INTERVISTA/ Gjetan Gjetani: Ja si më përjashtoi kryeministri nga partia

353

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri më përjashtoi nga partia, sepse kritikova policinë

Në Kurbin është ndjekur një praktikë e shëmtuar, e papëlqyeshme, sepse aty vijnë, në pjesën më të madhe, oficerë policie, që kanë ardhur me masa disiplinore, më shumë për persekutim. Unë jam i pakënaqur me punën që ka bërë policia në Kurbin.

Kryeministri Rama, duke përjashtuar live në fjalim deputetin, dëshmoi se në PS ka vdekur “demokracia e fjalës dhe kritika”. Deputeti Gjetan Gjetani, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se shprehu shqetësimin e qytetarëve, të cilët i kanë dhënë votëbesimin, pasi ka trokikur në dyert e ministrive, por ata nuk e kanë pritur ta dëgjojnë. Deputeti Gjetani thotë se deri tani në zonën e tij elektorale nuk është konkretizuar nga qeveria asnjë premtim elektoral, ndërsa investimet (edhe ato të pakta) nuk janë bërë aty ku duhet për të rritur ekonominë dhe për të hapur vendet e punës, por për fasada sheshesh. Deputeti Gjetani pohon për “Telegraf”, se kuadrot e Policisë së Shtetit në Kurbin emërohen aty për ndëshkim, pasi kanë marrë masë.

-Zoti Gjetani, kryeministri Rama ju mori telefon para Asamblesë Kombëtare?

– Po, më mori, më pyeti pse kritikova. Më tha që “ të përjashtoj” dhe më mbylli telefonin. Nuk priti të shpjegohesha. Kaq ishte biseda. Unë ngrita shqetësimin e qytetarëve të mi për një problem konkret të qetësisë publike në Kurbin, ndoshta edhe i ngarkuar me emocione, por nuk kisha qëllim t’i kundërvihesha qeverisë.

– A mendoni se është përmirësuar jetesa e banorëve në zonën tuaj elektorale, në këto 5 vite të fundit?

– Duhet të jemi realistë, gjendja ekonomike e banorëve të Kurbinit, në këto 5 vitet që qeveris qeveria e Rilindjes, as nuk është përmirësuar, as mund të them, që është përkeqësuar. Kurbini edhe para 2013-s është lënë pas dore, përsa i përket investimeve, por edhe pas 2013-s ka pasur investime, por nuk janë realizuar aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë, që të përfitojnë ekonomikisht nga investimet. Në Kurbin mungojnë investimet në Turizëm, nuk do kemi as zhvillim ekonomik. Akoma nuk rregullojnë dot një Pazar në Milot, i cili sot është në kushte skandaloze. Nëse nuk u japim mundësi investitorëve të realizojnë projekte të mëdha, që të hapin vende të reja pune, nuk mund të pretendojmë për zhvillim.

– Nëse ballafaqoni premtimet elektorale me çfarë është bërë, ju çfarë do të evidentonit konkretisht?

– Realisht, deri tani, unë nuk është bërë asgjë për zonën time elektorale. Unë e kam ngritur zërin nëpër ministri, në institucionet shtetërore, por të them të drejtën, zëri im si deputet për zonën e Kurbinit nuk është dëgjuar ashtu siç duhet.

– Pse?

– As vetë nuk e kam kuptuar pse-në. Kam bërë disa tentativa, për të fituar disa investime në Kurbin, por ma kanë mbyllur derën në çdo ministri.

– Ndihma ekonomike mendoni se jepet me kritere të drejta dhe a është e mjaftueshme për mbijetesë për familjet e varfra?

– Për ndihëm ekonomike unë kam pasur shumë ankesa nga qytetarët. Por qeveria dhe pushteti lokal duhet të bëjnë më shumë, që të hapen vendet e reja të punës.

– Thatë që investimet nuk bëhen aty ku duhet. Ku bëhen, atëherë investimet?

– Për mendimin tim, shumë herë investimet bëhen fasadë, për të zbukuruar sheshe, jo për të hapur vende pune. Investimi i parë duhet të ishte bërë tek përroi i qytetit, tek tregu i qytetit, tek rrugët.

– Sa siguri publike ndejnë sot njerëzit?

– Unë jam shumë i shqetësuar, por edhe qytetarët e Kurbinit. Kam shkruar edhe në rrjete sociale dhe për gjithçka që kam shkruar, qëndrojnë. Në Kurbin është ndjekur një praktikë e shëmtuar, e papëlqyeshme, sepse aty vijnë, në pjesën më të madhe, oficerë policie, që kanë ardhur me masa disiplinore, më shumë për persekutim. Unë jam i pakënaqur me punën që ka bërë policia në Kurbin. Kam pasur ankesa të shumta nga qytetarët, të cilët nuk gjejnë zgjidhje. Unë do t’ia bëj prezencë edhe ministrit të Brendshëm në interpelancë në Parlament.

– Në përgjigjet tuaja, na dhatë përshtypjen, që jeni ankuar edhe më parë, por nuk ju kanë dhënë zgjidhje?

– Po. Komisariati i Policisë së Kurbinit të lë shumë për të dëshiruar, për punën që nuk bën, sidomos patrullat e policisë në qytet. Qytetarët, edhe në Kurbin, edhe në Mamurras, edhe në Milot nuk bëjnë më gjumin e qetë.

– Ju si deputet socialist, keni kërkuar privilegje për emërime në administratën publike dhe në komisariat?

– Po kam kërkuar, por jo emra konkretë, jo emërime privilegjesh. Kam kërkuar që në Kurbin të vijnë njerëz të aftë dhe me integritet. Qytetarëve u dridhen këmbët të shkojnë të bëjnë një ankesë në polici. Le të më japin një provë, që unë kam kërkuar privilegje për emërime. Asnjë nga familja ime nuk punon në shtet.

– A është realitet që drejtues të veçantë dhe struktura të caktuara të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me krimin?

– Nuk mund të themi që policia jonë është në nivelet e policisë evropiane. Ka elementë brenda policisë së shtetit që janë të inkriminuar dhe dëgjojmë raste konkrete. Unë kam folur konkretisht vetëm për Policinë në Kurbin. Nuk kam kritikuar qeverinë, as ministra.

– Cili është mendimi juaj për emërimet në administratën publike? Emërohen drejtues e nëpunës për favore të deputetëve, ministrave?

– Unë si deputet nuk kam emëruar asnjë në administratën publike. Jam i hapur të ballafaqohem me cilido person që pretendon të kundërtën.

– Çfarë la tek ju, përjashtimi që ju bëri kryeministri nga PS-ja?

– Deri në këto momente unë nuk kam marrë konfirmim zyrtar dhe nuk di që të kem shkelur ndonjë pikë të statutit të PS-së. Pranoj, që nuk duhej të kisha reaguar të premten, por isha i ngarkuar me emocione. Nëse do marrin vendim zyrtar, mua nuk mund të më largojnë nga PS-ja as Edi Rama, as Asambleja Kombëtare për të qenë socialist. Nuk të bën fakti që ke një teserë partie e të jesh socialist. Unë njoh me dhjetëra zyrtarë, që janë edhe në nivele shumë të larta, që kanë nga 4-5 tesera partie në xhepat e tyre. Në statutin e PS-së është e shkruar që çdo anëtar partie ka të drejtën të ngrerë problemet dhe shqetësimet, aty ku jeton. Unë, si deputet, këtë të drejtë të statutit të PS-së zbatova.