Interpelanca/ Zbulohet dokumenti, opozita: Ekstradimi, faktet kundër ministres Gjonaj

635
Zbulohet kërkesa e dorëzuar nga PD dhe LSI për një interpelancë urgjente me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lidhur me ekstradimin e Nezar Seitajt drejt Italisë. Prej ditës së djeshme, dokumenti ndodhet në kryesinë e Kuvendit, ndërsa të enjten e ardhshme ministrja Gjonaj pritet të japë shpjegime për arsyet e fluturimit të Seitajt drejt Italisë, ndonëse ndaj anëtarit të akuzuar të bandës së Habilajve ekzistonte një masë sigurie në Shqipëri. 

Dokumenti
Opinioni publik gjatë këtyre ditëve është njohur me një fakt të rëndë kriminal, ku në kundërshtim flagrant me ligjin, është lejuar ekstradimi në Itali i shtetasit Nezar Seiti. Nga dokumentacioni që disponon opozita dhe që është bërë publik edhe në media, rezulton se ky shtetas ka qenë i ndaluar dhe nën procedim penal nga Prokuroria pranë Gjykatës për Krime të Rënda të Shkallës së Parë, si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal “Habilaj”. Konkretisht, ky shtetas ka qenë subjekt i procedimit penal, në të njëjtën çështje me ish-ministrin e Brendshëm dhe deputetin e mazhorancës, Saimir Tahiri, me nr. 134 e vitit 2016, nr. 164 e vitit 2017 dhe nr. 313 e vitit 2017. Informacioni i mësipërm ka qenë në dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë (përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve) dhe Ministrisë së Brendshme (Policisë së Shtetit). Referuar nenit 8 të Konventës Evropiane për Ekstradimin, ku theksohet se: “Një palë e kërkuar mund ta refuzojë ekstradimin që kërkohet për një person, kur ky bëhet objekt ndjekjeje prej saj për një ose më shumë vepra për të cilat kërkohet ekstradimi”, si dhe referuar nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, ku specifikohet se: “Nuk mund të jepet ekstradimi: c) kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri; ) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit”, Ministria e Drejtësisë do të duhej të kishte refuzuar ekstradimin, apo të kishte vendosur ekstradimin e shtyrë apo të përkohshëm.

Mirëpo, rezulton se Ministri i Drejtësisë, në injorim flagrant të detyrimeve të tij ligjore, ka urdhëruar ekstradimin e shtetasit Nezar Seiti dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë dorëzimin e tij për qëllime të ekstradimit dhe nxjerrjen jashtë territorit të këtij shtetasi, edhe pse ka pasur në dosje vendimet e Gjykatës për Krime të Rënda për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “arrest me burg”, për qëllime të procedimit penal në Shqipëri. Në këtë mënyrë, personi i vetëm i arrestuar dhe në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë shqiptare, në kuadër të procedimit penal për grupin e strukturuar kriminal “Habilaj”, pjesë e së cilit dyshohet të jetë edhe ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, aktualisht nuk është më në dispozicion të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Ky fakt mund të ketë efekt shkatërrues për procedimin penal që po kryen Prokuroria për Krime të Rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj”, dhe për pasojë edhe mbi procedimin penal të nisur ndaj deputetit të mazhorancës dhe ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Injorimi që Ministri i Drejtësisë i ka bërë, jo vetëm ligjit, por edhe autoritetit të organeve të drejtësisë shqiptare (Gjykatës për Krime të Rënda), është një akt i paprecedentë për drejtësinë në vend, dhe një çështje urgjente që duhet të trajtohet nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm në kuadër të kontrollit parlamentar, për mbi të gjitha në kuadër të garantimit të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nëse Ministri i Drejtësisë ndërmerr veprime arbitrare dhe të kundërligjshme, me impakt të drejtpërdrejtë në prishjen apo dëmtimin e hetimeve penale në një çështje konkrete në vend, atëherë jemi përpara një krimi shtetëror, të padëgjuar më parë dhe që është bërë qëllimisht për të ndërhyrë në procedimin penal në ngarkim të deputetit të mazhorancës dhe ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sqarimet ekstra-ligjore të Ministrit të Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, se ekstradimi është bërë për shkak se ky shtetas është më mirë që të procedohet në Itali, apo se, nëse nuk do ishte vendosur ekstradimi opozita do ta akuzonte se po i fshehin personin drejtësisë italiane, është jo vetëm qesharak dhe i papërgjegjshëm, për mbi të gjitha tregues se për Ministrin e Drejtësisë dhe Qeverinë nuk ka rëndësi përmbajtja e ligjit, për vlerësimi politik. Nga ana tjetër, ky reagim publik i Ministrit të Drejtësisë provën se ekstradimi i kundërligjshëm është bërë qëllimisht dhe bazuar në motive ekstra-ligjore dhe qartazi politike. Në një shtet të së drejtës, udhëheqës për veprimet e autoriteteve publike, është ligji dhe vetëm ligji. Në rastin konkret, ligji nuk lejon ekstradimin kur ndaj personit ka një procedim penal në Republikën e Shqipërisë. Kjo ndalesë në Konventë dhe ligj, nuk është as rastësi dhe as e paqëllimtë. Ndalesa është vendosur me qëllim garantimin e efikasitetit të procedimit penal të nisur ndaj një shtetasi. Shkelja e këtij ndalimi sjell efektin e kundër të parashikimit ligjor dhe konkretisht prishjen ape dëmtimin e procedimit penal përkatës.


Sigal