INTERPRETIME TË GABUARA PËR EVLIJA ÇELEBIUN

952
Sigal

Tashmë lexuesi ka gjetur në faqet e gazetës “Telegraf” të datës 18 janar 2012 njoftime interesante për udhëtarin e njohur Evlija Çelebi (1611-1684), i cili i ka përshkuar disa herë vendet që ishin nën Perandorinë Osmane dhe përgatiti një vepër prej 10 vëllimesh me titullin Seyahatname, ku përmblidhen shënimet e 35 vjetëve.

Tri herë i ka vizituar Evlija Çelebiu trevat shqiptare: Kosovën në dhjetor 1660, Shqipërinë veriore në shkurt 1662 dhe së fundi, Shqipërinë e mesme e jugore tetë vjet më vonë. Shumë faqe të veprës së tij me titullin që mund të përkthehet shqip Libri i udhëtimeve, e tregojnë qartë sesa me ëndje i kishte vizituar trevat tona dhe se çfarë kënaqësie kishte gjetur atje.

Në dy dhjetëvjeçarët e fundit ka pasur një rigjallërim të interesit për Seyahatnamenë. Përkthimi i Librit të udhëtimeve prej Robert Dankovit në vitin 2000 në Gjermani e bëri të mundur për studiuesit e tjerë që të njiheshin më mirë me përmbajtjen e faqeve të udhëpërshkruesit, të cilat ishin me osmanishten jo aq të lehtë për ta zotëruar. Lexuesit shqiptarë tashti mund të shijojnë fjalët lavdëruese për qytetet dhe bashkatdhetarët e kohës te një përkthim shqip më 2008 i po atij libri të Dankovit, me titullin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mali i Zi, Ohër, në bazë të dorëshkrimit autograf.

Gjatë udhëtimit te parë (1660) ai vizitoi Kosovën nga Mitrovica në veri deri në Kaçanik në jug. Njoftimet e kësaj radhe janë të kufizuara vetëm në disa faqe, e megjithatë ai ka gjetur vend për të përpikësuar se banorët e Vushtrisë: Pjesa më e madhe nuk flasin bosnjakisht, por flasin shqip e turqisht. Në udhëtimin e vet të dytë E. Çelebiu u end nga Tirana në qendër të vendit deri në Ulqin në veri, pastaj prej andej prapa në Shkodër e drejt lindjes për në Gjakovë.

Ndërsa ishte në Shkodër E. Çelebiu ka gjetur rastin të flasë edhe për gjuhën shqipe. Mbi gjithçka e vlen të vihen në pah dy thënie me vlerë të veçantë:

Të gjithë flasin gjuhën shqipe, e cila nuk i ngjan asnjë gjuhe tjetër.

Është gjuhë e këndshme, të cilën e flasin shtruar e përvujtërisht, kur i drejtohen njëri-tjetrit me respekt.

Dallimin e shqipes si të ndryshme nga gjuhët e tjera e gjejmë që nga Straboni (shek.I) për ilirishten, te Gulielm Ada (1332), Belon de Mansi (1555), G. Skaligeri (1599) e deri te F. Marafioti (1601), por asnjë i huaj deri më 1662 nuk ishte shprehur për cilësitë e shqipes, e aq më tepër se është e këndshme. Ky është vlerësimi i parë nga të huajt për cilësitë e shqipes sonë.

Ndërkaq, kjo nuk na pengon të dëftejmë shkarjet e tij të thella, që vinin sepse ai nuk kishte bërë ndonjë hulumtim, por ka parashtruar trillimet nga paragykimet e kulturës popullore nënstandarde dhe keqinterpretime të burimeve që nuk mund t’u zihet besë.

Rrëfenjat e tij për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre janë ndërthurje fantazish. Shkruan se Shqiptarët kanë qenë njëri nga fiset arabe të Kurejshit në Mekë, diçka aq e pangjarë, sa nuk e ka përsëritur askush tjetër. Vetë emrin e shqipes, ose “gjuhën e arnautëve” e përqas me persishten “Ar-na-bud” (Mos qoftë turp), duke mëtuar se e ka gjetur te disa kronikanë, kur dihet se turqit i kanë quajtur shqiptarët kurdoherë “arnautë”. Sipas Çelebiut një farë Xhabal-i Elhema, i përndjekur për t’ia nxjerrë syrin nga kalifi Omar (domethënë Umar ibn al-Khattab, kalifi i dytë suni më 634-644, shok i Muhamedit), më në fund na qenka ngulur në malet e Delvinës, të cilat ia dha mbreti i Spanjës, Heraclius. Ky ka qenë vërtet perandor bizantin nga viti 610 dhe ka jetuar në vitet 575-641. Por Delvinën osmanët e kanë njohur në shek. XIV. Gjithsesi Çelebiu si zanafillë ka marrë ngjarjet e shek. VII, sipas mitologjisë arabe, që çdo gjë e lidh me zanafillën e myslimanizmit. Madje Delvina, deri në shek. VI ishte një vendbanim aq i papërfillshëm, sa nuk kishte mundësi të njihej nga arabët ose osmanët. Kam përshtypjen, se Çelebiu është nisur nga emërtimi i kodrës, ku është ngritur kështjella e Delvinës në shek. VII, e cila edhe sot quhet Xhemëhalla. Ky emërtim, që nuk e di se si tingëllonte në shekullin kur e pa Çelebiu, e ka shtyrë të vendosë lidhje me emrin Xhaballa Alhajm. Jo vetëm kaq, por edhe emri i Kurveleshit i ka ndezur imagjinatën për ta lidhur me emrin e një fisi arab: Kur i thanë se qenë nga fisi i Kurejshëve, mbreti i dha atij malet e pabanuara të Delvinës… Por meqë vinin nga fisi i kurejshëve, malet ku tani zunë vend, i quajtën Kurjelesh (Kurvelesh). Kurejshët ishin një fis i fuqishëm i Mekës dhe vetë Muhamedi kishte lindur në fisin hashemit të kurejshëve. Vijmë përsëri te miti zanafillës islamik në kokën e Evlijasë. Sot gjuhëtarët mendojnë se emri i krahinës së Kurveleshit vjen nga fisi i korvasejve. Sa për “malet e pabanuara të Delvinës”, jo larg rrëzës së tyre është Finiqi, i themeluar në shek. V para e.re.

Me vetë Delvinën Çelebiu hap udhëpërshkrimin nëpër Shqipërinë jugore më 1670. Për fat të keq, nga botuesi nuk ka qenë e mundur të deshifrohet si e ka dhënë kuptimin shqip të këtij emri, sepse do të ishte me interes. Çudia është se ai shprehet që e themeluan së pari spanjollët. Cilët ishin këta spanjollë, kur dhe si kishin depërtuar deri atje? Dihet se kjo qendër e vogël mori jetë pas shkatërrimit të Finiqit në fund të shek. VI dhe vetë Çelebiu e quan kala fort të hijshme, por fare të vogël. Gjithsesi, ka rëndësi që ai pohon: Të gjithë banorët flasin shqip, greqishten nuk e dinë. Ka veçanërisht rëndësi po të krahasohet me të dhënat e Fjalorit enciklopedik shqiptar, botimi i dytë më 2008, ku shkruhet: “Rreth një e katërta e popullsisë i përket pakicës greke”. Dëshmia e Çelebiut është me peshë për argumentin, se pakica greqishtfolëse ka depërtuar në jug të Shqipërisë pas shek. XVII.

Duke folur për prejardhjen e shqipes, më tej ai shton: Pas disa brezash ata i populluan ato male të thyera dhe nisën të flisnin një gjuhë të tyren. Por ku e paskan gjetur ata persishten dhe si e paskan ruajtur disa breza në Delvinë: “që të mos u nxirreshin sytë, e bënë zakon të thoshin Ar na bud.”? Dihet se arabët i pushtuan viset e Persisë në mesin e shek. VII, pas vdekjes së Muhamedit e kalifit Omar, domethënë pyetja është: kur kishin arritur ta mësonin persishten 3000 vetat me të cilët u arratis Xhabali Elhema prej Mekës? Vetë turqit osmanë erdhën në Persi në shek. X dhe, me sa duket, arabishten e persishten i kanë mësuar vetëm në shek. XI. Këto të dhëna nuk janë një kureshti historike, por duhet t’i kenë parasysh edhe ata që flasin sot për huazimet orientale të shqipes, që të mos i shkelin caqet e historisë me data të njohura. Sajesave të veta Çelebiu u vë kapakun, kur thotë se Xhabali Elhema vdiq në Elbasan. Por në shek. VII qyteti ku është sot Elbasani kishte tjetër emër dhe ishte qendër peshkopate, si do të ndodhej atje Xhabali arab mysliman?

Gjithsesi, për Evlijanë në Elbasan Të gjithë flasin shqip. Pjesa më e madhe e dinë mirë edhe turqishten, kurse ulematë dinë të lexojnë persisht. Greqishtja dhe frankishtja përdoren nga tregtarët. Në këtë mënyrë, pavarësisht nga ndonjë lajthitje e kuptueshme, Evlija Çelebiu na ka dhënë edhe një pasqyrë të gjendjes gjuhësore në trevat shqiptare, besoj e para e këtij lloji dhe prandaj ka rëndësi për historinë e gjuhës.

Merita më e madhe e këtij “turisti” të shek. XVII, siç e kanë quajtur disa, është se, duke e vlerësuar shqipen, kishte vendosur të mblidhte disa shembuj prej gjuhës. Dijetarët perëndimorë vetëm shumë kohë më pas do ta ndërmerrnin këtë detyrë të pazëvendësueshme për njohjen e një populli dhe të gjuhës së tij.

Ndërkaq, kjo është hera e dytë që një “turist” i huaj ka regjistruar fjalë e shprehje të shqipes. I pari ka qenë kalorësi gjerman Arnold von Harf, i cili zbriti në Ulqin dhe në Durrës më 1497. Për këtë është shkruar vazhdimisht, prandaj nuk po shtoj gjë. Por është me të vërtetë befasuese, që ndër ato dy grushte fjalësh të regjistruara krejt rastësisht me largësi kohore prej më shumë se një shekull e gjysmë dhe nga dy njerëz që u përkisnin dy kulturave tejet të dallueshme, gjejmë një varg fjalësh të njëjta: bukë, ujë, mish, pulë, mirë, ha, kam dhe numërorët kryesorë. E mbi të gjitha është po ajo përshëndetje: mirëndeshtrasha. Me këtë fjalës që vetëm tashti vonë e shohim konkretisht në dorëshkrimin e E. Çelebiut, emri i tij do të përfshihet në historinë e leksikografisë shqiptare.

Interpretimin e lëndës shqipe të Çelebiut e ka bërë Robert Elsie në një artikull të botuar në Prishtinë më 1998 në “Studime”, nr. 4. Këtë artikull e ka riprodhuar tërësisht J. Kastrati më 2000 në librin Historia e albanologjisë. Gjithashtu këto interpretime janë përfshirë nga përkthyesi në botimin e librit shqip më 2008. Me përjashtim të rasteve me fjalë të qarta, të shoqëruara edhe nga përkthimi turqisht i Çelebiut, lënda tjetër me vështirësi të mirëfillta gjuhësore, është dhënë me intrepretime krejt të gabuara nga R. Elsie. Prandaj po i paraqes këto gabime më poshtë, sepse siç shihet, ato qarkullojnë sikur janë me saktësi shkencore.

Që në fillim duhet thënë, se R. Elsie nuk e njeh nocionin e kushteve paradigmatike të komunikimit. Për këtë arsye ai nuk e ka kuptuar se këto janë regjistrime të bëra nga gjuha e folur, madje disa herë janë copa bisedash. Shembulli më i qartë është me fjalën “aqi”, të cilën e merr për “elb” R. Elsie dhe shton: “Shqipe mod. elb ti ke? Nuk duket të ketë ndonjë gjurmë të formës së hershme +aki  për standarden elb.” Pyetja fillestare këtu është: përse do të interesohej për elbin Çelebiu, aq sa në atë pak lëndë e ka tri herë këtë fjalë? Një udhëtar i thekur si Evlijai do të interesohej për tagjinë e kuajve të udhëtimit. Prandaj “aqi” këtu është trajtë e regjistruar keq nga Evlijai për “tagji”. Në radhë të dytë, këto nuk janë fjalë të shkëputura, por pjesë të një dialogu, të cilin e ka mbajtur shënim autori. Po ta rindërtonim skenën e komunikimit, do të kishim këtë dialog:

Blerësi: – A ke tagji?

Dyqanxhiu: – Nuk kam.

Blerësi: – Më bjer tagji, se ta shij kryet!

Dyqanxhiu: – Për tynë zot, nuk kam tagji.

Edhe në një rast tjetër kemi copëz dialogu:

A: – A je shëndosh e mbahi?

B: – Mirë, ndeshtrasha.

Çelebiu e ka përkthyer “aqi” me turqishten “arpa”. Kjo e shënon elbin turqisht, por merr edhe kuptimin e tagjisë, ashtu si në shqipen tagjia përmbledh tërshërën, elbin, misrin si ushqim për kafshët.

Më poshtë po i jap fjalët  interpretuara gabim së pari në trajtën e shqipes së sotme. Pastaj vjen me të zeza trajta si del e regjistruar nga Çelebiu dhe me kursive te shprehjet kur ka. Po ashtu kur ka, jepet përkthimi turqisht i autorit. Më pas vijojnë shpjegimet dhe interpretimet e mia me shkronja të drejta.

burrë: falemi mürre; baya mürre; tq. adam. Emër mashkullor; është e papritur përse e ka më “y”, ndërsa tingullin e parë e ka dëgjuar si një [mb] dhe prandaj e ka me “m”. R. Elsie në të dy rastet e ka dhënë gabim si shumës. Turqisht Çelebiu në të dy rastet e ka njëjës. Del që te Gj. Buzuku më 1555, pastaj te F. Bardhi më 1635.

e: e enbahi. Lidhëz. R. Elsie e ka interpretuar për pjesëzën pyetëse “a”, mirëpo nuk del që Çelebiu ta ketë përdorur njërën për tjetrën.

ha: a ha buq; hak mut; tq. yer misin. Folje kalimtare. Shprehja do të thotë: a do të hash bukë?, dhe jo: a ha bukë?, siç e ka dhënë R. Elsie, një pyetje që nuk ka kuptim. Del që te A. fon Harfi më 1497, pastaj edhe te Gj. Buzuku më 1555.

ja: baya; tq. ge. Pjesëz e gjuhës së folur me kuptimin “eja”, e zgjeruar “jakë”. Për çudi nuk e ka Fjalori i gjuhës së sotme shqipe më 1980. Shprehjen R. Elsie e ka dhënë “pa eja burra”, kurse duhej “Pa ja burrë”.

mizuni: mizuni. Fjalë e paqartë dhe mungon përkthimi turqisht i togfjalëshit, prandaj është e vështirë të ndriçohet. Por është jashtë çdo vështrimi hamendja e R. Elsie se  mund të jetë “të falem shumë”. Vetë Çelebiu e ka më parë “falemi burrë”, e si do ta deformonte kështu? Si hipotezë mund të paraqitej kjo: “bela më zuni”.

motër: motra; tq. qiz qarindas. Trajta e turqishtes do të ishte: kiz kardeº. Emër femëror. Është mjaft interesante se edhe F. Bardhi e ka fjalën e turqishtes: motra, kiskardash. Del që te Gj. Buzuku më 1555.

ndeshë: nistra nise; tq. sabahin hayr. Ka qenë një transkriptim i vështirë për Çelebiun i përshëndetjes: “mirë ndeshë të rashë”, me kuptimin: takimi ynë qoftë për mirë. Gjëja më interesante është se të njëjtën shprehje e ka regjistruar edhe Arnold fon Harfi më 1498: mirenestrasse = guden morgen. I vlefshëm është përkimi i përkthimit turqisht me atë gjermanisht, në të dy rastet haset fjala “mëngjes”. Kjo do të thotë, se ka qenë një përshëndetje vetëm për mëngjesin, domethënë: mirëmëngjes.

nuk: nuku qam; tq.  yok dur. Pjesëz mohuese. R. Elsie shënon se trajta “nuku tani del kryesisht në dialektin jugor të Korçës.” Kjo nuk qëndron. Që te Buzuku autorët veriorë e kanë “nukë”. Çelebiu këtë ka regjistruar, dhe ashtu si te “amu” e ka këtu shkronjën “u” për “ë”.

pirdhem: u piriste; tq. yelleneyim. Folje në trajtën pësore, këtu në mënyrën dëshirore; “u pjerdhsh” dhe jo si e ka dhënë R. Elsie “të pjerdhsha bhund”, sepse nuk ka se si “u” të lexohet “të”. Është dokumentimi i parë i kësaj fjale, sepse del nëpër fjalorë shumë më pas, ndoshta për herë të parë te K. Kristoforidhi.

qurd: tesin qurd; tq. basin yararin. Fjalë e paqartë; përkthimi turqisht do të thotë “plagos” dhe hamendësimi do të ishte për një kërcënim: përndryshe ta shtyp kokën!

tagji: aki; aki te ki, aki me be, nuku kam aki; tq. arpa. Emër femëror. R. Elsie nuk e ka kuptuar fjalën dhe vetëm duke u nisur nga turqishtja e quan se është për elbin, duke shtuar: “Nuk duket të ketë ndonjë gjurmë të formës së hershme +aki për standarden elb.” Edhe turqisht fjala shënon gjithashtu tagjinë për kafshët, që përmbledh dhe elbin. Është ndoshta dokumentimi i parë i kësaj fjale, sepse del nëpër fjalorë shumë më pas, në shekullin XX.

Thënia iç qivirdim në mënyrë krejt antishkencore është quajtur nga R. Elsie si togfjalësh i shqipes dhe është shoqëruar me një interpretim të pangjarë shqip si “i shkërdhyem”, duke gjetur aty edhe një mbaresë gege –yem. Kjo është një fyerje turqisht, e shoqëruar edhe nga tq. pust gidi, që shqip do të thuhej: gjidi pusht!

Nga ky vështrim mund të nxirren disa përfundime. E. Çelebiu ka regjistruar disa fjalë e shprehje, që i ka quajtur të nevojshme për një udhëtar nëpër Shqipëri, domethënë si pjesë e një udhërrëfyesi (guide turistike), siç është i gjithë libri. Për këtë me një synim mjaft sistematik ai ka mbledhur ndonjë përshëndetje, betim, sharje, pjesë bisede gjatë blerjes, si dhe disa grupe fjalësh, si numërorët, ushqimet, emrat e farefisnisë. Mund të quhet pasues i Frang Bardhit për disa elementë folklorikë. Janë rreth 54 njësi të veçanta, disa të përsëritura dhe disa edhe në togfjalësha, gjithsej 16 thënie. Prej këtyre fare pak janë njësi të shqipes të dokumentuara për herë të parë. Pjesa më e madhe gjenden para tij që te A. fon Harfi më 1498 dhe Gj. Buzuku më 1555. Gjëja më interesante është përputhja e regjistrimeve me fjalët nga A. fon Harfi. Mund të kuptohen dhjetë numërorët e parë, por janë edhe 6 fjalë të tjera, domethënë gjithsej 30 për qind e atyre pak regjistrimeve të fon Harfit hasen edhe te Çelebiu. Disa njësi mbeten të padeshifruara. Pjesa më e madhe e fjalëve dhe shprehjeve shoqërohen me përkthimin turqisht, siç është zakon për bashkëbisedimet drejtuar udhëtarëve, domethënë me fillesat e një fjalori shqip-turqisht. Me gjithë vështirësitë e transkriptimit të shqipes, vërehen qartë dukuri fonetike të të folmes së Shkodrës. Interpretimi nga ana e Robert Elsie vuan prej gabimesh të rënda.

Herën e tretë Çelebiu bëri udhëtimin më të gjatë, duke përshkuar një numër më të madh qendrash të banuara që nga Delvina thellë në jug e deri në Elbasan, në qendër të vendit, pastaj në Pogradec në lindje dhe përshkrimet e tij janë dukshëm më të hollësishme. U ka kushtuar vëmendje të veçantë tre qyteteve të rëndësishme: Gjirokastrës, Beratit dhe Elbasanit. Mënyra e jetesës, doket dhe zakonet e banorëve e habisin Evlijanë, aq sa paraqet me hollësi “një zakon të çuditshëm”, një rit varrimi dhe përkujtimi të të vdekurve te gjirokastritët me vajtore profesioniste.

Seyahatname është një udhërrëfyes i mirëfilltë për Shqipërinë dhe Kosovën në gjysmën e dytë të shek. XVII. Me shënimet e hollësishme dhe sistematike për gjithçka e kishte parë me sytë e vet, mund të quhet enciklopedia e parë e viseve shqiptare, por edhe një dokument me rëndësi për historinë e shqipes.