Institucionet shtetërore të kapura nga krimi dhe arroganca e militantëve partiakë mbi drejtësinë

670
Sigal

Balla: Shantazhojnë qeverinë, në inskenim të përfshirë dhe gjyqtarë

Institucionet shtetërore janë të kapura nga krimi, deputetët sillen arrogantë në llogaridhëniet

Qeveria dhe deputetët socialistë po bëjnë përditë llogaridhënie, thua se janë në fushata elektorale. Asnjëherë dhe askush, që nga kryeministri, nga ministrat, deputetët, në këto llogaridhënie, nuk kanë lënë njerëzit të flasin, të dëgjojnë hallet, problemet, të njohin realitetin, por vetëm ata flasin pambarim, ata premtojnë çdo herë, dhe sa mbyllen dritat e kamerave, të gjitha çfarë thanë, çfarë zotimet dhe premtimet e dhëna harrohen. Ndodh, që qeveritarët nuk pranojnë nga qytetarët, të kritikohen, siç ndodhi me kryeministrin në llogaridhëniet në Lezhë, ku qytetarit iu mor mikrofoni, iu ndërpre fjala, sa filluan kritikat ndaj qeverisë.

Korrupsioni e krimi ta pandëshkuar, qeveritarët “armikun” e shikojnë tek opozita

Të gjithë krerët e vendeve më të fuqishme të BE-së, sikurse kancelarja Merkel, presidenti Macron, por edhe qeveria e Holandës janë skeptikë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, pikërisht, sepse reforma në drejtësi nuk ka ndëshkuar korrupsionin dhe krimin. Ndërkohë, në llogaridhëniet nëpër qarqe, kreu i grupit parlamentar,Taulant Balla, duke fshehur realitetin, kërkon që armikun politik ta gjejë te opozita, kur pohon se çdo gjë rreth audio-përgjimit është një mashtrim që po përdoret si shantazh ndaj Xhafajt për të penguar reformën në drejtësi. Balla: “Por gjithë ky inskenim shantazhi ndaj Fatmir Xhafës si Ministër vjen për shkak të luftës pa kompromis që ky i fundit i ka shpallur krimit te organizuar. Dhe në këtë inskenim janë të përfshirë, jo vetëm politikanë të korruptuar si Saliu, Monika, Luli etj., por janë të përfshirë edhe ndonjë gjyqtar i korruptuar, të cilët duke qenë se vetingu do t’i pastrojë nga sistemi i drejtësisë, u munduan të shantazhojnë Ministrin, të shantazhojnë qeverinë, për të mos lejuar vijimin e aksionit “Forca e ligjit”, për të mos vijuar punën që kemi nisur.

Masakra e pyjeve në Librazhd, institucionet heshtin, të kapura nga krimi

Një ndodhi në urën e Bushtricës zbulon përmasat e krimit, që kanë marrë peng institucionet. Nga një kamion i mbuluar me mushama, “zbarkoi” në mes të rrugës, e gjithë ngarkesa e saj me trupa të prera nga pyjet tona, që dëshmon masakrën e madhe që ndodh në pyjet e Librazhdit. Ngarkesa është e mbuluar me mushama, me qëllim, që të fshehin ngarkesën. Ku janë institucionet shtetërore, që të parandalojnë masakrën e pyjeve dhe të dënojnë ata që urdhërojnë dhe kryejnë këtë masakër? Ku është policia e Shtetit dhe policia bashkiake e Librazhdit? Ku janë institucionet e ministrisë, që nuk parandalojnë masakrën e pyjeve? Përse deputeti, përse ministri heshtin në llogaridhënie dhe nuk denoncojnë masakrën e pyjeve? A kanë ata interesa ekonomike që heshtin?

Njerëzit pa punë e bukë, ministrat zbulojnë mrekullitë e mirëqenies

Gjatë viteve 2015-2018 Shqipërinë e kanë braktisur më shumë se 350.000 shqiptarë, shumica në mosha të reja, për të kërkuar një shpresë mbijetese, sepse në Shqipëri janë të papunë, të pashpresë. Ndërkohë, që ministrat dhe deputetët në llogaridhënie japin shifrat e një parajse të një mirëqenieje të imagjinuar, duke premtuar se do të punësohen 300.000 në këto 2 vitet që kanë mbetur nga qeverisja e dytë. Ka mbi 5 vite që rrogat në Shqipëri, ndërkohë që çmimet rriten përditë dhe qeveria ende jep çdo ditë koncesione, edhe pse nuk bëhen fare investime publike ose thjesht bëhen suvatime dhe restaurime fasadash.

Pse heshtin deputetët ndaj torturave të policisë deri në vdekje të qytetarëve

Nuk kam për ta harruar një episod që ka ndodhur një ditë vjeshte shumë vite më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Gjirokastrës. Një hajdut në kuptimin e plotë të fjalë, u paraqit i shoqëruar nga policia për vlerësimin e masës së arrestit. Ai ishte keqtrajtuar nga policia lokale, por viktima nuk e dha veten ku gjyqtari i vlerësimit të masës së arrestit e pyeti pse syri i tij ishte bërë “përshesh”. Por gjyqtari, Artan Lazaj, jo vetëm që nuk e hëngri karremin, por me dinjitet pezulloi seancën e vlerësimit dhe urdhëroi një hetim për këtë keqtrajtim në dyert e komisariatit të Gjirokastrës. Ndërsa pardje vdiq në birucat e policisë së Korçës një qytetar 27 vjeç nga torturat, dhe askush, as prokuroria, as deputetët nuk u shqetësuan dhe të vinin përpara ligjit policët vrasës. Dje, u denoncuan nga familjarët, që djali dhe vëllai i tyre u keqtrajtua në Policisë e Vlorës, brenda në biruca, sapo u arrestua dhe asnjë deputet, asnjë prokuror nuk foli. Heshtja e tyre është bashkëfajësi me vrasësit e veshur me uniformën e Policit të Shtetit.