INTERVISTA/ Adriatik Alimadhi, Kryetari i PBK-së: “Nëse nuk nderohen të gjithë nacionalistët ky komb nuk ka qetësi”

1214
Sigal

“Në këto 20 vjet, si PD-ja dhe PS-ja, kanë treguar ngritje të tensioneve politike”

– Zoti Alimadhi, referendumi që propozoi Kryeministri, besoni se do të zgjidhë ngërçin e reformës së imunitetit?

– Kalimi nga Parlamenti për te referendumi mendoj se është një nga mënyrat juridike për të zgjidhur ngërçin, në këtë rast Kryeministri bëri zgjedhjen e duhur për t’ju drejtuar qytetarëve shqiptarë.

– Si i vlerësoni katër kërkesat e PS-së, që të mbështetë referendumin për imunitetin?

Si në këtë rast, edhe në shumë raste të tjera, PS-ja po tregon që ka pasur gjithmonë imunitet dhe do ta mbajë e do ta ruaj imunitetin.

– Si ta kuptojmë akuzën e PD-së , që opozita nuk do reformën e imunitetit? Në cilat raste  të korrupsionit, opozita është mbrojtur nga imuniteti?

Mendoj se PD-ja nuk ka akuzuar, por u ka bërë thirrje të përsëritur për të votuar amendamentet e propozuar nga vetë PS-ja. Korrupsionin, vetë PS-ja e solli.

–  A mund të jetë e plotë një reformë e imunitetit pa pavarësinë e Gjyqësorit dhe organeve të Akuzës?

Përsa i përket  Kryeprokurorit, anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese me 84 vota,  akoma nuk e keni kuptuar që në këto institucione janë ish komuniste, ish bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit dhe PS-së.

– Politika, maxhoranca më shumë, e opozita, ca më pak, nuk tregojnë vullnet që të zhveshin nga vetvetja imunitetin politik, kushti kryesor i funksionimit të heqjes të imunitetit juridik, në një shtet të së drejtës. Kjo a nuk lidhet me besueshmërinë e pakët që kanë qytetarët, se politikanët i mbron imuniteti politik në korrupsionin e tyre?

Me të drejtë shtrohet kjo pyetje, në këto 20 vjet, si PD-ja dhe PS-ja kanë treguar ngritje të tensioneve politike, të cilat nuk kanë qenë të nevojshme për të arritur deri këtu, gjë që ka  prishur imazhin e Shqipërisë, përpara ndërkombëtarëve dhe kanë penguar proceset integruese të Shqipërisë. Të dyja partitë, PD-ja dhe PS-ja, duhet të kishin politika me përmbajtje më kombëtare në këto 20 vjet. Sharjet, acarimet, sjelljet rrugaçërore, mendoj, se janë këto arsyet që ka rënie të besueshmërisë, kjo ka krijuar hapësira për krijimin e lëvizjeve të tjera politike në Shqipëri.

– Pandëshkueshmëria, mendoni se do të luftohet me reformën e imunitetit, apo ka të bëjë me mungesë të vullnetin politik, apo me paaftësi profesionale të punonjësve të drejtësisë?

Po, ka pasur dhe ka  mungesë të vullnetit politik. Mendoj se heqja e imunitetit i vendos të gjithë qytetarët shqiptarë të barabartë para ligjit, kjo do të ndikojë për ecjen e reformave në Shqipëri. Nuk mundet të them për aftësitë profesionale të administratës në drejtësi.

– Në kuadrin e 100- vjetorit, ndërsa bëhen përpjekje që të rehabilitohen e nderohen figura të ndryshme historike, pak bëhen që të nderohen edhe nacionalistë, si Mid’hat Frashëri e të tjerë. Ku si e shpjegoni këtë?

– Nëse nuk nderohen dhe respektohen të gjithë nacionalistët ky komb nuk ka qetësi. Kemi duruar, na kanë vrarë , prerë, pushkatuar e burgosur  të gjallë, internuar, dëbuar dhe na kanë përbaltur padrejtësisht! Ky komb është i mbushur vetëm me eshtra ballistësh! Në këtë rast ne i jemi drejtuar komisionit ndërministror për 100- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë për nderimin, respektimin, ngritjen e shtatoreve të nacionalistëve shqiptarë, për kthimin e eshtrave në Shqipëri dhe për këtë ka një interesim direkt të kryetarit të këtij komisioni, z.Sali Berisha, mendoj që ky proces, i cili është në punë e sipër, do gjejë mbështetje dhe do të jap zgjidhje.

– AK-në, ju si e vlerësoni, meqë kjo forcë e re politike është cilësuar si një forcë politike nacionaliste?

Kjo qe thoni ju është një punë partizançe, nuk përmbush kriteret e nacionalizmës shqiptare. Unë i ndjek, i shoh me shumë kujdes dhe këshilloj  që të bëheshin të butë,  të ditur, të mençur, të bënin kujdes dhe këta sot të bëjnë kujdes me gjuhën, komunikimin, të paktën të mos bëhen të rrezikshëm për kohën që po vjen, për të mbështetur kauza, të cilat po e gjejnë zgjidhjen  dhe  të mos bëhen pengesë për proceset integruese për Shqipërinë. Këtë më duhet ta them!

– Ju e shikoni FRD-në, si reformatore e së djathtës në Shqipëri?

Mendoj se këto lëvizje,  nuk mundet të sjellin reformim të së djathtës shqiptare, ta harrojnë të gjithë ata, që pretendojnë se janë të djathtë.

–  Faleminderit!