“Institucioni i Akuzës e Gjyqësori të mos jenë në dorën e politikës”

563
Sigal

INTERVISTA/Idajet Beqiri, jurist: “Po nuk e besoi populli drejtësinë, reformat nuk e realizojnë qëllimin”

Duke bërë analogjinë, e reformës “Për Gjykatën e Lartë”,  maxhoranca, e dënon fillimisht  debatin politik, konsensusin e kërkuar dhe pastaj kërkon që ta gjykojë. Kjo mendësi mund të shpjegojë politikën e Patozit, i cili, edhe pse maxhoranca pranoi të shqyrtojë amendamentet e PS-së, madje në debat edhe me ekspertë,  deklaron paradhënie, 2 ditë para se të shqyrtohen,  që PD-ja kurrsesi nuk do të pranojë votimin e tyre.  Sipas Patozit, në Kuvend do të gjykojnë dënimin e dhënë.  Nga kjo shterpësi politike , ne pretendojmë të reformojmë vetveten, të kërkojmë progresin e Integrimit? Kjo është pyetja kryesore që kërkuam një përgjigje nga juristi i njohur Idajet Beqiri, me shkas reformën në Gjykatën e Lartë, në intervistën për “Telegraf”.

– Zoti Beqiri, me p/ligjin “Për Gjykatën e Lartë”, kërkohet të bëhet reformë në perfeksionimin juridik, apo reformë në ndërtimin e mirëbesimit te Gjyqësori?

Kur flasim për reformën, kjo është komplekse. Në fushën e drejtësisë, vërtet ka nevojë për një reformë të thellë. Duke munguar vullneti politik,i maxhorancës dhe i opozitës, sepse edhe opozita kërkon arnime, por gjithsesi nuk e rregullojnë sistemin e drejtësisë. Nuk ndikojnë te besueshmëria që duhet të ketë në radhë të parë drejtësia në popull. Po nuk e besoi populli drejtësinë, atëherë, sado të përpiqesh të bësh reforma, nuk realizon dot kurrën e kurrës qëllimin.

– Amendamentet e PS-së, a synojnë në një lidhshmëri organike të thelbit dhe dukjes së drejtësisë?

– Këto sjellin disa ndryshime, të cilat janë të domosdoshme.

– Cila është e domosdoshmja, që duhet bërë me çdo kusht?

Institucioni i akuzës, por edhe Gjykata e Lartë, edhe Gjykata Kushtetuese, nuk duhet të jenë në dorën e partive politike, të maxhorancave të tyre.

Si mund të largohen duart e politikës larg Gjyqësorit?

– Në Kushtetutë, e vetmja ndërhyrje që duhej bërë në 2008, ishte mënyra se si duhej zgjedhur Presidenti i Shqipërisë. Ose, do ta linim me zgjedhje 3/5 e votave, ose po të mos ishin për këtë zgjidhje, për mua ka ardhur koha që të avancojmë, sepse në këto 22 vjet riciklim krizash të pashoqe, me një tendencë për uzurpim të të gjitha pushteteve në duart e njëshit të ekzekutivit, zgjidhja më e mirë demokratike do të ishte që Presidentin ta zgjidhte drejtpërdrejt populli. Dhe po t’i lëmë Presidentit të zgjedhur nga populli të njëjtat kompetenca kushtetuese, do të zgjidhnim edhe këto që kërkojmë në reformat e Gjyqësorit. Do të përcaktonim edhe kriteret se cilët do të zgjidhen në Gjyqësor. Këto kritere duhet të përcaktohen nga komisioni i botës akademike. Mbase të vendosen kriteret e përzgjedhjes të anëtarëve për në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, ai që  propozon, edhe gjithë gjyqtarët e gjithë shkallëve të gjykimit, duhet të ishte KLD-ja. Në fund, dekretin e emërimit ta ketë Presidenti. Kështu shkëputim interesat e politikës mbi Gjyqësorin, mundësinë që politika të korrupsojë Gjyqësorin, sepse korrupsioni është në gjak të ekzekutivit, por edhe të legjislativit.

Kriteret e përzgjedhjes të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në këtë draft të ri të reformës përcaktohen në bazë të meritokracisë?

Në draftin e ri nuk është parashikuar ndonjë kriter i ri, sepse ato i vendos organi që i emëron. Sot i ka parlamenti kriteret se cili do të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë, e Komisioni i Ligjeve i përcakton. E reja që  kërkohet të sjell ky draft, është që emërimin ta vendosë shumica e emëruar e parlamentit.

Shumë juristë thonë, që në ato raste kur politika na kërkon mendimin tonë për të hartuar ndonjë p/ligj, kërkon dhe na imponon të themi ato gjëra që duan ata. Në këtë reformë, sa është dëgjuar mendimi i pavarur?

– Në këto 21 vite, edhe kur është kërkuar nga politika mendimi i botës akademike, është bërë për fasadë propagande. Pasqyrime në ligjet gjejnë ato që i përshtaten politikës, ato që janë racionale për interesat e veta. Edhe në Kodin Administrativ, ato mendime që dhanë specialistët e pavarur, nuk gjetën pasqyrim, sepse nuk ka dashur politika.

Duke marrë shkas nga amendamentet për ndryshime kushtetuese të PS-së, sipas jush, përse nga opozita nuk kërkohet zgjedhja e Presidentit me 84 vota?

Në politikën tonë nuk vihen në plan të parë interesat kombëtare. Këtu politika bëhet për hesap reciprok. Edhe opozita i bën gjërat sot, që kur të vijë në pushtet nesër, të përkojnë me interesat e saj. Maxhoranca e ka hallin, sa duar të lira ka ai për të përmbushur qëllimet e veta. Mjafton të kuptojmë përse e lejoi opozita Berishën t’i vënë kazmën  bashkërisht Kushtetutës në 2008-n, për të cilat sot, si viktimë, ulërin kaq shumë. Asnjëra nuk bëjnë gjëra që t’i ketë populli të mirat.

Amendamentet e PS-së për ndryshimet kushtetuese, do të debatohen nesër edhe me një grup ekspertësh. Mendoni se ky debat do të jetë esencial?

Ju shikoni ku konstanton formalizmi i jashtëzakonshëm, për të mos e quajtur tallja më e rëndë. Maxhoranca kërkon 2 javë kohë të lexojë amendamentet, kur ka një muaj që i ka në sirtar dhe ndërkohë deklarojnë që këto amendamente ne nuk i miratojmë kurrë. Amendamentet ishin paragjykuar, ndërsa kërkon 2 javë kohë që t’i…lexojë. Pra, pasi e dënoi, tha, hajde ta gjykojmë. Tani i rikthehet, që ta diskutojë urgjent, kur dihet që do të thotë “jo”.  Asnjë mendim objektiv i ekspertëve nuk do të pasurojë draftin politik të reformës.

Çfarë është drejtësia juridike?

– Drejtësia është edhe thelbi, por edhe dukja.Potë mos jenë këto në lidhje organike, nuk mund të jepet dot drejtësi.

Atë që nuk do të bëjë politika në Gjyqësor

Kam parasysh që reformat në drejtësi të largojnë duart e tyre nga pushteti  Gjyqësor.

 Qëllimi politik i reformës në drejtësi

Për fatin e keq, politika e të dyja krahëve për më shumë qeverisja, nuk ka interes të bëhet një reformë e thellë, që të sjellë përparim në fushën e drejtësisë.

Asistenca e ndërkombëtarëve në ndërtimin, kultivimin e mirëbesimit te drejtësia?

Politika jonë nuk ka vetëveprim, nuk ka iniciativë. Edhe asistenca e ndërkombëtarëve në vendin tonë ka qenë dyfytyrëshe. Kurrë nuk ka qenë e drejtpërdrejtë, kurrë nuk i është përshtatur psikologjisë së politikës sonë. Politika jonë e zbraz dyfekun në sup, nuk pret sa të marrë nishanin. Asistenca e ndërkombëtarëve nuk na thonë kurrë drejtpërdrejtë, që bota nuk ka ecur në këtë rrugë që ecni ju. Te ne reformat miratohen se vendos shumica, por jo se kjo është një përvojë e botës demokratike. Kjo ka ndodhur se faktori ndërkombëtarë me ne nuk ka qenë kurrë i sinqertë në qëndrimet që ka mbajtur në vendin tonë. Kanë bërë “diplomaci” sikur ne të ishim me mendësi demokratike franceze, gjermane, që dinë të lexojnë edhe nën rreshta. Ne, edhe ato që shkruhen, i lexojmë keq, si duam ne të shkruhen.

– Faleminderit!