Incident në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak të Kukësit

415
Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të Kukësit për konstituimin e tij dhe marrjen e detyrës nga kryetari i sapozgjedhur Bashkim Shehu nuk ka kaluar pa debate.
Në kohën kur këshilltarët e djathtë po përcillnin kryetarin e sapo betuar të bashkisë në zyrën e tij, të majtët janë mbledhur dhe kanë nisur votimin për zgjedhjen e 4 anëtarëve për në Këshillin e Qarkut. Lavdrim Shehu, kryetari i këshillit tha se anëtarët e majtë dhe nënkryetari i këshillit kanë vijuar mbledhjen pa qenë 50 + 1 këshilltarë në sallë, për zgjedhjen e 4 anëtarëve për në Këshillin e Qarkut. “Kanë ndryshuar komisionin, është larguar me forcë nga salla sekretari i këshillit”, tha Shehu. Edhe Arif Rexhmati, kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë tha se ky veprim është i kundërligjshëm. “Ky është uzurpim institucioni, në kundërshtim me kodin zgjedhor. Do bëjmë padi penale, sekretari është nxjerrë me dhunë. Ky vendim është një akt vandal. E majta do të denigrojë këshillin. Veprim i paprecedentë”, tha Rexhmata.

Bashkia e re e Kukësit nisi punën sot me mbledhjen e këshillit bashkiak. Gjatë kësaj mbledhje të parë të këshillit bashkiak, kryetari i ri i Bashkisë Bashkim Shehu, bëri betimin e tij ashtu si edhe anëtarët rinj të këshillit. Kryetari i ri i Bashkisë tha se tani duhet bërë më shumë për komunitetin, duke u ofruar zgjidhje për çdo problem që të ketë. “Kukësi është pa ujë, ka varfëri. Do të jem i prirur për bashkëpunim me këdo”, tha Shehu pas betimit dhe marrës së detyrës nga këshilli i ri bashkiak.
Në përfundim të procesit të votimit të përfaqësuesve vendorë, Lavdrim Shehu u zgjodh kryetar i këshillit bashkiak ndërsa nënkryetar Xhevdet Sopi. I pranishëm në konstituimin e këshillit bashkiak ishte deputeti demokrat i zonës Flamur Noka.
Sigal