INTERVISTA/ Flet Dr. Jamarbër Malltezi: 500 vdekje në vit nga ajri i ndotur. Shpartallimi i institucioneve, inceneratorët dhe heshtja e prokurorisë

678
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i Telegraf

Nuk kemi shtet ligjor, kemi një shpartallim institucional, ku kreu i ekzekutivit ka kapur gjithë pushtetet, përfshi gjyqësorin dhe prokurorinë. Për pasojë, as nuk ka ndjekje penale, përvec asaj, që urdhëron mëkëmbësi i Sorosit dhe as nuk ke mundësi të ankimosh asnjë ligj, VKM apo paudhësi tjetër, pasi është një vend sui-generis, ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese

Dr. Jamarbër Malltezi, shef i Departamentit të Mjedisit të PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar edhe reportazhit të VOA për koncesionet korruptive të inceneratorëve, pohon se kjo është vjedhje e pastër e 178 milionë euro, mirëpo prokuroria nuk heton, sepse është marrë peng nga kryeministri Rama. Dr. Malltezi jep edhe faktin se inceneratorët ose do të djegin mbetjet e riciklueshm, ose do të importojnë mbetje nga jashtë, por, më e rëndësishmja është se ato duhet të ndërtoheshin me investime të privatit, jo me PPP. Dr. Malltezi argumenton pse kryebashkiaku i Tiranës gënjen për mbjelljen e 120.000 pemëve, pas nuk ka asnjë dokument të tenderëve të blerjes së fidanëve, por as Bashkia e Tiranës nuk ka kapacitete të këtilla, sa të mbjellë 2.000 pemë në ditë.

 

– Zoti Malltezi, derisa edhe VOA e bëri Lajm korrupsionin e inceneratorëve, ju si e shpjegoni, pse ende prokuroria nuk fillon hetimet?

– Sepse nuk ka marrë urdhër të fillojë hetim. Nuk kemi shtet ligjor, kemi një shpartallim institucional, ku kreu i ekzekutivit ka kapur gjithë pushtetet, përfshi gjyqësorin dhe prokurorinë. Për pasojë, as nuk ka ndjekje penale, përveç asaj që urdhëron mëkëmbësi i Sorosit dhe as nuk ke mundësi të ankimosh asnjë ligj, VKM apo paudhësi tjetër, pasi është një vend sui-generis, ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese. Jemi për çmim Guinness!

Afera e inceneratorëve është një vjedhje e pastër e 178 milionë eurove, veç nga Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto. Duke shpërfillur procedurat ligjore, duke injoruar Strategjinë kombëtare këtu nuk ka nevojë për hetim të thelluar, pasi këta njerëz i kanë thënë burgut: “Hapu”, por në këtë vend nuk ka prokurori të pavarur. Ka 6 muaj që PD-ja ka sfiduar qeverinë dhe i kërkon debat publik për inceneratorët dhe qeveria hesht dhe fshihet. Z. Fevziu i kërkoi publikisht z. Rama të sjellë dikë për të debatuar për inceneratorët, por përsëri fshihet. Është një patate e nxehtë korrupsioni, që nuk e mbron dot askush, sado i pafytyrë të jetë.

Derisa djegia e mbetjeve është biznes, sikurse kultivimi i patates, pse shteti financon nga buxheti me PPP inceneratorët?

– Vjedhje e hapur. Jo vetëm që na takson ne për 178 milionë euro, ndërkohë që këtë investim duhej ta paguajë privati, por edhe shpall një TAKSË, që do i merret publikut, për të paguar Edi Ramën dhe Arben Ahmetaj për energjinë, që do prodhojnë nga plehrat!!!

Zoti Malltezi çfarë inerte mbetjesh digjen në inceneratorin e Elbasanit? Sepse mbetjet e riciklueshme supozohet që përpunohen në fabrikat e riciklimit?

– Situata në Elbasan është e fshehtë. Në thelb, veç afro 15% e mbetjeve duhen djegur dhe volumin më të madh duhet ta përbëjë riciklimi. Kjo ndodh në botë dhe kjo është detyrim ligjor, sipas dokumenteve strategjike të këtij shteti butaforik, ku vetë qeveria shkel ligjin. Afera e inceneratorëve po vdes edhe industrinë e riciklimit. Kjo, pasi po ua merr gjithë sasinë e mbetjeve dhe i bën monopol të Edit-Arbenit-Klodianit dhe ricikluesit duhet të shkojnë tek monopolisti ta blejnë sa frëngu pulën. Edhe ligjet bëhen për qef të Edit-Arbenit-Klodianit, edhe VKM del në emër të Edit-Arbenit-Klodianit, edhe paratë jepen tek i njëjti person.

– Mos vallë de facto importohen mbetje, edhe pse projektligji nuk u miratua në Parlament?

– Në incinerator nuk mund të djegësh gjithçka, sepse pastaj do duhet të shpenzosh energji dhe jo të rikuperosh energji. Këto 3 inceneratorë, për të cilat po taksohemi ne qytetarët me 178 milionë euro, janë shumë më tepër nga sasia e mbetjeve, që prodhohen. Nuk ka pasur asnjë studim fizibiliteti, thjesht kanë parë mundësinë të vjedhin 178 milionë euro, duke ditur që nuk do guxojë prokuror t’i fusë në burg dhe janë lëshuar si shushunja. Në momentin, që do fillojnë punën 3 inceneratorë, do shihet, që sasia e mbetjeve, që ka fuqi kalorifike, nuk del aspak dhe prandaj DUHET të sillen mbetje me fuqi kalorifike nga importi. Ky ishte qëllimi i amendimit ligjor, që sollën në 2016. Persona pa integritet moral me veten dhe votuesit e tyre u bënë dhe lolo për të mbrojtur me pseudoarsye një vendim qartazi korruptiv.

– Janë publikuar fakte për masakrën e pyjeve në Qarkun e Elbasanit, sidomos në rrethin e Librazhdit. Së pari, a janë depozituar në prokurori kallëzime PENALE? Dhe, pavarësisht nga kjo, ju si e shpjegoni që as policia dhe as prokuroria nuk po zbatojnë ligjin?

– Janë depozituar kallëzime penale, por nuk ka shtet ligjor. Inxhinier Petriti në Librazhd ka një jetë në pyll, i preu fletë gjobe dhe kallëzoi personat me emër dhe mbiemër në prokurori. Një rast tjetër ishte ai që publikoi pamjet Dr. Berisha, ku inxhinierët e pyjeve, së bashku me gazetarin A. Blloshmi, që po filmonin masakrën në pyje, u bënë pre e atentatit me kallashnikov nga keqbërësit e lidhur me deputetin bandit të Librazhdit (Taulant Ballën, shënimi i autorit). Ata keqbërës atëherë u shpallën në kërkim, por sot janë të lirë. Edhe masakruesit e tjerë të pyjeve, ndonëse ka proces-verbal të prerjeve të paligjshme dhe padi penale, përsëri janë të lirë, se gjykatësja u frikësua nga bandat në pushtet. Dhe, në fund fare, inxhinieri i pyjeve Petriti sot është pa punë, ndërsa banditët vijojnë maskaradën kundër pyjeve.

– Sa e gjelbër është Tirana, kryeqyteti ynë sot?

– Tirana është qyteti me ajrin më të ndotur ose i dyti me ajrin më të ndotur në Evropë, në varësi nga raporti i Bashkimit Evropian, që i referohesh. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur:

(a) naftën nuk e kontrollon askush, por veç shkojnë për të vjedhur ryshfete dhe

(b) lulishtet e Tiranës kthehen në kulla ndërtimi për krimin në pushtet.

Shumë lulishte të Tiranës sot nuk ekzistojnë më, si p.sh parku tek rruga e Kavajës, ku po ngrihen kullat e Sotës dhe Sajës, lulishtet e mrekullueshme, ku sot janë qendra tregtare Toptani apo 24-katëshi i Fidelit, lulishtja tek Sheshi “Italia”, lulishtet tek Sheshi “Skënderbej”, lulishtja dhe këndi i lojërave “7 xhuxhat”, tani vendosën të betonizojnë edhe Parkun Rinia dhe duan të kafshojnë edhe periferitë e Parkut të Madh të Tiranës.

120.000 pemët e mbjella sivjet, janë stoli apo dekor i Propagandës?

– Keqardhje për nivelin e gënjeshtarit patologjik, që kemi në krye të Bashkisë. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme, përveç propagandës. E ftojmë të na tregojë tenderët për blerjen e 120.000 pemëve. Nuk ka. Po çfarë ka mbjellë, kur nuk ka blerë gjë? Por, edhe nëse do e mendonim si të vërtetë për një moment, duke ditur që veç 60 ditë mund të mbjellësh, atëherë do duhej që Bashkia të kishte kapacitete të mbillte çdo ditë 2.000 pemë!!! Pra, të mbillte çdo ditë nga një pyll. Ka ndonjë që e ha këtë gënjeshtër? Imagjinoni, që Londra dhe Parisi sivjet u gëzuan se mbollën 20.000 pemë. Tirana 10 herë më e vogël se Londra, me 100 herë më pak të ardhura dhe 20 herë më pak fuqi punëtore ka mbjellë 6-fishin e Londrës? Këto gënjeshtra, kaq ashiqare, të bëjnë të qeshësh dhe të qash njëherësh.

Pas 3 vitesh u provua që palmat e mbjella në rrugën Tiranë – Durrës ishin jo vetëm gabim, por edhe shpërdorim i miliona €uro. A duhet që ndokush të mbajnë përgjegjësi PENALE?

– Mbjellja e palmave në buzë autostradës është vepër penale, qoftë pasi dhunonte Kodin Rrugor në momentin kur u mbollën (më pas ndryshuan Kodin Rrugor!!!), qoftë për mungesën e oponencës teknike, por veç urdhrit politik të dishepullit të Sorosit, dhe qoftë për mbylljen e kanaleve të kullimit që kanë shkaktuar disa herë përmbytje të autostradës dhe dëme prej miliona eurosh bizneseve në buzë të autostradës. Padyshim, do duhej të kishte përgjegjësi penale, nëse do kishim një shtet ligjor me ndarje të qarta të pushteteve.

– Faleminderit!