoj fjalën e zotit Basha aty, se si loboi për të mirën e Shqipërisë në hapjen e negociatave. Para një jave, isha në Asamblenë e Partive Popullore Evropiane, fjala që mbajta aty është publike, fjala ime aty fillon që Shqipëria është në një moment kyç, sepse pret rekomandimin për hapjen e negociatave dhe shqiptarët e meritojnë, jo vetëm ngaqë jemi shumë dashamirës ndaj Evropës, por që edhe klasa politike këtu të jetë më e mbikëqyrur nga BE-ja. Dhe, vijova, duke thënë aty, që PD-ja e mbështet fort këtë proces integrimi të Shqipërisë në BE, sepse e mbështeti dhe e përçoi kur ishte në qeverisje. Por, nga ana tjetër, ne nuk mund të mbyllim sytë e veshët për gjëra që ndodhin. Një qeveri, që pretendon se kërkon të integrohet në BE, nuk mund të arrestojë dhe të tërheqë zvarrë njerëzit nga shtëpia në mesnatë, siç bëri me qytetarët protestues kuksianë, thua se është Gestapo, dhe më pas, t’i plotësojë letrat në polici dhe prokurori, thua se ndodhi në mesditë. Dhe pse? Sepse ata protestuan për një të drejtë të tyre, për të cilën edhe kryeministri u kërkoi falje publike. Në Evropë, të parët janë qytetarët dhe jo qeveritarët, në Evropë të parët janë qytetarët dhe jo oligarkët. Kushdo që kërkon të anatemojë PD-në dhe Opozitën, sikur i shkakton dëme imazhit të Shqipërisë, është duke kërkuar alibi për keqqeverisjen e vet. 
– Nga bisedat që u bënë në PPE, çfarë ju pohuan juve: Do të votojnë pro në qershor për hapjen e negociatave me Shqipërinë? Kanë skepticizëm?
– Padyshim, që kanë skepticizëm. Kanë imazhin e keq për Shqipërinë. Përpos kësaj, ka një mbështetje politike për hapjen e negociatave dhe gjithë mbështetja për Shqipërinë vjen në deklaratën e kryetarit të Komisionit Evropian, zotit Junker, kur thotë që Shqipëria nuk duhet të lihet mbrapa. Gjithë diskutimi sot është. Për shkak të Shqipërisë dhe mosarritjeve, dhe nëse Shqipëria mbetet jashtë, a do jenë vendet e Ballkanit, edhe Maqedoninë, jashtë? Një tjetër ide është. Për të futur Maqedoninë brenda dhe për të sheshuar trazirat nacionale që ka Ballkani sot, nën influencën e theksuar të Rusisë dhe të vendeve të tjera që nuk kanë Frymën Perëndimore në Ballkan, duhet të futet edhe Shqipëria, sepse e kanë të pamundur që Shqipërinë ta lenë jashtë dhe të vetme në Ballkan. Dhe në fund, të mbeten jashtë Evropës Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, gjë që është shumë e rrezikshme për të ardhmen e Ballkanit, Ndaj unë kam bindjen se votimi në Këshillin e Bashkimit Evropian do të jetë pozitiv për Shqipërinë, mbase jo në qershor, por do të ketë një votim tjetër, në fund të vitit, për të stabilizuar të ardhmen e Ballkanit. 
– Nëse kujtojmë 2012-n, ku ndryshon kryeministri Rama i 2018-s, që kërkon bashkëpunim me Opozitën për integrim, me kryetarin e PS-së Rama në 2012-n, i cili bllokoi atëherë votimin e 3 ligjeve të integrimit dhe pengoi 2 vjet marrjen e statutit kandidat?
– Është njësoj si me fushatën elektorale, që, për t’i marrë votën, iu premtoi shqiptarëve parajsën, dhe, në qeverisje, iu dha një realitet shumë të hidhur. Dhe sot Rama, edhe kur shtrin dorën e bashkëpunimit me opozitën, e bën për lojën e vet politike. Rama i 2018-s është po i njëjti me Ramën e 2012-s. Është po ai që hyri në grevë dhe thoshte: Hap kutitë dhe largohu, në të njëjtën kohë që diskutohej liberalizimi i vizave për Shqipërinë, që dihej se ishte një çështje më se jetike për shqiptarët. Rama ka sot ministra e deputetë, që në 2012-n thoshin se u bëmë të gjithë ne shqiptarët si këmbët e dhisë, pse u liberalizuan vizat, Është Rama po ai, që me qarkun e Fierit mbajti 2 vjet peng integrimin e Shqipërisë, është po ky Rama, që sot do të veshë kostumin e gjithëpërfshirës, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e fituar me paratë e krimit dhe të korrupsionit. Njerëz që nuk e duan integrimin e Shqipërisë në Evropë, sot janë në qeverinë e Ramës. 
– Si e shikon PD-ja dorën e shtrirë të Ramës për bashkëpunim për të mirën e integrimit: Ndërgjegjësim të kryeministrit?
– Kryeministri Rama është tipiku. Ndryshe thotë me fjalë, ndryshe vepron, ndaj tanimë, askush nuk i beson. Jo vetëm në Shqipëri, por Rama zhgënjen edhe partnerët ndërkombëtarë, sepse u zotohet shumë dhe nuk bën asgjë. Kryeministri Rama, më përpara se t’i shtrijë dorën Opozitës për bashkëpunim, duhet t’i shtrijë dorën qytetarëve, t’u kërkojë atyre falje për mjerimin e madh që u shkaktoi në 5 vitet e qeverisjes dhe që i detyroi të braktisin Atdheun e të kërkojnë bukën e gojës në emigrim si azilantë, t’u kërkojë falje shqiptarëve, që u vrau shpresën të jetojnë në Shqipëri, t’u kërkojë falje shqiptarëve, që paratë e taksapaguesve ua jep oligarkëve të vet. Kryeministri Rama t’u kërkojë falje shqiptarëve, që emëron vetë institucionet e pavarura, duke shkelur edhe Kushtetutën. T’u kërkojë falje qytetarëve të vet, që i burgos në mesnatë dhe të burgosë kriminelët që i ka bërë deputetë dhe kryebashkiakë. Kryeministri Rama nuk duhet ta veshë fanellën kuq e zi, sa herë do të kalojë “lumin”. Rekomandimi pozitiv për Shqipërinë u mor edhe në 2016-n dhe ishte kryeministri Rama, ai, që nuk deshi ta vishte fanellën kuq e zi, sepse vesh përditë kostum mavi të krimit, korrupsionit. 
– Është tregues i realizimit të reformave integruese rekomandimi i Komisionit Evropian?
– Është thjesht një rekomandim, domethënë, rekomandon që me Shqipërinë duhet të nisin negociatat për t’u anëtarësuar. Marrja e statusit kandidat, nuk e pengoi kryeministrin Rama të kanabizonte Shqipërinë, as ta bënte Shqipërinë “Kolumbinë” e kokainës në Evropë, as të bënte miqtë e vet oligarkë me koncesione. Sot, për shkak të papërgjegjshmërisë të kryeministrit Rama, u lind edhe një problem për Shqipërinë. Spanja, sot e kundërshton integrimin e Shqipërisë, për shkak të deklaratës së papërgjegjshme të kryeministrit Rama, i cili tha se Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët. Kjo deklaratë u anatemua shumë nga Spanja, për shkak të problemeve të brendshme nacionale që kanë me Katalonian. 
– Kur kryeministri Rama deklaroi se ai i ka bërë të gjitha detyrat e integrimit, mos vallë shigjetat i hodhi kundër opozitës, ndaj akuzave që i bëni për bashkëpunim me krimin, korrupsionin, kapjen e drejtësisë etj?
– Zoti Rama ka meritë të veçantë, sepse i ka plotësuar të gjitha detyrat. Bujqësinë e bëri faktorin e parë të zhvillimit ekonomik, duke e kultivuar gjithë Shqipërinë me kanabis, rriti eksportin, duke e bërë kanabisin shqiptar produktin numër 1 në Evropë, arriti që Shqipërinë ta bëjë kryeqendrën e trafikimit të kokainës botërore, bëri një reformë të thellë në drejtësi, dhe suksesi i kësaj reforme është që ish-ministri i eksportit të kanabis, Tahiri s’është në burg, arritje e madhe është edhe respektimi i të drejtave të Njeriut, siç arrestoi në mesnatë njerëzit që luftojnë për të drejtat e bukës së gojës dhe i lë në burg. Një arritje dhe meritë e madhe e kryeministrit Rama është që pasuritë natyrore të Shqipërisë po shfrytëzohen nga oligarkë të rinj, që ai e krijoi si klasë të re shoqërore, Rama ka edhe meritën, që vrasësit e Ardit Gjoklaj janë bërë ndoshta edhe miliarderë. Rama u ka dhënë liri absolute të mediave, saqë përndjekin këdo gazetar që guxon dhe kritikon sado pak qeverinë, dhe vetë del live në të gjitha ekranet e TV-ve njëherësh në 4-5 aktivitete pune të ndryshme. Kryeministri Rama, ka meritën më të madhe, që kriminelët e mëdhenj i hoqi nga rruga dhe i solli në parlament. Por, merita më e madhe e kryeministrit Rama është se sot 95 % e shqiptarëve paguajnë taksa, edhe duke patur një biznes të vogël, më shumë sesa një oligark, biznesin e vogël e takson sa biznesi i madh, ujin, dritën, biletën e urbanit e paguan më shtrenjtë, ndërkohë që ka 5 vjet që nuk rritet rroga, taksat e gjelbërimit i paguan më shtrenjtë, taksën e pronës e paguan më shtrenjtë, edhe sesa një hotel 5 yjesh. 
– Zoti Bogdani, si mund të konceptohet të festojmë për rekomandimin e Komisionit Evropian, ndërkohë që deputeti që i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion është ende në Parlamentin shqiptar?
– Parlamenti ynë ka deputetë, që kanë vrarë, që kanë bërë trafik të njerëzve, që kanë bërë edhe trafiqe droge. Fatkeqësia është se kryeministri Rama këta njerëz të krimit i bëri deputetë, sepse me këta deputetë Rama po voton edhe reformat e integrimit. Kryebashkiaku Roshi u promovua nga zoti Veliaj në Bashkimin Evropian, në Parlamentin Evropian për farsën e Griseldës, natyrisht e bënë që të ndihmonin integrimin evropian të Shqipërisë! 
– A ka rrezik, që hapja e negociatave për Shqipërinë të (keq)përdoret nga kryeministri Rama, për të fituar imunitetin politik ndaj të gjitha akuzave që i adresohen për keqqeverisje, për shpërdorime fondesh, për bashkëpunim me botën e krimit?
– Sado të trumbetojë triumf të vet kryeministri Rama, duhet edhe të ndjejë edhe frikë po kaq të madhe, sepse, sa më afër të jetë Shqipëria pranë anëtarësimit në BE, kaq më i madh do të jetë kontrolli ndaj qeverisë shqiptare. 
– Sa e afërme mund të jetë dita, që drejtësia shqiptare të japë drejtësi për qytetarët shqiptarë?
– Në qoftë se drejtësia do të veprojë, atëherë edhe Shqipëria ka një dritë në fund të tunelit të tranzicionit politik. Fatkeqësisht, sot drejtësia është e kapur nga kryeministri. Duhet që të fillojë vettingu edhe për politikanët, për klasën politike. Ky vetting, do të jetë drita jeshile edhe për drejtësinë, edhe për vetë shqiptarët, do të jetë drita për të ndriçuar rrugën e demokracisë që kërkojmë të ndërtojmë edhe në Shqipëri. 
– Mendoni, se hapja e negociatave, do të jetë edhe dita e parë për vettingun e politikanëve?
– Nuk besoj, sepse edhe vetë procesi është shumë i gjatë, është më shumë proces teknik, se sa politik. Është koha, që pas vetingut në Gjyqësor, të kërkojë domosdoshmërish që edhe klasa politike t’i nënshtrohet vettingut. 
– Faleminderit!
Sigal