INTERVISTA/ Flet Edvin Kulluri: Qeveria e korruptuar ka përballë një opozitë të dobët. Pse duhet debat brenda PD-së për statutin

506
Jakup B. GJOÇA

Qeveri e inkriminuar dhe e korruptuar, opozitë e dobët
Rruga e Kombit ka një domethënie të madhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Siguria kombëtare nuk taksohet, por financohet. Është funksion bazë i shtetit e jo shërbim
Edvin Kulluri, Anëtar i Këshillit Kombëtar i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se në kryesinë e PD-së nuk pati asnjë propozim për një status të ri nga grupi i punës. Për reformën në drejtësi, zoti Kulluri shprehet se nuk garanton drejtësi për qytetarët, por pushtet për pushtetarët. Zoti Kulluri pohon se ka dështuar sistemi fiskal që zbaton qeveria, dhe, meqë jemi në krizë, qeveria duhet të ulë taksat dhe jo t’i ngrejë, ndërkohë që borxhi i Jashtëm është afërsisht 86 %. 

– Zoti Kulluri, si propozues i një statuti të ri të PD bashkë me Edit Harxhin, ç’mund të na thoni për mbledhjen e kryesisë së të shtunës?
– Zhgënjim i paralajmëruar. Nuk pati asnjë propozim për një statut të ri nga grupi i punës, por thjesht një “sallatë ruse” më copa propozimesh të mbledhura pa një vijë logjike dhe funksionale. Zoti Basha, fatkeqësisht nuk mundet, apo me keq akoma, nuk do ta kuptojë se fatet e vendit janë në dorë të opozitës, pasi kjo qeveri është në gjendje kome. E vdekur dhe e pa kallur. Por qëndron në fuqi për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vizionit të një opozite të çorientuar, pa kapacitete njerëzore, programatike dhe organizative që do ta shndërronin në alternativë fituese përballë autokracisë së kalbur të “rilindjes’. Kjo gjendje duhet të marrë fund. Dallohet qartë se edhe faktori ndërkombëtar është i pakënaqur me të dyja palët. Por zgjidhja do ishte vetëm opozita. PS nuk ka çfarë i ofron shqiptarëve, kurse opozita nuk çon dot deri në fund asnjë kauzë të drejtë, por thjesht e “vë në gjumë” kapacitetin revoltues të të Shqiptarëve. Zoti Basha po vazhdon me ritmet e punës së tij si në krye të Bashkisë Tiranë. Kjo është fatale për demokracinë, jo për PD-në.

-Si e gjykoni produktin e “reformës në drejtësi”?
– Produkti i kësaj reforme jetike për vendin nuk ka si të mos jetë pasqyrë e procesit që e prodhoi atë. Një produkt I diskutueshëm, si nga pikëpamja e menaxhimit, ashtu edhe nga ajo funksionale. Qëkurse 7 ligjet u miratuan pa konsensusin e opozitës, reformës i është cenuar në thelb legjitimiteti. Për më tepër që krijon paqartësi në publik, për shkak të rrjetës së ndërlikuar institucionale, që është ngritur për ta vënë në jetë. Disa komisione, që përbëhen nga njerëz, që kanë marrë një autoritet të pa legjitimuar, që ngjajnë më shumë me “gjykatat popullore” të dala pas fitores së Enver Hoxhës në 1944! Ashtu siç duhet thënë se, gjithë procesi po zhvillohet në një trysni propagandistike, ku po sulmohen çuditërisht gjyqtarë dhe prokurorë, që nuk janë mbështetur nga PS dhe Edi Rama. Një gjueti shtrigash, ndaj armiqve të partisë dhe pushtetit. Përderisa reformën e shkruan “kunetër dhe kushërinj” të ministrave të “rilindjes”, me bekimin e Soros, edhe produkti do të jetë një pushtet gjyqësor në “tepsinë e qeverisjes” dhe interesave të tyre. Kjo nuk garanton drejtësi për qytetarët, por pushtet për pushtetarët.

– A është qeveria në vështirësi financiare, duke parë nivelin gjithnjë e më të lartë të taksave?
– Për të qenë i vërtetë dhe i paanshëm, mjafton të lexohen mesazhet e FMN, Bankës Botërore dhe Ambasadës së SHBA-së drejtuar qeverisë. Në mënyrë të përsëritur është kërkuar ndërprerja e kontratave koncesionare për shërbimet publike, pasi rëndojnë barrën e borxhit publik. Ka të dhëna që ky borxh po shkon drejt kufirit 80%, çka do të thotë që nëse rritet euro, rrezikojmë të hyjmë në kolaps të financave publike, për shkak të rritjes së pagesave të borxhit të jashtëm. Po ashtu, Qeveria në kohë krizash, duhet t’i ulë taksat e jo t’i ngrejë ato. Sa më shumë t’i heqësh njerëzve para nga duart, aq më shume ekonomia bie. Dhe kështu, po hyjmë në një rreth vicioz, që do përfundojë në kolaps. Po jap vetëm një shembull: Është përgjysmuar numri i personave, që paguajnë tatim fitimi personal 23%. Pra, kontributorët më të mëdhenj, në nivel individual, ose nuk paguhen më aq shumë, ose bëjnë evazion. Kjo tregon se sistemi ka dështuar. E thënë ndryshe, ose bie konsumi ose pakësohen të ardhurat buxhetore. Në Francë larguan kryeministrin socialist vetëm 1 vit pasi aplikoi taksën progresive të lartë, këtu vazhdon qeveris e njëjta filozofi. Përfundimi është i qartë. Thellim i krizës. 

– Pra, ju mendoni se politika fiskale e qeverisë ka dështuar?
– Kjo është e qartë. Sa më pak para në treg do të thotë më pak investime, më pak konsum dhe rrjedhimisht tkurrje e qarkullimit të kapitalit. Po të shtojmë dhe mjedisin ekonomik të eurozonës, që nuk ka dalë ende nga kriza, do të thotë se shanset për rritje ekonomike më të lartë se 3% nuk ka. Kjo rritje është krejtësisht e pamjaftueshme në raport me Prodhimin Kombëtar Bruto të Shqipërisë. Pse po ikin njerëzit nga Shqipëria? Sepse nuk përballojnë dot lumturinë apo dëshpërimin?! Natyrisht, që ikin nga halli.

– Në këtë situatë, vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël çfarë efektesh do të ketë?
– Shkatërrimtare për hallkën më të dobët ekonomike të shoqërisë. Të ulësh fitimin e atij që mezi po mbijeton, do të thotë ta zhysësh në pamundësi për të punuar. Për ta thënë më qartë, t’i marrësh edhe 40 mijë lekë të tjera në vit një biznesi që qarkullon 2 milion lekë, do të thotë t’i heqësh të ardhurat një anëtari të asaj familjeje. Kaq e thjeshtë është. Kush do e ushqejë, shërojë, veshmbathë, arsimojë këtë pjesëtar të familjes?! Koncensionarët pasurojnë veten, nuk shpërndajnë të mira.

– Tarifa e mirëmbajtjes së “rrugës së kombit” është kthyer në çështjen më të nxehtë të ditës”. A mendoni se është e drejtë vendosja e pagesës?
– Këtu kemi 3 probleme. Së pari, qeveria Rama gënjen për pamjaftueshmërinë e parave për mirëmbajtjen e rrugëve. Vetëm taksa e qarkullimit në karburant, siguron rreth 150 milion dollarë në vit! Së dyti, kontributi i shqiptarëve të Kosovës në ekonominë shqiptare është shumë i madh dhe në raport të drejtë me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës. Është e pamoralshme t’i taksosh edhe ata në mënyrë të dyfishtë. Së treti, ajo rrugë ka një domethënie të madhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Siguria kombëtare nuk taksohet, por financohet. Është funksion bazë i shtetit e jo shërbim.
Sigal