Integrimi i Shqipërisë si torta e Bashkisë

477
Sigal

Shqipëria për herë të tretë nuk mundet të marrë statusin kandidat i BE-së, sepse palët politike nuk bashkëpunojnë

Dje në komisionet e Kuvendit, çdo gjë rrodhi si ditë e zakonshme, edhe pse të gjithë e dinin që në Bruksel, ministrat e jashtëm  të vendeve anëtare të BE-së do të vendosnin që të përcillnin për në Këshillim e Ministrave një raport për të refuzuar dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.  Nga asnjë deputet nuk u tha një fjalë përgjegjësie: “ Më fal, o popull, që dështuam!”. Pra, deputetët shqiptarë janë ambientuar me të tilla refuzime politike, që shprehin dështime të procesit të integrimit në Shqipëri, që me fjalë më të thjeshta, do të thotë që , edhe pse në Shqipëri ka 21 vjet tranzicion, kanë dështuar proceset e vendosjes së standardeve demokratike europiane. Shqipëria  për herë të tretë nuk mundi të marrë dot statusin kandidat. Edhe pse nuk ka asnjë konflikt politik, nacional, ushtarak me asnjë nga shtetet fqinj. Edhe pse shqiptarët janë populli më europëdashës në Ballkan. Edhe pse shqiptarët aspirojnë dhe përpiqen , që nga dita e parë e rrëzimit të regjimit komunist, që “Shqipërinë ta bëjmë si Europën”. Shqipëria nuk mundi për herë të tretë, që të marrë statusin kandidat, pasi forcat politike në Shqipëri nuk duan të bashkëpunojnë, nuk pranojnë kurrsesi që politikat e tyre partiake t’i venë në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë. I vetmi qëllim  dhe interes politik për partitë politike në Shqipëri është marrja e pushtetit dhe vetëm ky pushtet është promotori i gjithë interesave të forcave politike. Kryeministri Berisha, si një marathonomak i dështimeve të integrimit  dhe i demokracisë në Shqipëri, rendi që të dielën e pardjeshme që të fajësojë opozitën për bllokimin e reformave në Shqipëri. Mentaliteti totalitar i sundimit ka bërë që, Kryeministri, në Shqipëri, edhe pse qeveris 7 vjet me radhë,- është i vetmi udhëheqës në Europë që sundon 21 vjet në demokraci- fajëson opozitën për …korrupsion, për rënien e shtetit të së drejtës. Opozita, nga ana e saj, që ditën e parë pas zgjedhjeve të 2009-s, e deri më sot, asnjëherë nuk ka treguar vullnet bashkëpunimi politik, në funksion të proceseve të integrimit të Shqipërisë, derisa edhe në reformat e 12 prioriteteve, u mundua të bënte pazare politike për të përfituar më shumë kredo politike partiake, sesa të kontribuonte për përmirësimin e imazhit politik të Shqipërisë. PS-ja nuk arriti dot që të bindte përse nuk votoi tre ligjet e prioriteteve, por arriti të bëjë kauzë partiake mosvotimin e tre ligjeve të reformave, pa  ndjerë aspak përgjegjësi politike për refuzimin e statusit. Statusi i kandidatit Shqipërisë, iu mohua për herë të tretë, sepse PD dhe PS nuk arritën dot të gjenin mundësitë, rrugët e bashkëpunimit politik midis tyre.  Sikurse, u përdhunua, u përshkel torta e Bashkisë së Tiranës , më 28 Nëntor 2012, nga njerëz të uritur, të pangrënë, apo të pancenë nga edukata, edhe integrimi i Shqipërisë, dje u përshkel me politikën e mosemancipimit demokratik të  interesave partiake të PD-së dhe PS-së. Në këtë dështim, për të tretën herë, nuk mund të ketë të fituar, sikurse pretendon Berisha dhe Rama, dhe nuk mund të ketë fajtorë, sikurse akuzojnë Berisha-Rama njëri-tjetrin. Ka vetëm një viktimë. Viktima janë shqiptarët, viktimë është Shqipëria, që edhe pse festoi 100 vjet shtet, nuk  mundi që të ketë standarde demokratike europiane, për t’u pranuar në Familjen Europiane. Integrimi i Shqipërisë, tashmë i ngjan një flamuri të çjerrë, nga politikat kryeneçe partiake të PD-së dhe PS-së, që tërheqin për vete, copën e meritës partiake, të interesave partiake, për ta patur flamur të mbajtjes dhe marrjes  me çdo kusht, me çdo çmim, të pushtetit. Është turpi më i madh i 21 viteve të tranzicionit që përjeton Shqipëria dhe shqiptarët, që BE-ja të kushtëzojë integrimin e Shqipërisë me mënyrën e zgjedhjeve në Shqipëri. Në asnjë vend të Europës, nuk ka ndodhur, që pas 21 vjetëve të zhvillimeve demokratike, të dyshohet akoma nëse zgjedhjet nuk do të zhvillohen me standarde demokratike. Vetëm në sisteme diktatoriale, dyshohet për zgjedhjet, nëse do të zhvillohen demokratike, apo do të vidhet vota e popullit. Demokracia në Shqipëri është në formë e tillë, sepse në përmbajtje, derisa dyshohet se nuk do të ketë zgjedhje demokratike, kjo demokraci ka vdekur, ose ka mbetur në letër, është e pazbatueshme. Prandaj, u refuzua edhe statusi i kandidatit Shqipërisë, për herë të tretë. Sepse, demokracia, akoma, në 21 vjetët e tranzicionit, është e pazbatueshme, është e vdekur e shkruar vetëm në letër.