INTERVISTA/ Artan Fuga: Akademia e Shkencave nuk mund të reformohet nga Skënder Gjinushi

104
Jakup B. GJOÇA
Gazetar i “Telegraf”

Nuk është normale, që një kryetar partie politike të kryesojë punën për reformimin e Akademisë së Shkencave
Në qoftë se Akademia e Shkencave nuk gjen dot pozicionin e vet ku të kontribuojë për shoqërinë, por shndërrohet në një vend, ku harxhohet paraja publike për të dhënë privilegje një grupi njerëzish, nëse ata nuk janë në gjendje dot ta argumentojnë dhe ta japin këtë kontribut, institucioni duhet të prishet
Sapo akademiku Artan Fuga dëgjoi se isha gazetari i “Telegraf “dhe dëshiroja ta intervistoja, menjëherë m’u përgjigj: “ Gazeta Telegraf! Sa mirë. E lexoj. Kam respekt për opozitarizmin e saj!”. Unë e njihja në distancë akademikun Fuga dhe admirimi im për personalitetin e tij, është formuar për kurajën qytetare dhe intelektuale që tregon publikisht, për të mbrojtur TË DREJTËN, ndaj kujtdo, edhe pse, siç më pohoi në bisedë akademiku Fuga, “sa herë është dëmtuar, ka humbur, i janë privuar të mirat materiale, por këto as që e kanë bërë të ndryshojë karakterin”. Dhe është po kaq njerëzor, dashamirës, i sjellshëm me këdo, sa thua se është njeriu i zakonshëm që ndeshim çdo ditë në rrugë. Nëse do të jepja një epitet për akademikun Artan Fuga, pas takimit tim të parë, do të thosha: “Njeri i madh”. Akademiku Fuga, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shpjegoi gjithë mekanizmin e përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit për t’iu imponuar akademikëve plane të tjera për reformimin e Akademisë së Shkencave, duke arritur deri aty, sa t’iu japin atyre një projektligj të gatshëm, pa u konsultuar dhe t’iu kërkojnë akademikëve ta miratojnë për 72 orë. Akademiku Fuga pohon se vetë reformimi i Akademisë së Shkencave është i paragjykuar politikisht, që kur emërojnë kryetar të komisionit të caktuar nga shteti, një kryetar partie politike (Gjinushin), i cili me gjithë kontributin e vet shkencor, ka 30 vite që është shkëputur nga shkenca. Akademiku Fuga zbardh edhe pikat e errëta të projektligjit të ri për reformimin e Akademisë, duke i kundërshtuar fort ato, sikurse nuk pranon që të kemi akademikë të përjetshëm, dhe as që Akademia e Shkencave të ketë …institute. Akademiku Fuga argumenton përse Reforma në Arsimin e Lartë është e dështuar. 

-Prof. Fuga, sa kontribuojnë sot akademikët në zhvillimin e Shqipërisë?
– “Akademikë”, ju kuptoni, ata që kanë titullin “Akademik?”

– Kuptoj personalitetet e shkencës, kulturës, të shoqërisë dhe që gëzojnë reputacion shoqëror, nga kontributi, jo aq, ata që kanë medaljon titujt e akredituar?
– Ka disa arsye për këtë. Arsye është që ka të bëjë me modelin global të shoqërisë së sotme. P.sh, në infrastrukturat teknologjike, ne shumë të tilla i kemi të importuar, nuk është se kemi një strukturë prodhuese të nivelit teknologjik të lartë, që do të kërkonte kontributin, p.sh të inxhinierëve, të teknikcientëve të lartë. Arsyeja tjetër, ka të bëjë, me atë që një pjesë e ekonomisë shqiptare shumë e madhe, është ekonomi e vogël, e mesme dhe sigurisht, që investon pak në përmirësimin e teknologjisë dhe të inovacionit teknologjik. Mos të harrojmë që një pjesë e ekonomisë është bujqësia, është e prapambetur. Për sa i përket modelit shoqëror dhe transformimet sociale…

– Këtu, e kisha qëllimin e pyetjes…
– Që ta them mendimin tim, hapur fare, ne jetojmë në një shoqëri masash. Jemi në një demokraci, që nuk është demokracia e intelektualëve. Kur them këtë, do t’i referohesha O’Diskont, themeluesit të pozitivizmit në fund të shekullit të 19-të, e shumë autorëve të tjerë, që O’Diskont u thotë që një shoqëri në kushtet e teknologjisë duhet të udhëhiqet nga elita teknike, elita akademike. E pra, nuk rezulton kështu te ne. Demokracia te ne ka gjithë avantazhet, por duhet kuptuar në thelbin e vet. Duhet thënë “demokraci masash”, është “shoqëri masash”, që do të thotë që, kur shkohet në votime, një intelektual, sado i ditur është, ka të njëjtën të drejtë vote si ai njeriu shumë i nderuar, por mund të jetë pa arsim fare, mund të jetë edhe me gjysmë shkolle. 

– Çfarë ndodh nga ana e ligjësisë së brendshme në të tilla demokraci dhe shoqëri masash?
– Partitë politike nuk e llogaritin fare intelektualin.

– Pse nuk e llogaritin intelektualin?
– Sepse në votim, iu intereson vota e masës dhe me masën Partia nuk ka nevojë të japë argumente intelektuale me vlera shkencore. Me masën dimë që janë të rëndësishme aksionet politike, janë partizanët politikë, janë interesat e vogla, sepse njerëzit janë hallexhinj, është blerja e votës, por unë shikoj që janë edhe interesa të tjera, siç janë punësimi, ose beneficet e tjera, që e kushtëzojnë. Dhe në këtë këndvështrim, pritshmëria tek intelektualët është iluzion në një shoqëri, siç është kjo jona, por intelektuali mund të bëjë studime. Problemi është është, se reformat e mëdha nuk janë bërë në Shqipëri prej 30 vjetësh me kontributin e studiuesve. Unë dje pata një diskutim në Akademinë e Shkencave, në grupin e punës dhe iu thashë, që ju keni propozuar një projektligj dhe më thoni nëse keni një relacion shoqërues që bën analizën e gjendjes në Akademinë e Shkencave, në bazë të së cilës ju strukturoni një kuadër ligjor të ri. Drejtuesi i grupit të punës (Skënder Gjinushi) më tha: Çfarë kuptimi ka që projektligji të bazohet në një studim. E kuptoni?! Te ne vazhdon mentaliteti që politikani i di të gjitha. Politikani është edhe pushtetar, dhe tribunë popullore që i flet masës, madje edhe gazetar që ka median e tij me vete, është edhe administrator, edhe mendimtar, edhe gjithçka. Ky është mentaliteti i sekretarit të parë të Partisë Komuniste. 

– Shumë tituj e grada shkencore (për)fitohen sot. Kujt i vlejnë, derisa pohoni që kontribuojnë pak?
– Kontributi i shoqërisë është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e titujve dhe gradave shkencore që jepen. Por, dua të them, që nuk jam i mendimit që nuk ka doktoratura të mira, nuk ka studime të mira, herë pas here, por ato i shërbejnë karrierës akademike brenda institucioneve shkencore dhe kjo vjen për arsye, sepse në parametrat e matjes të punës shkencore bota universitare dhe akademike dhe institucionet janë të mbyllura në vetvete dhe nuk ka disa parametra të tjera, si për shembull: Ky studim, kjo doktoraturë shkencore çfarë kontributi do të ketë për shoqërinë, çfarë efekti financiar do të ketë, cilat organizma janë të interesuara për studimin tënd, çfarë fuqie aplikacioni do të ketë. 

– Konkretisht, cilat janë parametrat e sotëm të matjes së punës shkencore?
– Çfarë artikuj ke botuar në revistat e huaja. Nuk është keq të botosh, por kjo do të thotë, sa i aftë je të komunikosh dhe jo sa me vlerë e ke studimin dhe nuk është një revistë që mund të vlerësojë punën shkencore. Puna shkencore vlerësohet nga të ngjashmit, nga kolegët, nga debate. Këtu ka edhe një moment tjetër, që në institucionet shkencore tek ne nuk ka oponencë.

– Prof. Fuga, ju si e vlerësoni veprimin e kryeministrit Rama, për të ndërprerë financimin shtetëror të Akademisë së Shkencave, nëse nuk reformohet?
– Jam dakord. Nëse nuk e ndërpret atë financim, do të bëjë një dëm. 

– Çdo të thotë kjo?
– Do të thotë, që një institucion që nuk reformohet si duhet, dhe unë, sigurisht, jam pjesa e Akademisë dhe dua që Akademia të ekzistojë, jo vetëm për vete, por edhe për brezat, për shoqërinë, por, në qoftë se Akademia e Shkencave nuk gjen dot pozicionin e vet ku të kontribuojë për shoqërinë, por shndërrohet në një vend, ku harxhohet paraja publike për të dhënë privilegje një grupi njerëzish, nëse ata nuk janë në gjendje dot ta argumentojnë dhe ta japin këtë kontribut, institucioni duhet të prishet. Nuk jemi në kohën e privilegjeve, as në kohën e honorifiteve, as në kohën e posteve honorifiteve. Jemi në një shoqëri që shpërblimin e merr kundrejt një pune që bën. Unë kam guximin të them, që në qoftë se Akademia e Shkencave nuk reformohet, nuk ka kuptim që të ekzistojë. 

– A paragjykohet politikisht reformimi i Akademisë së Shkencave, kur kryetari i një partie politike (ca më shumë aleat politik i kryeministrit), konkretisht Gjinushi, të jetë në krye të grupit të punës për reformimin e saj?
– Nuk është normale, dhe unë këtu ndaj dy gjëra. Dihet që kryetari i grupit që ka caktuar Ministria e Arsimit, është anëtari i Akademisë, është një njeri që ka një formim të lartë në matematikë, sipas titujve dhe gradave që ka marrë, unë absolutisht, nuk bëj vlerësim të karrierës personale të atij apo këtij personi, por ja, që realisht, është akoma kryetar partie. Mirë, apo keq, sipas bindjeve dhe lirisë së tij, ka kontribut në politikë, ka pasur poste të larta në pushtet, një kontribut tërësisht dhe unë nuk jam ai që e gjykoj, as për mirë, as për keq, nuk është detyra ime, nuk kam mundësi ta gjykoj dhe nuk kam sesi e gjykoj, por nuk e gjej normale, që, duke qenë kryetar i një partie politike, të caktohet aty ku e kanë caktuar, dhe për më tepër, duke qenë i shkëputur nga kërkimi shkencor prej 30 vitesh, nuk është normale që të udhëheqë reformimin e Akademisë së Shkencave. 

– Çfarë doni të thoni?
– Unë do të doja, do të dëshiroja, o njërën, o tjetrën. Të dyja nuk mund t’i bëjë njëkohësisht. 

– Prof. Fuga, pak më lart përmendët, që ministria caktoi komisionin e reformimit të Akademisë së Shkencave. Pyes: Përse t’i përcaktojë ministria e Arsimit ata dhe jo bashkësia akademike?
– Këtu është procesi pak i komplikuar. Në fillim, në nëntor Akademia, në mirëkuptim me zotin kryeministër dhe sipas kërkesave, që unë i kam formuluar, zoti kryeministër pranoi që Akademia të reformohet, duke u ngritur një komision ad-hoc nga asambleja e Akademisë, me mandatin e asamblesë. Unë propozova një mënyrë tjetër, që ministria dhe akademia të ngrinin një komision mirëbesimi, i cili, pasi Akademia të bënte punën dhe ky komision të bënte punën, të kalonte punimi në asamble dhe ky komision mirëbesimi, që do krijohej nga njerëzit a Akademisë edhe nga ministria, sepse ministria ka përgjegjësi për të çuar projektligjin, por nga ana tjetër, Akademia e Shkencave është institucion autonom dhe nuk varet nga ministria e Arsimit dhe unë thashë, që të dyja këto bashkë, komisioni ad-hoc i asamblesë të ndërmarrë përpunimin e mendimeve për reformën e Akademisë dhe të krijohet një komision, një komitet mirëbesimi midis Akademisë dhe ministrisë së Arsimit, me anëtarë të caktuar nga të dy palët. Dhe kështu, eci në një moment puna. Në një moment të dytë, pa pritur, ministria e Arsimit krijon një komision tjetër, të saj. 

– Pa u konsultuar me Akademinë e Shkencave?
– Nuk mori asnjë mendim, as konsultim. Asambleja e Akademisë kishte dhënë propozimin e krijimit të një komisioni të përbashkët të mirëbesimit dhe në dhjetor nga kryesia e Akademisë u hodh ideja që ky komision ad-hoc i Akademisë të bënte statutin, misionin e Akademisë së Shkencave, kurse projektligjin ta bënte ky komision i mirëbesimit. Këtu pati një ndryshim, që unë nuk isha dakord, sepse vendimi i dhjetorit kundërshtonte vendimin e nëntorit. Dhe ministria krijoi një komision që quhet komision shtetëror. 

– Dhe çfarë ndodhi?
– Këtu, në këtë komision shtetëror për reformimin e Akademisë së Shkencave caktohen njerëz të tjerë nga ministria e Arsimit dhe merren edhe akademikë nga komisioni ad-hoc. Që në këtë moment, unë u thashë, që këtu ka një konflikt interesi. Një person, o do përfaqësojë asamblenë dhe Akademinë, o do jetë në komisionin e Ministrisë së Arsimit. Nuk mund të jetë njëkohësisht në të dy komisionet. Nuk mundet, që kryetari i komisionit ad-hoc, që është në Akademi të jetë edhe anëtar i komisionin shtetëror, që punon paralelisht. Dhe ndodhi ajo që pritej. Që komisioni i asamblesë ad-hoc u bllokua, nuk funksionoi. Dhe tani na vjen një projektligj, për të cilin, as asambleja, as komisioni ad-hoc nuk di asgjë.

– Thjesht, do të detyroheni ta miratoni?…
– Dhe, për 72 orë duhet ta miratojmë. 

– Çili është mendimi juaj, çfarë duhet të bëhet, që të reformohet Akademia e Shkencave?
– Për mua, e para, nuk mundet dot, që deri në moshën 75 vjeç akademiku të jetë akademik dhe pas 75 vjetësh të konsiderohet emeritus, por të jetë përsëri akademik, me kushtin që nuk zgjidhet, por ai voton dhe merr vendim. Kjo do të thotë akademik përjetë. Kjo nuk është e mundur. Mua më vjen keq. Kam respekt për të gjitha moshat, por edhe unë do të shkoj në një moshë dhe do dal në pension. Shkëputem nga kërkimi shkencor, shkëputem nga institucionet, po të kem ndonjë kontribut, do të shkoj ta jap, por, nuk mund të jem unë tani, në një moshë, që unë jam shkëputur nga kërkimi shkencor. Dhe kërkimi shkencor nuk bëhet në shtëpi. Sot kërkimi shkencor bëhet në laboratorë, bëhet në institucione, bëhet në ekip, bëhet në terren. Nuk mundem unë tani të jem 75 vjeç, 80 vjeç dhe të pretendoj se do të drejtoj shkencën e Shqipërisë. 

E dyta, thuhet që Akademia e Shkencave do të ketë institute. Njëherë u tha, që Akademia do të jetë pa institute dhe u futën nga “dritarja” institutet, që mund të krijohen edhe institute. Çfarë pune ka një grup akademikësh 30-40 veta, sado të nderuar të jenë, që nuk kanë lidhje me këto institute, që të drejtojnë këto institute. Institutet duhet të jenë të pavarur. Shqipëria ka institute, ka universitete, ka një ligj “Për Arsimin”, dhe puna kërkimore shkencore sot bëhet në këto institute kërkimore – shkencore. Këto institute kanë senatet e tyre. Tani duan të na kthejnë modelin e Akademisë së Shkencave të vitit 1972. Në ato kohë kishte një lloj kuptimi, që mbi institutet të kishte një grup akademikësh, që në fakt nuk ishin ata që i drejtonin këto institute. Ato i drejtonin organizata partie, organizata Fronti, kishte shërbime të fshehta, kishte Komitet Qendror të PPSH-së. Si mundet të konceptohet Akademia e Shkencave sot, siç duan ta pasqyrojnë në projektligjin që kanë paraqitur, që akademikët tanë të shkojnë në moshë 75 vjeç, 80 vjeç dhe të marrin pjesë në punimet e senateve, të këshillave shkencore dhe departamenteve të institucioneve shkencore, që nuk ka asnjë lidhje. Ky është koncepti vertikal dhe nuk mund të ekzistojë. Nuk ka sens. Nuk është parë asgjëkund. Thuhet në projektligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave, që këta akademikë do të japin këshilla qeverisë. Por, “harrojnë” që qeveria ka pafundësi institucione shtetërore të specializuara, ka universitete, institute, Çfarë kuptimi ka, që unë si akademik, do t’i jap këshilla qeverisë? Nuk ka sens. 
Vijon nesër
Akademiku Fuga në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegohet pse është dakord me përgjigjen cinike të kryeministrit Rama ndaj reagimit të artistëve për gremisjen e Teatrit Popullor, për sëmundjen politike të opozitës, pse BE duhet ta pranojë Shqipërinë edhe pa arritur standartet dhe reformat që kërkohen dhe pse Kodi Zgjedhor aktual është antikushtetues