INSTAT: Thatësira uli prodhimin e HEC-eve

573
Thatësira e madhe që përfshiu vendin kryesisht në 6-mujorin e dytë të vitit 2018 uli prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet në vend. Por, ndërsa është prodhuar më pak energji elektrike, autoritetet rritën masat për uljen e humbjeve në rrjet, të cilat pësuan rënie me 5.5%. Sipas raportit për bilancin e energjisë elektrike për vitin 2017, publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, gjatë 2017, është 4.525 GWh, nga 7.136 GWh energji të prodhuar në vitin 2016, duke shënuar rënie të prodhimit prej 36.6%. Sipas INSTAT-it, me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për vitin 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (42.7%) dhe hidrocentralet private dhe koncesionare (21.3%). Rënia e prodhimit të energjisë elektrike, në vitin 2017, ka ndikuar në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve të energjisë elektrike. Importet bruto (energji në marrje) u rritën me 86.3%, ndërsa sasia e eksporteve bruto (energji në dhënie) u ul me 73.9%, krahasuar me vitin 2016. Hidrocentralet publike kanë realizuar 64.5% të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2017, nga 71.4% që realizuan në 2016. Përqindja që zënë hidrocentralet private dhe koncesionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 35.5%, nga 28.6% që zinte në një vit më parë.
Sigal