Incidentet Serbi-Shqipëri, Meta “Ballkani u kthye 100 vjet prapa!”

427
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, merr pjesë në Konferencën Rajonale “Integrimi rajonal i Ballkanit perëndimor, një shtytëse për rritje ekonomike dhe stabilitetin”

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Integrimi rajonal i Ballkanit perëndimor, një shtytëse për rritje ekonomike dhe stabilitetin”.

Në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, z. Ilir Meta deklaroi sesfida e vendeve të Ballkanit është se si këtë bashkëpunim rajonal ta kthejnë në një shtysë të fuqishme për zhvillimin dhe për progresin ekonomik e social të gjithë rajonit.

Kryetari i Kuvendit theksoi se ekonomia sot në botë para se të jetë globale, përsëri është rajonale, ndërsa shtoi se krijimi i një bashkëpunimi më efektiv dhe i një koncepti më të ndërgjegjësuar në të gjitha vendet tona për të fuqizuar dimensionin ekonomik të rajonit si një i tërë, do të ndihmonte në fuqizimin dhe në dimensionin ekonomik dhe perspektivën e secilit prej vendeve.

Kryetari i Kuvendit tha se përgjegjësia jonë është për fëmijët tanë në radhë të parë, për gjeneratat që duan të jetojnë më mirë dhe në paqe të padiskutueshme, ashtu sikurse është e sigurtë që moszhvillimi ekonomik do ta kthejë rajonin  mbrapa, do të rrisë frustimin, do të zgjojë problemet etnike, do të çojë në konflikte të paevitueshme.

Z. Meta tha se shpesh interesat e ngushta çojnë në krijim konfliktesh jo transparente, të cilat pastaj mund të kthehen në përplasje midis vendeve të ndryshme apo qeverive të ndryshme.

Kryetari i Kuvendit theksoi se në rast se çdo vend do të përpiqet të krijojë pengesa për tregtinë e lirë, do të shohë interesat e ngushta momentale të një grupi të caktuar apo dhe të vetë  vendit, do të krijojë një klimë mosbesimi dhe do të dëmtojë besueshmërinë e këtij tregu si një treg rajonal ku hyjnë dhe duan të hyjnë edhe shumë aktorë të tjerë.

Z. Meta tha se historia na ka mësuar që Ballkani prodhon më shumë konflikt sesa konsumon, ndërsa theksoi se është momenti që të prodhohet më shumë bashkëpunim në mënyrë që të fitohet koha e humbur për shumë gjenerata dhe për rajonin dhe mbi të gjitha të fitohet e ardhmja e fëmijëve.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta:

 Dua të falënderoj Ambasador Neshon, sepse unë kështu e quaj gjithmonë, për ftesën. Dua të shpreh kënaqësinë që jam këtu në këtë mjedis mjaft domethënëse bashkë me ish-Presidentin e nderuar, Prof. Rexhep Mejdanin, me përfaqësues të nderuar të Parlamentit, të mazhorancës dhe të opozitës, të Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve, me shumë ambasadorë përfaqësues të Bashkimit Evropian, Gjermanisë, por dhe vendeve të tjera e organizatave të tjera partnere dhe me shumë përfaqësues të nderuar të shoqërisë civile.

Nuk do të doja të mbaja ndonjë fjalë të gjatë, për arsye sepse kjo është një temë e rrahur shpesh gjatë gjithë këtyre viteve dhe ajo që duhet, dhe që besoj se doli qartë edhe nga Konferenca e Berlinit është se tani duhet një bashkëpunim më konkret në disa akse strategjike, që e kthejnë bashkëpunimin rajonal në një domosdoshmëri për të përfituar jo vetëm sa më shumë paqe dhe stabilitet, por edhe për të prodhuar sa më shumë mirëqenie dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e rajonit tonë, pa dallim përkatësie etnike.

Nuk ka nevojë të kthehemi 100 vet prapa për të kuptuar rëndësinë e stabilitetit, sepse të gjithë e dimë se çfarë ndodhi 100 vjet më parë në Ballkan, por edhe në të gjithë kontinentin. Nuk ka nevojë të kthehemi as 15 apo 17 vjet prapa për të kuptuar sa e rëndësishme dhe e domosdoshme është paqja dhe stabiliteti por njëkohësisht edhe nuk ka nevojë të kthehemi as tre javë prapa për të parë se si në një ndeshje futbolli mund të kemi një rikthim të retorikave që i takojnë të së kaluarës. Që do të thotë se në kaq kohë në Ballkan është bërë mjaft për stabilitetin, për paqen, për integrimin dhe mjafton të kemi parasysh se disa vende tashmë janë kandidate përfshirë edhe Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Padyshim që edhe Bosnje-Hercegovina dhe Kosova e kanë vendin në Bashkimin Evropian dhe kjo është e përcaktuar qartë për të mos folur për Kroacinë, që është anëtarja më e re e këtij rajoni në Bashkimin Evropian dhe një shpresë, që ky proces të vazhdojë dhe me vendet e tjera.

Por është e domosdoshme të kuptojmë se nuk na duhet thjesht stabiliteti politik në Ballkan, thjesht për të evituar luftën. Kjo tani do të ishte një kërkesë fare minimale për vendet tona, për shoqëritë tona, për popujt tanë, për qytetarët tanë dhe natyrisht për elitat politike intelektuale shoqërore të këtyre vendeve dhe të gjithë rajonit. Tani mendoj se sfida jonë është se si këtë bashkëpunim rajonal ta kthejmë në një shtysë të fuqishme për zhvillimin dhe për progresin ekonomik e social të gjithë rajonit.

Jetojmë në një proces globalizimi, por në radhë të parë unë do të theksoja se ekonomia sot në botë para se të jetë globale, përsëri është rajonale. Dhe në këtë drejtim krijimi i një bashkëpunimi më efektiv dhe i një koncepti më të ndërgjegjësuar në të gjitha vendet tona për të fuqizuar dimensionin ekonomik të rajonit si një i tërë, do të na ndihmonte të fuqizonim edhe dimensionin ekonomik dhe perspektivën e secilit prej vendeve tona. Pra, të mos i shohim gjërat në një plan të ngushtë të interesave afatshkurta, por në një plan më afatgjatë, në mënyrë që rajoni të ketë mundësi të krijojë jo vetëm besueshmëri më të madhe, pra që ky është një rajon i sigurt, ku paqja dhe stabiliteti nuk kanë kthim prapa, por edhe përmes një bashkëpunim më aktiv, më konkret dhe më pragmatik të kemi mundësi të krijojmë bindjen, që në këtë rajon jo vetëm siguria është e padiskutueshme, por në këtë rajon mund të bëhet biznes pa rrezikuar. Këtu kam parasysh investitorët e mëdhenj, të cilët çdo vend tonin e shohin si një treg mjaft të kufizuar për të investuar, ndërkohë që e theksoj se ekonomia është në radhë të parë rajonale dhe ka rajone të tjera shumë më të mëdha, shumë më atraktive, shumë më joshëse për investimet, për kapitalet e huaja në vende të tjera të botës.

Ne kemi nevojë për këtë mirëkuptim dhe për këtë solidaritet në mënyrë që ne të përfitojmë maksimumin për vendet tona dhe për qytetarët tanë, sepse po të vazhdojmë të merremi me histori të së kaluarës do të tregojmë që jemi të paaftë për të mësuar nga ajo që ka ndodhur 100 vjet më parë dhe nga ajo që ka ndodhur 15 vjet më parë apo dhe nga ato emocione që shpërthyen para disa javësh në një ndeshje futbolli ku politika u përzie dhe më shumë se lojtarët dhe tifozët. Them këtë sepse përgjegjësia jonë është për fëmijët tanë në radhë të parë, është për gjeneratat që duan të jetojnë më mirë dhe në paqe të padiskutueshme, ashtu sikurse është e sigurtë që moszhvillimi ekonomik do ta kthejë rajonin  mbrapa, do ta rrisë frustimin, do të zgjojë problemet etnike, do të na çojë në konflikte të paevitueshme. Pra të dyja këto janë mjaft të lidhura me njëra-tjetrën sepse për çështjen e historisë dhe për çështjen e kufijve dhe për çështjen e hapësirave që mund t’i takojnë një kombi apo një kombi tjetër, kjo mendoj se është një çështje e zgjidhur në Ballkan, është e zgjidhur sepse çdo komb në Ballkan është diku shumicë në një shtet dhe diku pakicë.

 Dhe nuk ka asnjë zgjidhje për asnjë komb përveç asaj që të gjithë të respektojmë kufijtë dhe të gjithë të respektojmë në raport me pakicat të njëjta standarde, standardet evropiane. Vetëm kjo  e ka zgjidhur dhe e zgjidh përfundimisht problemin e së ardhmes së këtij rajoni. Ndaj e theksoj se bashkëpunimi rajonal, duhet shfrytëzuar tani jo thjesht për të garantuar një stad minimal të stabilitetit politik në kuptimin e shmangies së konflikteve dhe të rrezikimit të paqes, por në stadin e një zhvillimi më të avancuar ekonomik edhe rajonal. Marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA, natyrisht që ka qenë vetëm një instrument i cili është i pamjaftueshëm në rast se nuk avancohet me një axhendë rajonale të investimeve, gjë që u theksua edhe në Konferencën e Berlinit para disa muajsh. Në këtë drejtim unë do të nënvizoja edhe rëndësinë e instrumentit financiar të Bashkimit Evropian për nxitjen e këtyre investimeve, që shpresoj të jetë edhe më dobiprurës në të ardhmen dhe natyrisht mbetet e rëndësishme të zhvillojmë ato korridore të cilat krijojnë baza më të qëndrueshme për një zhvillim më të shpejtë të të gjithë rajonit dhe qarkullimit të mallrave, të njerëzve, të kapitaleve. Sidomos në rastin tonë do të theksoja rëndësinë e avancimit më konkretisht të Korridorit 8 apo edhe të Korridorit “Blu”. Dua të shpreh kënaqësinë për progresin e zhvilluar vitet e fundit në lidhje me linjat e interkonjuksionit, sikurse kemi atë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, apo aktualisht Shqipërisë dhe Kosovës dhe në të ardhmen shpresojmë edhe mes Shqipërisë me Maqedoninë.

 Janë të dobishme, jo thjesht për vendin tonë, por janë të dobishme për të gjithë rajonin dhe doja të falënderoja në veçanti edhe KFW-në për ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë në mbështetje të programeve rajonale për energjinë në mënyrë të veçantë, ashtu sikurse progresin në drejtim të realizimit të TAP-it apo të IAP-it, që do t’i japë një dimension tjetër bashkëpunimit rajonal , por do t’i japë mundësi të reja zhvillimit të ekonomisë në vendet tona. Në fushën e turizmit, absolutisht që edhe në këtë drejtim mbetet shumë për të bërë, për të shkuar drejt ofrimit të një pakete turistike rajonale, ashtu sikurse edhe në fushën e parqeve industriale dhe rajonale, duhet menduar më shumë në të ardhmen. Ky rajon do të jenë konkurrent vetëm nëse  harmonizon praktikat e biznesit mes vendeve tona në mënyrë që të krijohet një treg mbi 20 milionë konsumatorë, i aftë për të tërhequr investime strategjike. Shpesh interesat e ngushta çojnë në krijim konfliktesh jo transparente, të cilat pastaj mund të kthehen në përplasje midis vendeve të ndryshme apo qeverive të ndryshme. Këtu kam  parasysh për shembull disa raste që kemi pasur, jo me ndonjë vend tjetër të rajonit, por me një vend që ne e kemi shumë pranë, siç është Kosova.

 Kemi pasur historinë e çimentos, tani ka dalë historia e miellit. Janë histori interesash, grupesh lobiste në Kosovë apo në Shqipëri. Këto çështje mund të zgjidhen vetëm përmes politikave transparente, përmes diskutimeve, përmes vendosjes së standardeve të cilat duhet të respektohen dhe të zbatohen nga të gjitha vendet. Dhe natyrisht standardet, përderisa të gjitha vendet janë në një rrugë të qartë të integrimit evropian dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, janë vetëm ato. Por natyrisht që nëse një debat i tillë do të ishte hapur me një vend tjetër si me Maqedoninë apo me Malin e Zi apo me Serbinë, do të merrte përmasa të tjera dhe debati do të politizohej kur në fakt nuk janë interesa politike, por janë interesa ekonomike të grupeve të caktuara  të cilat synojnë të përfitojnë apo të dëmtojnë rivalët e tyre në treg duke përdorur politikën dhe vendimmarrjen.

 Si shmanget kjo? Vetëm përmes transparencës dhe vetëm përmes vendosjes së standardeve të përbashkëta, sepse në rast se çdo vend do të përpiqet të krijojë pengesa për tregtinë e lirë, do të shohë interesat e ngushta momentale të një grupi të caktuar apo dhe të vetë  vendit, do të krijojë një klimë mosbesimi dhe do të dëmtojë besueshmërinë e këtij tregu si një treg rajonal ku hyjnë dhe duan të hyjnë edhe shumë aktorë të tjerë të përmasa të tjera.

Unë besoj se historia na ka mësuar që Ballkani prodhon më shumë konflikt sesa konsumon. Tani është momenti që të prodhojmë më shumë bashkëpunim në mënyrë që të fitojmë atë kohë të humbur për shumë gjenerata dhe për rajonin dhe mbi të gjitha të fitojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është më e rëndësishme se sa t’i referohemi gjithnjë së kaluarës. Për të kaluarën duhet të lëmë historianët. Ajo që ne duhet të bëjmë është të fitojmë të ardhmen e përbashkët evropiane. Kemi këtë fat të madh që të gjitha vendet dhe të gjithë qytetarët tanë synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, jo si një qëllim në vetvete, por si një instrument për të garantuar edhe paqen, edhe prosperitetin për qytetarët tanë, për shoqëritë tona. Atëherë le të punojmë konkretisht në këtë drejtim. Faleminderit për vëmendjen!