INTERVISTA/ Dr. Shkencave Hasan Cani: Riciklimi i mbetjeve është jashtë çdo kontrolli shtetëror

960
Jakup B. GJOÇA
Në Shqipëri Mjedisi prej vitesh vazhdon të jetë një temë shumë e nxehtë dhe e mprehtë dhe, e vënë përballë problematikave të vazhdueshme, pasi institucionet shtetërore nuk arrijnë të frenojnë ndotjen dhe shkatërrimin që bëhet çdo minutë ndaj tij
Dr. Shkencave Hasan Cani, ekspert mjedisor, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se institucionet shtetërore ende nuk kanë bërë asnjë analizë, se çfarë mbetjesh u dogjën në fabrikën e riciklimeve në Kashar, sa është ndotja, çfarë gazrash u çliruan, cili është rreziku për Shëndetin Publik, faunën dhe florën e Mjedisit. Zoti Cani nuk përjashton mundësinë që në riciklimin e mbetjeve në Shqipëri të vijnë edhe mbetje, për të cilat askush nuk di asgjë për to, nga vijnë, dhe çfarë rreziku përbëjnë për mjedisin. 
-Zoti Cani, cilat janë pasojat e vërteta të djegies së mbetjeve te fabrika e riciklimit për mjedisin dhe për shëndetin e njerëzve?
– Në radhë të parë, më duhet të theksoj se në Shqipëri Mjedisi prej vitesh vazhdon të jetë një temë shumë e nxehtë dhe e mprehtë dhe, e vënë përballë problematikave të vazhdueshme, pasi institucionet shtetërore nuk arrijnë të frenojnë ndotjen dhe shkatërrimin që bëhet çdo minutë ndaj tij. Për sa i përket pyetjes, më duhet të theksoj se “Mbetje të rrezikshme” janë lëndët toksike, gërryese kancerogjene dhe radioaktive, të përflakshme, ngacmuese, shpërthyese, të afta për të shkaktuar ndryshimin, ose krijimin e një lënde tjetër, që mund të jetë akoma më e rrezikshme. Duke pasur edhe cilësinë për të shpejtuar djegien e për të prishur gjendjen natyrore të ajrit, ujit, tokës, florës dhe faunës, ato ndikojnë në dëmtimin me pasoja shumë të rënda atë parikuperueshme drejtpërsëdrejti njeriun dhe të gjitha qeniet e gjalla në mjedisin natyror. Nga djegia e tyre ndodhin, emetime gazesh të rrezikshme për shëndetin e njeriut, si: COx, NOx, Sox, mbetje karbonike etj. Djegia e mbetjeve ndikon në sëmundje kancerogjene, aborte, probleme për fëmijë e të rritur për shkak të elementeve kimikë dhe toksikë, që ato përmbajnë, duke çuar deri në vdekje. Këto janë disa nga pasojat, që sjellin mbetjet, të cilat konsiderohen të rrezikshme, jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin. Pasojat e shkaktuar nga ndotja, si rezultat këtyre djegieve po ndjehen dita ditës në shëndetin e popullsisë. Po të shikojmë raportet e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) për vlerësimin e ndotjes së ajrit në botë, ku është dhe Shqipëria, aty deklarohet se sa shqiptarë kanë humbur jetën në vit si pasojë e ndotjes së ajrit. Se sa është vdekshmëria për çdo 100 mijë banorë. Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve, me shkak ndotjen e ajrit. Shumica e ndotjes së ajrit shkaktohet nga djegia e pakontrolluar e mbeturinave, toksike, kimikateve, mbetjeve spitalore, makinat etj.

-Mendoni se ka lëndë kimike, që ende nuk i dimë se ç’janë, nga që zjarri ishte shumë i menjëhershëm dhe vazhdoi gjatë? 
– Për këtë duhet ishin shprehur organet përkatëse të kontrollit dhe monitorimit, i cili duhej bërë që ditën e shfaqjes së zjarrit, ku t’i bëhej me dije publikut çfarë lloje mbetjesh dhe lëndësh me përbërje kimike riciklohen dhe cilat janë pasojat, kjo nuk ka ndodhur dhe në momentet që flasim. Në qoftë se vërehet tymi që dilte nga fabrika dhe era e keqe patjetër mendoj se ka pasur dhe lëndë kimike, por dhe sikur mos kishte lëndë kimike, djegia e mbetjeve të ndryshme shoqërohet me lëshimin e lëndëve helmuese, si ato që theksuam me lart. Këto gazra, kur bien në kontakt me ujin, tokën bimët dhe njeriun shkaktojnë pasoja të pakthyeshme në ekosistem. Djegia e mbeturinave sjell shpërbërje toksike, prej së cilës një përqindje e lartë shndërrohet në karbon, e ky i fundit ka rrezikshmëri të lartë të kancerit. Se cilat kanë qenë lëndët kimike, përcaktohen dhe nga analizat, që duhet të bëhen nga institucionet përgjegjëse, me qëllim që të ndërmerren masa për të ulur në minimum pasojat.

– Mund të ndodhë që ka në riciklim mbetje, të cilat nuk dimë se çfarë janë, nga vijnë në Shqipëri? 
– Në Shqipëri gjithçka që ndodh ne e marrim vesh nga mediat e huaja, kjo nuk përjashton dhe propabilitetin që gjithçka është e mundur. Kemi kompani që në fillim reklamohen si prestigjioze dhe vetëm kur dëgjojmë që shpallin falimentin dhe nuk dihen cilët janë dhe nga janë etj. Kjo ndodh, sepse administrimi i mbetjeve në Shqipëri është në një nivel shumë të ulët. Sistemet për grumbullimin e mbetjeve janë pajisur vetëm qytetet e mëdha, por dhe ato jo në nivelin dhe kërkesat e duhura, ndërsa në zonat zonat rurale kjo nuk funksionon fare. Nuk ka sisteme grumbullimi në zonat rurale dhe qytetet e vogla. Pjesa më e madhe e mbetjeve të këtyre zonave depozitohen nëpër lumenj ose në anë të rrugëve, të cilat transportohen nga ujërat dhe, në ketë mënyrë, zhvendosen në një pjesë tjetër toke dhe në fund në rrjedhat ujore. Mbetjet kryesisht asgjësohen në vend grumbullimet e mbetjeve në shumë raste të pa miratuara dhe jashtë çdo kontrolli. Me përjashtim të (landfill-eve të Sharrës, Maliqit dhe Bushatit) nuk ka vend-depozitime të tjera të planifikuara siç duhet. Deri më tani nuk ka një sistem të sigurt për administrimin e mbetjeve të rrezikshme (atyre të prodhuara nga industritë dhe ato shtëpiake). Mund të themi se sistemi i menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme është shumë i dobët dhe pjesa më e madhe e grumbullimit të mbetjeve kryhet nga sektori privat gjithashtu edhe impiantet e riciklimit janë në pronësi të sektorit privat. Duhet të theksohet se shumica e ujërave industriale dhe ujërat e zeza urbane qoftë në zonat urbane dhe rurale shkarkohen në liqene, lumenj, që derdhen më pas në dete gjë që sjell problematika në ekosistemet ujore, dhe nxisin rritjen e fitoplanktonit në ujëra duke shkaktuar uljen e oksigjenit të tretur, një përbërës mjaft i rëndësishëm i gjallesave ujore.

– Zjarri në fabrikë a evidentoi edhe faktin, se këto fabrika në Shqipëri janë jashtë çdo kontrolli nga institucionet shtetërore, që e kanë me ligj mbikëqyrjen e tyre?
– Më lejoni të theksoj se legjislacioni Shqiptar për Mjedisin është i plotë dhe, po thuaj i përafruar plotësisht me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Në legjislacion janë të përcaktuar qartë detyrimet dhe përgjegjësitë e cilitdo. Monitorimi dhe kontrolli duhet të jetë në nivelet më të lartë nga strukturat përkatës shtetërore të të gjitha niveleve dhe fushave përkatëse. Po të ishte bërë ky kontroll dhe monitorim nga ana e këtyre strukturave përgjegjëse jam i bindur se nuk do të kishim këtë katastrofë, qoftë për biznesin, qoftë për mjedisin dhe shoqërinë dhe më gjerë me masat që duheshin ndërmarrë do të ishte eliminuar plotësisht. 

– Sipas jush, përse fabrika e riciklimeve është lejuar të ndërtohet dhe funksionojë kaq afër qendrave të banimit dhe jo në periferi?
– Me sa di unë, në legjislacion janë të përcaktuar qartë vendet se ku mund të zhvillohen veprimtaritë të ndryshme ekonomike që paraqesin shkallë rreziku të ndryshme të ndikimit në mjedis, shoqërinë dhe më gjerë. Këto veprimtari kanë një distancë të përcaktuar nga qendrat e banuara, çdo veprimtari sipas përcaktimeve ligjore të natyrës së saj i nënshtrohet studimit paraprak dhe të thelluar në mjedis. Përpara se subjekti të ushtrojë veprimtarinë pajiset me të gjitha lejet ku një ndër lejet më kryesore është leja mjedisore, se pa këtë leje nuk mund të zhvillohet veprimtaria. Për rastin konkret strukturat përkatëse duhet të shprehen mbi zbatimin korrekt, apo jo, të ligjshmërisë në lidhje lejimin e ushtrimit të aktivitetit. Në qoftë se strukturat kanë shkelur ligjin duhet përgjigjen, përgjegjësia nuk duhet të jetë kolektive, por individuale. Në lidhje me afërsinë me qendrat e banuara, mendoj se nuk duhet të jetë afër tyre, por larg dhe në vende të sigurta. 

– A ka rrezik për shëndetin publik, një fabrikë e riciklimit e ndërtuar pranë qendrave të banimit, kur funksionon, qoftë edhe normalisht?
– Me duhet të theksoj se, jo çdo fabrikë riciklimi është e dëmshme, kjo varet nga lloji i mbetjeve që riciklon, teknologjia që ka dhe menaxhimi korrekt që bën. Fabrikat e riciklimit apo impiantet të tilla, që riciklon mbetje të dëmshëm dhe toksike në vendin tonë kanë rrezik dhe shumë të lartë, me pasoja të parikuperueshme dhe deri fatale për shëndetin e publikut. Ndikimi i tyre është sa i drejtpërdrejtë dhe aq i tërthortë, i drejtpërdrejtë për shëndetin e banorëve përreth nga ndotja e ajrit, por dhe i tërthortë për të gjithë banorët, që do të konsumojnë produktet bujqësore dhe blegtorale që rezultojnë nga këto zona të ndotura. Ndotja e tokës dhe ujit do të sjellë në mënyrë të pashmangshme dhe ndotjen e florës dhe faunës qoftë në zonën e ushtrimit veprimtarisë, por edhe më gjerë, deri në derdhje e përrenjve dhe lumenjve. Sa do normalisht të zhvillohet veprimtaria kurrë nuk mund të thuhet se ka ndikim zero në mjedis, por ndikimi duhet të jetë brenda parametrave, por kjo në Shqipëri nuk ndodh.
(Vijon nesër)
Sigal