INTERVISTA/ Fejzo Subashi: Duhet vetëm një dekoder për të gjitha kanalet, shteti duhet t’u paguajë shqiptarëve pajisjen digjitale

1351
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Digjitalizimi, duke u bërë vetëm mbi motivin dhe detyrimin, duhet bërë se e kërkon BE-ja, jo me arsyen e vërtetë përse duhet bërë, jo vetëm nuk bëri zgjidhjen me mundësinë më të mirë, por solli vështirësi dhe pasoja të mëdha, sidomos për qytetarin dhe shikuesin

Fejzo Subashi, analist në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se është detyrim i shtetit që të paguajë qytetarëve edhe aparaturën e dekoderit, derisa secili paguan taksë për televizionet. Madje, zoti Subashi shprehet se duhet të ketë vetëm një dekoder për të gjitha kanalet e lira, ndërsa qeveria nuk duhet të ngarkojë me doganë dekoderët, që të mos rritet kostoja, ndërsa çmimi nuk mund të vendoset dhjetëra herë më shtrenjtë sesa kostoja plus norma e lejuar e fitimit.

– Zoti Subashi derisa shqiptarët paguajnë taksë për RTSH-në, a duhet të paguajnë për pajisjen me dekoder, për të parë televizionin publik dhe televizionet që kanë leje kombëtare?

– Qytetarët shqiptarët, duhet të pajisjen me dekoder, për të parë jo vetëm Televizionin publik, por të gjitha kanalet televizive, qofshin ato kombëtare, apo lokale. Përmbushja e këtij misioni madhor, nuk është lëmoshë e Pushtetit dhe Shtetit ndaj qytetarëve, por detyrim dhe e drejtë Kushtetuese. E drejta kushtetuese nuk blihet. Natyrisht, që procesi i digjitalizmit është një proces i rëndësishëm, i domosdoshëm për shumë arsye madhore, në përputhje me qëllimin, objektivat e realizimit të tija. Por, si ndodh rëndomtë në Shqipëri, për çdo proces, ku tjetër gjë është qëllimi dhe tjetër gjë synojmë dhe tjetër objektiv kërkojmë të arrijmë. Qëllimi dhe rëndësia e këtij procesi është se çdo vend ka pasuri të tij, një kontingjent frekuencash, që natyrisht ato janë të limituara. Për përfitime sa më shumë prej tyre, duke jetuar edhe në shekullin e teknologjisë dhe perfeksionimit të saj, me një menaxhim më të mirë, krijohen risi dhe mundësi për fitime të mëdha në këtë drejtim. Reforma e digjitalizimit i shumëfishon Shtetit dhe pushtetit, për sa më shumë hapësirë mediatike, por edhe përfitime financiare. Ndaj prioritet i kësaj reforme është risi për qytetarin, teleshikuesin, por shumë fitimprurëse edhe për Shtetin. Ndaj ky proces është objektiv i BE-së dhe në vende të ndryshme të saj ka kohë që ka mbarur. Në Shqipëri, jo vetëm institucionet që janë kompetente për implementimin e tij, por në këndvështrimin tim vetë Ligjvënësi, që më Ligjin e miratuar prej tij, krijojnë hapësira, mundësi për pengesa reale që të arrihet qëllimi final i realizimit të këtij procesi, ndaj kemi jo vetëm shpërdorim kohe, por edhe pasoja të mëdha. Po kështu edhe qëndrimi, apo mbikëqyrja e organizmave ndërkombëtare në Shqipëri që monitorojnë këtë proces, apo reforma, nuk është ai i duhuri, apo minimumi që zbatohet në vendin e tyre. Por edhe vetë subjektet mediatike, nuk kanë qenë të qarta në kërkesat e tyre në kohën dhe momentin e formatimit të bazës ligjore, megjithëse, për hir të së vërtetës, jo të gjithë janë pyetur, apo u është marrë mendim. Duke parë këto mangësi, duke u bërë vetëm mbi motivin dhe detyrimin duhet bërë se e kërkon BE-ja, jo me arsyen e vërtetë përse duhet bërë, jo vetëm nuk bëri zgjidhjen me mundësin më të mirë, por solli vështirësi dhe pasoja të mëdha, sidomos për qytetarin dhe shikuesin. Me apo pa dashje, ju japim edhe mundësinë që subjekte të kësaj fushë të përfitojnë duke vendosur hegjemonin e tyre dhe eliminimin e mediave lokale. Të tilla risi sjellin pasoja, që qytetarët i vunë re në momentin e fikjes së kanaleve nga transmetimi analog. Një fenomen i tillë automatikisht çon në të kundërtën e qëllimit, jo të shtimit të kanaleve televizive, por në limitimin e tyre. Ku pakësimi i mediave, çon në pakësimin dhe dobësimin e informimit të qytetarëve, një fenomen ky që në vetvete është fenomen tipik i sistemit të diktaturave. Në lidhje me pyetjen tuaj a duhet të paguaj qytetari për dekoderin kur paguajnë taksë për Televizionin Shtetëror unë jo vetëm gjykoj, por e them fort dhe bile më forcë të madhe, megjithëse nuk ka lidhje fare qëllimi i taksës që ju përmendeni me dekoderin. Ky është një proces që e bën shtetit, ndaj dekoderat si në shumë vende të Botës që e kanë bërë këtë proces, duhet të jepen falas. Është detyra numër një e Shtetit dhe çdo pushteti, informimi, ngritja e nivelit, etika, morale, kulturore, ndërgjegjësimi qytetare, etj, për qytetarët e vendit të vetë. Sa më shumë të kontribuojmë në këtë drejtim, aq më shumë bëjmë për Vendin për Kombin. Por në lidhje me taksat që paguajmë, në fakt ka një problemë ku: Jo vetëm që paguajmë taksa dhe nuk përfitojmë ndonjë program që vërtet kanë nevojë qytetarët, por na mungon edhe informimi i detyrueshëm i Shtetit dhe pushtetit në lidhje me çdo gjë, që ka të bëjë me qytetarin, që nga taksat, njoftimet, apo vendime. Këto realizohen nëpërmjet spoteve televizive, të cilat sigurohen nga taksat e qytetarëve, e kame fjalën për reklamat shtetërore, dhe qytetari i shikon në kanale me pagesë, apo këto reklama i fitojnë individ dhe subjekte private, të cilat paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptar.

– A duhet të lejojë shteti që një pajisje dekoder me kosto 3 Euro të shitet 30 Euro?

– Unë e thashë më sipër Shteti duhet t’jua jap falas dekoderat qytetarëve të vetë, nuk duhet të mjaftohet me atë se u kemi dhënë tetëdhjetë mijë familjeve në nevojë. Familjet në nevojë janë ata që marrin asistencë, por ligji për asistencën thotë nëse ke televizor, nuk merr asistencë, atëherë kush janë në nevojë? Kush i ka marrë këta dekodera? Tetëdhjetë mijë familje maksimumi bëjnë 300 000 banorë, pra maksimumi një e dhjeta e popullsisë që jeton në Shqipëri, çfarë progres është ky? Ky është qëllimi, motivi, objektivi i këtij ligji, këtij procesi? Natyrisht, që ne jemi qytetarë të këtij vendi dhe i njohim hapësirat dhe mundësitë reale dhe burimet financiare të tij. Nëse nuk ke mundësi t’jua japësh falas, Qeveria duhet t’i shesë në kosto. Mos të vërë doganë, por aq sa blihen në Kinë, shto dhe koston e transportit dhe jepua qytetarëve në koston e tyre që maksimumi shkon 7 deri në 10 Euro.

– Ju si e shpjegoni pse duhet të pajisen shqiptarët më dy a më shumë dekodera për të parë televizionet publike?

– Ky është shqetësimi më i madh i qytetarëve. Me hapësirat, mangësitë që ndeshëm te ky ligj, apo me mefshtësinë, me mosdëshirën, apo impenjimin e nevojshëm, më e këqija institucionet që kanë kompetencën dhe detyrimin ligjor të implementimit të këtij ligji dhe procesi më shumë u shërbejnë vasalëve, sesa realizimit të procesit të digjitalizimit. Ligji e ka parashikuar, ka edhe vendime në lidhje me këtë çështje. Dekoderat duhet të jenë universal dhe të unifikuar, ku qytetari me një dekodër duhet të shikojë të gjitha kanalet televizive, bile sipas numrit të renditur nga institucioni i lincencimit. Qytetarët, duhet të shikojnë falas, pa as një kacidhe nga xhepat e tyre të gjitha kanalet e licencuara, qofshin kombëtar, apo lokal, pasi frekuenca që ata shfrytëzojnë është pronë e vetë qytetarëve. Kurse për programe të tjera të cilat vijnë nga frekuenca të tjera e të financuar nga subjektet private, nëse qytetari dëshiron t’i konsumojë, natyrisht që duhen paguar. Por vetëm dhe vetëm në një dekoder, kjo është taksative, ligjore, kushtetuese. Pse nuk bëhet? Këtë e dinë vetë qytetarët, më mirë nga unë, megjithëse unë edhe këtë përgjigje jam munduar ta shpjegoj më sipër.

– Pse shteti financoi digjitalizimin e TV private? Ato janë biznese private, përse të subvencionohen nga taksat e shqiptarëve për modernizimin e tyre?

– Këtu kemi një keqkuptim, apo keqinformim. Shteti nuk financon subjektet private mediatike për procesin e digjitalizimit, por u jep një mundësi dhe hapësirë tjetër, më të mirë në përputhje me kërkesat e kohës, këtyre subjekteve në realizmin e veprimtarisë së tyre mediatike, që natyrisht është edhe veprimtari tregtare. Por këto subjekte, të cilat kanë investuar për këtë veprimtari, ku më të fituar kanë qenë qytetarët dhe vendi, ky proces u nxjerr subjekteve jashtë loje dhe u çon miliona dëm investime. Po ashtu procesi i ri kërkon miliona të tjera investime të domosdoshme. Ky proces, përveç risive për konsumatorin, sjell ashtu siç e përmenda edhe më sipër, mjaftë risi edhe resurse financiare për vendin. Ndaj subjekteve private, demi i shkaktuar nga ky proces duhet t’iu kompensohet, ashtu si në çdo vend të Botës. Po e konkretizoj më një shembull të thjeshtë: Një qytetar ka përfituar tok nga shteti mbas viteve 90-të, ku as e ka blerë, as ka paguar qira, apo diçka tjetër. Shteti për arsye dhe nevoja publike, bën një rrugë, apo një investim tjetër. Në këtë rast shteti e kompenson dhe jo pak, por me çmimin e tregut sot, dhe për mua mirë bënë. Ose dikush, qoftë qytetar, person fizik, apo juridik, në mënyrë të pa ligjshme ka ndërtuar një kioskë në tokën e shtetit, apo privatit. Shteti ja ka legalizuar, por për nevoja publike Shteti ja prish dhe e kompenson sa frëngu pulën, Por subjektet mediatike, apo në fjalë, që kanë paguar taksa për më shumë se 20 vjet për këto frekuenca, kanë investuar miliona e miliona lekë në teknologji, kanë paguar taksa, kanë ndërtuar me dhjetëra antena, kjo jo vetëm për nja afat kohor të shkurtër, por për një afat të gjatë, ku shteti natyrisht për interesa të shtetit dhe qytetarëve i nxjerr jashtë përdorimit, si mos t’i kompensoje. Natyrisht që është detyrim ligjor dhe duhet t’i kompensoj, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me subvencionim, por me kompensim të asaj që i është dëmtuar.