Integrimi, Mogherini-Ramës: Përshpejtoni reformat, duam rezultate konkrete

603
Përfaqësuesja e Lartë për Çështjet e Jashtme, njëkohësisht zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të zbatojnë me shpejtësi reformat, si një kusht themelor për hapjen e negociatave. Mogherini e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi jozyrtar me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua për situatën në rajon dhe në veçanti për mundësitë për përparimin e rajonit drejt integrimit në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2018. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Denis Zvizdiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, theksuan vendosmërinë e tyre të plotë për të vazhduar punën për procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Siç u konfirmua qartësisht këtë vit, si nga Këshilli i Evropës në mars edhe nga presidenti Juncker në fjalimin e tij drejtuar Bashkimit Evropian në shtator, viti 2018 do të paraqesë një mundësi unike për rajonin për të bërë hapa të pakthyeshëm në rrugëtimin e tij drejt integrimit në BE, më kusht që t’u jepet prioritet reformave të nevojshme, në veçanti shtetit të së drejtës, reformës në drejtësi dhe të drejtave themelore të njeriut.
Sigal