INTERVISTA/ Flet Prof. Sazan Gjuri: Ndërtimi i rrugës Kashar- Rrogozhinë me 12.7 milionë euro për km është korrupsion galopant

780
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ndërtimi i rrugës Kashar- Rrogozhinë me 12.7 milionë euro për km është korrupsion galopant. Studiot fantazëm dhe kryebashkiakët që janë bërë pjesë me kompanitë ricikluese të mbetjeve

Nuk kanë lejuar kompanitë ricikluese të kenë interes për t’i mbledhur që në burim. Gjithmonë kryetarët e bashkive, kanë qenë si biznesmenë, madje kryesori i mbetjeve të riciklueshme. Kryetari i Bashkisë është pjesë e kompanisë që ai përzgjedh për riciklimin.

Prof. Sazan Guri, ambientalist në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon përse është 4 herë më e shtrenjtë se në çdo vend të Evropës, kostoja e ndërtimit të rrugës Kashar – Rrogozhinë, dhe kryetarët e bashkive janë “aksionerë” të riciklimit të mbetjeve.

– Zoti Guri, rruga e re Kashar- Rrogozhinë ka një kosto 12.5 milionë €/km, ndërkohë që është terren fushor pa ura dhe tunele. Mos është shumë e shtrenjtë, kur as në ndërtimet analoge në shtetet evropiane nuk ka të tillë kosto?

– Kemi të bëjmë me një rrugë tërësisht fushore. Mund të jetë një nga rrugët më të thjeshta që ndodhen në territorin e vendeve evropiane dhe një nga rrugët me më pak e më të ulëta kërkesa inxhinierie. Nuk kërkon të merren masa anti rrëshqitjeje, anti erruzion, shembjeje, sepse ka bazament toke të qëndrueshme dhe kjo rrugë nuk ka asnjë mundësi që të dalë kostoja e saj mbi 4 milionë euro në kilometër.

– Si ka mundësi, që projektohet nga qeveria një kosto më shumë se 3-fishi i kostos së rrugëve që ndërtohen në Evropë, madje me standarde edhe më të mira?

– Po ne kemi një të metë shumë të madhe, si qeverisje, si vend, si institucione shqiptare. Ne jemi të varur tërësisht tek ai që jep ofertën për rrugën dhe e zbaton atë, sepse ne nuk i parashtrojmë rrugët e zgjidhjes për rrugët me projekte të bëra nga shqiptarët, ne nuk i parashtrojmë rrugët e zgjidhjes me anë të oponencave, që mund t’i bënin shqiptarët, ose institucion shtetëror, sikundër bën edhe Maqedonia. P.sh, rruga e Kombit me çmimet e Maqedonisë del 5 milionë euro për kilometër, ndërkohë që ne na doli 13 milionë euro për kilometër. Atëherë, po të krahasoni rrugën e Kombit me rrugën Kashar – Rrogozhinë, që e kostologjisin 13 milionë euro, kjo është e tmerrshme.

– Doni të thoni se këtu ka korrupsion të hapur?

– Edhe, në qoftë se nuk e them unë, kuptohet, që këtu ka të bëjë oferta me një korrupsion galopant. Indiciet të çojnë këtu. Austria kaq i bën, Gjermania mund t’i bëjë edhe më lirë, sidomos Maqedoni, që e projekton, dhe e ndërton. Ndërkohë, që në Shqipëri rruga i lihet qëllimisht një privati, një komercialisti, që atij qeveria i beson edhe projektin, edhe oponencën, edhe ndërtimin, atëherë ai i vë çmimin e kostos sa të dojë ai. Nuk ka më çmime referuese.

– Doni të thoni, që në koston e rrugës Kashar – Rrogozhinë nuk ka fare referenca krahasimi?

– Qartë e thashë, nuk ka referencë, sepse këto janë gjithmonë tenderë të pa kërkuara. Të gjitha tenderët në Shqipëri janë oferta të pa kërkuara. Sikurse tenderët e menaxhimit të mbetjeve, inceneratorët, janë të gjitha të pa kërkuara.

– A nuk përbën çudi, që ende 5 muaj dheu dergjet mbi rrugën Elbasan – Tiranë? Ku është e meta? Nuk ishte studiuar ky rrezik?

– E para, studimet që u bënë, mund të kenë qenë të papërgjegjshme, të pakta, të dobëta, sepse në Shqipëri nuk aktivizohen njerëzit e duhur. Vetëm ndahet projekti. Nuk bëhen projekte këtu tek ne. Projektet bëhen me oponenca, me këshilla shkencore. Tani nuk ka më të tilla institucione e praktika. Fakti që ndodhin kaq shumë gjëma, e pamë, që rrëshqitja e rrugës mori para edhe benzinatën. Rruga e Elbasanit, që rri dheu mbi rrugë 5 muaj, kërkon 4 milionë euro për studim, ndërkohë që ky studim mund të kushtojë shumë-shumë 80.000 euro. Rruga e Kombit kërkon 4 milionë euro për t’u mirëmbajtur. Këto i nxjerr me tarifë 2 euro për çdo makinë, jo me 5 sa duan ta vënë këta. Nuk na thonë asnjë studim, si e nxorën 5 euro tarifën e pagimit. Ndërkohë që kryeministri thotë që kostoja e mirëmbajtjes është 13,7 milionë euro.

– Domethënë, nga qeveria jepen vetëm shifra, jo studime?

– Nuk ka më studime, sepse të gjitha organizmat që janë pranë qeverisë janë të mallkuara. Qeveria stimulon studio jo kompetente, të pakompletuara. Studiot nuk kanë më 40 inxhinierë, por thjesht kanë marrë licenca, edhe mund të ketë vdekur, por studioja ka licencën, merr vepra nga qeveria pa tenderim, pa kërkesë e kështu punohet e ndahet fitimi paskëtaj.

– Inceneratorët a janë burim i energjisë së përtëritshme?

– Normal që janë burim i energjisë së përtëritshme, por koncepti i inceneratorit d m th, mbetjet urbane në Shqipëri, është e pafalshme që nuk shfrytëzohen siç duhen, sepse 40 % e tyre janë mbetje që duhet të çohen për pleh organik, të cilat ndahen që në burim në një kosh, që quhet kosh i njomë. Mbetje të njoma organike, të hidhen në kosha të njomë, duhet të kenë familjet, restorantet etj. Ndërsa tek ne ndodh një krim ekologjik, që lejojnë që mbetjet e fabrikave të ullirit të derdhen kudo, të cilat kanë ph 2 %. Një pjesë tjetër e mbetjeve, 20 – 25 % duhet të shkojë për riciklim, letër, karton, xham dhe alumin. Atëherë 60-65 % e mbetjeve janë të mirëmenaxhueshme, qysh në hapin e parë. Tani mbeten 30-35 % e mbetjeve, ku pjesa më e madhe e kësaj, 20 – 25 % e kësaj janë mbetje, që kanë energji brenda, që kanë mundësi të rikuperohen, jo të shkojnë në landfill, duke qenë të ndotura, të përziera, p.sh, ka materie plastike që nuk është për riciklim mekanik, p.sh një plastik me vajra, sepse ne nuk kemi riciklim kimik. Këto shkojnë në incenerator, që të prodhojnë energji. Atëherë mund të kemi 1 incenerator kombëtar, hajde, shumë- shumë 2, por nuk kuptoj dot, që Shqipëria të ketë 3 apo 4 inceneratorë.

– Mendoni se Shqipëria ka kaq shumë mbetje, që të jetë lëndë e parë për inceneratorët?

– 25 % e mbetjeve me ndotje, të përziera mund të shkojnë si lëndë e parë e inceneratorëve. Por ka një kusht tjetër. Që asnjë centimetër kub tjetër mbetje nga importi nuk duhet të përdoret nga inceneratorët tanë. Dhe tjetra, teknologjia e inceneratorëve duhet të jetë që nga 2015-ta, jo më e hershme.

– Zoti Guri, PS si Opozitë para 2013-s votoi kundër projektligjit të Importit të Plehrave për arsye ekologjike. Sipas jush, çfarë ndryshoi pas 2013-s që qeveria e PS këmbëngul të importojë Mbetje?

– Asgjë nuk ka ndryshuar. Ne e luftuam dhe e fituam këtë betejë, që nga 2009-ta. Të përgatitim infrastrukturën, për të matur radioaktivitetin, që të mos futeshin lëndët radioaktive, ose mbetjet e rrezikshme. Këta nuk kanë bërë asnjë masë monitorimi, që nga pikat e hyrjes nëpër dogana, që nga peshoret, që nga llojet e ndarjes së mbetjeve, atëhere, përse të importojmë mbetje.

Doni të thoni, që PS para 2013-s bëri opozitë për mbetjet për demagogji, ndërsa tani, si qeveri, kërkon të importojë mbetjet për interesa fitimi?

– Po, po, niset thjesht nga interesat e saj. E them me plot gojën. Janë gjëra që nuk ka nevojë t’i thuash, por janë të kuptueshme. Nuk ndryshoi asgjë, veç qëndrimi i PS ndaj mbetjeve importi. Kur vendi ynë të trajtojë mbetjet e veta, mund të kërkojë import.

– A riciklon Shqipëria të gjitha mbetjet e saj?

– Jo, absolutisht. Vetëm llastikat nëpër kanale, plastikat e hedhura kudo, të cilat nuk mund të treten për shekuj në tokë. Gjithmonë kanë vepruar në rrugë të gabuar. i kanë mbledhur të përziera. Siç i mbledhin, të përziera, bashkitë shkelin edhe ligjin e 2011-s, që thotë, që mbetjet të ndahen të paktën në 2 kazanë, një të njomë e një të thatë, dhe ky i thati duhet marrë nga një kompani, e ndahet sërish në llojet e saj, karton, xham, plastik dhe metal. Ndërsa faktikisht këto përzihen që në burim dhe kompanitë e riciklimit nuk kanë më interes që ta marrë këtë përzierje, por e merr vetëm një kompani, që është miku i kryetarit të bashkisë. E çon në landfill, dhe aty bën sikur e ndan. Prandaj mbetjet nga bashkisë bëhen në mënyrë të njëkohshme, monopolizuese, që nuk jep më interes për riciklim, nuk e kthen mbetjet në mall. Gabimi tjetër është si mundet, që supermarketet dhe restorantet të hedhin mbetjet dhe të mos kenë mundësi që të rimbledhin çdo plastike e meta, përkundër një çmimi, siç bëjnë supermarketet në vendet e tjera. Supermarketi duhet të ishte pikënisja e parë ekologjike.