INTERVISTA/ Flet Marko Bello: PS është uzurpuar nga një grup i kryesuar nga Rama, reformat tona i ngjajnë “maces që kafshon bishtin e vet”

1107
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Politikanët tanë nuk e kanë edhe aq “qejf” kontrollin e institucioneve të Brukselit. Me dashje, apo pa dashje, kemi humbur shumë kohë, procesi duket sikur nuk do të përfundojë kurrë, aq sa na duket se kemi hyrë në një rreth vicioz dhe i ngjajmë maces, që kafshon bishtin e vet

Marko Bello, ish-ministër i Integrimit në qeverinë socialiste në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se politikanët tanë, siç veprojnë, nuk e duan integrimin e Shqipërisë. Zoti Bello thotë se, “Është dashur një qasje tjetër, një kohezion më i madh dhe një përfshirje e krejt spektrit politik, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, qarqeve universitare, mass-medias etj”. Si politikan socialist, Marko Bello pohon se PS-në e ka uzurpuar një grupim i kryesuar nga kryeministri Rama.

– Zoti Bello, a mendoni se Kryeministri Rama nuk e do hapjen e negociatave, nga që natyrisht nuk do të ketë monitorimin e BE-së për kryerjen e Reformave.

-Do të isha i pasinqertë, nëse do t’i përgjigjesha në mënyrë afirmative kësaj pyetje, sa kohë që më mungon informacioni dhe nuk disponoj të dhëna konkrete. Megjithatë, nisur nga fakti se vonesat, pengesat, apo dështimet e Shqipërisë në lidhje me integrimin në familjen evropiane vijnë kryesisht për shkak të klasës politike, mund të na lejojë të arrijmë në konkluzionin se duket sikur politikanët tanë nuk e kanë edhe aq “qejf” kontrollin e institucioneve të Brukselit. Me dashje, apo pa dashje, kemi humbur shumë kohë, procesi duket sikur nuk do të përfundojë kurrë, aq sa na duket se kemi hyrë në një qark vicioz dhe i ngjajmë maces, që kafshon bishtin e vet.

– Me kritikat ndaj atyre evropianëve që shprehin publikisht skepticizëm, a provokon Kryeministri Rama, pikërisht “JO”-në e udhëheqësve të Gjermaninë, Francës dhe Holandës, kur ironizon publikisht skepticizmin  e tyre ndaj Shqipërisë?

– Të gjithë kemi konstatuar një farë nervozizmi nga shefi i qeverisë në raport me qëndrimet kritike të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të vendeve anëtare. Populli thotë ç’të mbjellësh, do të korrësh. Nëse qeveria do t’i kishte realizuar në kohë ato detyra, që i janë vënë asaj nga BE, nëse strategjitë, planet, programet do të kishin dhënë rezultatet e pritshme, mendoj se edhe pozicioni i vendeve anëtare do të kishte qenë tjetër. Sado të përpiqet kreu i qeverisë, ai nuk është Piter Pani, që t’u gjejë zgjidhje të gjitha problemeve. Duhet përfshirja e më shumë aktorëve dhe faktorëve në këtë proces. Në lojë, më shumë se fati i Qeverisë, është e ardhmja e vendit dhe e fëmijëve tanë. Është dashur një qasje tjetër, një kohezion më i madh dhe një përfshirje e krejt spektrit politik, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, qarqeve universitare, mass media-s etj. Ne vuajmë nga sëmundja e vjetër ballkanike: suksesin e kam për vete, dështimin do t’i faturoj të tjerëve.

– Mosvotimi Rezolutës për hapjen e negociata nga Opozita të enjten në Parlament, a mund të çojë mesazh në BE, se është Opozita ajo që pengon përpjekjet e Shqipërisë, sepse nuk është bërë palë në bashkëpunimin me qeverinë?

– Është pikërisht ajo që sapo nënvizova në pyetjen e mësipërme. Duhej që vite më parë, mazhoranca dhe opozita të kishin bërë një Pakt të madh kombëtar për integrimin, i cili duhej vënë mbi interesat e grupeve dhe llogaritjet meskine të partive. Kështu nuk do të na ndodhte që fati i zgjedhjes së kryetarit socialist të qarkut të Fierit të peshonte më shumë për nga rëndësia, sesa paketa ligjore që Brukseli kërkonte të votohej në parlament dje, apo sot, kur opozita aktuale preferon obstruksionizmin ndaj konsensusit dhe dialogut për problemet që kërkojnë mbështetjen nga të gjithë. Integrimi i vendit është një aspiratë mbarëkombëtare dhe realizimi i tij me sukses do të ishte meritë e të gjithë shoqërisë, ashtu sikurse dështimi i tij do të na dëmtonte të gjithëve ne.

– A është koha e përshtatshme politike për protesta masive, për bllokim të Parlamentit nga Opozita, pikërisht disa ditë para se Këshilli i BE të marrë vendim për hapjen e negociatave që PD të mos mbështesë qeverinë për integrimin, siç bën edhe Opozita në Maqedoni, për çështjen e Integrimit?

-Duke respektuar aksionin opozitar dhe të drejtën legjitime të partive të opozitës për të mos mbyllur sytë përpara shkeljes së ligjit, korrupsionit, krimit të organizuar, abuzimeve me pushtetin dhe mungesën e llogaridhënies nga ana e qeverisë, duhet të theksoj se në prag të samitit të Këshillit Evropian të fund-qershorit, i cili pritet të shprehet edhe për propozimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë, opozita duhet t’i peshojë me më shumë kujdes aksionet e saj, duke evituar përplasjet dhe daljen e përkrahësve të saj nëpër rrugë. Nuk është e vështirë të tensionosh situatën në një vend si Shqipëria, ku njerëzit janë gjithnjë e më të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur, polarizimi i skajshëm, papunësia dhe humbja e shpresës. Dhe, kur nuk ka shpresë, do të thotë se edhe opozita nuk preferohet akoma si një alternativë e mundshme në pushtet. Dhe kjo është tejet e rëndë.

– A do të ishte më mirë që Opozita të zgjidhte kohën pas qershorit për të bërë këto denoncime ndaj Xhafës dhe, pasi të merrej ‘OK’ për hapjen e negociatave, të kërkohen zgjedhje të parakohshme, që të jetë qeveri e re, ajo që të vazhdojë procesin e anëtarësiminA nuk do të jetë më mirë edhe politikisht për Opozitën, hapja e negociatave, sepse kështu qeverisja e Ramës do të ketë më shumë mbikëqyrje politike nga BE? 

– Sigurisht, që është në të mirë të gjithë shqiptarëve që negociatat për aderimin e plotë të vendit tonë në BE të çelen, pasi e kundërta do të ishte tejet zhgënjyese dhe dëshpëruese. Mendoj se ka një ndërgjegjësim të drejtuesve të partive opozitare për ta ulur disi aksionin e ditës, duke pranuar se integrimi meriton mbështetje nga të gjithë. Situata është delikate, pasi disa vende të rëndësishme të BE (Franca, Holanda, Gjermania) janë skeptike dhe kërkojnë më shumë garanci, apo rezultate të dukshme të reformave të ndërmarra. Ka edhe arsye të brendshme në disa vende që i bën disi hezituese qeveritë e tyre. Kështu, Franca nëpërmjet Presidentit Macron kërkon reforma të brendshme të Unionit, para se të ndërmerret një valë tjetër zgjerimesh, ndërsa Holanda rrezikon të bllokojë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë për arsye të tjera. Përballë problemeve, që nuk varen nga ne, ne vetë duhet të jemi në një zë se Shqipëria, pavarësisht problemeve të saj, meriton t’i jepet shanci për të negociuar Traktatin e Aderimit, negociata që mund të vazhdojnë 10-12 vjet.

– Cila parti politike në Shqipëri përfiton nëse nuk hapen në qershor negociatat? Po Nëse BE-ja hap negociatat, a nuk do të jetë ky vendim politik i BE, një vlerësim pozitiv ndaj reformave të qeverisë Rama?

– Kjo pyetje reflekton mentalitetin që mbizotëron në anët tona, se bisedimet për anëtarësim në BE mund të shkojnë në favor të mazhorancës, ndërsa dështimi i procesit në favor të opozitës, e cila mund t’i “turret” qeverisë, duke e bërë përgjegjëse atë dhe vetëm atë për dështimin. Unë mendoj se meraku i njërës palë, apo palës tjetër është i ekzagjeruar. Kujtoj se Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe fitoi liberalizimin e vizave gjatë administratës së Partisë Demokratike, por ajo parti i humbi thellë zgjedhjet në vitin 2013. Partia Socialiste hapi negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në 2003 dhe humbi zgjedhjet e vitit 2005. Kështu, që çelja e negociatave për anëtarësim të plotë në BE më shumë se Qeverisë socialiste i volit Shqipërisë dhe shqiptarëve.

– Zoti Bello, në gjirin e mazhorancës kanë ndodhur disa ngjarje shqetësuese: në fillim ishin deputetët me të kaluar kriminale që u detyruan të largohen nga parlamenti, më pas skandali i ish ministrit të Brendshëm Tahiri, ndërsa tani skandali tjetër më ministrin aktual, vëllai i të cilit ishte dënuar në Itali për trafik me lëndët narkotike. Si e shpjegoni ju që kryeministri Rama i lau kaq lehtë përgjegjësitë politike nga këto probleme të rënda që mund të kishin rrëzuar çdo qeveri në Evropë?

– Gjithçka ka ndodhur në mazhorancën e sotme, mendoj se reflekton uzurpimin e Partisë Socialiste nga një grupim i kryesuar nga kryeministri Rama, i cili është i plotfuqishëm dhe merr vendime pa pyetur për forume dhe statute. Në këto kushte, kur partia është kthyer në një instrument në duart e një njeriu, gabimet janë të pashmangshme dhe herët a vonë do të kenë kosto jo vetëm për forcën politike, por edhe për krejt shoqërinë. Fatkeqësisht, shqiptarët votojnë më shumë me emocion sesa arsye, duke harruar se në demokraci duhet të matesh mirë kur voton, përndryshe do të duhet të presësh zgjedhjet e radhës për të korrigjuar gabimin.