Intervista “e zhdukur” e kreut të IFIMES: Ç’thotë për KESH dhe Ramën

648
Sigal

Pas largimit të papritur të drejtorit të KESH qëndron hija e një investigimi të IFIMES (Instituti Ndërkombëtar për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme), një organizatë shumë e njohur për analizat e ngjarjeve në këto dy rajone të trazuara të botës.

Drejtori i IFIMES Zijad Beçiroviç e kishte paralajmëruar publikimin e investigimit në fjalë në një intervistë për Albania Daily News, një gazetë e cila botohet anglisht dhe ka përhapje në selitë diplomatike dhe në ambjentet e ndërkombëtarëve në Tiranë.

Intervista nuk gjendej më online pas publikimit, por është siguruar një kopje të saj anglisht.

Pjesë nga kjo intervistë mund të lexoni më poshtë. Pjesa “e nxehtë” e saj që duket ka shqetësuar qeverinë ndodhet në pyetje-përgjigjen e fundit.

Intervista është dhënë për gazetarin Genci Mlloja:

– Z. Beçiroviç, sipas analizës tuaj, cilat janë pritshmëritë për një zgjidhje eventuale të mosmarrëveshjeve që vazhdojnë në rajon gjatë vitit 2019?

Maqedonia përfaqëson një shembull pozitiv dhe një histori suksesi. Unë nuk jam i sigurt nëse dialogu Beograd – Prishtinë do të përmbyllet këtë vit. BE ka hyrë tashmë në fushatën elektorale dhe zgjedhjet e ardhshme të datës 26 Maj 2019 janë në krye të rendit të ditës në të gjithë 27 shtetet anëtare, ndërkohë që nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me Brexit.

Në çdo rast, Kosova do të jetë një nga çështjet kyç kur vjen puna tek stabiliteti i rajonit.

Vizita e kohëve të fundit e Presidentit rus Vladimir Putin në Beograd tregon qartësisht synimin për ta bërë Serbinë dhe entitetin e Republika Sërpska bazat dhe bastionet kryesore ruse dhe si të tilla, burime të instabilitetit në rajon. Ideja joracionale e shkëmbimit të territoreve (d.m.th. korrigjimi i kufijve) e paraqitur nga Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi me mbështetjen e Edi Ramës do të kthehet në një fiasko. Edhe pas katër luftërash në rajon me synimin e rishkrimit të kufijve, asnjë nga kufijtë nuk ndryshoi një centimetër. Këta kufij u krijuan si rezultat i Luftës së Dytë Botërore dhe vullneti i superfuqive.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri, zgjedhjet në Greqi, zgjedhjet e parakohshme në Serbi, zgjedhjet presidenciale në Kroaci dhe zgjedhjet në BE do jenë përcaktuese për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Burokratët e Brukselit kanë pjesë të përgjegjësisë për një ndryshim në orientimin gjeopolitik në disa nga shtetet në rajon – thotë drejtori i IFIMES

– Të gjithë vendet e BP i mbahen aspiratës së tyre për t’u bashkuar me BE. Në këndvështrimin tuaj, cila është perspektiva e këtij procesi meqenëse vetë blloku po kalon një kohë të turbullt dhe qëndrimet pro dhe kundër zgjerimit mbajnë pozicione të pandryshuara? Kjo lodhje e zgjatur a ka ndikim negativ mbi pritshmëritëe vendeve aspiruese?

Procesi i integrimit në BE të vendeve jo-anëtare që mbeten në rajon është shterues për të gjithë palët. Me gjithë respektin për Bullgarinë dhe Rumaninë, është e njohur tashmë mënyra se si ata u bënë anëtarë të BE brenda natës.

BE, veçanërisht Partia Popullore Evropiane (PPE), kishin marrë sinjalin nga përtej oqeanit, dhe të shtetet u bënë anëtare me të drejta të plota. Kohët e fundit Bullgaria kishte një presidencë të suksesshme të BE. Unë mendoj që BE ka dështuar për të treguar një qëndrim të drejtë dhe korrekt ndaj vendeve të tjera në rajon kur vjen puna në dhënien e anëtarësisë.

Prandaj, burokratët e Brukselit kanë pjesë të përgjegjësisë për një ndryshim në orientimin gjeopolitik në disa nga shtetet në rajon. Shtetet joanëtare në rajon duhej të ishin pranuar si një paketë me procedurë të përshpejtuar kur 9.5 shteteve ju dha anëtarësia në 2004. Thashë 9.5 shtete sepse Qipro nuk u pranua si shtet i plotë. Unë shpresoj sinqerisht që zgjedhjet evropiane të Majit 2019 do të përcaktojnë një drejtim më të qartë që BE të ndjekë në të ardhmen dhe do të sigurojë një të ardhme më të sigurt dhe unë besoj që Brukseli do tëkuptojë më në fund dhe do të japë anëtarësi me procedurë të përshpejtuar shteteve të tjera në rajon. E njëjta gjë vlen dhe për NATO-n. Nuk ka kohë për të pritur.

– Z.Beçiroviç, a prisni që Presidenca rumune e BE do t’i japë një shtysë të re procesit të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor meqenëse platforma e saj nëmoton ‘Kohezion’ gjatë mandatit të saj gjashtë-mujor e ka përfshirë rajonin si një nga prioritetet e saj ashtu si Bullgaria dhe Austria bënë në presidencat përkatëse në vitin e kaluar?

Siç e thashë, Bullgaria drejtoi me sukses Presidencën e BE kohët e fundit. Edhe Rumania do të kryejë një punë të mirë. Në ato vende gjithçka ndodh në momentin e fundit. Pavarësisht instabilitetit të brendshëm, Rumania ka një aparat të fortë teknokrat evropian, i cili i ka fuqizuar zyrtarët rumunë që të kryejnë detyrat e presidencës.

Ka rëndësi thelbësore që Brukseli të tregojë vullnet të qartë politik për zgjerimin dhe të përshpejtojë hapat për dhënien e anëtarësisë së plotë shteteve jo-anëtare që kanë mbetur në rajon. A besoni që Kroacia është në një gjendje më të mirë se shtetet e tjera të cilat po presin anëtarësimin në BE? A besoni se në Siçili rendi ligjor evropian funksionon në kuptimin e vërtetë të fjalës? Ka shembuj të tjerë të shumtë brenda shteteve individuale anëtare të BE dhe rajonet e tyre. 

Kjo është arsyeja se përse them që rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe banorët e tij kanë vuajtur shumë padrejtësi dhe dëm nga BE. BE është një organizatë në zhvillim. Çdo organizatë në zhvillim përballet me probleme të shumta. Prandaj nuk ka justifikim që të mos vazhdohet me procesin e zgjerimit të BE.

– Zoti drejtor, a prisni ndonjë arritje në bisedimet Beograd-Prishtinë, veçanërisht me sfondin e ‘korrigjimit të kufijve’ të skemës Vuçiç-Thaçi, e cila duket që po merr mbështetje edhe nga disa fuqi të mëdha? A shikoni ndonjë mundësi që procesi tëzgjerohet me pjesëmarrjen e SHBA, Rusisë dhe Kinës në negociata?

Bisedimet Beograd-Prishtinë kanë mbetur pezull. Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi po përpiqen të zgjasin dialogun meqenëse kjo do të siguronte mbijetesën e tyre politike. Ata shpresojnë që duke mbajtur pezull dialogun ata do të mbeten në pushtet deri për zgjedhjet evropiane dhe formimin e administratës së re të BE, që do ju jepte një mundësi për një fillim të ri.

Hashim Thaçi po luan me fatin e shtetit të Kosovës, ndërsa Vuçiç nuk ka më asgjë për të humbur. I vetmi që mund të humbasë në këtë situatë është shteti i Kosovës. Unë nuk besoj që formati i dialogut Beograd-Prishtinë do të zgjerohet, edhe nëse të gjithë vendet e sipërpërmendura të marrin pjesë në të. Vuçiç dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare për të shtyrë bisedimet.

Veriu i Kosovës është një parajsë e krimit. Sipas disa vlerësimeve, rreth një miliard euro para të paligjshme fitohen atje përmes krimit. Ju mund të imagjinoni pushtetin e atyre që kontrollojnë këto flukse të parave të krimit – dhe ata vijnë nga qarqet politike.

Protestat qytetare në Shqipëri, Kosovë, Beograd dhe Banja Luka nuk janë një rastësi – thotë drejtori i IFIMES

– Si përfundim, z.drejtor, situata në Shqipëri vazhdon të bëhet më e polarizuar dhe në fakt në vitin 2018 përfundoi me protesta masive anti-qeveritare, të cilat po përshkallëzohen në ditët e para të këtij viti. Si një ndjekës i mprehtë i këtij vendi ballkanik, cili është parashikimi juaj për zhvillimet e ardhshme meqenëse qytetarët e tij do të shkojnë në votime në zgjedhjet lokale që do mbahen në qershor? A mendoni që Brukseli do t’i japë dritën jeshile hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE këtë vit?

Protestat qytetare në Shqipëri, Kosovë, Beograd dhe Banja Luka nuk janë një rastësi. Për momentin e ardhmja e rajonit kërcënohet kryesisht nga kuadrati Edi Rama – Hashim Thaçi (Veseli, Haradinaj) – Aleksandar Vuçiç – Milorad Dodik. Ata mbajnë funksionet më të larta politike dhe në të njëjtën kohë përfaqësojnë majën e zinxhirit të krimit. Ne po përballemi me fenomenin e quajtur kriminalizim i politikës dhe politizim i krimit.

Zgjedhjet e BE do të mbahen në Maj 2019, dhe vetëm pas tyre do të formohen institucionet evropiane, kështu që nuk ka të ngjarë që negociatat me Shqipërinë të fillojnë. Ne nuk duhet të harrojmë që Presidenti francez Emanuel Macron ka shprehur qëndrime të pafavorshme ndaj negociatave. Sigurisht, situata në Shqipëri është shqetësuese dhe aktivitetet dhe sjellja e Kryeministrit Rama po ngrenë shqetësime të mëdha. 

Ndryshimet në pozicionet ministeriale të kryera nga Rama pasqyrojnë pasigurinë e tij, megjithëse ai do të donte të jepte përshtypjen që është një kryeministër i vendosur i cili do të kënaqë qytetarët. Pavarësisht kësaj, veprimet e tij pasqyrojnë një krizë të thellë në qeverisje. Gjashtë muaj përpara se të miratojë vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE politika shqiptare po përjeton një krizë të rëndë, vendi ka shumë të ngjarë të shikojë protesta masive.

Ndërkohë që konsiderohej si djalë premtues kur erdhi në pushtet, Rama më vonë u bë simbol i strukturave inkriminuese. Perëndimi është informuar për arsyet se përse qendra më e madhe e biznesit të drogës në fshatin e Lazaratit u shtyp nga veprimi policor.

Supozohet gjithashtu se anëtarë të ngushtë të familjes së tij janë të lidhur me biznesin e energjisë, më saktë me tregtinë e energjisë me Serbinë. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë(EnCS) me bazë në Vienë është njohur me marrëveshjet jo-transparente dhe inkriminuese të tregut të energjisë elektrike. 

Korporata Energjetike Shqiptare KESH ka trajtuar në mënyrë të favorshme një kompani nga Serbia dhe një kompani nga Shqipëria partneri i biznesit të të cilës është familja Rama.

EnCS ka dërguar një letër me informacion të detajuar tek SHSHK (Shoqata Shqiptare e Konsumatorit). KESH po vepron në mënyrë diskriminuese ndaj kompanive të tjera duke favorizuar një kompani serbe dhe një shqiptare ndërkohë që kërcënon me çështje gjyqësore kompanitë e tjera që ajo pretendon se po i minojnë reputacionin.

Aktivitetet e KESH në tregun e shumicës po ngrenë shqetësime të mëdha. Ajo është bërë një pus korrupsioni dhe tregtie të paligjshme në Shqipëri. EnCS ka theksuar që është e një rëndësie jetësore që autoritetet shqiptare të merren me ankesat e ngritura nga kompanitë e tjera për të siguruar funksionimin e duhur të tregut dhe për të rifituar besimin.

Efikasiteti i autoriteteve kombëtare të konkurrencës dhe subvencioneve shtetërore në sektorin e energjisë nuk është i kënaqshëm. Autoriteti rregullator i energjisë ERE nuk ka kryer detyrën e tij sipas Ligjit 43/2015 Për Sektorin e Energjisë. Duhej të kishte filluar procedurat hetimore ndaj KESH, në mënyrë që të përcaktojë përfundimisht, përmes kontratave, regjistrave, dhe çdo prove tjetër ku ERE ka akses, ekzistencën dhe shtrirjen e manipulimit të plotë nga KESH të tregut shqiptar të energjisë, me shumicë dhe pakicë.

Ka manipulim të tenderave dhe shfrytëzim të kontratave ekskluzive, ku të dyja ofrojnë mekanizma dhe mjete për transferimin e paligjshëm të vlerës nga KESH tek një kompani private nga Serbia dhe një tjetre nga Shqipëria.

ERE-s i është kërkuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të parandaluar që këto aktivitete të vazhdojnë duke dëmtuar rëndë tregun shqiptar dhe konsumatorët fundorë. Pavarësisht seriozitetit të manipulimeve të ekspozuara dhe flukseve financiare të paligjshme që rezultojnë, ERE vetëm i ka filluar procedurat si rezultat i presioneve, por nuk ka ndërmarrë veprime serioze për të hetuar apo trajtuar problemet përkatëse.

KESH është bërë një pus korrupsioni dhe tregtie të paligjshme në Shqipëri – thotë Beçiroviç

Situata përkeqësohet më tej nga fakti që KESH ka hyrë në kontrata ekskluzive për vitet 2017 dhe 2018 me këtë kompani nga Serbia. KESH ka mundësuar që pjesëmarrës të privilegjuar të përshtasin ofertat e tyre finale përpara se të dorëzohen dhe të sigurojnë sasitë e disponueshme, duke qenë shumë të ndërgjegjshëm që këto oferta do të miratoheshin.

Për më tepër, KESH manipuloi çmimet përmes sinjaleve të pasakta, të rreme dhe mashtruese drejt tregut, duke ulur apo rritur në mënyrë të papritur dhe të pajustifikueshme sasitë e njoftuara paraprakisht, ndërkohë që tenderat ishin ende në proces apo gjatë dhënies së kontratës, dhe në të njëjtën kohë duke u dhënë pjesëmarrësve të privilegjuar njoftim paraprak mbi to.

ERE ende nuk ka miratuar ndonjë vendim në lidhje me ato procedura. Pyetja është se çfarë roli luan këtu Prokuroria shqiptare dhe përse nuk ka filluar procedurat ndaj personave përgjegjës, përfshirë anëtarë të familjes Rama? Përse EnCS nuk ka vendosur sanksione ndaj këtyre aktiviteteve?

Ne kemi përgatitur një hetim të detajuar për të gjithë këto probleme i cili do të botohet së shpejti. (dita)