INTERVISTA/ Arian Galdini: Shqipëria po kalon në epokën e të pacipërve

905
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Edi Rama na ka zhytur në epokën e Pacipërisë!

Arian Galdini, Pedagog dhe Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë

Qytetet drejtohen nga bandat. Banditët fitojnë tenderë, emërojnë kryetarë bashkie, deputetë, drejtorë policie, spitalesh, etj. Epoka e Pacipërisë dhe e Qeverisjes së Mafias Estetike duhet të marrë fund.

Arian Galdini Pedagog dhe Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kryeministri Rama është larg SHBA-së dhe Perëndimit dhe pranë Turqisë, prandaj Shqipëria voton në SHBA Rezoluta kundër SHBA-ve. Zoti Galdini argumenton se Kryeministri Rama na ka zhytur në epokën e Pacipërisë, ndërsa opozita gaboi rëndë me marrëveshjen e prillit 2017. Zoti Galdini shprehet se ka një pakt të heshtur PS-PD, “Sipas meje është thjesht manifestim i dakordësuar mes palëve, i rezistencës së fundit ndaj Reformës në Drejtësi. I tremben një skenari si ai që u zbatua pak vjet më parë në Guatemalë”.

-Zoti Galdini, është rastësi që Shqipëria për të disatën herë kohët e fundit voton Rezoluta (për Palestinën) kundër votës së SHBA?

– Për të qenë i sinqertë deri në fund me ju, unë nuk e di pse ju keni pritshmëri të tjera. Edi Rama qoftë prej formimit individual, qoftë prej përkatësisë ideologjike është natyralisht krejt larg SHBA-së dhe Perëndimit. Dy pika graviteti kanë pasur masivisht elitat tona drejtuese dhe ato “bourgeoisie”, në këto 106 vjet shtet shqiptar, Turqinë dhe Moskën. SHBA dhe Evropa kanë qenë dhe mbeten çuditërisht vetëm si aspiratë e madhe dhe e fortë popullore, por jo për elitat tona. Këta bëjnë plaçkë mbi shtetin dhe privaten si kaçakë të hyqymetit dhe kapardisen si fashionistë të Beverley Hills. Jetojmë në etapën më të rëndë historike. Pacipëria ka pllakosur ngado mizorisht. Edi Rama e ka kthyer pacipësinë në art. Ndoshta Kryeministrimi i Pacipërisë është dhe ka për të mbetur si e vetmja Kryevepër e tij.

Kur Kryeministri Rama në një intervistë ditët e fundit tha: “Shko tek Trump e loz bingo” sipas jush, çfarë mesazhi diplomatik përcolli?

– Asnjë. Ai është mësuar të bëjë edhe luanin tek xhungla e kazanëve nën regjinë e kontrollin e Fugës, edhe miushin arlekin me shallvare dhe atlete, në korridoret ku, edhe pse është 2 m i gjatë e ka të pamundur të jetë i dukshëm.

-A mendoni se ka edhe shtete të tjera ballkanike (përveç Greqisë) që paguajnë Mediat shqiptare për të pasqyruar interesat e tyre, edhe kundër interesave tona Kombëtare?

– Nëse ka një skandal ulëritës dhe të vërtetë sot, është pikërisht ky i mediave, gazetarëve, portaleve, analistëve dhe aktivistëve që financohen nga Athina Zyrtare… Turp i madh. Prokuroria duhet të hetojë dhe publiku duhet t’ua njohë emrat dhe fytyrat këtyre mercenarëve që bluajnë miellin e Athinës, hanë bukën e Athinës për të helmuar mendjet e shqiptarëve… Turp i madh… Duhet patjetër që të bëhen publike mediat, gazetarët, analistët, portalet e kushdo që ka marrë financime zyrtare nga Athina për të punuar kundër Shqipërisë… Është minimumi i detyrimit publik për transparencë dhe vërtetësi. Pikë.

– A ka shtete të tjera që paguajnë rroga e financojnë njerëz, media, organizata, etj në Shqipëri?

– Me siguri që po. Unë mendoj se ky rasti i Athinës, i sapodalë në pah, duhet të shfrytëzohet si precedent për të miratuar ligje dhe procedura të forta që ndalojnë apo filtrojnë atdhetarisht të gjitha financimet e huaja që hyjnë në Shqipëri nga vende fqinje, fuqi Rajonale apo jokompatibël me orientimin dhe interesin tonë kombëtar. Mjaft më lejuam shitblerjen e shqiptarit që flet fjalë shqipe me mendime sipas ngjyrës së parave që i mbushin xhepat. Shqetësues është fakti se në Shqipëri mediat patriotike dhe në funksion të vlerës, së mirës dhe interesit publik janë, ose skajshmërisht pak, ose nuk ekzistojnë fare.

– Zoti Galdini, dalin fakte të reja që dëshmojnë se Kryeministri Rama e ka biseduar me Vuçiç kohë më parë, idenë e Korrigjimit të Kufijve, para se sa ta prezantonte publikisht Thaçi. Ju si e shpjegoni që Kryeministri Rama këtë ide nuk e ka diskutuar më parë me udhëheqësit Partiakë në Shqipëri, e me udhëheqësit Kosovarë?

– Që pas Ismail Qemalit, pothuajse të gjithë Udhëheqësit i kemi pasur “Providencialë”. Udhëheqësi Providencial nuk e ka fare në karakteristikat e tij as interesin kombëtar, as atë publik e as këshillimin apo konsultimin me kolegë, kundërshtarë apo opozitarë. Udhëheqësi Provendicial beson se ai është Kombi, ai është Publiku dhe gjithë të tjerët rreth tij, anash tij, poshtë tij, përballë tij a kundër tij janë të padenjë dhe e keqja që duhet shkulur. Nëse ndonjë konjukturë Rajonale apo pak më larg, ia ka plotësuar Udhëheqësit Providencial nevojën e tij për dukshmëri ndërkombëtare, rol në një aksh lojë politike a gjeostrategjike dhe fuqi politike brenda vendit, Edi Rama nuk sheh asnjë arsye pse të mos përfshihet pa pyetur askënd e për asgjë.

-Tensionet politike, konfliktet Opozitë – Mazhorancë mendoni se janë produkte të zhvillimeve të proceseve demokratike dhe të Integrimit, apo luftë për pushtet?

Sipas meje është thjesht manifestim i dakordësuar mes palëve, i rezistencës së fundit ndaj Reformës në Drejtësi. I tremben një skenari si ai që u zbatua pak vjet më parë në Guatemalë. E kanë të kotë. Unë bëj pjesë tek ata që besojnë fort tek SHBA dhe Perëndimi. SHBA dhe Perëndimi vonojnë por nuk harrojnë. Vini re zhvillimet në Maqedoni. Pikërisht kur dukej e pamundur SHBA dhe Perëndimi ia dolën t’i sigurojnë 80 vota në Parlament pro Marrëveshjes për Integrimin në NATO dhe BE. Kosova hapi rrugën për tu bërë me ushtri. Të tjera zhvillime interesante dhe pozitive priten në Kosovë javët në vijim. SHBA dhe Perëndimi po zbarkojnë në Ballkan. Ditë më të mira po vijnë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

– Besoni se Reforma në Drejtësi do t’u japë shqiptarëve një Drejtësi të Reformuar?

– Ajo besoj unë është se Reforma në Drejtësi është mjeti me të cilin SHBA dhe Perëndimi po zbarkojnë në Shqipëri. E them me bindje se e paimagjinueshmja do të ndodhë. Pa asnjë diskutim. Kini durim dhe besim. Kush e ka sunduar, vjedhur dhe degraduar Shqipërinë deri në këtë pikë, kur kemi mbërritur në Epokën e Pacipërisë, do të shkojë në burg. E besoj sinqerisht këtë. Kapuçë në kokë dhe pranga në duar po vijnë për Mbretërit e Pacipërisë.

– Cilat do të jenë risitë e Reformës së re Zgjedhore, derisa ajo domosdoshmërish do të votohet edhe nga Opozita, dhe është një ndër kushtet e BE për hapjen e negociatave?

– Ne duhet ta kishim rrëzuar me çdo kusht Edi Ramën para se të hynim në zgjedhje. Tani jemi këtu në pikën kur, ose do ta tolerojmë e durojmë Edi Ramën, ose do ta rrëzojmë. Zgjedhje të lira dhe të barabarta me Edi Ramën Kryeministër, nuk mund të ketë e nuk do të ketë. Edi Rama është Kryeministër i Qeverisjes së Mafias Estetike. Ai i vret zgjedhjet dhe i paketon firmato. Mjaft më. Reforma Zgjedhore parimore dhe e ndritur me shpirt lirie dhe perëndimor dhe rrëzimi i Edi Ramës duhet të jenë dy objektivat madhorë të opozitës dhe shoqërisë shqiptare.