INTERVISTA/ Dashamir Shehi: Asnjëherë shteti nuk ka qenë në gjunjë para krimit, siç ndodh sot. Ndryshim sistemit zgjedhor

784
Jakup B. GJOÇA

Kryetar i LZHK, Dashamir Shehi: Asnjëherë shteti shqiptar nuk ka qenë në gjunjë para Krimit, siç ndodh sot
Rama është një personazh i parëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Është thjesht një centron, që për t’u bërë interesant, vesh atlete dhe brekushe edhe në ceremoni zyrtare ndërkombëtare, thotë batuta, që të tërheqë vëmendjen dhe bën përditë nga një gomarllëk në kurriz të Shqipërisë.
Dashamir Shehi, deputet i Opozitës dhe kryetar i KLZH-së në intervistën për gazetën “Telegraf” thekson se akuzat e Ramës për financimet e Bashës nga rusët, për lobingje në SHBA është një nga akuzat më të pakuptimta, pasi bëhen nga ata që ende kanë në shtëpi në korniza Stalinin. Mosfunksionimi i reformës në Drejtësi, dhe amullia në institucionet e Gjyqësorit, sipas zotit Shehi i intereson Ramës, pasi ai administron amullinë për t’i bërë më lehtë presion institucioneve të përkohshme e të paqëndrueshme të Gjyqësorit. Zoti Shehi shprehet se, nëse kryetari i PD-së nuk punon për ndryshimin e Kodit aktual Zgjedhor, siç ka premtuar, atëherë ai do të dorëhiqet nga Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore. 

-Zoti Shehi, edhe sot PS-ja akuzoi se është “çadra” e Opozitës që pengon Reformën në Drejtësi. Sa vërtetësi ka kjo akuzë?
– Unë gjykoj që nga gjithë tezat e marrisë dhe budallallëkut të socialistëve që kjo është më e pakuptimta. Çadra u ngrit për një funksion politik dhe pjesërisht arriti rezultatet e veta, përtej idesë së gabuar të marrëveshjes, ky ka qenë mendimi im, por reformën në drejtësi, PS-ja, edhe në qoftë se nuk na pëlqen neve, i ka të gjitha numrat në parlament dhe mundësitë për ta kryer. Në fakt, siç e dëftoi edhe Koha, një pjesë e institucioneve të Gjyqësorit u ngritën pa konsensusin e Opozitës, duke i vënë një njollë sistemit të drejtësisë, duke krijuar dyshime, ende pa filluar reforma. Unë gjykoj se PS-së i intereson kjo amulli brenda sistemit të drejtësisë, me qëllim që ta administrojnë këtë amulli në sistemin e drejtësisë, sepse duke qenë në shumicë në qeveri dhe në parlament, e kanë më të lehtë t’i bëjnë presion një drejtësie të papërcaktuar deri në fund, institucioneve të paqëndrueshme të Gjyqësorit, që ende nuk janë bërë ta pavarura nga politika. Dhe kjo amulli bën që të mos ketë pushtete të tjera të pavarura, siç duhet të ketë një shtet demokratik, madje do ta vazhdojë këtë amulli edhe ndonjë vit tjetër, derisa t’i afrohet zgjedhjeve të tjera parlamentare. 

– Përse PS-ja e do akoma amullinë në sistemin e drejtësisë?
– Sepse duke munguar një drejtësi e pavarur, e përcaktuar në mënyrë definitive me institucionet e veta, pushteti i vetëm absolute në Shqipëri mbetet pushteti i PS-së dhe i Edi Ramës. Duke i përcaktuar gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë të drejtpërdrejtë, sigurisht do të ndihen në shumë vështirësi të kryejnë drejtësi. 

– PS-ja akuzon PD-në se nuk e do reformën në drejtësi, ngaqë i trembet drejtësisë për korrupsionin dhe keqqeverisjen e saj 8-vjeçare. Sa qëndron kjo akuzë?
– Unë do ta uroja që të ishte kjo e vërteta, mirëpo edhe kjo akuzë çalon. Sigurisht, para drejtësisë do japin llogari të gjithë, edhe ish-ministra, edhe ish-deputetë, edhe ish-pushtetarë që kanë qeverisur për 8 vjet, edhe PD-ja, edhe Opozita të vetëpastrohet. Mirëpo, nuk mund të bind askënd, që kjo drejtësi e reformuar do të merret vetëm me të kaluarën dhe aspak me të tashmen dhe këta pushtetarët socialistë nuk tremben fare për korrupsionin që ka sot qeveria e tyre, kur qindra milionë euro nga ata konsiderohen të parëndësishme. Sot vetëm iniciatorët janë mbi 150 milionë euro abuzime, të mos harrojmë pastaj për kokainën, kanabisin, për policët që arratisen. Asnjëherë shteti shqiptar nuk ka qenë në gjunjë para Krimit, siç ndodh sot. Ndaj PS-ja bën zhurmë që të fshehë pengesat që i vë ajo Drejtësisë. 

– Ambasadori amerikan Lu, pohoi që tashmë reforma në drejtësi funksionon, derisa “peshku” i madh është pronari i kompanisë së bananeve që solli kokainën në Shqipëri. Ta besojmë?
– Ambasadori Lu na ka premtuar “peshq” të mëdhenj politik. Dhe unë shpresoj se SHBA-të do ta mbajnë fjalën. Për kriminelë që janë shumë të rrezikshëm, Shqipëria ka plot. Këtu ka njerëz që kanë vrarë nga 10 veta dhe bëjnë xhiro pazarit. Unë gjykoj që “peshqit” të mëdhenj janë kryeministra, ministra dhe ish-ministra, deputetë, zyrtarë të lartë. Shqiptarët rrinë me shpresë që SHBA do të ndihmojnë që të çojnë në drejtësi këtë kastë politikanësh të korruptuar. Shqiptarët reformën në drejtësi e duan që njerëzit e pushtetshëm, që kanë korruptuar dhe nuk janë dënuar asnjëherë, të shkojnë në gjyq. Të dënojmë kriminelë ordinerë, nuk kishim nevojë për reformë në drejtësi. 

– Cili është qëllimi i vërtetë politik, që PS-ja akuzon fort Bashën për lobingun?
– Kjo është një tezë për t’u larguar vëmendjen nga korrupsioni i vet, nga kanabisi dhe kokaina. Shqipëria që qeveris Rama është një vend që nuk punon, është një vend që tashmë prodhon disa elementë korruptivë. Papunësia ka arritur kulmet e mjerimit, nuk janë hapur as 10 vende të reja pune, prandaj socialistët sajojnë përditë nga një “kauzë” për ta mbajtur popullin e Rilindjes me shpresën që “ ne po mundohemi, por nuk na lenë të huajt, opozita”. Tani nuk ka më justifikim për qeverisjen Rama për krimin, papunësinë, korrupsionin, dhe tani po na dalin armiq rusët. Kjo është e gjitha dhe kjo na bën për të qeshur dhe qarë. Këta që akuzojnë sot rusët janë fëmijët e atyre që kanë studiuar në Rusi dhe kanë korniza në shtëpitë e tyre akoma Stalinin dhe akuzojnë Qendrën e Djathtë Shqiptare, e cila tradicionalisht ka qenë nacionale, kundër prezencës ruse në Shqipëri, jo shumë për ideologji, por për raportin që kemi pasur në Ballkan, për çështjen e Kosovës. Vetëm Enver Hoxhës mund t’i pillte kaq ide perverse, sa të akuzojë të Djathtën për pro-rusë. 

– Sa pro-amerikan është kryeministri Rama, i cili në zgjedhjet elektorale presidenciale të SHBA këshilloi amerikanët të mos votonin kandidatin Donald Trump për President, sepse ai është i rrezikshëm për Kombin Amerikan dhe Botën?
– Kjo duket sikur i japim vlera Ramës, që është pro-perëndimor, anti-rust, demokrat kundër republikanëve. Absolutisht, jo. Rama është një personazh i parëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Është thjesht një centron, që për t’u bërë interesant, vesh atlete dhe brekushe edhe në ceremoni zyrtare ndërkombëtare, thotë batuta, që të tërheqë vëmendjen dhe bën përditë nga një gomarllëk në kurriz të Shqipërisë. Ky është halli kryesor. Rama nuk është as pro-amerikan, as anti-amerikan. Ky është thjesht një i korruptuar, që bën zhurmë për të mbrojtur lëkurën e vet. 

– A duhet të vepronte prokuroria jonë, si palë e interesuar pranë drejtësisë amerikane dhe të rihapte dosjen e Bilal Shehut, i dënuar në SHBA për lobing për llogari të kryeministrit Rama?
– Këtu ka njerëz që janë dënuar për lobing për Ramën dhe nuk bëhet zhurmë fare. Te akuzat e PS për lobing të Bashës nuk kemi të qartë asgjë, njëherë për njëherë, përveç deklaratave mediatike dhe një histerizëm i tillë politik dhe mediatik nuk ka pasur asnjëherë. Ky histerizëm grotesk dëshmon sa në vështirësi është Rama përpara së vërtetës. Unë do të uroja që Basha, drejtësia ta sqarojë këtë situatë, që të mos përdoret si armë nga aventurierët pushtetarë. 

– Zoti Shehi, kemi të afërt raportin e OSBE dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, për zgjedhjet parlamentare të 2017-s, të cilat referuan për blerjen e votave. Kush i bleu votat në zgjedhjet parlamentare të 2017 në Shqipëri?
– Zgjedhjet i blejnë ata që kanë paratë. Qeveria shqiptare, ata që mbollën dhe kultivuan kanabisin, i cili infektoi një pjesë të mirë të shtetit, policin, punëtorin, gjykatësin, prokurorin. Nuk është puna, që kanabisin e mbollën dhe e trafikuan 2-3 grupe kriminale.

– Pse nuk veproi drejtësia shqiptare që të zbardhë blerjen e votës?
– Akoma nuk e kanë bërë procesin e rinovimit dhe fatkeqësisht, ndryshimet e fundit në drejtësi janë bërë tërësisht nën influencën politike të PS-së. Unë kam besimin, që edhe kjo drejtësi e mbushur me militantë socialistë, do të detyrohet një ditë, nën presionin e ndërkombëtarëve, të reagojë. Edhe sikur të dojë banda e Ramës, nuk do t’i shpëtojë dot rrjetës të ndërkombëtarëve. 

– Flitet për reformë të re zgjedhore. Është në dakordësi kryetari i PD-së Lulzim Basha për zhbërjen e Kodit aktual Zgjedhor e të Listës së Kryetarit të Partisë për deputetë?
– Ne kemi pasur një premtim solemn, politik nga zoti Basha, që këto janë zgjedhjet e fundit që bëj unë si kryetar i PD-së. Zgjedhjet e ardhshme, deputetët do t’i zgjedhin qytetarët, votuesit. Fatkeqësisht, deri tani, edhe prezenca e PD-së në Komisionin Parlamentar Zgjedhor nuk ka dhënë sinjale pozitive, premtuese. Unë uroj, që të ndryshojnë pozicion, uroj që ajo marrëveshje e errët e 2008-s të përfundojë, që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta që të zgjedhin, jo vetëm partitë, por të votojnë edhe njerëzit që do hyjnë në parlament, që gjithë procesi zgjedhor e votues të jetë transparent dhe kjo jo vetëm në favor të disa partive alternative, por të jetë në favor të shqiptarëve. 

– Mos vallë edhe vetë kryetari i PD-së ka marrëveshje të heshtur në prapaskenë me kryetarin e PS-së që të kenë monopolin partiak mbi Listat e Deputetëve?
– Në qoftë se zoti Basha nuk do reagojë kundër këtij sistemi zgjedhor aktual, do të jetë bashkëfajtor në vazhdimësi dhe këtu, pastaj, do të shpjegojë që ka interesa të mëdha, të mos u japin mundësi as shqiptarëve të votojnë njerëzit që ata duan t’i përfaqësojnë në parlament. Ndryshe unë personalisht, nuk do të doja të rrija më në Komisionin Parlamentar Zgjedhor. Nuk dua të bëhem butaforik të një situate politike të paracaktuar. 
Sigal