Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për televizionin “Top Channel” nga Athina

374
Sigal

Presidenti
i Greqisë, Pavlopoulos, ju kërkoi përfundimin e procesit për ndërtimin e
varrezave greke. Por a mund të jepni ju sot ju përgjigje për këtë, apo do të
konsultoheni me Kryeministrin Rama?

Unë besoj se kjo
kërkesë e bërë nga Presidenti i Greqisë ka gjetur një zgjidhje në vetë
marrëveshjen midis dy vendeve dhe dy qeverive në fillimin e këtij procesi që ka
nisur prej kohësh dhe në vazhdimësinë e tij. Më lejoni t’ju kujtoj që vetëm pas
pak kohësh do të rimblidhet komisioni i përbashkët për këtë çështje. Ne jemi
një vend demokratik, jemi një vend evropian, ka standarde ndërkombëtare, të
cilat jemi angazhuar që t’i respektojmë dhe në këtë drejtim besoj se do të ecet
me vullnet pozitiv për të respektuar këto ndjeshmëri.

Folët
dje për qasje të ndryshme mes dy vendeve për çështjen çame. Por cila është
qasja juaj si kryetar i Kuvendit dhe si Kryetar i LSI-së?

Unë këtu jam si Kryetar
i Kuvendit me një delegacion të gjerë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë në
vizitën zyrtare pikërisht për të demonstruar vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë
për të kontribuar për një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesuese në
marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Klimë që nuk është vetëm detyrë e qeverive,
të cilat shpesh janë edhe në presione të ndryshme nga faktorë parlamentar,
publik në vendet respektive. Pikërisht me qëllim për të krijuar një terren sa
më të qëndrueshëm, i cili në radhë të parë na lejon të shfrytëzojmë gjithë
potencialet ende të pashfrytëzuara për të prodhuar më shumë rezultate në
marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në interes të dy vendeve dhe të
qytetarëve tanë. Njëkohësisht për të krijuar një terren sa më të qëndrueshëm
për të diskutuar në mënyrë konstruktive edhe shumë çështje që i trashëgojmë dhe
i mbartim nga një e kaluar e vështirë, siç ishte edhe çështja që ju sapo
përmendët, por edhe çështje të tjera, përfshirë këtu padyshim, sipas mendimit
dhe vlerësimit tim, edhe si Kryetar i Kuvendit edhe çështjen “Çame” apo
zgjidhjen përfundimtare të abrogimit të ligjit të luftës me Shqipërinë,
çështjet e të drejtave të shqiptarëve që kanë jetuar në Greqi

Dhe
meqë jemi këtu çfarë po negociohet mes jush dhe palës greke për ligjin e
luftës?

Nuk është çështje
negocimi. Jemi në një moment mjaft pozitiv të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe
ndërinstitucional midis dy vendeve, në radhë të parë për të dhënë kontributin
tonë maksimal për të krijuar një atmosferë sa më pozitive, larg tensioneve
artificiale. Njëkohësisht për të dhënë mesazhin e qartë ndaj cilitdo se marrëdhëniet
midis Greqisë dhe Shqipërisë jo vetëm duhet të jenë një model për të gjithë
marrëdhëniet rajonale në këto kohë sfidash në rritje për vendet tona dhe për
rajonin tonë, por njëkohësisht duhet të krijojmë sa më shumë lehtësi praktike
për të gjithë qytetarët tanë në interes të tyre. Në qoftë se kemi në
konsideratë faktin që pavarësisht nga niveli i kënaqshëm i integrimit të qindra
mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, përsëri ende ka disa probleme
dhe disa vështirësi praktike që ne shpresojmë të zgjidhen dhe të lehtësohen
sepse në fund fare, këto marrëdhënie, këto shkëmbime duhet të reflektojnë në
përmirësimin e jetës dhe të shërbimit ndaj qytetarëve tanë.