Integrimi, Fleckenstein: Reforma në gjyqësor, e domosdoshme

457
Paraditen e sotme, raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, zhvilloi një takim me komisionet parlamentare në lidhje me sfidat e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Fleckenstein theksoi se “reforma në gjyqësor është shumë e rëndësishme pasi do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit”. 
“Shteti i së drejtës dhe funksionimi i institucioneve gjyqësore do të ndihmojë në anëtarësim”, u shpreh Fleckenstein. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, tha në fjalën e saj se “vendet e Evropës Juglindore po ecin me shpejtësi drejt BE-së”, por shtoi gjithashtu se “Ballkani ka ende probleme të demokracisë dhe funksionimit të ligjit”.  “Asnjë nga ne nuk ka dyshim që zgjerimi është rruga e duhur. Procesi i integrimit ka sfida të shumta që nuk duhet të qëndrojnë pezull”, tha Bregu.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se jemi në një moment historik për rajonin tonë: “Jemi në një fazë intensive të marrëdhënies kontraktuale me BE-në. Qëllimi është anëtarësimi i plotë në BE për të rritur dhe standardet e jetesës së qytetarëve tanë”. “Ky proces është një impuls i ri për transformimin e rajonit tonë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar qëndrojnë si barrierë për zhvillimin”, shtoi Meta.
Sigal