INTERVISTA/ Flet deputeti Xhemal Qefalia: Opozita duhej të mbështeste negociatat. FMN, hashashi, çështja Xhafaj, protestat dhe zgjedhjet e parakohshme

867
Sigal

Jakup B. GJOÇA

28 qershori nuk vendos asgjë për vazhdimësinë e qeverisjes socialiste

A nuk do të ishte më mirë edhe për shqiptarët, që kryeministri e lideri i opozitës të shkonin bashkë nëpër kancelaritë e Evropës dhe të kërkonin për Shqipërinë hapjen e negociatave, sepse kjo nuk i shërben qeverisë, por Shqipërisë?!

Deputeti socialist Xhemal Qefalia, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë, se hetimi ndaj Agron Xhafës nuk duhet lidhur me postin e vëllait të tij si ministër i Brendshëm, ndërsa Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit, si askush tjetër, për t’u gjykuar pa mbrojtje. Deputeti Qefalia thotë, se 28 qershori nuk vendos asgjë për fatin e qeverisë socialiste, edhe nëse nuk hapen negociatat.

– Zoti Qefalia, cilat janë shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve në llogaridhënien e qeverisë socialiste?

– Që të jem i sinqertë, në të gjitha llogaridhëniet që kemi dhënë, ka shumë vërejtje, nga banorë, që janë për burokraci dhe vonesa ndaj atyre drejtuesve të institucioneve, që nuk u shërbejnë si duhet dhe sa duhet qytetarëve, që i zvarritin, pse jo, edhe me efekte korruptive, për të përfituar ata diçka nga qytetarët. Pra, qytetarët ankohen ndaj administratës në përgjithësi, që nuk punon me cilësinë e duhur.

– A ka kontradikta në qeverisjen e deritanishme socialiste. Ndihma ekonomike për familjet dhe individë në nevojë është e papërfillshme, për më tepër që ju jeni të majtë, ndërkohë që shteti paguan nga buxheti qindra milionë euro në vit koncesione?

– Këtu janë 2 gjëra të ndryshme. Për ndihmën ekonomike është ndërmarrë reformë, duke luftuar rastet e abuzimeve. Ndërsa për koncesionet, pyetja juaj është disi provokative, pasi koncesionet janë dhënë konform ligjit dhe nuk ka të bëjë me zvogëlimin e ndihmës ekonomike.

– Buxheti i shtetit paguan qindra milionë euro në vit për koncesione, ndërkohë që shkurtohet buxheti për ndihmën sociale, këtu është problemi.

– A nuk shkojnë koncesionet në shërbim të nevojave të qytetarëve? Koncesionet detyrojnë partnerin privat, që ka marrë shërbimin ndaj qytetarëve, që t’u shërbejnë sa më mirë. Unë mendoj që koncesionet nuk dëmtojnë buxhetin e ndihmës ekonomike. Kuptohet, që standardi dhe niveli ekonomik i shqiptarëve nuk është në nivelin e vendeve të zhvilluara. Kjo dhe kaq është mundësia reale dhe ekonomike që kemi ne. Qeveria jonë bën gjithçka, që t’u shërbejë qytetarëve.

– Pse FMN-ja e kritikon qeverinë e Ramës, për koncesionet, duke dhënë alarmin, se ato, veç dëmeve të tjera, rrezikojnë të rritin edhe Borxhin publik?

– FMN-ja ka opsionet e saj. Qeveria jonë ka programin e vet ekonomik, për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të vet. Qeveria jonë është e sinkronizuar në programin e vet ekonomik dhe shifrat tregojnë që rritja e nivelit ekonomik ka ardhur në progres dhe kjo duhet evidentuar.

– FMN-ja ka propozuar për qeverinë socialiste një paketë të rritjes së taksave, kudo dhe kjo a nuk bie në kundërshtim me premtimet ekonomike dhe sociale për ulje taksash, rritje ndihme sociale që jep kryeministri Rama, tani në llogaridhënie?

– Ne, pavarësisht këshillave që na jep FMN-ja, ajo që është e rëndësishme dhe evidente dhe duhet të ndodhë, është që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse rritja e shumë taksave do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike në tërësinë e saj. Edhe, në ato raste, ku mund të ketë rritje taksash, ato duhet t’u rikthehen qytetarëve. Po marr rastin e taksave të pushtetit vendor. Shikoni, sa është investuar në ndërtimin e shkollave të reja, në përmirësimin e infrastrukturës, gjelbërimit etj.

Zoti Qefalia, a mund të pranojë qytetari tani, që reforma në drejtësi dha drejtësi, kur protestuesit kuksianë janë ende në burg, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, është i lirë, ndërkohë që hetohet për bashkëpunim me trafikantë ndërkombëtarë te drogës?

– Nëse do të shpreheshim me konkluzionet të tilla, ne do të merreshim me atributet dhe të drejtat e gjykatave dhe pyetja juaj e kalon misionin e gazetarit, sepse ne i përkasim një filozofie tjetër qeverisjeje. Në qeverinë tonë socialiste, kryeministri nuk është më as kryegjyqtar, as kryepolic dhe as kryeprokurori. Sistemi i drejtësisë ka filluar katharsin, nga reforma në drejtësi që ndërmori qeveria jonë. Është non sens që ju të merrni për analogji rastin e protestuesve të Kukësit dhe ish-ministrit të Brendshëm.

– Përse është non sens?

– Nuk jemi ne, autoriteti që gjykon e vlerëson, qeveria nuk përcakton masat e gjykatës. Tani gjykatat, prokuroria nuk marrin më urdhra nga qeveria. Ju këmbëngulni tek ish-ministri i Brendshëm. Dorëheqja nga mandati I Tahirit është një veprim kurajoz, askush tjetër, as Basha nuk e flaku mandatin, që të gjykohej pa imunitet. As ata që vranë në Gërdec dhe 21 janar 2011. Tani, hetimet ndaj Tahirit tregojnë që provat kundër tij veniten, sepse gjykatat e vendosin.

– Po qytetarët protestues të Kukësit e meritojnë të jenë ende në burg?

– Absolutisht nuk e mendoj që të ndalemi tek qytetarët e Kukësit. Nëse ata kanë kryer një akt vandal, kanë shkatërruar, e vendos gjykata, nëse do ketë ndëshkim. Nuk vendos, as gjykoj dot unë , as si deputet, por as ju, si gazetari i “Telegraf”, nëse me të drejtë ose pa të drejtë ata ende janë në burg.

Por, është vetë kryeministri Rama që shpesh herë publikisht lakon vendimet e gjyqësorit dhe të prokurorisë. Kjo a nuk është ndërhyrje e Ekzekutivit ndaj Drejtësisë?

– Ndërhyrjet e kryeministrit janë ndërhyrje publike dhe fakti që ato vërtetohen, që gjyqtarë dhe prokurorë flaken jashtë sistemit të drejtësisë, si të korruptuar, është realiteti. Kryeministri nuk kërcënoi, nuk ushtroi presion ndaj Gjyqësorit.

– Dorëheqja e Tahirit nga mandati i deputetit, a nuk i bën deputetët socialistë, që votuan “Jo” në tetor, të ndjejnë përgjegjësi?

– Deputetët, dhe Komisioni Parlamentar, për Verifikimin e Mandateve e kreu detyrën konform ligjit. Tani vendimi i Tahirit është personal. Tani ai është i vetëm përballë akuzave. Nuk kërkon asnjë lloj mbrojtjeje nga askush, ndaj deri tani akuzat ndaj Tahirit janë politike, për momentin.

– A është e vërtetë, që Gjermania ushtroi presion ndaj kryeministrit, që Tahiri të arrestohej?

– Unë nuk mendoj se kjo është e vërtetë, sepse, ndryshe, do të quhej ndërhyrje e jashtme në sistemin e drejtësisë shqiptare.

– Disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit provohet që kanë bashkëpunuar me trafikantët e drogës. A kanë qenë këto segmente të strukturave të shtetit në shërbim të krimit?

– Nuk e kam këtë konstatim që strukturat e shtetit të kenë bashkëpunuar me krimin, ndryshe, do të ishte kapja e shtetit nga krimi.

– A mundet prokuroria të hetojë zyrtarisht akuzat për trafikim ndërkombëtar të Agron Xhafaj, kur vëllai i tij është ministër i Brendshëm?

Çfarë lidhje ka hetimi zyrtar i prokurorisë ndaj Agron Xhafës me qenien e vëllait të tij si ministër? Vetëm në kohët e diktaturave mund të persekutohej gjithë familja.

– Pavarësisht, ka apo jo të drejtë Opozita të cilësojë qeverinë si të “e krimit” e të “drogës”, a mendoni se është tani koha të protestojë, kur kemi përpara 28 qershorin? Ju, a dyshoni, se opozita nuk e do hapjen e negociatave?

Në kushte normale, do ta mirëkuptoja opozitën, për çdo akuzë ndaj qeverisë. Por, meqë jemi pak ditë larg nga vendimmarrja për hapjen e negociatave, kur kemi vite të tëra që e aspirojmë, duhet edhe opozita të ridimensionojë rolin e saj në të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Mënyra sesi po vepron konkretisht opozita, më lë të dyshoj që brenda saj, segmente të caktuara të opozitës, nuk kanë dakortësinë, që Shqipëria të ketë qasje në Bashkimin Evropian. Opozita dështoi në protestën e pardjeshme, por ajo duhet të ringrihet, duhet të bëjë protesta, që të zgjohet demokracia, por jo të bëjë protesta në këtë moment, që t’u thotë botës, se Shqipëria është vendi i krimit, dhe të vrasë negociatat.

– Nëse ndodh që në 28 qershor nuk hapen negociatat, a duhet të kemi ndryshime të qeverisë për shkak të dështimeve të reformave apo zgjedhje të parakohshme parlamentare?

– Unë mendoj, që nuk qëndron as njëra, as tjetra, nga çfarë pyetët. Shqiptarët i kanë dhënë me votëbesim 4 vjeçar PS-së të qeverisë.