Sigal

Në qoftë se do vazhdojë kështu edhe në vjeshtë, reforma në drejtësi do dështojë vetë. PS-ja ka qëllimin e mbrapshtë, që ta lërë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese, deri sa këta të mbarojnë të gjitha zullumet e veta. Shqiptarët sot janë nën dhunën e abuzivizmit të Edi Ramës dhe të bandës që ka përreth

 Dashamir Shehi, deputet dhe kryetar i LZHK-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se prokuroria nuk mund të hetojë çështjen e Agron Xhafaj, sa kohë vëllai i tij është ministër dhe Italia i bën një shërbim të vogël qeverisë, kur nuk pranon të analizojë audio-përgjimin. Zoti Shehi gjykon, se është më vështirë për Shqipërinë që në 2019 të hapen negociatat, pasi tani do të vendosin parlamentet e çdo vendi anëtar në BE. Zoti Shehi thotë se Opozita do t’u japë qytetarëve platformë alternative, vetëm po të këmbëngulë të ndryshojë sistemi zgjedhor aktual.

 – Zoti Shehi, çdo të thotë për ju, që Policia italiane nuk pranoi të bënte në laboratorët e saj analizën e audio-Përgjimit të vëllait të ministrit Xhafaj?

– Italianët nuk kanë dashur të ngatërrohen në një çështje, për të cilën shpeshherë, ata janë ndeshur; grupi i Habilajve është në Itali, vëllai i ministrit Xhafaj vuan dënimin në burgjet e Italisë, shumë çështje, në të cilën është përzier kriminaliteti ynë. I kanë bërë një favor, në njëfarë mënyre, kësaj qeverie.

Misteri i analizës së audio-përgjimit, a bind shqiptarët se do të bëhet nga prokuroria një hetim i pandikuar, për sa kohë vëllai i të akuzuarit Agron Xhafës të jetë ministër i Brendshëm?

– Unë gjykoj që jo, edhe për këtë, por edhe për hetimin që bëhet ndaj ministrit Tahiri, Dhuna që është ushtruar mbi administratën publike, mbi organet e drejtësisë, mbi policinë shqiptare, të bind që asgjë nuk do të bëhet për zbardhjen e së vërtetës. Cili është ai polic, që do hetojë shefin e vet? Të gjitha këto hetimet që bëhen janë të gjitha formale. Këta e dhunojnë përditë sistemin shtetëror. Këtu ndodhin përditë ngjarje skandaloze, ndërhyn me komente kryeministri për çështje që janë ekskluzive të prokurorisë dhe gjykatës. Pa u rrëzuar i gjithë sistemi, sigurisht, që as ka dhe as do ketë drejtësi.

– A mendoni se do të ketë reflektim, për çështjet, si mosdënimi i krimit, i korrupsionit, të cilat ishin shkaqet pse BE-ja nuk hapi negociatat me Shqipërisë për anëtarësim?

– Unë besoj që këtu nuk do të ketë asnjë reflektim, sa të jetë Edi Rama kryeministër me bandën që e rrethon, unë nuk kam asnjë besim që edhe në 2019-n BE-ja do të na hapë negociatat për anëtarësim, sepse ato kushte që ata kanë vërë sërish, Shqipëri nuk i bën dot kurrë me këtë qeveri. Dhe ajo që thonë tani me kaq zhurmë, se na u caktua një datë, na del tani, që as kjo nuk është e vërtetë, sepse data brenda javës lëvizi 6 muaj, meqë nga qershori I 2019-s, tani na thonë, që nga fundi I 2019-s dhe me kushte të shumta, tregojnë që edhe ajo është një gënjeshtër e madhe, që e shpërndajnë disa diplomatë të Ramës, sepse nuk kishte asnjë vendim, që hapeshin në qershor të 2019-s. E ne shqiptarët, presim deri në dhjetor 2019 si do jetë marrëdhëniet dhe realitetet e rreja politike brenda BE-së në 2019-n.

Kushti i BE-së, për të cilën në Shqipëri askush nuk e përmend, që tashmë do të jenë parlamentet e çdo vendi anëtar i BE-së që do ratifikojë vendimmarrjen për Shqipërinë, a e vështirëson problemin për Shqipërinë?

– Unë them, që tani gati e bën të pamundur. Ishte ndryshe, kur vendimet i merrnin thjesht kryeministrat dhe presidentët. Tani, duhet të bindësh deputetët e çdo vendi anëtar të BE-së, të cilët, duke dëgjuar përditë, lajmet për drogën, për krimin, për korrupsionin në Shqipëri, natyrisht, që do dalin grupe parlamentare, që do votojnë sërish kuhdër Shqipërisë. Neve, ato 5 kushte, që na kërkoi Evropa për integrimin, hetimin e Tahirit, hetimin e Xhafës, nuk deshëm t’i bënim, por me kokëfortësi i mbyllëm derën Evropës, vetëm e vetëm, për të ushtruar pushtetin maksimal dhe kjo e bëri Evropën skeptike ndaj Shqipërisë. Tani, që Evropa do të na monitorojë me lupë, as që bëhet më fjala për integrim.

– Tani, çfarë do bëjë opozita? Vetë, krye/opozitari Basha ka premtuar që Opozita do të sillet ndryshe ndaj kësaj maxhorance nga data 29 qershor.

– Opozita duhet të vazhdojë betejën për denoncimin e krimit, korrupsionit të kësaj qeverie dhe në vjeshtë, opozita paralele me këtë, duhet të japë një platformë alternative.

– Çfarë të përmbajë kjo alternativë e opozitës?

– Çfarë mendon për shtetin shqiptar, si mund ta shpëtojë nga ky rrënim, për një Kushtetutë të re, për një rol të ri të institucioneve, për përmirësimin e sistemit gjyqësor, për ngritjen e atyre mekanizmave që do dënonin të paktën, formalisht, korrupsionin në Shqipëri, për një ligj që të ndryshojë sistemin zgjedhor. Opozita të afrojë një platformë të madhe shtet-formuese shqiptarëve. Një platformë të madhe ekonomike, ku shqiptarëve t’u rritet shpresa për të qëndruar në Shqipëri të thyhet ky grup prej 10 oligarkësh, që lidhen me 5 ministra, që kanë vënë në kontroll gjithë ekonominë dhe protestë të pandalur, deri në rrëzimin e Ramës si kryeministër.

– Çfarë ka ndryshuar këto ditë, pas 28 qershorit 2018 tek opozita?

– Këtu nuk janë më thjesht diskutim çështjet e pushtetit, se cili do vijë, a do të kemi mundësi të alternohemi. Këtu janë çështje të mbijetesës së shtetit shqiptar. Ne e shikojmë, sesi këta po e shkërmoqin përditë drejtësinë, për të ndërtuar pa ndërtuar kurrgjë të re, duke vënë vetëm njerëzit e tyre brenda sistemit të drejtësisë, sit a përdorin drejtësinë kundër kundërshtarëve të tyre politik dhe për të mbuluar zullumet e tyre. Duhet të reagojmë bashkërisht të gjithë shqiptarët, jo kur të ndahet pushteti, sepse kur të shkërmoqet i gjithë shteti dhe ekonomia, nuk ke më se çfarë të ndash. Të mos lejojmë që Edi Rama ta marrë zvarrë gjithë shtetin shqiptar, ekonominë, kursimet e shqiptarëve, arsimin, kulturën, siç po ndodh me Teatrin Kombëtar. Lufta në vjeshtë e opozitës është të mbrojmë atë që ka mbetur nga shteti shqiptar me shpresën, që mund ta rindërtojmë sërish Shqipërinë.

– A ka përgjegjësi PD-ja, derisa ka dakordësi me PS-në që të mos ndryshojnë Kodin Zgjedhor?

– Sigurisht, që ka, dhe vetëkorrigjimi i opozitës duhet të fillojë nga Kodi Zgjedhor. Kodi aktual Zgjedhor është sanksionimi me ligj i pushtetit të kryetarit të partisë, është përjashtimi me ligj e së drejtësi së qytetarëve nga e drejta për të votuar me emër kë kandidat do ai për deputet. Është kufizimi me ligj i të drejtave dhe lirive të qytetarit. Në qoftë se PD-ja nuk kërkon të ndryshojë këtë Kod Zgjedhor, do të thotë se ka mentalitet të njëllojtë me këtë maxhorancë. Këto janë tezat e mëdha politike, për të cilat opozita duhet të reflektojë dhe e vetmja platformë alternative që Opozita duhet t’u japë qytetarëve.

– A e mendoni që është Pazar për ndarjen e pushtetit, midis PD-PS, nëse ata ruajnë këtë Kod Zgjedhor?

– Zoti Basha na ka premtuar, që në shtator, në këtë Komision Parlamentar të Reformës Zgjedhore, sepse deri tani ky komision nuk ka bërë asgjë dhe mandati i tj do të shtyhet, sepse e ka të pamundur teknikisht të mbyllë edhe këto tema që ka ndërmarrë, do të fillojë problemi i ndryshimit të sistemit zgjedhor.

– Cilat janë alternativat e Opozitës për zgjidhjen e ngërçit në Gjyqësor dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm?

– Ne afrojmë edhe më shumë, që ato që u bënë gabim me reformën në sistemin e drejtësisë, tani t’i korrigjojmë në vjeshtë. Të fillojmë që nga Prokurori i Përgjithshëm me votë cilësore në parlament, dhe të shikojmë me mënyrë konsensuale, si të zgjedhim organet që i mundojnë sistemit të drejtësisë. Kjo maxhorancë nuk do konsensus për asgjë, por duan të emërojnë këta të gjithë, me mënyrë selektive, siç kanë bërë deri tani.

Jakup B. GJOÇA