‘Institucionet janë institucione’; KQZ shkarkon një tjetër kryebashkiak socialist

436

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të zhveshi nga mandati kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku – i dyti kryebashkiak socialist që shkarkohet për shkak të së shkuarës ‘kriminale’ që nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Sigal

Komisioni Qendror i zgjedhjeve vendos të premten me votë unanime të shpallë të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, pas shqyrtimit të rezultateve të kontrollit të pastërtisë së figurës së funksionarit publik të përgatitur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Pas shkarkimit të Kajmakut ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili i është përgjigjur interesit të gazetarëve me një të vërtetë të rëndomtë duke thënë se “institucionet janë institucione.”

Sipas raportit të kontrollit të figurës Kajmaku akuzohet se ka dështuar të deklarojë në formularin e dekriminalizimit ndalimin dhe hetimin e tij në Greqi për përdorim të parave falso në vitin 2003, kohë kur ka përdorur aliasin Jorgo Toro.

Të dhënat për problemet e Kajmakut me ligjin u bënë fillimit publike nga Partia Demokratike, e cili i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e figurës së tij.

Me 28 tetor, Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike, duke e njoftuar se nga verifikimet e bërë nga zyra e Interpol në Athinë, ka rezultuar se ka një përputhje të plotë midis gjurmëve të shtetasit Agim Kajmaku dhe ato të shtetasit Jorgo Toro të depozituara në databazën e të dhënave kriminale.

Sipas Prokurorisë Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij.

Prokuroria nënvijëzon se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti përpara autoriteteve shqiptare, jo vetëm duke ndryshuar emrin dhe mbiemrin, por dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

Kajmaku është kryebashkiaku i dytë socialist që humb mandatin që nga zgjedhjet e 30 qershorit. Më herët kryebashkiaku u zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen për shkak të një dënimi në Itali për trafikim të lëndëve narkotike.

Partia Demokratike ka denoncuar në shtator edhe një kryebashkiak të tretë socialist, Mark Babani, i cili aludohet se është arrestuar në Sicili për vjedhje makinash. Babani ka mohuar akuzat duke paralajmëruar edhe një denoncim penal për shpifje.