INTERVISTA/ Enton Abilekaj: Kambanat bien për atë që politikisht lejoi kanalizimin e vendit. Tahiri, Xhafa dhe diktatura e korrupsionit

617
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Rilindja socialiste është diktatura e korrupsionit

Këmbanat bien për atë që e ushtroi vullnetin politik për kanabizimin e vendit dhe ky është Kryeministri, askush nuk mund të ketë vullnet mbi kryeministrin, as Saimir Tahiri, as Fatmir Xhafaj

Enton Abilekaj, opinionist, kryeredaktor i televizionit FaxNews në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se, kur vendet e BE-së, sidomos Gjermania e Franca kërkojnë nga Shqipëria që të thellojë reformat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, këmbanat bien për viktimat, që janë vetë shqiptarët, që do vuajnë pasojat. Zoti Abilekaj, thotë se, nëse Shqipëria duhet të ecë përpara drejt BE-së duhet të thotë emrat e veçantë kush e kanabizoi Shqipërinë, dhe përgjegjësia këtu bie mbi kryeministrin. Projektligji për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave, zoti Abilekaj e cilëson një krim, që bëhet me ligj, për të mos u ndëshkuar askush. Ndërsa për reformën zgjedhore, zoti Abilekaj shprehet se e vetmja reformë që duhet që të mos vidhet vota, të mos deformohet procesi zgjedhor është që partitë të mos kenë asnjë ndikim në asnjë nga proceset e votimit dhe të mos kenë vullnetin për ta përdorur procesin, ta deformojnë votën për të fituar zgjedhjet.

– Zoti Abilekaj, për kë bien këmbanat, kur shtetet e BE si Gjermania Hollanda Franca etj i kërkojnë Shqipërisë të thellojnë reformat e Luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

– Në fund është Shqipëria që fiton ose vuan. Cilido që të jetë vendimi i Gjermanisë, Francës, Holandës apo Danimarkës, në fund janë shqiptarët e thjeshtë, të paprivilegjuarit që do t ‘i ndiejnë pasojat. Këto janë kambanat e vërteta, ato që kanë të bëjnë me mirëqenien, me thelbin, bërthamën e gjithë zhurmës që e vesh çdo ditë jetën e varfër të njerëzve. Ata do t ‘i vuajnë dhe, meqë i referoheni Heminguejit, viktima nuk do të jetë nga politika, as nga biznesi, viktima do të jenë fatet e shqiptarëve, që kanë mbetur si njerëz pa atdhe, në kërkim të një jete minimaliste. Nëse nuk do të reagojmë, nëse nuk do të dimë të vëmë përpara përgjegjësisë, ata që e shkaktojnë këtë, atëherë kambanat do të bien gjithmonë për ne. Politikisht, është e qartë që ata kërkojnë emra, ashtu si ne pyesim prej vitesh. Për çdo krim duhet një emër në një shtet ligjor. Nëse Shqipëria duhet të bëjë një hap më shumë drejt BE, duhet të tregojë që ka shtet ligjor, pra duhet të japë emrat e atyre që e kanabizuan vendin ne 2016 dhe që vazhdojnë të favorizojnë trafiqet, jo prej paaftësisë qeverisëse, por prej vullnetit politik. Në këtë kontekst këmbanat bien për atë që e ushtroi vullnetin politik për kanabizimin e vendit dhe ky është Kryeministri, askush nuk mund të ketë vullnet mbi kryeministrin, as Saimir Tahiri, as Fatmir Xhafaj.

– Si e gjykoni projektligjin e qeverisë për të dhënë një firme të përcaktuar që në ligj koncesionin e ndërtimit të kullave duke gremisur Teatrin Kombëtar?

– Projektligji është një rast i paprecedent, jo vetëm në Shqipëri. Në historinë më të keqe të Botës, atë të diktaturave, ka pasur projektligje të ngjashme, ose më mirë simetrike. Diktaturat kanë hartuar ligje, për të dënuar një shtresë, apo etni të caktuar, për ta përjashtuar nga shoqëria, për ta burgosur, apo syrgjynosur. Ky është një rast i kundërt. Një ligj për të pasuruar dikë me asetet publike. Kjo nuk është si diktaturat e mëparshme, të bazuara në ideologji. Është diktaturë e korrupsionit. Ndryshe nuk mund të punonte 20 vjet për ta shndërruar Teatrin Kombëtar, si simbol i Kombit në një biznes ndërtimi, nuk do shpenzonte kaq shumë energji për të përçarë shoqërinë, për të korruptuar artistët e për të kontrolluar mediat, në shërbim të një biznesi. Kur dalin dhe gënjejnë publikisht se godina e Teatrit po sëmur aktorët, se nuk ka asnjë vlerë historike, se qeveria nuk ka para për të ndërtuar një Teatër Kombëtar, siç i ka hije edhe vendit më të varfër të botës, nuk duken si të zgjedhurit nga populli. Duken si të zgjedhurit nga një klikë, nga një grup biznesmenësh të pangopur, që sic thotë Oskar Wilde, dinë çmimin e gjithçkaje, por vlerën e asgjëje. Ata nuk e shohin Teatrin Kombëtar si burimin shpirtëror të një kombi, por shohin truallin e tij si një biznes qindramilionësh eurosh. Dhe do të fitojnë, se përballë kanë një grup të vogël njerëzish, artistë të skenës, aktivistë dhe publicistë, që e kanë vështirë të rezistojnë. Mes shkopit dhe karotës që ofron klika, një pjese tashmë ka nisur vrapin drejt karotës, një pjesë ka nisur vrapin t’i shpëtojë shkopit. Ata pak që kanë mbetur nuk do të kenë fuqinë e mjaftueshme për të shmangur këtë krim. Ky është një krim, që do të hyjë në histori, por për të cilin askush nuk do të ndëshkohet, sepse është një krim që do të bëhet me ligj. Kjo është arsyeja e hartimit të projektligjit

– A mund të quhet Reformë zgjedhore pa ndryshuar sistemin zgjedhor dhe pa depolitizuar Administratën Zgjedhore?

– Këto 27 vjet që nga zgjedhjet e para pluraliste kanë treguar se zgjedhjet e lira nuk kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por me vullnetin politik. Në 31 mars të 1991, kur kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte Rexhep Mejdani, i caktuar nga Partia e Punës, Partia Demokratike nuk reklamoi vjedhje votash. Humbi thellë se shoqëria nuk ishte gati që në më pak se 4 muaj nga pluralizmi politik të ndryshonte krah. Qytetet e mëdha votuan PD në mënyrë plebishitare, Ramiz Alia humbi në Tiranë përballë Franko Krroqit të panjohur, por askujt nuk i shkoi ndërmend të ndërhynte në proces, për të deformuar votën në favor të Presidentit të kohës. Ato ishin zgjedhjet e para dhe të fundit pa ndërhyrje në proces. E vetmja mundësi, që të mos ndërhyhet është që partitë të mos kenë asnjë ndikim në asnjë nga proceset e votimit dhe të mos kenë vullnetin për ta përdorur procesin, ta deformojnë votën për të fituar zgjedhjet. Kështu, reforma zgejdhore vetëm sa duhet të përjashtojë totalisht partitë nga procesi. Këtu lind problemi që nuk ka një administratë zgjedhore të pavarur dhe të besueshme, të pandikuar nga partitë. Shoqëria është e infektuar politikisht dhe administrata publike është më e infektuar se shoqëria. A mund të zgjidhet kjo? Është pothuajse e pamundur. Vitet e fundit, përveç problemeve të ndërhyrjes në proces, është shtuar edhe blerja e votës, që bën procesin të pavlefshëm, sado i ndershëm të jetë. Nëse bëhet identifikim, votim dhe numërim elektronik për të shmangur deformimin e votës gjatë procesit, blerja e votave e bën këtë para procesit. Pastaj elektronikisht vetëm sa certifikohet një rezultat i deformuar nga ata që nuk bëjnë fushatë elektorale, nuk japin ide për zhvillimin e vendit, nuk marrin angazhime para njerëzve, por lëvizin natën me makina me para, për të paracaktuar rezultatin. Shfrytëzojnë varfërinë dhe zhgënjimin e njerëzve nga politika, për të shtuar varfërinë dhe zhgënjimin, duke marrë pushtetin pa dhënë llogari. Shfrytëzojnë pavlefshmërinë që ka vota e qytetarëve për të ndryshuar të ardhmen, për t’i dhënë një çmim votës dhe për të blerë pushtetin. Kjo nuk ka mundësi të ndryshojë me reformë zgjedhore.

– Si e shikoni Botërorin Rusia 2018 dhe cila kombëtare mund të dalë kampion?

– Botërori është i paparashikueshëm, mesa duket nga raundi i parë i ndeshjeve. Si tifoz i një skuadre që mungon në Rusi, kam luksin të zgjedh atë që luan më mirë. Gjermania ishte zgjedhja e parë, që besoj do t ‘i mbetem, me shpresën se do të luajë më mirë. Gjithsesi, mendoj që nuk duhet nënvlerësuar ëndrra e Messit për të dalë kampion bote. Ëndrrat e lojtarëve si ai, në përgjithësi dalin.

– Faleminderit!